Endrit Shala zotohet t'i përkrahë bizneset vendore, nëse bëhet deputet

Kandidati për deputet nga Nisma Socialdemokrate, njëherësh ministër në detyrë i Tregtisë dhe Industrisë Endrit Shala, në një intervistë për KALLXO.com është zotuar se do të përkrahë bizneset dhe prodhuesit vendor, nëse bëhet deputet.

“Unë gjatë kryerjes së detyrës time si deputet i Parlamentit të Kosovës, do të vazhdoj këtë kauzë, do të vazhdojë që këtë politikë të Nismës Socialdemokrate, përkrahjen e prodhimit vendor dhe kujdesin ndaj bizneseve të Republikës së Kosovës, ta ushtroj edhe gjatë mandatit si deputet”, ka thënë ai.

Shala ka shtuar se asnjëherë nuk do të ndërrojë partinë dhe se  nuk do të ndodhë që të votojë kundër qëndrimit të grupit të tij parlamentar.

Shala ndër të tjerash është zotuar se do t’i ndalë në ndihmë të varfërve në Kosovë.

“E kjo është po ashtu shtresa që nuk po mund të gjejë mundësinë që të integrohet, do të thotë të ngritë ose të gjejë një vend pune në Republikë e Kosovës. Përkrahja jonë është që duke u angazhuar edhe në krijimin e shkollave profesionale, edhe në detyra tjera në programin elektoral të cilin e ka Nisma Socialdemokrate, që të jemi zëri edhe i kësaj shtrese të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka shtuar ai për KALLXO.com.

Ai ka folur edhe për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”.

“Unë jam për një termocentral i cili do të ndërtohet në bazë të standardeve të Bashkimit Evropian, pasi që një çështje e tillë veç ka përfunduar, veç janë procedurat e fillimit të ndërtimit”, theksoi Shala.

Kandidati për deputet ka shtuar se është kundër djegies së qymyrit nëpër shtëpi gjatë dimrit, si dhe kundër përdorimit të qeseve të plastikës.

Shala e ka kundërshtuar mundësinë e shitjes së Telekomit të Kosovës.

“Jam kundër sepse besoj që Telekomi i Kosovës ka kapacitet që të kthehet në vendin ku ka qenë”, ka thënë ai për KALLXO.com.

Por cili është qëndrimi i tij për ndërtimin e Autostradës së Dukagjinit.

“Ne si Nismë Socialdemokrate, qëndrimi jonë është që edhe Dukagjini duhet ta ketë autostradën e sistemit të hapur, ashtu  siç është ndërtuar autostrada Fushë Kosovë – Orllat deri në Pejë. Një autostradë e sistemi të hapur, po duke i ndërlidh edhe Istogun, Pejën, Deçanin edhe Gjakovën, edhe gjithë atë pjesë të Kosovës”, ka thënë ai.

Ministri në detyrë ka folur edhe për taksën 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës.

“Përderisa nuk eliminohen arsyet të cilat neve na kanë detyruar të marrim një masë të tillë, atëherë ajo masë do të vazhdojë të mbetet në fuqi”, shtoi ai.

I pyetur nëse është për apo kundër martesave mes gjinisë së njëjtë, Shala është përgjigjur se është për gjithçka që  e lejon Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe ligjet në fuqi.

Ai të njëjtën përgjigje e ka dhënë edhe për bartjen e shamive në shkolla.

Kjo është intervista e plotë me kandidatin për deputet nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Endrit Shala:

KALLXO.com: Cila është kauza që keni me e shty nëse boheni deputet?

Endrit Shala:  Duke pasur parasysh edhe mandatin tim të deritanishëm si ministër i Tregtisë dhe Industrisë dhe kauzën ose programin kryesor politik që e ka pasur Nisma Socialdemokrate që ka qenë përkrahja e prodhimit vendor, përkrahja e bizneseve vendore. Unë gjatë kryerjes së detyrës time si deputet i Parlamentit të Kosovës, do të vazhdoj këtë kauzë, do të vazhdojë që këtë politikë të Nismës Socialdemokrate, përkrahjen e prodhimit vendor dhe kujdesin ndaj bizneseve të Republikës së Kosovës, ta ushtroj edhe gjatë mandatit si deputet.

