Fadil Hysaj: 'EtnoFest' e shndërroi Kukajn në një fshat të turizmit dhe kulturës

Edicioni jubilar, i dhjeti me radhë i festivalit të traditës, “EtnoFest” është planifikuar të mbahet nga 20 deri më 25 gusht 2020.

Temë që këtë edicion do të përshkojë shumicën e programeve do të jetë Gruaja dhe Dielli.

Por, rritja e vazhdueshme e të infektuarve me Coronavirus dhe paralajmërimet e qeverisë për ashpërsim të masave kundër COVID-19, mund të detyrojnë organizatorët që ta shtyjë mbajtjen e festivali në data e caktuara.

Regjisori Fadil Hysaj, themelues dhe drejtues i këtij festivali ka thënë në një intervistë për Kallxo.com se janë përgatitur për mbajtjen e festivalit dhe kompleksi në Kukaj, ku mbahet festivali ka një hapësirë të përshtatshme për organizim edhe në këtë kohë pandemie.

Ai ka thënë se në edicionin e 10-të të këtij festivali janë planifikuar të realizohen rreth 90 programe që shtrihen në 10 shtylla programore. Por, ka shtuar se nesë gjendja vazhdon të përkeqësohet atëherë do të jenë të detyryar ta shtyjnë “EtnoFestin” për muajin shtator ose tetor të këtij viti.

Foto: Kallxo.com

Sfida përballë COVID-19

Kallxo.com: Kanë mbetur edhe pak javë deri në fillimin e edicionit të 10 -të të “EtnoFestit”. A është duke u rrezikuar mbajtja e festivalit nga përhapja e COVID-19?

Fadil Hysaj: Po, ne shpresojmë se gjatë gushtit do të ketë përmirësim të gjendjes dhe lehtësim të masave kufizuese për aktivitete kulturore dhe me rritjen e vetëdijes së qytetarëve për distancim fizik dhe masa tjera mbrojtëse, aktivitetet, sidomos këto si tonat në Kukaj mund të zhvillohen pa ndonjë problem.

Kallxo.com: Kur do të mbahet këtë vit “EtnoFesti”?

Fadil Hysaj: Data fikse të cilat do të donim të mos e lëviznin janë nga 20 deri 25 gusht 2020.

Kallxo.com: Si është menduar të organizohet edicioni i sivjetmë i “EtnoFestit”, gjithnjë duke pasur parasysh zhvillimet me Coronavirusin?

Fadil Hysaj: Coronavirusi me gjasë do të jetë edhe në kohë të gjatë i pranishëm në jetë tonë dhe duhet të gjenden mënyra e hapësira ku aktivitetet kulturore të mbahen pa e rrezikuar në asnjë mënyrë shëndetin publik. Platforma online, ka dhënë rezultate të mira në arsim, por në kulturë, sidomos në artet performative, kjo, konsideroj se jep pak mundësi zhvillimi dhe si pasojë e kësaj mund të kemi varfërim enorm të jetës kulturore ne vend, dhe për pasojë varfërim ekstrem kulturor.

Ne posedojmë një infrastrukturë shumë të përshtatshme dhe të bollshme të hapësirave të hapura (6 anekse të hapura) me disa  galeri gjysmë të hapura të cilat i plotësojnë kushtet për aktivitete konform standardeve që ka përcaktuar autoritetet shëndetësore dhe qeveria. Po, nëse gjendja vazhdon të përkeqësohet atëherë do të na duhet ta shtyjmë “EtnoFestin” për muajin shtator ose tetor.

Programi i festivalit

Kallxo.com: Cili është program që është planifikuar për edicionin e sivjetëm të “Etnofestiti”?

Fadil Hysaj: Programi është tejet ambicioz. Janë planifikuar të realizohen rreth 90 programe që shtrihen në 10 shtylla programore: shfaqje teatrore, ekspozita, filma dokumentarë, rite të moçme, koncerte, etno – performanca, kulinari tradicionale, zeje të vjetra, biseda odash e promovime librash, etno-neja. Si temë që do të përshkojë shumicën e programeve do të jetë Gruaja dhe Dielli.

