Enver Hoxhaj I Foto: Kallxo.com

Enver Hoxhaj: Dialogun do ta drejtojë Presidenti Thaçi

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj në një intervistë për KALLXO.com ka thënë se ekipi negociator i votuar nga Kuvendi i Kosovës më 15 dhjetor dhe Presidenti i Kosovës janë një ekip në negociatat që do të zhvillohen mes Kosovës dhe Serbisë.

Por, sipas tij,  ai që do ta përfaqësojë këtë dialog është Presidenti, pasi që Bashkimi Europian ka përcaktuar që niveli më i lartë i negociatave do të zhvillohet në nivel presidentësh.

“Delegacioni në bashkëpunim me Presidentin dhe nën udhëheqje të Presidentit do t’i përfaqësojë interesat e qytetarëve të Kosovës. Presidenti Thaçi ka një mandat kushtetues që ta udhëheqë politikën e jashtme dhe delegacioni është mandatuar që të jetë pjesë e këtij procesi”, ka thënë Hoxhaj për KALLXO.com.

Në këtë intervistë, Zëvendëskryeministri Hoxhaj ka folur edhe për idenë e presidentit të korrigjim të kufijve ku ka thënë se rezoluta e miratuar i përcakton qartë vijat e kuqe.

Ndërsa duke folur për liberalizimin e vizave, Hoxhaj ka potencuar që për këtë vit nuk ka asnjë ‘shancë’ që qytetarët të lëvizin pa viza. Ai thotë që premtimi që kanë marrë nga BE-ja është mesi i vitit të ardhshëm .

Hoxhaj ka folur edhe për mundësinë e heqjes së taksës, takimin e MSA-së, ftohjen e raporteve me BE-në, si dhe ndryshimin e diskursit karshi BE-së.

KALLXO.com: Z. Hoxhaj, të hënën u mbajt takimi i tretë të Këshillit të Stabilizim-Asocimit ndërmjet Bashkimit Europian dhe Kosovës. Si shkoi ky takim, cilat ishin kërkesat e palës kosovare dhe cilat ishin kërkesat e BE-së?

Enver Hoxhaj, Zëvendës Kryeministër i Kosovës. Foto: Kallxo.com

Enver Hoxhaj: Ne patëm mundësinë që t’i prezantojmë rezultatet tona prej 22 prioriteteve sa i ka agjenda europiane e reformës. 10 janë plotësuar në tërësi, pjesa tjetër pothuajse 70-80 përqind janë përmbushur si të tilla dhe ky ka qenë fokusi i parë i diskutimit. Një çështje e dytë të cilën ne e kemi ngritur si Kosovë e cila ka qenë edhe pritja bazike e kosovarëve në vitin 2018 ka qenë procesi i liberalizimit të vizave ku ne kemi shpreh shqetësimin tonë, mospajtimin tonë edhe zhgënjimin tonë me mosvendimarrjen e Bashkimit Europian, dhe natyrisht që ka pasur debat edhe për çështje të reformave në sundim të ligjit edhe për çështje të stabilitetit makrofiskal edhe për reformë të administratës publike sikurse edhe për taksën të cilën e kemi vendosur në importet serbe në Kosovë.

KALLXO.com: Pas presionit ndërkombëtar a është duke e shqyrtuar Qeveria e Kosovës mundësinë për largimin e taksës 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës?

Enver Hoxhaj: Duhet t’i kuptojmë arsyet të cilat e kanë detyruar qeverinë e Kosovës që ta vendosë një taksë të tillë. Në vitin 2017-2018, Serbia ka bërë një kampanjë agresive në raport me sovranitetin e Kosovës duke bërë një përpjekje të tërheqë njohje duke bllokuar Kosovën që të anëtarësohet në organizata të ndryshme ndërkombëtare, ku shembulli i fundit ishte INTERPOL-i duke bërë përpjekje që ta minojë shtetësinë e saj brendshme përmes tërheqjes së pjesëtareve nga FSK-ja. I vetmi raport normal që dëshiron Serbia ta ketë me Kosovën është tregtia, çdo gjë tjetër që ka të bëjë me sovranitetin tonë që ka të bëjë me bashkëpunimin politik që ka të bëjë me bashkëpunimin rajonal që ka të bëjë me ushtrimin e sovranitetit të Kosovës në kontekst ndërkombëtar politika e Serbisë ka qenë armiqësore në raport më Kosovën. Këto kanë qenë rrethanat të cilat e kanë detyruar qeverinë e Kosovës që ta vendosë një taksë të tillë, vendimi mbetet në fuqi, ai i cili është marrë para disa javësh.