Ashtu siç kam than edhe më herët do të vazhdoj, pa marr parasysh se në cilën detyrë jam, si ministër apo si deputet, do të vazhdoj të jem zë i prodhuesit kosovar, zë i tregtarit, zë i përpunuesit të Kosovës.

KALLXO.com: Nëse e merrni mandatin a keni me vazhdu me qenë deputet apo keni me kalu me ndonjë post tjetër?

Endrit Shala: Unë tash kam konkurruar për deputet të Republikës së Kosovës dhe po qe se qytetari, votuesi do të ma jep këtë besim, unë do ta vazhdoj ta ushtroj detyrën time si deputet në bazë të besimit që ma jep qytetari i Republikës së Kosovës.

KALLXO.com: Cilat taksa mendoni se duhet me u ulë dhe cilat me u rritë në Kosovë?

Endrit Shala: Prapë këtu unë do të jem i fokusuar në eliminimin e të gjitha taksave e të gjitha barrierave, ashtu si edhe gjatë mandatit tim në ministri të Tregtisë dhe Industrisë, të cilat janë duke e rënduar të bërit biznes në Republikën e Kosovës. Njëkohësisht edhe eliminimin e disa taksave, në rend të parë taksat komunale, pastaj taksat tjera në lehtësimin e të bërit biznes në Kosovë, por njëkohësisht do të vazhdoj të jem zëri i prodhuesit, përpunuesit të Kosovës, i secilit biznes që të ushtrojmë detyrën tonë dhe të eliminojmë secilën barrierë e cila i shfaqet biznesit tonë gjatë të bërit biznes edhe brenda Kosovës, njëkohësisht edhe me vendet e tjera.

KALLXO.com: Cilat janë tri amendamentet e para që keni me i propozu?

Endrit Shala: Edhe këto do të jenë në këtë fushë.  Do të thotë në përkrahjen e bizneseve vendore, në përkrahjen e prodhimit vendor.

KALLXO.com: Cilat janë tri problemet/nevojat kryesore e komunës prej nga vini?

Endrit Shala: Unë jam lind e jam rritë në Prishtinë dhe ashtu siç e dini edhe ju, Prishtina ka probleme shumë, ka nevoja shumë, ka kërkesa shumë. Do të jem i fokusuar në eliminimin ose në mundësinë e gjetjes së zgjidhjeve të secilit problem të qytetarëve të Prishtinës, por njëkohësisht edhe rajonit prej nga vij, duke pasur parasysh që unë vij ose prindërit i kam nga Skenderaj nga Drenica, do të jem i fokusuar pos që do ta ushtroj detyrën time si deputet për nevojat e gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, normalisht që do të jem i fokusua edhe më shumë edhe për komunën në të cilën jetoj, Prishtinë por edhe rajonin nga i cili e kam prejardhjen.

KALLXO.com: A ka gjasa me e ndërru partinë ku jeni tash?

Endrit Shala: Asnjëherë jo, unë jam një nga themeluesit e Nismës Socialdemokrate.

KALLXO.com: A ka gjasa me votu kundër qëndrimit të grupit tuaj parlamentar?

Endrit Shala: Nuk do ndodhë asnjëherë  që grupi parlamentar i Nismës do të votojë kundër interesave të Republikës së Kosovës, qytetarëve të saj dhe nuk ma merr mendja që asnjëherë, asnjë deputet brenda këtij grupi parlamentar do të mund të ketë votë kundër qëndrimeve të grupit parlamentar, këtu po flas për qëndrimet e përgjithshme jo për specifike, të cilat deputetë të caktuar munden me pas për çështje të caktuara.

KALLXO.com: Cili grup i diskriminuar do ta ndjenë më së shumti përkrahjen tuaj si deputet?

Endrit Shala: duke pasur parasysh edhe subjektin tonë politik, ne si partie  qendrës së majtë jemi të fokusuar më shumë që ta ndihmojmë atë po quaj shtresën e harruar të qytetareve të Republikës së Kosovës, ata që kanë nevojë, e kjo është shtresa  e varfër. E kjo është po ashtu shtresa që nuk po mund të gjejë mundësinë që të integrohet, do të thotë të ngritë ose të gjejë një vend pune në Republikë e Kosovës. Përkrahja jonë është që duke u angazhuar edhe në krijimin e shkollave profesionale, edhe në detyra tjera në programin elektoral të cilin e ka Nisma Socialdemokrate, që të jemi zëri edhe i kësaj shtrese të qytetarëve të Republikës së Kosovës.  

