Edhe një bashkëpartiake e Pal Lekajt kundër monopolit në homologim
Kandidatja për deputete nga koalicioni AAK-PSD, Fiknete Bejta, është deklaruar kundër monopolit në homologim edhe pse, kohë më parë kolegu i saj nga AAK, ministri në detyrë i Infrastrukturës, Pal Lekaj ia vazhdoi monopolin në homologim një kompanie kosovare.
Në një intervistë për KALLXO.com, Bejta që synon ulëse në Kuvendin e Kosovës, tha se do të angazhohet më shumë për të drejtat e personave më aftësi të kufizuara.
Fiknete Bejta më herët ishte pjesë e LDK-së. E pyetur se a mund ta ndërroj sërish partinë, ajo tha se nuk beson.
“Jo, nuk e besoj. Nëse respektohen parimet e mija dhe të menduarit tim në funksionalizimin e mandatit të deputetes atëherë nuk ka nevojë të ndërrohet subjekti politik”, deklaroi ajo.
Më poshtë mund ta lexoni intervistën e plotë të kandidatit të AAK-PSD, Fiknete Bejta:
KALLXO.com: Cila është kauza që keni me e shty nëse bëheni deputet?
Fiknete Bejta: Po, nëse zgjidhem deputete unë e kam një plan që do ta realizoj, do ta shtyj si kauzë. Është me kriju zyrën regjionale ekonomike për rajonin e Gollakut. Kjo zyre do të ndikoj pozitivisht në shtimin e investimeve për këtë zonë.
KALLXO.com: Nëse e merrni mandatin a keni me vazhdu me qenë deputet apo keni me kalu me ndonjë post tjetër?
Fiknete Bejta: Jo, prioritet i imi është të jem deputete dhe aty duhet të vazhdoj deri në fund të mandatit.
KALLXO.com: Cilat taksa mendoni se duhet me u ulë dhe cilat me u rritë në Kosovë?
Fiknete Bejta:.Po gjatë qeverisjes Haradinaj janë ndërtu disa politika fiskale, kanë ndryshu disa taksa për zhvillimin e bizneseve, po zakonisht ka punë për tu bërë nuk është shumë domethënë në zhvillimin e investimeve të reja, në mundësi të reja të zhvillimit të bizneseve të mesme dhe të vogla, sepse këto dy biznese, këto dy kategori të bizneseve do të ndikojnë në zhvillimin ekonomik të Kosovës. Andaj, zhvillimi ekonomik i Kosovës mund të ndodhë nëse ne i lehtësojmë ose ju japim politika lehtësuese bizneseve të Kosovës. Janë disa kategori të taksave, zakonisht në prodhimtari, në rritjen e teknologjisë të cilat edhe mund të shtojnë produktivitetin.
KALLXO.com: Cilat janë tri amendamentet e para që keni me i propozu?
Fiknete Bejta: Po zakonisht këto variojnë varësisht prej ligjeve që vijnë aty për aty, nuk mund të themi tash për tash cilat amendamente mirëpo gjithmonë duhet të kem parasysh ose në qendër të politikave të mija në vendimmarrje do të jetë qytetari dhe mirëqenia e tij.
KALLXO.com: Cilat janë tri problemet/nevojat kryesore e komunës prej nga vini?
Fiknete Bejta: Komuna e Prishtinës si një komunë me shumicën e banorëve resident dhe jo resident, tash për tash me ligjin e aprovuar, Ligjin e Prishtinës, në mandatin e kaluar të kryeministrit Haradinaj, buxhetin nuk e ka problem, mirëpo e nevojshme ose e domosdoshme është zhvillimi i infrastrukturës, i cili është dëmtuar me anarkinë në Prishtinë që ka ndodhë menjëherë pas luftës. Infrastruktura dhe zhvillimi i arsimit dhe shëndetësisë janë prioritet për komunën e Prishtinës.
KALLXO.com: A ka gjasa me e nderru partinë ku jeni tash?
