Albana Muja. Foto: Albana Muja

Albana Muja: Drama, më e dalluara nga të gjitha gjinitë letrare

Dramaturgia Albana Muja është fituese e njërit prej tri çmimeve të konkursit të Dramës Origjinale Shqipe, “Katarian Josipi”, për 2020.

Muja ka marrë çmimin e tretë të këtij konkursi për këtë viti me dramën “Era”, një dramë kjo e cila sjellë një rrëfim për tragjedinë që pësuan banorët shqiptarë në veri të Mitrovicës pas lufte.

Në një bisedë për Kallxo.com, Muja, çmimin e fituar për dramën “Era” e sheh si një vlerësim dhe shtytje për punë e saj, sidomos pas ngjarjeve që kanë kapluar vendin nga pandemia e Coronavirusit.

Ky vit do të mbahet mend gjatë, ka qenë i vështirë për të gjithë, ngjashëm ka ndodhur edhe me ne artistët, e ne veçanti, artistët e pavarur, të cilët mbahen nga projektet, të cilat pothuajse kanë qenë jashtë funksionit që nga fillimi i pandemisë”, ka thënë ajo.

Deri më tani Muja ka shkruar një numër dramash me tematika të ndryshme, disa prej të cilave janë inskenuar edhe në teatrot tona. Përveç dramës, Muja shkruan edhe skenarë filmash e serialesh, por edhe poezi.

“Unë dua që gjithçka që shkruaj të jetësohet, prandaj drama do të mbetet përherë me dalluara nga të gjitha gjinitë letrare. Drama është tekst dramatik që jetësohet në teatër, për mua teatri dhe drejtpërdrejtshmëria e tij ka magjinë që nuk përjetohet as për së afërmi me asgjë tjetër!”, ka thënë ajo për Kallxo.com

Dramat e saj, si: “Nori”, “Njohja”, “Komedi e kuqe”, etj., janë inskenuar në  teatrot e qyteteve të Kosovës.

“Ne dramaturgët përveç dramës shkruajmë dhe skenar filmash, mua me ndodh të jem në disponim e të kanalizohem për një kohë të gjatë vetëm tek skenari, pastaj kthehem me shumë dashuri tek drama, e herë të ngarkuar me ndonjë serial nëpër televizionet në vend. Ndërkohë kam punuar dhe tekste dramash që ne shpesh i quajmë tekste me porosi të inskenuara në vend!”, ka thënë Muja.

 Muja shkruan edhe skenarë filmash. Vitin e kaluar Qendra Kinematografike e Kosovës, mbështeti projektin filmik, “Okarinë” me skenarë të Alban Mujës, në kategorinë për deputant, me film të metrazhit të gjatë.

“Ai mbetet ndër skenarët që është punuar shumë gjatë dhe me shumë përkushtim, prandaj mezi pres ta shoh të realizuar”, ka potencuar ajo.

Albana Muja: Foto: Albana Muja

Drama “Era”, me të cilin fitoi vendin e tretë të konkursit  “Katarian Josipi” për këtë vit,  flet për një familje nga Mitrovica të cilët kanë përjetuar trauma nga trazirat e pas luftës në Mitrovicën e veriut.

Një granatë bie në shtëpinë e një çifti shqiptar në veri duke shkatërruar shtëpinë. Për fat të mirë shpëton vajza e çiftit, Era. Por, shpërthimi e lë me pasoja vajzën e veteranit të luftës.

“Familja mundohet t’i kthehet normalitetit, mirëpo gjatë rrugës, bëhemi një me situata tragjike të fshehura,  herë-herë të shpalosura me nuanca komike, në të njëjtën kohë shpërfaqim fytyrën e secilit, duke kaluar nëpër aktualitet e jetë!”, ka potencuar Muja.