Foto: "Home"

Filmi Kosovar për Krizën e Migrimit Debuton në Londër

Edhe pse vala e fundit e azilkërkuesve nga Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore që po shtegtojnë nëpër Evropë në kërkim të një jete më të mirë kryesisht i janë shmangur Kosovës, eksodi i fundit i kosovarëve sidoqoftë frymëzoi një film të metrazhit të shkurtër për migrimin.

“Home”, një film nga regjisori i mirënjohur Daniel Mulloy do ta ketë premierën të dielën në Londër në Ditën Botërore të Refugjatëve. Në film luajnë aktorët Jack O’Connell dhe Holliday Grainger të cilët interpretojnë rolet e prindërve në një familje tipike britanike.

Një mëngjes, familja dëgjon një kronikë lajmesh ku thuhet se Britania “po vërshohet” nga emigrantët, gjë që i dërgoj nga një jetë normale në një qytezë periferike drejt një vatre të luftës.

Në një intervistë për Gazetën Jeta në Kosovë, Mulloy ka thënë se ai ka dashur ta paraqesë një skenar sureal që do të përshkruante absurditetin e luftës dhe mbylljen e dyerve nga Evropa ndaj refugjatëve nevojtarë.

“Desha të krijoja diçka të pakuptimtë, diçka absurde, sepse për mua lufta është absurde. Për mua ka kuptim ta marr familjen time me vete në kërkim të sigurisë. Por të shkosh prej sigurisë së plotë dhe rehatisë drejt vatrës së luftës, të nisesh pa asnjë arsye – kam dashur ta përshkruaj këtë pyetje: a ka dëshirë ndokush të rrijë në një vatër lufte? Ka njerëz që nisin udhëtime tejet të rrezikshme me familjet e tyre sepse nuk kanë mundësi të mbijetojnë aty ku janë”, ka thënë ai.

Mulloy, i cili fitoi çmimin BAFTA (Çmimi Britanez për Film dhe Arte Televizive) për filmin e tij të metrazhit të shkurtër Antonio’s Breakfast (Mëngjesi i Antonit), ka thënë se ai ishte frymëzuar për ta bërë filmin pasi ishte takuar me një familje në Stacionin e Autobusëve të Prishtinës të cilët ishin kthyer pasi kishin dështuar të merrnin azil. Familja mbahej në kushte të dobëta në një kamp emigrantësh në Hungari, dhe fëmija i tyre i vogël ishte sëmurë duke fjetur në dysheme dhe i ishte nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjike.

“Gjithmonë kujtoja atë familjen që e takova në stacion të autobusëve. Pavarësisht se kishin kaluar atë tmerr… dyshoj se do e kisha pasur fuqinë për të qeshur, lidhja e tyre, çiltërsia që kishin ndaj meje. Të them të drejtën u ndjeva shumë keq”, tha Mulloy për Gazetën JNK.

Foto: "Home"
Foto: “Home”

Ky takim, i cili ndodhi teksa ai filmonte një video promocionale për festivalin DokuFest 2015 që përqendrohej në temën e migrimit, e shtyu të vizitonte kampe azilkërkuesish në Maqedoni, dhe kështu lindi ideja për filmin.

“E kuptoj plotësisht se pse ky rrëfim absurd i treguar me realizëm disi mori një kuptim të çuditshëm – e përafërt me vetë absurditetin e të qenit në luftë. Si shtazë të mbyllura brenda një gardhi. Është krejtësisht sureale që ne në Evropë lejojmë që kjo të ndodhë, që njerëzit mund të thonë ‘janë politika’”.

Mulloy tha për gJNK se jeta e tij në një pjesë të Londrës me shumëllojshmëri njerëzish dhe e kaluara tij, përfshirë gjyshen e tij e cila ishte e vetmja anëtare e familjes që i shpëtoi Holokaustit, e frymëzuan t’i përkrahte refugjatët.

Partnershipi i Mulloy me DokuFest  ndikoi që anëtarë të festivalit të merrnin pjesë në procesin e krijimit të filmit dhe që skenat e konfliktit të xhiroheshin në Kosovë, Graçanicë dhe Janjevë. Gjithashtu, Grupi i Kombeve të Bashkuara në Kosovo ndau fonde bashkë me UNHCR-në, Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë.

Shpat Deda, një nga producentët e filmit, thotë për Gazetën JNK se “Home” është filmi më i madh ndërkombëtar me aktorë të Hollywood që është filmuar në Kosovë, dhe se grupi i producentëve u bënë bashkë për shkak të besimit të zjarrtë në rëndësinë e temës.

“Ishim në atë lloj situate”, thotë Deda. “Po të mos ishte për dhembshurinë që na është dhënë, shumë nga ne nuk do të ishim këtu sot. Arsyeja se pse shumica e njerëzve iu bashkuan grupit është sepse ata kuptuan çështjen dhe deshën të ndihmonin.”

Përveç Dedës, dy producentët ekzekutivë, Arta Dobroshi dhe Eroll Bilibani, janë po ashtu nga Kosova. Më shumë se 30 aktorë kosovarë kanë luajtur në film dhe shumica e dizajnit të skenave dhe artit është bërë gjithashtu në Kosovë.

Mulloy thotë se kishte mbetur pa mend nga ekipi i tij.

“Kosova ka talente të mëdha, entuziazëm dhe guxim – guxim për të bërë diçka absurde u me një buxhet absurd. Mundi i kushtuar ka qenë fenomenal. Ata kishin bërë aq shumë përgatitje sa që punonim si një njësi e vetme, mendoja më vete “Po punoj me një grup gjenish”.

Foto: "Home"
Foto: “Home”

Deda dhe Mulloy kanë thënë se janë falënderues edhe ndaj Policisë së Kosovoës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) për luajtjen e roleve dytësore.

Lansimi i filmit në Ditën Botërore të Refugjatëve do të shoqërohet me aplikacionin Blippar i cili do t’i lejojë përdoruesit të tregojnë përkrahje refugjatët duke i skenuar duart dhe duke nënshkruar një peticion në përkrahje të azil kërkuesve.

Premiera e filmit do të ndodhë vetëm pak ditë para votës “Brexit” më 23 qershor me ç’rast qytetarët e Britanisë së Madhe do të vendosi se a do të vazhdojnë të jenë pjesë e Bashkimit Evropian apo jo. Në debatin publik për referendumin, emigrimi ka qenë temë mjaft e kontestuar, sidomos për kampanjën pro daljes. Një pjesë e retorikës ka qenë posaqërisht keqdashësh, dhe Jo Cox, deputete nga Partia Laburiste dhe ish-aktiviste për emigracion, u vra të enjten.

“Është kohë shumë e rëndësishme për Britaninë në shumë mënyra”, ka thënë Mulloy, duke i bërë apel audiencës të shikojnë filmin me aktorë që duken si ata, dhe ta kuptojnë se edhe ata mund të bëhen refugjatë dhe të kërkojnë strehë në shtete të huaja.

“Sa i përket audiencës së gjerë, njerëzit me të vërtetë lidhen me Jack-un dhe çfarë do të thotë të jesh prind apo fëmijë… është vetëm kur i shohim njerëzit në nevojë si “të tjerë” kur nuk duam të ndihmojmë, por kur ka lidhje të gjithë jemi të aftë ta duam njëri tjetrin”.