Fiknete Bejta: Jo, nuk e besoj. Nëse respektohen parimet e mija dhe të menduarit tim në funksionalizimin e mandatit të deputetes atëherë nuk ka nevojë të ndërrohet subjekti politik.
KALLXO.com: A ka gjasa me votu kundër qëndrimit të grupit tuaj parlamentar?
Fiknete Bejta:. Po unë vij nga Kuvendi Komunal i Prishtinës dhe kanë ndodhë disa raste kur kam qenë jo kundër partisë apo subjektit politik por kam mendu për të mirën e qytetarëve, kam mendu që vota kundër ose për, jo varësisht nga mendimi i shumicës së grupit parlamentar të partisë time, është më mirë për qytetarin, atëherë unë kam votu sipas bindjeve të mija
KALLXO.com: Cili grup i diskriminuar do ta ndjenë më së shumti përkrahjen tuaj si deputet?
Fiknete Bejta: Gjatë provojës time si trajnere e zhvillimit të biznesit dhe ndërmarrësisë kam pasur rastin të punoj me persona të komunitetit me aftësi të kufizuara, dhe mendoj që kjo kategori e personave kanë nevojë më së shumti në Kosovë të ndihmohen nga qytetarët dhe shoqëria e Kosovës po posaçërisht edhe nga Qeveria e Kosovës.
KALLXO.com: Çka do të bëni për përmirësimin e ambientit (mjedisit) dhe ajrit të ndotur në Kosovë?
Fiknete Bejta: Problemet e ambientit kanë rrjedhojë edhe pak historinë diskriminuese, para luftës nuk është investu në ekologjinë ose në zhvillimin, pyllëzimin e Kosovës por, vetëm në shkatërrimin e saj. Dhe dihet edhe mos funksionalizimi i pompave ose i pastrimit, filtrimit i termocentraleve në Kosovën A dhe B, atëherë ka dëmtu edhe ajrin ose problemet ekologjike të cilat po ndikojnë edhe në shëndetin e qytetarëve. Kosova duhet të fokusohet, të ndërtojë një strategji për ruajtjen e mjedisit domethënë, mjedisi të jetë parësor.
KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të termocentralit të tretë me qymyr?
Fiknete Bejta: Për, njëherë për njëherë po, por me një kohëzgjatje të kufizuar.
KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR djegies së qymyrit nëpër shtëpi gjatë dimrit?
Fiknete Bejta: Po kundër kësaj metodologjie të ngrohjes së qytetarëve unë jam kundër, mirëpo duhet të gjejmë edhe alternativa të tjera t’i ndihmojmë qytetarëve të kenë alternativa të tjera siç është rasti i ndërtimit të ngrohtoreve të qytetit.
KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR përdorimit të qeseve të plastikës?
Fiknete Bejta: Jam kundër.
KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR shitjes së Telekomit të Kosovës?
Fiknete Bejta: Një herë për një herë shitja e Telekomit të Kosovë ose privatizimi mund ti humb vlera, nuk do të mund të shitet me vlerë reale, për shkak të borxheve dhe problemeve financiare në të. Unë mendoj që duhet të ndërtohet një strategji ku të rikrijohet një vlerë ose ti rritet vlera si aset i Qeverisë së Kosovës, si ndërmarrje publike pastaj më një spin off special të privatizohet por jo si tërësi por pjesë pjesë. Dhe pjesa aksioneve kryesore ti mbeten Qeverisë së Kosovës. Në gjendjen aktuale jam kundër.
KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të autostradës së Dukagjinit?
Fiknete Bejta: Autostrada, sikur ajo Arben Xhaferi dhe rruga e Kombit janë të domosdoshme për ti dhënë mundësi udhëtimit të qytetarëve dhe rritjes së standardit dhe investimeve në ato rajone. Autostrada e Dukagjinit, është e nevojshme për një shumicë të qytetarëve të atyre zonave dhe mendoj që duhet të ndërtohet, mirëpo është e diskutueshme me çfarë kostoje.
KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR shkëmbimit të territoreve me Serbi?
Fiknete Bejta: Unë jam për 100% Kosovë, territorin e Kosovës ta ruajmë ndërsa pjesët e banuara me shqiptarë në territorin e Shqipërisë jam për me i’u bashku pjesës së Kosovës.
KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR heqjes së tarifës me Serbinë?
Fiknete Bejta: Deri sa nuk ndërron politika e Serbisë, deri sa nuk kemi njohje nga Republika e Serbisë atëherë taksa nuk duhet të hiqet.
KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të hidrocentraleve në lumenjtë e Kosovës?
Fiknete Bejta: Nëse ato hidrocentrale rrezikojnë lumenjtë, unë jam kundër.
KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR mbylljes së Universiteteve Publike nëpër komuna nëse nuk i akreditohen programet nga Agjencia e Akreditimit?
Fiknete Bejta: Kjo mendoj që Agjensioni i Akreditimit është institucion i pavarur dhe deputetët e Republikës së Kosovës nuk kanë të drejtë të përzihen në vendimmarrjen e tyre.
Mendimi jem për Agjensionin, ata i kanë vlerësimet që i bëjnë në mënyrë profesionale dhe unë i respektoj ato vendime.
KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR monopolit në homoligim?
Fiknete Bejta: Jam kundër.
KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR martesave në mes të gjinisë së njëjtë?
Fiknete Bejta: Nuk jam kundër.
KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR bartjes së shamive në shkolla?
Fiknete Bejta: Përderisa ne jemi shtet laik atëherë nuk është e lejueshme.
KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR kuotës për deputetë nga diaspora?
Fiknete Bejta: Përderisa ne e kemi ligjin për kuotimin e gjinisë femërore edhe pse unë mendoj që nuk ka sjellë cilësi por vetëm kuotë atëherë edhe kjo pse të ishte në kuotë. Jam kundër.
KALLXO.com: A je PËR apo KUNDËR ridizajnimit të skemës për veteranët e luftës me të cilën është abuzu?
Fiknete Bejta: Ka probleme me ligjin, duhet të ridizajnohet, duhet të respektohet statusi i veteranit, të respektohet uniforma e shenjë e UÇK-së.
KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR heqjes së kartonit të gjelbër për diasporën?
Fiknete Bejta: Duhet të hiqet. Diaspora e meriton të respektohen si banorët e tjerë të Kosovës.
KALLXO.com: Kush po ua financon fushatën?
Fiknete Bejta: Unë fushatën e kam bazuar në një kosto minimale dhe fushatën do ta financoj me kursimet e mija.
KALLXO.com: Sa vende pune i keni momentalisht dhe sa vende pune keni me i mbajt gjatë kohës kur jeni deputet/ministër?
Fiknete Bejta: Unë e kam një vend të punës me orar të rregullt, ndërsa në një kolegj kam qenë si bashkëpunëtore e jashtme.
KALLXO.com: Sa janë të hyrat mujore dhe çfarë pasurie keni?
Fiknete Bejta: Janë më shumë se mesatarja e Kosovës, nuk jam shumë e pasur por nuk jam as e varfër.
KALLXO.com: Heren e fundit kur jeni sëmurë, ku jeni shëru, në spital privat apo publik?
Fiknete Bejta: Në Kosovë kemi pak probleme se disa analiza nuk bëhen në institucionet publike, atëherë duhet të bashkëpunojmë edhe me ato private. Shërimin e kam bërë në institucionet publike ndërsa analizat në institucionet private.
KALLXO.com: Ku keni me shku kur të bëheni deputet nëse sëmureni?
Fiknete Bejta: Në institucionet publike.
KALLXO.com: Sa familjarë i keni të papunë dhe a keni me i punësu gjatë kohës që e merr mandatin?
Fiknete Bejta: Nepotizmi është fenomeni që më së shumti do ta luftoj në mandatin tim si deputete.
