Institucionet jo-bankare ankohen se MPB po e favorizon Postën e Kosovës

Posta e Kosovës po vazhdon të zgjerohet me zyre nëpër objektet e institucioneve të tjera publike, ndërkohë që Gjykata e Apelit ende nuk ka marrë vendim rreth kontestit në mes të Autoritetit të Konkurrencës (AKK) së Postës së Kosovës. Gjykata Themelore e kishte vërtetuar vendimin e AKK-së i cili konstatonte që po dëmtohet konkurrenca me vendosjen e pikave të Postës së Kosovës nëpër objekte të institucioneve publike.

Në dokumentet e siguruara nga Gazeta Jeta në Kosovë, thuhet se Posta e Kosovës ka bërë kërkesë që të hapë zyre postare në Regjionet e Kosovës, duke vendosur sportele në Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve dhe ato të Regjistrimit Civil.

Sipas dokumenteve, Posta ka kërkuar të ketë zyre në Lipjan, Drenas, Kastriot, Dragash, Klinë, Gjakovë, Junik, Viti dhe Shtërpcë.

Në anën tjetër, Ministria e Punëve të Brendshme, bazuar në dokumentet e siguruara nga KALLXO.com shihet se e ka aprovuar kërkesën e Postës së Kosovës për hapjen e këtyre zyreve në Kastriot, Kamenicë, Viti, Gjakovë, Klinë, Gjilan dhe Junik.

Por, Arsim Mehmeti, zëdhënës i Postës së Kosovës thotë se Posta e Kosovës është duke synuar që t’i ofrojë hapësira Ministrisë së Punëve të Brendshme nëpër objektet e Postës.

“Posta e Kosovës nuk ka planifikuar të hap zyra postare në objekte të MPB, por ka pasur diskutime që Posta e Kosovës të lirojë hapësira të veta për nevoja të MPB-së, në ato lokacione ku kjo gjë është e mundshme”, ka thënë Mehmeti.

KALLXO.com ka kërkuar informacione nga Posta e Kosovës nëse është hapur konkurs për punësimin e punëtorëve të rinj nëpër këto zyre të reja postare që do të hapen, por të njëjtit e kanë mohuar një gjë të tillë.

Ankesat e kompanive private

Gazeta Jeta në Kosovë ka dërguar kërkesë për informacion edhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme rreth kësaj çështjeje, por të njëjtit përkundër se janë kontaktuar disa herë nuk kanë dhënë përgjigje.

Vendosja e zyreve postare të Postës së Kosovës në Institucionet publike po vazhdon të jetë problematike për institucionet financiare jo bankare në vend, kryesisht për shkak dy palët janë të licencuara për pagesa dhe janë konkurrente në treg.

Avokati Artan Qerkini, përfaqësues i kompanisë “Vllesa” ka thënë për Gazetën Jeta në Kosovë se kompania që ai e përfaqëson dhe të gjitha institucionet jo bankare janë vendosur në pozita të pafavorshme në treg.

“Kemi një indikacion të qartë se këto veprime bien ndesh me ligjin sepse në këtë drejtim e kemi vendimin e Autoritetit të Konkurrencës dhe Aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Departamenti për çështje administrative, institucion ky që e lë në fuqi vendimin e Autoritetit për Konkurrencë, prandaj kemi indikacione të qarta se këto marrëveshje janë të kundërligjshme dhe bazuar në këto rrethana, ata duhet ta ndalin këtë praktikë sepse vetëm sa do ta thellonin dëmin, të cilin janë duke e pësuar institucionet jo bankare dhe pastaj kompensimi i këtij dëmi do të bie në barrë të shtetit”, ka thënë Qerkini.

Por, Posta e Kosovës e ka apeluar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe rrjedhimisht ende nuk ka një vendim të formës së prerë për çështjen e hapjes së zyrave të Postës së Kosovës nëpër institucione publike.

Edhe përfaqësuesi i institucionit financiar jo bankar “Capital Sh.P.K” ka thënë për Gazetën Jeta në Kosovë se kjo marrëveshje ju ka shkaktuar humbje të klientëve dhe të besueshmërisë.