KALLXO.com: Serbia është kthyer nga takimi me BE me një grant prej 97 milion euro, ndërsa Kosova me plot kritika … A është Kosova aktualisht në pikën më të ulët të raporteve me BE?

Enver Hoxhaj: Është e vërtetë që takimi i djeshëm është përcjellë me tensione por BE-ja për ne është partneri më strategjik në Europë, pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës adresa e dytë në sjelljen tonë ndërkombëtare është BE-ja. Rruga jonë drejt BE-së dhe raporti jonë me BE-në është i paalternativë por në situata të partneritetit natyrisht që ky raport është bilateral është Kosovë- Bashkim Europian dhe mes partnerëve mund të ketë nganjëherë tensione. Tema kyçe e cila ka bërë që takimi të jetë në formën sesi ishte është mungesa e një vendimmarrje për liberalizimin e vizave, ndërsa ne asnjëherë nuk e ngatërrojmë qasjen që e kemi në raport me Serbinë dhe raportin që e kemi me BE-në dhe nuk duam që ta kemi Serbinë në mes të raporteve BE- Prishtinë.

Partneriteti me BE-në është i shenjtë, duhet ta ruajmë!

KALLXO.com: A i keni lexuar komentet që i kanë bërë qytetarët në profilin e Mogherinit. A të ka pëlqyer kjo lloj proteste?

Enver Hoxhaj: Ne si qeveri e Kosovës dhe unë si zëvendës kryeministër i përfaqësoj interesat politike aty ku duhet të përfaqësohen dhe qëndrimi që kemi mbajtur dje është qëndrim shtetëror i një shteti. Se çfarë deklarohen qytetarët nëpër rrjete sociale ju takon atyre që ta thonë një gjë të tillë, por përtej këtij zhgënjimi të dhjetorit të mungesës së një vendimi për liberalizim të vizave unë e kisha ftuar çdokënd që partneritetin më BE-në ta ketë partneritet të shenjtë.

KALLXO.com: Z. Hoxhaj, Kuvendi i Kosovës para pak ditësh ka miratuar rezolutën për dialogun me Serbinë, në kuadër të së cilës është emëruar edhe ekipi negociator gjithëpërfshirës. Si e keni parë këtë hap?

Qasja strategjike e PDK-së, krijoji ekipin negociator

Enver Hoxhaj: Mendoj që vota të shtunën e kaluar ka prodhuar një situatë të re edhe politike. Ky është një delegacion i cili përbëhet nga një numër i duhur i partive politike. Duam që ta shohim edhe pjesën tjetër të opozitës që të bëhet pjesë e procesit meqë dialogu e tejkalon mandatin që mund ta ketë kuvendi, e tejkalon mandatin që mund ta ketë një qeveri, është një temë e cila do ta përcjellë Kosovën, prandaj sa më unitet që tregojmë ne në raport me dialogun aq më të mira do t’i kemi shancat që të nxjerrim një marrëveshje të mirë me Serbinë. Ajo çka vlen është që prej spektrit politik partiak, Partia Demokratike e Kosovës (PDK)  është bosht i politikës në këtë vend dhe mbështetja dhe durimi dhe qasja strategjike e PDK-së ka bërë që në fund ta kemi një delegacion i cili u votua edhe në Kuvendin e Kosovës.

KALLXO.com: Prej 11 personave, asnjë grua nuk është e zonja të ulet në atë tavolinë?

