Institucionet e reja, indikator i rritjes së besimit ndaj grave

Për herë të parë në historinë e pasluftës në Kosovë 5 ministri udhëhiqen nga gratë.

Madje, edhe institucioni më i lartë ligjvënës i vendit, Kuvendi i Kosovës, po udhëhiqet nga një grua – Vjosa Osmani.

Por, Osmanit në mbajtjen e seancave do t’i ndihmojë një grua tjetër, Arbërie Nagavci, e cila u zgjodh nënkryetare e parë e Kuvendit.

Përfaqësimi i gruas në poste të larta u forcua në Qeverinë e drejtuar nga Albin Kurti, e formuar më 3 shkurt 2020.

Kjo Qeveri ka 5 ministre në dikastere shumë të rëndësishme.

Rozeta Hajdari u emërua ministre e Ekonomisë, Vlora Dumoshi ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Emilija Rexhepi ministre e Administrimit të Pushtetit Lokal, Albulena Haxhiu ministre e Drejtësisë dhe Hykmete Bajrami ministre e Arsimit.

Në krahasim me Qeverinë e kaluara, e cila kishte 21 ministri, vetëm 3 prej tyre ishin të  udhëhequra nga gratë. E Qeveria Kurti ka 15 ministri dhe 5 prej tyre udhëhiqen nga gratë.

Kjo rritje e përfaqësimit të gruas në vendimmarrjen politike po shihet si shumë pozitive por jo e mjaftueshme nga shoqëria civile në Kosovë.

Objektivi kryesor: Përfaqësimi 50-50

Drejtoresha ekzekutive e Rrjetit të Grave të Kosovës, Igballe Rogova, në një prononcim për KALLXO.com tha se pret që edhe në emërimin e zëvendësministrave të ketë gra.

Ajo theksoi nevojën e implementimit të Ligjit për barazi gjinore.

“Ky emërim jashtëzakonisht shumë do ta fuqizojë rolin e gruas në Kosovë. Në fushatën parazgjedhore kemi parë një disponim nga qytetarët duke përfshirë edhe burrat që janë të gatshëm me ua dhënë votën grave”, tha ajo.

Rugova tha se ‘shoqëria kosovare po zgjohet nga gjumi me e pa që gratë munden me udhëheqë’.

Edhe Luljeta Demolli, drejtoreshë ekzekutive në Qendrën Kosovare për Studime Gjinore, e sheh si ‘motivim’ përbërjen e re të Qeverisë.

“Çdo rritje e përfaqësimit kualitativ dhe meritor të grave në qeverisje është zhvillim tejet pozitiv. Është motivim i madh për vajzat dhe gratë që përfshirjen e tyre në vendimmarrjen politike të bëhet bazuar në vlerësimin e tyre personal”, tha ajo për KALLXO.com.

Në anën tjetër, aktivistja Eli Gashi në një prononcim për KALLXO.com ka vlerësuar se objektivi kryesor duhet të jetë përfaqësimi 50-50.

“Qartësisht ka lëvizje pozitive krahasuar me qeveritë e mëparshme, por ende nuk jemi aty ku duhet. Ndonëse kjo nuk është vetëm çështje numrash, objektivi duhet të jetë përfaqësimi 50-50”, tha ajo.

Sipas Gashit, vendimet që merren duhet të kenë parasysh kriterin gjinor.

“Synimi madhor i të gjithëve duhet të jetë një qeveri ku gratë e burrat qeverisin me ndjeshmëri të lartë gjinore, pra që vënë barazinë mes grave dhe burrave si kriter sa herë që marrin një vendim dhe menaxhojnë burimet tona financiare”, theksoi ajo.

Drejtoresha e QKSGJ-së, Luljeta Demolli, ka vlerësuar se udhëheqja e Kuvendit nga një grua është shumë me rëndësi nëse kësaj i shtohet edhe një  agjendë e Kuvendit të ketë një perspektivë më të madhe gjinore.

“Është me rëndësi që Kuvendi ta ftojë kryeministrin e Kosovës të raportojë për të drejtat e grave. Një gjë tjetër me rëndësi është që në Kuvend të ketë një kod të etikë që gjuha e urrejtës dhe fryrjet dhe seksizmi të eliminohen në Kuvend”, theksoi ajo.