Asdren Krasniqi, përfaqësues i “Capital Sh.P.K” ka deklaruar se kjo marrëveshje ka pamundësuar ekonominë e lirë të tregut.

“Ju ka imponuar pagesat, e ka cenuar garën e barabartë të të gjitha ndërmarrjen ose sipërmarrësve, e ka pamundësuar tregun e lirë dhe garën mbi parimet e konkurrencës së drejtë dhe përveç dëmtimit financiar nga parandalimi dhe pengimi i marrjes së klientëve ose i pasjes së klientëve, kjo ka sjellë edhe humbjen e besimit dhe ka sjellë edhe ndryshimin e strukturës së tregut”, ka thënë Krasniqi.

Rreth vendosjes së zyreve postare në institucione ka reaguar edhe Oda Ekonomike Amerikane duke thënë se kjo është trajtim i pabarabartë i kompanive në sektorin e shërbimeve postare dhe të pagesave.

“Në periudhën e fundit jemi bërë dëshmitarë të një trajtimi të pabarabartë të kompanive në sektorin e shërbimeve postare dhe të pagesave nga ana e disa institucioneve shtetërore dhe ndërmarrjeve publike, të cilat pa i respektuar procedurat e rregullta të prokurimit dhe duke  mos qëndruar prapa parimeve për trajtim të barabartë të kompanive nga sektori publik dhe ai privat”, thuhet në reagimin e OEAK.

Gjithashtu, OEAK ka thënë se hapja e këtyre zyreve rregullohet me Ligjin për Ndërmarrjet Publike duke e rregulluar trajtimin e ndërmarrjeve publike karshi atyre privat.

Problemet e pazgjidhura të Postës së Kosovës dhe Institucioneve financiare jo bankare

Ministria e Punëve të Brendshme kishte nisur që t’i lëshojë me qira disa hapësira brenda objekteve të saj për Postën e Kosovës. Pas këtij veprimi, kishte një ankesë në Autoritetin e Konkurrencës, e cila në vendimin e tyre kishte konstatuar se kishte dëmtim të konkurrencës.

Ky vendimi i Autoritetit të Konkurrencës kishte shkaktuar protesta të punëtorëve të Postës së Kosovës. Në shkurt të vitit 2017, Ministria e Punëve të Brendshme kishte marrë vendim që të shkëpuste kontratën me Postën e Kosovës për të ofruar shërbime të pagesave në institucionet publike.

“Pas shqyrtimit dhe analizës së bërë të vendimit të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, MPB me datën 20.02.2017 ka marrë vendim për shkëputje të Marrëveshjes së Bashkëpunimit të lidhur ndërmjet MPB-së dhe Postës së Kosovës bazuar në vendimin të nxjerr nga Komisioni i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, dhe nga kjo datë marrëveshja në fjalë nuk ka kurrfarë efekti juridik. Posta e Kosovës”, thuhej në vendimin e MPB-së.

Ky vendim i MPB-së kishte ardhur pasi Autoriteti Kosovar i Konkurrencës kishte konstatuar se prania e Postës nëpër institucione publike dëmton konkurrencën, përkatësisht është në kundërshtim me Ligjin e Konkurrencës.

Posta e Kosovës ishte urdhëruar të largohej nga ambientet ku tash kryen pagesat nëpër qendrat e regjistrimit të MPB-së.

Marrëveshja e Bashkëpunimit me MPB e nënshkruar 23.07.2015 parasheh që filialet e Postës të vendosen brenda objektit të MPB-së. Një marrëveshje të tillë për shërbim të pagesave Posta e Kosovës e kishte arritur edhe me disa institucione tjera si Komuna e Prishtinës, Komuna e Gjilanit dhe Komuna e Mitrovicës.

Këto marrëveshje kanë qenë cak i vlerësimit nga Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, e cila ka konstatuar se të njëjtat janë të kundërligjshme sepse i kanë diskriminuar operatorët e tjerë ekonomikë.