KALLXO.com: Qysh keni me votu për fatin e Trepçës, me u privatizu apo me mbetë nën qeverisjen shtetërore?
Fiknete Bejta: Trepça si ndërmarrje publike me ligjin në qeverisjen e Haradinaj janë bërë baza të forta të zhvillimit të saj, ju kanë bërë xhirollogaritë e kompanisë dhe është 100% ndërmarrje e Kosovës dhe unë kisha mendu që është e drejtë e Qeverisë së Kosovës të ndërtoj një strategji për zhvillimin e saj në kuadër të Qeverisë së Kosovës domethënë mos të shkojmë në privatizim.
KALLXO.com: Me cilin projekt keni me e kushtëzu votën tuaj për buxhet?
Fiknete Bejta: Nëse respekton ligjin e buxhetit, të jetë i barabartë për qytetarët, të jetë prioritet për qytetarët që nuk kanë infrastrukturë, standard jetësor, domethënë të respektojë barabarëzinë për qytetarët atëherë nuk ka nevojë të kushtëzohet.
KALLXO.com: Cili ka me qene projekti/puna me te cilen keni me lane gjurme/trashegimia juaj si deputet?
Fiknete Bejta: Përkushtimi për punën në Kuvend besoj që do të jetë për secilën çështje që dodiskutohet në Kuvend do të jenë disa atribute të mija që mendoj që do të jenë gjurmë. Ndërsa, prioritet duhet ti jep zonës prej të cilës unë vij me origjinë, zonës së Gollakut.
KALLXO.com: Sa pyetje parlamentare keni me i parashtru brenda një viti?
Fiknete Bejta: Varësisht prej seancave në Kuvend.
KALLXO.com: Sa takime me qytetarë keni me i mbajtë gjatë një viti/mandati?
Fiknete Bejta: Takimet me qytetarët nuk do të jenë të kufizuara.
KALLXO.com: Makinat më të vjetra se cili vit nuk duhet të lejohen të importohen në Kosovë?
Fiknete Bejta: Zakonisht ky ligj ka edhe një lloj kosto oportune mirëpo parësore për mua do të jetë shëndeti i qytetarëve.
KALLXO.com: Sa dëgjime publike keni me i iniciu ne komisionet ku keni me qene pjese?
Fiknete Bejta: Sa më shumë që është e mundur, sepse zëri i qytetarëve në bashkëpunim kur të bëhen ligjet, amandamentimet dhe buxheti duhet të jenë në koordinim me kërkesat dhe kur ka zë të kërkesave atëherë edhe buxheti është i favorshëm për qytetarët.
KALLXO.com: A jepni dorëheqje nëse ju ngritet aktakuzë?
Fiknete Bejta: Po.
KALLXO.com: A e votoni rrëzimin e qeverisë nëse kryeministri ka aktakuzë?
Fiknete Bejta: Po.
KALLXO.com: A e votoni një qeveri që i ka mbi 15 Ministri?
Fiknete Bejta: Jo.
KALLXO.com: Sa zv.ministra duhet t’i ketë një ministri?
Fiknete Bejta: Disa ministri nuk kanë nevojë me pas ministri, ndërsa disa ministri si ministria e financave ose punëve të brendshme është e mundshme me i pas më shumë se dy ministri, dy zëvendës ministra.
KALLXO.com: A keni me i votu për anëtarësim në borde të ndërmarrjeve publike & shoqërore njerëzit që nuk i plotësojnë kushtet për emërim?
Fiknete Bejta: Në parim si eksperte e ekonomisë unë do të përkrahi menaxherët e suksesshëm, gjithmonë do ta përkrahi meritokracinë, edhe në konkurse edhe në borde edhe çdo kund.
KALLXO.com: A keni me i bo transparente fondet e partisë?
Fiknete Bejta: Nëse varet prej meje po.
KALLXO.com: A keni me i hape dokumentet/faturat ne kuvend/ministri?
Fiknete Bejta: Varësisht prej ligjit, po.