Kallxo.com: Cilat do të jenë të veçantat e këtij edicioni?

Fadil Hysaj: Pos programit të dendur, atraktiv me më vlera artistike e kulturore, atraksion i këtij festivali do të jetë tema e Gruas dhe Diellit. Do t’i trajtojmë në nivel shumëdimensional këto dy tema përmes veprave të ndryshme artistike si ekspozita, shfaqje teatrore, punëtori artizanale e kulinarike, performanca etnomuzikore, koreografike, instalacione dhe në debate shkencore interaktive mes njohësish të këtyre temave dhe publikut.

Kallxo.com: Cilët do të jenë personalitetet që do të marrin pjesë në programin e “Etnofestit”, këtë vit?

Fadil Hysaj: Do të bëjmë ftesa për një numri personalitetesh që i konsiderojnë të rëndësishëm për kulturën artit, gra që kanë lënë gjurmë në kulturën dhe jetën tonë publike, artistë të skenës arteve figurative e muzikore, etnologë antropologë.

Këtë vit do të kemi pjesëmarrëse edhe një trupe teatrore kontemporane italiane ‘Ateliercuncheon’ nga Bergamo e Italisë e drejtuar nga aktori dhe regjisori Andrea Benaglio, e cila në vendet mesdhetare evropiane dhe aziatike organizon dhe prezanton shfaqje, zhvillon punëtori teatrore, merret me eksplorimin e traditave të moqe dhe riteve teatrore, duke ndjekur një rrugë origjinale të hulumtimit teatral.

 

Shënimi i jubileut

Kallxo.com: “EtnoFest” këtë vit shënon 10 vjetorin e themelimin,  si e shihni rrugëtimin e këtij festivali gjatë një dekade?

Fadil Hysaj: Ka qenë periudhe me shumë energji entuziazëm e me pak përkrahje. Sikur një aktivitet i përmasave kaq të mëdha të ishte zhvilluar në kryeqytet ose në njërin nga qytetet më të mëdha të Kosovës, vëmendja e politikanëve vendimmarrës do të ishte më e madhe. Por, në mentalitetin e tyre sikur ende ekziston paragjykimi ose kompleksi i origjinës nga fshati që nuk i lejon që Kukajn ta shohin dhe ta pranojnë si një qendër kulturore me potencial të madh, ku mund të zhvillohet kulturë e art që ka bazë traditën. Ndryshe s’mund të kuptoj këtë sjellje mospërfillëse të tyre. Kukaj ka qenë një fshat tërësish i braktisur, në te cilin ka jetuar një familje. Sot falë “EtnoFestit” ky fshat është rrite 30 fish. Ka  një infrastrukturë për të gjitha llojet e aktiviteteve kulturore dhe është fshati i vetëm në Kosovë dhe në Ballkan, i cili i plotëson të gjitha normat për një zhvillim të bujshëm edhe të turizmit kulturor dhe etnoturizmit.

Kallxo.com: Sa është shuma që këtë vit ka dhënë MKRS për këtë “EtoFestin”?

Fadil Hysaj: 9,000 euro. Me këto mjete s’mund të mbulojmë shpenzimet minimale të festivalit e lere më shpenzimet  akomodimit, ushqimit dhe udhëtimit të trupave pjesëmarrëse. Nganjëherë kam përshtypjen se me ketë sjellje nënçmuese ndaj këtij festivali dëshirohet dekurajimi ynë që të lodhemi dhe të heqim dorë, por ne do të mundohemi që ta përmbyllim me sukses edhe këtë edicion meqë është jubilar dhe nëse vazhdohet me këtë sjellje nënçmuese s’na mbetet tjetër pos të dorëzohemi.