Enver Hoxhaj, Zëvendës Kryeministër i Kosovës. Foto: Kallxo.com

Enver Hoxhaj: Delegacioni në këtë drejtim është i pabalancuar. Natyrisht që Kosova ka gra zonja dhe zonjusha të cilat janë shumë dinjitoze, shumë të përgatitura, të cilat do të mund të ishin pjesë e këtij delegacioni. Çelësi ka qenë kryesisht partiak por nuk është një pamje e mirë për Kosovën nëse nuk ka asnjë grua në delegacion.

KALLXO.com: Ka dilema rreth legjitimitetit të këtij grupi. Ai drejtohet nga një lider i partisë së pestë dhe një tjetër i një partie që ende nuk është provuar me votë të drejtpërdrejtë…

Enver Hoxhaj: Sesa delegacioni është legjitim ka treguar atë ditë vota në Kuvendin e Kosovës ku mori mbështetje të mirëfilltë të partive të koalicionit dhe bashkimi i PSD-së me këtë delegacion natyrisht që është një ngjarje pozitive për vendin. Delegacioni në bashkëpunim me presidentin dhe nën udhëheqje të presidentit do t’i përfaqësojë interesat e qytetarëve të Kosovës. Presidenti Thaçi ka një mandat kushtetues që ta udhëheqë politikën e jashtme dhe delegacioni është mandatuar që të jetë pjesë e këtij procesi dhe besoj që këtu nuk ka debat se kush është legjitim dhe jolegjitim.

KALLXO.com: A do të lejojë ekipi negociator, pjesë e së cilit jeni edhe ju, diskutimin e territorit të Kosovës në dialogun me Serbinë. A do ta mbështesë ky ekip idenë për ‘korrigjim’ të kufirit?

Enver Hoxhaj: Rezoluta e cila është miratuar atë ditë, parametrat, vijat e kuqe, qëllimet të cilat i përcakton kjo rezolutë është e qartë se cili është mandati i dialogut. Por përtej asaj që të flasim se cili do të jetë epilogu i dialogut, cili do të jetë rezultati final i dialogut, mendoj që e shtuna e kaluar ka qenë një ngjarje pozitive. Përtej arritjes së marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, e cila marrëveshje do të duhet të ratifikohej në Kuvend, ne duhet të shohim se cili do të jetë konteksti ndërkombëtar i zbatimit të marrëveshjes.

KALLXO.com: Cili do të jetë roli i presidentit Thaçi ne ekipin e ri negociator dhe roli i ekipit negociator te ajo që po e negocion Presidenti Thaçi?

Enver Hoxhaj: Presidenti Thaçi dhe ekipi negociator janë një ekip, ne përfaqësojmë një shtet dhe ne kemi një pozicion dhe ne kemi një palë në dialog e cila është Serbia. Prandaj ky ekip në bashkëpunim me presidentin Thaçi varet prej temave, varet prej situatave, do ta përfaqësojë Kosovën në raport me Serbinë dhe natyrisht që presidenti në përputhje me Kushtetutën i takon roli që e ka. Përtej kësaj BE-ja është shumë e qartë që dialogu është në nivel presidentësh si nivel më i larët i negociatave mes Kosovës dhe Serbisë, por pavarësisht prej kësaj ne kemi shumë punë që të bëjmë në përmbajtje, do të ketë rreth 20 tema që do të duhej të diskutohen në dialog dhe për këto tema neve na duhet ekspertizë, dije, lexim i saktë i realitetit në Kosovë dhe përfaqësim i mirëfilltë i interesave të Kosovës në raport me Serbinë.

Vizat në mesin e vitit 2019

KALLXO.com: Z. Hoxhaj, viti 2018 ishte paralajmëruar si viti i vizave, mirëpo Komisionari (Johannes) Hahn deklaroi që viti 2020 është viti realist. Çka është duke ndodhur në këtë drejtim, pse BE-ja nuk ia dha liberalizimin kosovarëve as sivjet?

Enver Hoxhaj, Zëvendës Kryeministër i Kosovës. Foto: Kallxo.com

Enver Hoxhaj: Nuk kemi ndonjë shpjegim, ne i kemi bërë punët të cilat do të duhej t’i bënte Kosova në raport me procesin e liberalizimit të vizave. Procesi ka qenë teknik, neve na është thënë nga viti 2012 e deri më tash se janë 95 kritere, ne i kemi plotësuar nga kriteri i parë deri te kriteri i 95-të, dhe punët të cilat do të duhet t’i kryente Kosova ne veçse i kemi bërë. Shpresoj që në mes të vitit 2019 të ketë një vendim për liberalizim të vizave, të paktën kështu na është thënë edhe ditën e djeshme në Bruksel.

