Sefadin Blakaj

Blakaj: Është shtuar numri i çifteve që po i regjistrojnë pronat në emër të përbashkët

 

Çiftet e reja çdo ditë e më tepër po vendosin që pasurinë e përbashkët ta regjistrojnë në emër të të dy bashkëshortëve.

Një gjë e tillë po vërehet edhe nëpër zyret noteriale në Kosovë.

Sefadin Blakaj, noter në Prishtinë, ka thënë për KALLXO.com se viteve të fundit vërehet ndjeshëm rritje në numrin e pronave të regjistruara në emër të përbashkët të të dy bashkëshortëve.

Blakaj tha se nga puna e përditshme me palë vetëm në dy-tri vitet e fundit ka arritur të vërej ngritje të numrit të pronave të cilat po regjistrohen në emër të të dy bashkëshortëve. Sipas tij dukshëm është rritur edhe pjesëmarrja e qytetarëve respektivisht pjesëmarrja e të dy gjinive në diskutimin e kontratave pronësore.

Kemi vërejtur se pothuajse dy-tri vitet e fundit pjesëmarrja e qytetarëve respektivisht pjesëmarrja e të dy gjinive në diskutimin e kontratave është në rritje dhe veçanërisht edhe dëshira e qytetarëve që veçanërisht pronat banesore ose shtëpitë respektivisht pronat ku jetojnë, dëshira e tyre është që prona të bartet në emër të dy bashkëshortëve…qoftë çifte të reja, qoftë çifte që kanë krijuar familje dhe janë në një moshë të konsiderueshme”, ka deklaruar noteri Sefadin Blakaj.

Noteri Blakaj tregon se nga takimet me palë ka vërejtur se numri më i madh i çifteve që po i regjistrojnë pronat në emër të përbashkët vijnë nga zonat urbane, por shtoi se ky dallim me kalimin e kohës është duke u zhdukur.

Ka më shumë dallim ndërmjet qytetarëve që vijnë nga zona rurale dhe zonat urbane. Edhe ky dallim po zhduket apo amortizohet çdo ditë me kalimin e kohës sepse kemi mjaftë shumë çifte që kanë ardhur nga zonat rurale dhe tani kanë blerë banesa në qytet dhe trendi është që edhe këto kategori të qytetarëve t`i adoptojnë vlerat e reja dhe që pronat familjare ose ambientet ku jetojnë t`i bartin në emrin e të dy personave”, ka shtuar më tej Blakaj.

Sipas Blakajt ndikim të madh në ngritjen e numrit të pronave të regjistruara në emër të përbashkët të të dy bashkëshortëve kanë pasur fushatat e shumta që janë bërë me qëllim të vetëdijesimit të qytetarëve. Por sipas noterit ndikim ka pasur edhe pjesëmarrja në vendimmarrje e të dy bashkëshortëve.

Në këto trendë kanë ndikuar edhe shumë fushata që janë bërë në kuptim të promovimit të vendosjes së pronësisë së qytetarëve sidomos pronave banesore dhe ambienteve të shtëpive në emrin e që të dy bashkëshortëve. Gjithashtu ka ndiku edhe dëshira dhe pjesëmarrja më reale ose pjesëmarrja edhe në vendimmarrje e të dy bashkëshorteve pa marrë parasysh gjinia apo mosha, në këtë kuptim çdo ditë vërehen ndryshime”, tha noteri Sefadin Blakaj.

Përpos fushatave të ndryshme dhe ndërgjegjësimit të qytetarëve në përgjithësi, noteri Sefadin Blakaj pohon se te qytetarët pozitivisht ka ndikuar edhe udhëzimi administrativ për masat e veçanta për regjistrimin e pronës së paluajtshme të përbashkët në emër të dy bashkëshortëve, udhëzim ky me anë të të cilit qytetarët janë liruar nga taksa komunale.

“Edhe sa i përket fushatës që komunat e ndryshme në Kosovë e kanë aplikuar me qëllim të promovimit të pjesëmarrjes së dy bashkëshortëve, disa komuna respektivisht shumica e komunave kanë lejuar përjashtimin nga disa taksa komunale nëse prona regjistrohet në emër të dy bashkëshortëve, në këtë kuptim kryesisht qytetarët janë të njoftuar dhe kemi vërejt që edhe kjo ka qenë një nga përparësitë ose mundësitë apo shtytësja që qytetarët kanë vendosur që prona të bëhet në emër të përbashkët”, deklaroi noteri Sefadin Blakaj.

Udhëzim Administrativ për masat e veçanta për regjistrimin e pronës së paluajtshme të përbashkët në emër të dy bashkëshortëve i liron nga pagesa çiftet bashkëshortore që i regjistrojnë pronat për herë të parë.

Pasuria e përbashkët e bashkëshortëve martesorë është pasuria e fituar me punën e tyre të përbashkët ose të ndarë, gjatë vazhdimit të martesës, si dhe të hyrat që rrjedhin nga pasuria e tillë nëse me kontratë paramartesore bashkëshortët martesorë nuk kanë përcaktuar regjimin pasuror të pasurisë së fituar gjatë martesës.

BIRN në vazhdimësi e ka monitoruar respektimin e këtij udhëzimi administrativ nga Komunat e Kosovës si dhe ka raportuar lidhur me regjistrimin e pronave të zyrtarëve të lartë.

42 Kandidatë nuk e Kanë Regjistruar Pronën Bashkë me Gratë

.