KALLXO.com: Çka do të bëni për përmirësimin e ambientit (mjedisit) dhe ajrit të ndotur në Kosovë?

Endrit Shala: Besoj që kam tregu hapa të duhur në bazë të dikasterit që kam udhëheq edhe në përmirësimin e ambientit, rregullat e reja udhëzimet administrative që i kemi vendos për cilësinë e karburanteve  të naftës, e të cilat kanë ndikuar jashtëzakonisht shumë në rezultatet e cilësisë së ajrit dhe ambientit. Unë besoj që kam dhënë mjaftueshëm dhe do të vazhdoj.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të termocentralit të tretë me qymyr?

Endrit Shala: Unë jam për një termocentral i cili do të ndërtohet në bazë të standardeve të Bashkimit Evropian, pasi që një çështje e tillë veç ka përfunduar, veç janë procedurat e fillimit të ndërtimit.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR djegies së qymyrit nëpër shtëpi gjatë dimrit?

Endrit Shala: Unë jam kundër, por kjo nënkupton edhe me sigurimin e alternativës të qytetarëve tonë për ngrohje. Një alternativë e cila është ekonomikisht e përballueshme për qytetarët tanë.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR përdorimit të qeseve të plastikës?

Endrit Shala: Kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR shitjes së Telekomit të Kosovës?

Endrit Shala: Jam kundër sepse besoj që Telekomi i Kosovës ka kapacitet që të kthehet në vendin ku ka qenë.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të autostradës së Dukagjinit?

Endrit Shala: Ne si Nismë Socialdemokrate, qëndrimi jonë është që edhe Dukagjini duhet ta ketë autostradën e sistemit të hapur, ashtu  siç është ndërtuar autostrada Fushë Kosovë – Orllat deri në Pejë. Një autostradë e sistemi të hapur, po duke i ndërlidh edhe Istogun, Pejën, Deçanin edhe Gjakovën, edhe gjithë atë pjesë të Kosovës.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR shkëmbimit të territoreve me Serbi?

Endrit Shala:  Kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR heqjes së tarifës me Serbinë?

Endrit Shala: Përderisa nuk eliminohen arsyet të cilat neve na kanë detyruar të marrim një masë të tillë, atëherë ajo masë do të vazhdojë të mbetet në fuqi.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të hidrocentraleve në lumenjtë e Kosovës?

Endrit Shala: Në kohën kur kam udhëhequr dikasterin në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë ka pas të interesuar, një kompani nga Austria për të investuar në hidrocentralin e lumit ‘Lumbardh’dhe pas konsultave me kryetarin e komunës dhe qytetarët  e atij rajoni dhe pas kundërshtimit të tyre, atëherë unë si kryesues i këtij Komitetit ndërministror për investime strategjike, kam kërkuar anulimin ose pauzimin e kësaj kërkese me qëllim që të mos lejojmë që çfarëdolloj investimi, ose në çfarëdo petku të investimit të dëmtojmë natyrën tonë dhe apsurinë tonë e në këtë rast të bjeshkëve të Pjeës të Rugovës, të lumit ‘Lumbardh’.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR mbylljes së Universiteteve Publike nëpër komuna nëse nuk i akreditohen programet nga Agjencia e Akreditimit?

Endrit Shala: Çdo universitet, çdo kolegj i cili nuk merr akreditim nga ky agjencion, normalisht edhe ligji e përcakton që  ai nuk mund të funksionojë.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR monopolit në homoligim?

Endrit Shala: Unë jam kundër çdo lloj monopoli pavarësisht në çfarë resori të caktuar bëhet fjalë.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR martesave në mes të gjinisë së njëjtë?

Endrit Shala: Unë jam për, gjithçka që  e lejon Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe ligjet në fuqi.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR bartjes së shamive në shkolla?

Endrit Shala: edhe në këtë aspekt, përgjigjja ime është e njëjtë.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR kuotës për deputetë nga diaspora?

Endrit Shala: Jam për.

KALLXO.com: A je PËR apo KUNDËR ridizajnimit të skemës për veteranët e luftës me të cilën është abuzuar?