KALLXO.com: Pra nuk ka gjasa që të kemi viza në 2018-tën?

Enver Hoxhaj: Në Bruksel të gjitha proceset vendimmarrëse kanë përfunduar, javën e kaluar është mbajte Këshilli Europian. Ajo çka mund të angazhohemi është që të ketë një samit diku në mars dhe a mund të jetë Kosova pjesë e kësaj agjende ose eventualisht në qershorin e 2019-tës.

KALLXO.com: Në disa nga deklarimet e juaja BE-në e keni konsideruar si albanofobe dhe islamofobe. A qëndroni ende mbrapa këtyre deklarimeve, pse e keni ndryshuar diskursin karshi BE-së?

Enver Hoxhaj: Në komunikimet ndërkombëtare shpesh herë krijohen tensione, përdoren metafora dhe përdoret gjuhë direkt për të ngritur një shqetësim me seriozitetin më të madh të mundshëm dhe këtë e kam thënë edhe në takim me zonjën Mogherini ku i thash asaj që 2018-ta do të ishte një vit historik për Kosovën nëse BE-ja do t’i përmbushte premtimet e veta, por çfarë kemi thënë në 2018-tën i takon 2018-tës, tani duhet të shohim se çfarë mundësie kemi në vitin 2019.

KALLXO.com: A janë këto qëndrime të partisë apo të tuajat?

Enver Hoxhaj, Zëvendës Kryeministër i Kosovës. Foto: Kallxo.com

Enver Hoxhaj: Përtej  PDK-së unë kam qenë ministër i jashtëm kur e kemi marrë udhërrëfyesin për liberalizim, së bashku me Vlora Çitakun e cila në atë kohë ka qenë ministre për Integrime Europiane dhe sa kam qenë ministër i jashtëm dhe sa jam anëtar i qeverisë, unë do të bëj përpjekje që t’i përfaqësoj interesat e Kosovës në mënyrën më dinjitoze.

Dështimi i Kosovës është dështim i yni

KALLXO.com: Jeni një nga 6 zëvendës kryeministrat e qeverisë së Kosovës. Cilat janë saktësisht detyrat e juaja?

Enver Hoxhaj: Unë mbi të gjitha përfaqësoj PDK-në në qeveri, jam adresa e parë e PDK-së në qeveri të Republikës së Kosovës por kur jam adresa e PDK-së, unë mbi të gjitha i përfaqësoj interesat e shtetit të Kosovës. Merrem me bashkëpunim mes Kosovës dhe Maqedonisë, ndjek temat e dialogut, i ndjek temat e politikës së jashtme, poashtu, shpeshherë merrem edhe me temat të cilat janë të politikës së brendshme qoftë çfarë vendimmarrje mund të sjellë në ministri të caktuara të cilat qoftë të PDK-së, qoftë të subjekteve tjera politike.

KALLXO.com: Cili është raporti i juaj me Z. Pacolli ? A i “përziheni” në punët e tij (si ministër i jashtëm)?

Enver Hoxhaj: Z. Pacolli e kam mik, çdo herë kemi pasur bashkëpunim të mirë, jam mbështetës i tij. Nuk kemi konkurrencë me njëri tjetrin meqë Z. Pacolli është kryetar i një partie që ka sukseset e tij, unë jam zëvendës kryetar i PDK-së dhe nuk mendoj që gara e brendshme është një problem për Kosovën. Pritjet që i ka kryeministri Haradinaj apo zëvendës kryeministri Pacolli, apo Limaj, janë pritje edhe të miat meqë ne e kemi një program qeverisës dhe përmbushja e një objektive është sukses i të gjithëve ndërsa dështimi i Kosovës në një fushë të caktuar është dështim i Kosovës dhe mbi të gjitha dështim i yni si partner i koalicionit.