“Të gjitha marrëveshjet/kontratat e lartpërmendura në Pikën i bien ndesh me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës, neni 4 ‘Marrëveshjet e Ndaluara’, paragrafi 1.4- ‘zbatojnë kushte të ndryshme për transaksione të njëjta me ndërmarrje të tjera tregtare, duke i vendosur ato në gjendje të pafavorshme konkurruese”, thuhet në vendimin e AKK-së.

Në vendimin e datës 06.12.2016, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës urdhëronte Ministrinë e Punëve të Brendshme, Komunën e Gjilanit,  Mitrovicës, Ferizajt dhe Komunën e Gjakovës që të ofrojnë kushte të barabarta për transaksionet e njëjta me operatorët e tjerë ekonomikë.

“Rekomandohet, Ministria e Punëve të Brendshme, Komuna e Prishtinës, Komuna e Gjilanit, Komuna e Mitrovicës, Komuna e Ferizajt, Komuna e Gjakovës si dhe të gjitha autoritetet shtetërore; qendrore dhe lokale që të ofrojnë kushte të barabarta për transaksionet e njëjta me operatorët e tjerë ekonomikë (IFJB), duke i vendosur ato në gjendje të favorshme konkurruese përmes mekanizmave ligjorë, në respektim të ekonomisë së tregut me konkurrencë të lirë, të përcaktuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës”, thuhet tutje në vendimin e Autoritetit të Konkurrencës.

Megjithatë ky vendim nuk është ekzekutuar nga shumica e institucioneve të lartpërmendura.

Komuna e Prishtinës e ka arsyetuar mos respektimin e këtij vendimi për shkak të mungesës së këshillës juridike në këtë vendim.

AAK më pas ka korrigjuar vendimin te pjesa e këshillës juridike duke i dhënë mundësi Postës të iniciojnë konflikt administrativ në Gjykatë.

Posta e Kosovës më pas kishte paditur Autoritetin e Konkurrencës duke kërkuar anulimin e vendimit që urdhëron largimin e filialeve të postës nga objektet e institucioneve publike.

Por, Gjykata Themelore e Prishtinës në muajin korrik të 2018- ës në lëndën e udhëhequr nga gjyqtari Hajriz Hoti ka marrë aktgjykim me anët të të cilit e ka refuzuar si të pabazuar kërkesë-padinë e paditëses – Posta e Kosovës, më anë të së cilës është kërkuar që të anulohet vendimi i të paditurit – Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK) ndaj vendimit të këtij të fundit, vendim i cili urdhëron largimin e filialeve të postës nga institucionet publike.

Gjykata për këtë vendim i është referuar edhe nenit 10 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, i cili përcakton se “Ekonomia e tregut me konkurrencë të lirë është bazë e rregullimit ekonomik të Republikës së Kosovës”, ndërsa me nenin 119.3, përcaktohet se “Veprimet që kufizojnë konkurrencën e lirë përmes vendosjes ose abuzimit të pozitës dominuese, ose praktikave që e kufizojnë konkurrencën, janë të ndaluara, me përjashtim kur këto lejohen në mënyrë eksplicite me ligj”.

Po ashtu, në arsyetim të këtij aktgjykimi thuhet se Gjykata, për të vlerësuar ligjshmërinë e vendimit të goditur me padi, i është referuar Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës, i cili e përcakton se “Ndalohen të gjitha marrëveshjet ndërmjet dy ose më shumë ndërmarrjeve të pavarura, vendimet e marra ne mes të shoqatave të ndërmarrjeve dhe praktikat e bashkërenduara të cilat kanë për qëllim ose mund të ndikojnë në mënyrë të dukshme në çrregullimin e konkurrencës tregtare në tregun relevant e veçanërisht marrëveshjet që zbatojnë kushte të ndryshme për transaksione të njëjta me ndërmarrje të tjera tregtare, duke i vendosur ato në gjendje të pafavorshme konkurruese”.

E pakënaqur me vendimin e Gjykatës së shkallës së parë, Posta e Kosovës ka ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, por ky institucion që nga shtatori i 2018-ës ende nuk vendosur kundrejt kësaj ankese.

Rrjedhimisht vendimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës ende nuk është i formës së prerë dhe institucionet nuk janë duke e zbatuar.