Endrit Shala: Për.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR heqjes së kartonit të gjelbër për diasporën?

Endrit Shala: Për.

KALLXO.com: Kush po ua financon fushatën?

Endrit Shala: Personalisht nuk kam bërë shpenzime të mëdha në fushatë, pa marrë parasysh a jemi në fushatë zgjedhore apo jo, unë  të merrem me politikë, vazhdoj të bëj veprime politike dhe neve gjithë kandidatët për deputet na e kanë lehtësuar edhe rrjetet sociale se shpenzimet tashmë nuk po janë siç kanë qenë dikur më herët.

KALLXO.com: Sa vende pune i keni momentalisht dhe sa vende pune keni me i mbajt gjatë kohës kur jeni deputet/ministër?

Endrit Shala:  Vend pune kam detyrën të cilën e kryej në Nismën Socialdemokrate si  sekretar për marrëdhënie me publikun dhe si i emëruar i Nismës ministër në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, do ta vazhdoj ta kryej këtë detyrë. Nëse zgjidhem, do të vazhdoj të ushtoj funksionin tim të deputetit.

KALLXO.com: Sa janë të hyrat mujore dhe çfarë pasurie keni?

Endrit Shala:  Ashtu si edhe e përcaktojnë ligjet në fuqi, unë e kam deklaru qysh nga viti 2008, e deklaroj në Agjencionin Anti Korrupsion pasurinë.

Të hyrat i kam, unë punoj, bashkëshortja ime puno, nëna ime më të cilën jetojmë bashkë edhe ajo punon. Janë të hyra të nevojshme duke e pasur parasysh edhe standardin të jetës në Kosovë, do të thotë jemi duke ia dalë mirë.

KALLXO.com: A e keni pasurinë e përbashkët me gruan/burrin? Nëse jo, a keni me e regjistru bashkërisht?

Endrit Shala: Po bashkë. Absolutisht. Edhe me të gjithë anëtarët e familjes me të cilët jetoj do të thotë, me nënën.

KALLXO.com: Herën e fundit kur jeni sëmurë, ku jeni shëru, në spital privat apo publik?

Endrit Shala: Adresa ime e parë normalisht që është spitali publik.

KALLXO.com: Ku keni me shku kur të bëheni deputet nëse sëmureni?

Endrit Shala: Adresa ime e parë është Qendra Klinike Universitare, janë institucionet shëndetësore të Republikës së Kosovës.

KALLXO.com: Fëmijët tuaj a janë në shkolla publike apo private?

Endrit Shala: Në shkolla publike, dy vajzat e mia janë në shkollën “Iliria” në Prishtinë.

KALLXO.com: Sa familjarë i keni të papunë dhe a keni me i punësu gjatë kohës që e merr mandatin?

Endrit Shala: Unë duke rrjedh prej një familje  intelektuale, një familje e cila ka punuar gjithë, nëna punon qe 35 vite, bashkëshortja ime është në punë përmbi 15 vite. Unë punoj. Në familjen time të gjithë janë në punë. Ne si Nismë Socialdemokrate e kemi përkushtim kujdesin ndaj të gjithë qytetareve të Republikës së Kosovës dhe jo asnjëherë duke u munduar që të punësohen vetëm të afërmit e dikujt apo dikujt tjetër.

KALLXO.com: Qysh keni me votu për fatin e Trepçës, me u privatizu apo me mbet nën qeverisjen shtetërore?

Endrit Shala: Me u rivitalizu, me u fut në funksion me gjithë kapacitet e saj që i ka. Me ligj Trepça një pjesë e saj e cila i takon si aksione Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe pjesa tjetër  punëtoreve të saj. Qeveria e ardhshme duhet të bëjë analiza dhe projekte se si duhet ta funksionalizojë në tërësi këtë gjigant tonin ekonomik dhe pas atyre analizave, pas atyre prjkteve atëherë qeveria e ardhshme edhe të marr vendimin e si duhet të procedojë me këtë çështje.

KALLXO.com: Me cilin projekt keni me e kushtëzu votën tuaj për buxhet?

Endrit Shala: Me projekte të cilat janë edhe plane edhe ajnë në programin e Nismës Socialdemokrate. E kjo përkrahje e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në Kosovë, përkrahja në sektorin e bujqësisë, reformat në shëndetësi dhe reformat në drejtësi.

