Besnik Bislimi: Do t’i anulojmë vendimet që janë marrë pas dorëheqjes së Qeverisë

Javën e kaluar, Gazeta Jeta në Kosovë raportoi se Ministria e Infrastrukturës ka bërë kërkesë në Ministrinë e Financave për t’i ndarë në buxhet të vitit 2020, 32.2 milionë euro për ndërtimin e dy kyçjeve nga ana e Ferizajt dhe Vitisë në autostradën “Arbën Xhaferi” si dhe një mbikalimi në Han të Elezit.

Nga Ministria e Infrastrukturën kanë thënë se procesi i negocimit mes Qeverisë dhe konsorciumit Bechtel&Enka ka përfunduar dhe tani është në procedurë të nënshkrimit.

“Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit  me vendim të datës 24.07.2019, ka caktuar Grupin negociues me Konsorciumin Bechtel&Enka i cili e ka përfunduar procesin e negocimit dhe ka dorëzuar raportin i cili është në procedurë të nënshkrimit”, kishin thënë nga Ministria e Infrastrukturës për Gazetën Jeta në Kosovë.

Transaksionet dhe burimi i gjobës prej 53 milionë euro për Autostradën (Dokument)

Mirëpo, nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Besnik Bislimi në një intervistë për KALLXO.com ka thënë se çdo vendim i Qeverisë pas kohës së dorëheqjes do të anulohet, pasi që sipas tij janë të paligjshme.

“Ne kemi thanë që do të anulohen vendimet e paligjshme që janë bërë në kohën pasi që Qeveria ka dhënë dorëheqje. Nëse vendimet janë marrë në një periudhë kur Qeveria nuk ka pasë mandat për të marrë vendime të tilla, atëherë kemi komplet të drejtë morale dhe ligjore mos me i njoftë të njëjtat”, ka thënë për KALLXO.com, Besnik Bislimi.

Bislimi nuk e përjashton mundësinë që ndërtimi i këtyre dy kyçjeve dhe mbikalimit të bëhet me Bechtel&Enkan, mirëpo sipas tij, kjo do të vendoset varësisht nga oferta financiare dhe se duhet parë edhe mundësitë e tjera të ofertave.

“Kur ka anekse kontrata, Qeveritë kanë mundësi të negociojnë së pari me kompaninë ekzistuese. Normal që partneri i parë është partneri i parë, por jo domosdoshmërish ai. Nëse oferta e saj është financiarisht jo e volitshme, të hap rrugë për të kërkuar mundësi të reja”, ka thënë Bislimi për KALLXO.com

“Sikur ndërtimi i këtyre tri konstrukteve të kishte qenë e paraparë me kontratë, por që implementimi i tyre shkon përtej mandatit, atëherë kjo është diçka tjetër. Kjo nuk do të thotë që Qeveria e re nuk e bënë këtë, kjo nuk do të thotë që Qeveria e re nëse e bën, nuk do ta bëjë me “Bechtel&Enkan”, kjo veç tregon që Qeveria e vjetër nuk duhet të marrë asnjë vendim që ka implikime financiare”, ka thënë tutje Bislimi për KALLXO.com

Më poshtë mund ta ndiqni intervistën e plotë të Besnik Bislimit për KALLXO.com.