Përveç emërimeve në qeveri, në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit, gratë siguruan 38 nga 120 ulëse sa ka Kuvendi i Kosovës. Shumica e grave deputete siguruan ulëset në kuvend përmes votave të fituara, pa pasur nevojë për kuotë gjinore.

Gruaja në politikë të mos jetë çështje diskutimi por normaliteti

Sipas aktivistet Eli Gashi, gratë ne politike përballen me shume pengesa, e një numër i këtyre pengesave lidhet me gjininë, prandaj duhet një edukim i mirëfilltë shoqëror.

“Tejkalimi i tyre kërkon ndryshim të mendësisë, fillon me mënyrën se si i edukojmë fëmijët në familje, çka i mësojmë në shkolle, e vazhdon deri të mënyra si policia reagon ndaj një raportimi apo përmbajtja e aktgjykimit të një gjykatësi/e. E gjithë kjo që të vijmë në ditën kur mbajtja e një funksioni publik nga një grua të mos jetë çështje diskutimi, por normalitet”, ka thënë ajo.

Në anën tjetër Drejtoresha ekzekutive e Rrjetit të Grave të Kosovës, Igballe Rugova, ka thënë që është momenti që ‘gratë të solidarizohen me gratë’.

“Ju nevojitet solidariteti nga vet gratë nga të gjitha partitë dhe nga shoqëria civile. Kur ka qenë Jahjaga, në pozitë ia komenton edhe veshjen e çantën, e këto komente i kanë bërë gratë. Tash është koha për solidaritet”, tha ajo.

Luljeta Demolli Drejtoresha e QKSGJ-së, vlerëson se sfidat për gratë në politikë janë të shumta.

“Një sfidë që do ta ketë është që në ekipet e tyre të ketë më shumë ekspertë që kanë njohuri edhe të çështjeve gjinore si dhe të kenë edhe më shumë gra”, theksoi ajo.

Demolli hedh poshtë dyshimet se këto gra të angazhuara në politikë do të jenë vetëm ‘fasadë’ në dikasteret të cilat i drejtojnë.

“Kjo Qeveri ka gra meritore në ministritë që udhëheqin dhe varet prej tyre sa do të jenë të zonja për t’ia dalë”, tha ajo.

Kurse aktivistja, Eli Gashi vlerëson se presioni publik, që kryesisht ka ardhur nga shoqëria civile dhe media, ka prodhuar efekt pozitiv në raport me barazinë.

Sipas saj, brenda partive politike ka lëvizje te mira, ndonëse te pamjaftueshme.

Gashi shprehet e bindur që 5 ministret e Qeverisë Kurti janë të përgatitura për përgjegjësitë që kanë marrë.

“Pothuajse te gjitha gratë qe janë sot në Kuvend kanë hyrë në garë me burrat, dhe pa ndihmën e kuotës. Edhe gratë që kanë marrë detyrën e ministres, me aq sa i njoh nga aktiviteti i tyre publik, nuk besoj që lejojnë cenim të integritetit e reputacionit të tyre”, theksoi ajo.

Ndonëse në Qeverinë e re kemi 5 ministre gra, në nivelin lokal në Kosovë asnjë nga 38 komunat nuk udhëhiqet nga gratë.

Përveç në pozita drejtuese, në përgjithësi, shkalla e grave të punësuara mbetet më e ulët se e burrave.

Në anën tjetër në një raport statistikor për vitin 2019 të Institutit për Studime të Avancuara GAP, të publikuar javën e kaluar, thuhet se shkalla e punësimit të grave, sidomos në pozita të larta udhëheqëse, mbetet shumë e ulët në krahasim me burrat. Këto dallime janë më të shprehura sidomos në nivelin qendror.

Shkalla e papunësisë te burrat, më 2019 sipas këtij raporti, ishte 22.8 për qind, shkalla e papunësisë te gratë ishte 32.7 për qind. Në anën tjetër, interesimi i grave për të gjetur një vend pune është gati i të njëjtit nivel me atë të burrave.