KALLXO.com: Cili ka me qenë projekti/puna me të cilën keni me lanë gjurmë/trashëgimia juaj si deputet?

Endrit Shala: Do mundohem, po qe se qytetari i Republikës së Kosovës ma jep besimin që të jem deputet, me përkushtimin maksimal  t’i kryej detyrat e mia si deputet dhe të vazhdojë edhe në cilësinë e deputetit, të vazhdojë punën që e kam bërë si ministër, duke pasur  fokus të veçantë ne sektorët të cilët ne si Nismë e kemi edhe në program qeverisës që fokusi të jetë në ato sektorë.

KALLXO.com: Sa pyetje parlamentare keni me i parashtru brenda një viti?

Endrit Shala: S’kisha hy me numër, por varësisht prej nevojave dhe kërkesave. Unë do të vazhdoj të jem zë i qytetarit.

KALLXO.com: Sa takime me qytetarë keni me i mbajt gjatë një viti/mandati?

Endrit Shala: Unë zakonisht  çdo ditë duke marr parasysh edhe veprimtarinë time politike qe një kohë të gjatë, çdo ditë jam me qytetarin, në kontakt me ta, kam takime me ta dhe do të vazhdoj. Jeta ime politike do të vazhdojë ashtu siç ka qenë, veç me një përkushtim ende më të madh tash ose në të ardhmen si deputet i Parlamentit të Republikës së Kosovës.

KALLXO.com: Makinat më të vjetra se cili vit nuk duhet të lejohen të importohen në Kosovë?

Endrit Shala: Mendimi im si deputet do të jetë edhe mos ta dëmtojmë në këtë rast, të ndihmojmë në përmirësimin e ambientit në Kosovë, po njëkohësisht të kemi parasysh edhe standardin e qytetarëve tanë.

KALLXO.com: Sa dëgjime publike keni me i iniciu në komisionet ku keni me qenë pjesë?

Endrit Shala: Ka me tentu me përkushtimin më të madh me pas sa më shumë dëgjime publike por duke mos tentuar asnjëherë që Parlamentin me e kthy si një lloj prokurorie.

KALLXO.com: A jepni dorëheqje nëse ju ngritet aktakuzë?

Endrit Shala: Nëse ka aktakuza për korrupsionin, po normalisht.

KALLXO.com: A e votoni rrëzimin e qeverisë nëse kryeministri ka aktakuzë?

Endrit Shala: Varësisht duke pas për bazë edhe për çka. Për secilën aktakuzë që secili zyrtar i Qeverisë së Republikës së Kosovës ose i ngritet një aktakuzë për shkak të po e fus në thonjëza, keqpërdorimit të mundshëm të fondeve publike të Republikës së Kosovës, normalisht që po.

KALLXO.com: A e votoni një qeveri që i ka mbi 15 Ministri?

Endrit Shala: Unë do të isha ithtar i asaj që qeveria e ardhshme mos të jetë me një numër aq të madh të ministrive, sa ka qenë qeveria aktuale.

KALLXO.com: Sa zëvendësministra duhet t’i ketë një ministri?

Endrit Shala: Në secilën ministri është e nevojshme së paku, por jo edhe më shumë se dy zëvendësministra.

KALLXO.com: A keni me i votu për anëtarësim në borde të ndërmarrjeve publike & shoqërore njerëzit që nuk i plotësojnë kushtet për emërim?

Endrit Shala: Unë mendoj që, ose do të jem  njëri  nga deputetët i cili duke pasur për bazë edhe ligjet tjera në fuqi, do të interesohem që ligjin për Ndërmarrje Publike me ndryshu dhe me i eliminuar në tërësi  në tërësi bordet, në ndërmarrjet të cilat është e mundshme.

KALLXO: A keni me i bo transparente fondet e partisë?

Endrit Shala: Ne i kemi bërë transparente gjithë  që nga themelimi, që nga viti 2013.

KALLXO.com: A keni me i hap dokumentet/faturat në kuvend/ministri?

Endrit Shala: Janë të hapura ato, janë të qasshme për publikun, për institucionet. Gjithë, ato janë, me ligj janë të garantuara që janë të hapura.