Ilustrimi: Jete Dobranja per KALLXO.com

Dilemat e politikës kosovare për shamitë në shkolla

Në Kosovë, sipas Kushtetutës së Kosovës, askush nuk mund të detyrohet ose të ndalohet, në kundërshtim me ndërgjegjen e vet, që të marrë pjesë në praktikimin e fesë si dhe të bëjë publike bindjet ose besimin e tij apo saj.

Në fakt, lejimi për bartjen e shamisë në shkolla jo pak ka zënë vend si temë diskutimi.

Në kushtetutën e Kosovës, nuk përcaktohet qartë nëse duhet apo jo që të lejohet bartja e shamisë në institucione arsimore, e debatet për këtë temë kanë nisur vite më parë.

“Liria e manifestimit të fesë, e besimit dhe e ndërgjegjes mund të kufizohet me ligj, nëse një gjë e tillë është e domosdoshme për mbrojtjen e sigurisë dhe rendit publik, të shëndetit, ose të të drejtave të personave të tjerë”, thuhet në nenit 38 të Kushtetutës së Kosovës.

E në anën tjetër një Udhëzim Administrativ i lëshuar nga Ministria e Arsimit e ndalon bartjen e shamisë në shkolla fillore dhe te mesme publike.

Në dhjetëra intervista të realizuara nga KALLXO.com me kandidatët për deputetë nga subjekte të ndryshme politike, del se një pjesë e madhe e deputetëve mbështesin bartjen e shamisë në shkolla, disa të tjerë thonë se bartja duhet të lejohet vetëm pasi të mbush moshën madhore një grua e disa të tjerë thonë se është e përcaktuar me ligj.

Një ligj definitiv për këtë çështje ende nuk është bërë.

Disa nga kandidatët e intervistuar kanë thënë për KALLXO.com se çështja e shamive dhe bartjes së tyre janë bërë  tema politike.

Lëvizja Vetëvendosje

Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti pati thënë edhe se qëndrimi i tyre është që të bartet shamia por mbi moshën 16 vjeçare.

Në anën tjetër nga 14 intervista me kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje, katër kandidatë janë deklaruar qartë se janë pro bartjes së shamive në shkolla, dy janë deklaruar se janë kundër dhe pjesa tjetër kanë deklaruar se janë pro bartjes së shamisë vetëm nëse gratë e vajzat janë mbi moshën 16 vjeçare ose edhe që kjo çështje duhet të rregullohet me ligj të veçantë.

Kundër nga Lëvizja Vetëvendosje ishte deklaruar Ismajl Kurteshi.

“Jam kundër bartjes së shamive në shkolla” i është përgjigjur pyetjes së KALLXO.com Kurteshi.

Edhe kandidati tjetër, Ylli Rugova kishte deklaruar se është kundër bartjes së shamive në shkollat fillore.


Nga koalicioni NISMA- AKR- PD

Edhe nga ky koalicion, shumica nga kandidatët që i janë përgjigjur pyetjeve të KALLXO.com kanë thënë se nuk janë kundër shamisë në shkolla.

Ish- Ministri i Tregtisë, Endrit Shala, ishte përgjigjur se kjo është e rregulluar me Kushtetutën e Kosovës dhe me ligjin e Kosovës, por në fakt një gjë e tillë nuk përmendet as në ligj e as në kushtetutë.

Nga gjithsej 21 përgjigje nga ky koalicion, pesë kanë dalë të jenë kundër ndërsa 13 janë përgjigjur pozitivisht ndërsa të tjerët janë përgjigjur se gjithsecili mund të gëzoj të drejtat që i parashihen njeriut.

Partia Demokratike e Kosovës

Nga Partia Demokratike e Kosovës, nga 16 kandidatë gjithsej, shtatë nga ta janë përgjigjur pozitivisht për bartjen e shamie në shkolla e tre janë përgjigjur kundër ndërsa pjesa tjetër janë përgjigjur se kjo pjesë duhet të vlerësohet në bazë të përcaktimit të ligjit dhe kushtetutës.


Koalicioni AAK-PSD

Kandidatët e këtij koalicioni, 25 prej tyre të cilët janë deklaruar në KALLXO.com, shumica nuk kanë dhënë përgjigje konkrete.

Katër nga kandidatët janë përgjigjur se janë për, tetë që janë kundër ndërsa pjesa tjetër ua ka lënë në dorë personave individual të zgjedhin se si do të dukeshin.

Lidhja Demokratike e Kosovës

Nga gjithsej 43 kandidatë të cilët i janë përgjigjur pyetjeve të KALLXO.com nga Lidhja demokratike e Kosovës 21 kanë zgjedhur që të përgjigjeshin konkretisht se janë kundër bartjes së shamisë në shkolla, shtatë janë përgjigjur pozitivisht ndërsa pjesa tjetër kanë qenë të papërcaktuar për këtë çështje.