Avokati amerikan: Aktakuza ndaj Thaçit e Veselit nuk ka motiv politik

Drejtori ekzekutiv i Odës Ndërkombëtare të Avokatëve me seli në Londër, Mark Ellis, thotë se publikimi i aktakuzës kundër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe të tjerëve është bërë pas provave që kanë treguar se ka përpjekje për të ndërhyrë dhe penguar punën e gjykatës. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Ellis, një avokat amerikan, thotë se publikimi i aktakuzës – ende pa u vërtetuar ose refuzuar – ka qenë gjëja e duhur për t’u bërë. Ai po ashtu thotë se prapa rastit nuk fshihen motive politike dhe shton se Kosova duhet ta mbështesë konceptin e përgjegjësisë.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Ellis, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe të tjerë janë akuzuar të mërkurën nga Zyra e Prokurorit Special për krime lufte. Po e përdor termin “të tjerë” duke cituar aktakuzën, sepse emrat e tyre nuk dihen ende. Si e shihni këtë zhvillim, a ka qenë i pritur?

Mark Ellis: Mendoj se ka qenë i pritur. E dimë se ky prokuror ka qenë mjaft aktiv në hetimet e tij. E dimë se janë ndoshta mbi 100 dëshmitarë me të cilët është takuar. Po ashtu për faktin se kjo gjykatë, në thelb, shfrytëzohet për të shënjestruar individë të nivelit të lartë, mendoj se ka qenë i pritur. Është një zhvillim i rëndësishëm, sepse i drejtohet presidentit aktual të Kosovës, ish-kryeministrit, por, e përsëris, jo i papritur, bazuar në atë që dimë për historinë e konfliktit në ish-Jugosllavi dhe veçanërisht rolin e Thaçit në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Si e komentoni faktin që Prokurori Special i ka emëruar personat në komunikatën për shtyp përpara se të konfirmohet ose refuzohet aktakuza?

Mark Ellis: Kjo ndodh nganjëherë në gjykata, rajonale dhe ndërkombëtare. [Prokurori] e ka ndjerë se është e nevojshme të lëshohet së paku ky njoftim publik për akuzat, sepse mendoj se ka pasur prova të fuqishme se palët, përfshirë presidentin, kanë bërë përpjekje të pengojnë dhe të ndërhyjnë te Dhoma e Specializuar. Kjo do të përfshinte edhe përpjekjen për të anuluar punën e Dhomës Speciale. Mendoj se kjo është arsyeja përse është vendosur të lëvizet në këtë drejtim. Tani duhet të presim, sepse çështja është përpara gjykatësit të procedurës paraprake. Ky gjykatës vazhdon t’i rishikojë të gjitha provat që janë paraqitur nga prokurori. Pra, ka qenë një përpjekje për ta bërë të ditur gjerësisht se prokurori beson se ka një rast dhe se po e ndjek atë.

Radio Evropa e Lirë: Komunikata po ashtu thotë se Thaçi dhe Veseli “i kanë vendosur interesat e tyre personale përpara viktimave të tyre, sundimit të ligjit dhe të gjithë njerëzve të Kosovës”. Si e komentoni këtë?

Mark Ellis: Nëse prova është e saktë se të dy individët kanë bërë përpjekje të ndërhyjnë në pavarësinë e kësaj gjykate, përfshirë përpjekje për të anuluar ekzistencën e saj, [atëherë] mendoj se deklarata është e saktë. Sepse, nëse keni dy individë që tani janë të akuzuar nga kjo gjykatë dhe ata vazhdojnë të bëjnë përpjekje nga pozitat e tyre shumë të fuqishme të ndërhyjnë dhe të anulojnë punën e gjykatës, kjo është një shenjë dramatike e pengesës.

Radio Evropa e Lirë: Shumë kanë folur për kohën kur është bërë publike… Aktakuza është paraqitur më 24 prill, por Zyra e Prokurorit ka vendosur ta lëshojë komunikatën për media të mërkurën (24 qershor). A ka bazë ligjore për një hap të tillë?

Mark Ellis: Mendoj se kjo Dhomë Speciale – kur e shihni procesin që ka ndjekur – ka qenë shumë e qetë, shumë e kujdesshme. Ne vërtet nuk dëgjojmë shumë, sepse ajo thjesht po përqendrohet në krijimin e rasteve. Ajo e di se është e ndjeshme të hetohen rastet që kanë ndodhur në një vend ku është ngritur gjykata. Pra, është një proces i brendshëm, edhe pse është një gjykatë e themeluar ndërkombëtarisht, në kuptimin që ka gjykatës ndërkombëtarë. Pra, janë të ndjeshëm ndaj kësaj dhe kur kanë ndjerë se ka përpjekje – bazuar në provat që kanë pasur – për ndërhyrje nga nivel shumë i lartë politik, [atëherë] prokurori ka vendosur të sigurohet se ka informacione të mjaftueshme për t’i prezantuar komunitetit ndërkombëtar, për të bërë presion kundër çdo lëvizjeje të elitës politike në Kosovë, që të ndalojë ndërhyrjen në operacionet e gjykatës. Kjo është arsyeja përse besoj se e kanë bërë një gjë të tillë. Dhe, mendoj se ka qenë gjëja e duhur për ta bërë.

Radio Evropa e Lirë: A shihni ndonjë motiv politik prapa kësaj? Thaçi është dashur të takohet të shtunën në Shtëpinë e Bardhë me homologun serb, Aleksandar Vuçiq, edhe pse ky takim është anuluar tashmë.

Mark Ellis: Mendoj se kjo mund të shihet në disa mënyra dhe të pretendohet se [vendimi i prokurorit] ka qenë i motivuar politikisht. Unë nuk e shoh kështu. Unë e shoh si një deklaratë të fuqishme nga gjykata që thotë se ‘ne nuk mund të pajtohemi me asnjë lloj ndërhyrjeje në operacionet e pavarësisë së gjykatës, andaj duam ta bëjmë të ditur’. Fakti që ka ndodhur në këtë kohë bën që njerëzit ta interpretojnë. Por, realiteti është se… unë besoj se kjo do të ndodhte herët apo vonë, sepse ka qenë e domosdoshme që gjykata ta bënte të qartë se ka prova të mjaftueshme për ta ndjekur këtë aktakuzë. Komuniteti ndërkombëtar duhet ta mbështesë rishikimin e pavarur përmes gjykatësit të procedurës paraprake, i cili do të përcaktojë nëse do të ketë urdhërarrest ose nëse ky rast shkon përpara. Mendoj se kjo është gjëja e duhur për t’u bërë. /REL