Fakulteti Juridik, Foto: Balkan Insight/Wikimedia

Inspektorati miraton ankesën e djalit të profesorit mbi konkursin në Fakultetin Juridik

Triumf Sadikaj ka triumfuar në betejën e fundit të tij në tentativën për t’u punësuar në Fakultetin Juridik, aty ku prej vitësh punon babai i tij, Beqir Sadikaj.

Ankesa e tij nuk ishte miratuar në disa instanca Brenda UP-së, mirëpo ka marrë përgjigje positive nga Inspektorati i Punës në disa prej pretendimet e tij se konkursi për asistent në lëndën e Katedrës Penale nuk ishte procedurë në bazë të rregullave në fuqi.

Inspektorati i ka dhënë të drejtë Sadikajt duke kërkuar nga Universiteti “Hasan Prishtina” që të anulojë vendimin e përzgjedhjes së kandidates Nita Shalës, për pozitën Asistent në lëndën e Katedrës Penale dhe të kthehet lënda për rivlerësim dhe vendosje.

Nita Shala kishte arritur të marrë votat e senatit për tu zgjedhur Asistente në lëndën e Katedrës Penale, përkundër që nuk kishte përkrahjen e Këshillit të Fakultetit Juridik.

Kundërkandidati i saj Triumf Sadikaj është djali i Beqir Sadikaj, Profesor në Fakultetin Juridik dhe anëtar i Këshillit Drejtues të UP-së.

Ky ishte konkursi i vetëm për asistentë në këtë fakultet që arriti të shkojë në senat, ndërsa konkurset tjera ishin anuluar për shkak se komisionet ishin dorëhequr për shkak se në konkurrencë ishin familjarë të profesorëve tjerë të këtij fakulteti. Gazeta Jeta në Kosovë kishte shkruar për lidhjet familjare të kandidatëve me profesorëve.

Vendimi i Inspektoratit ka konstatuar disa shkelje të Komisionit Vlerësues lidhur me moshën e kandidates dhe nostrifikimin e diplomës së doktoratës.

“Inspektori i punës… ka konstatuar se Komisioni Vlerësues Rekrutues nuk ka zbatuar drejtë dispozitat e statutit të Universitetit “Hasan Prishtina” si dhe rregulloren për procedurat përzgjedhëse…sepse në raportin e vlerësimit ka propozuar kandidaten Nita Shala duke u bazuar në dispozitën e nenit 178 të statutit të UP-së i cili përcakton kriteret bazë ku paragrafi 1.2 thotë që të jetë më i vjetër se 30 vjet (Përjashtimisht kandidati mund të zgjidhet asistent deri në moshën 40 vjeçare nëse ka gradën e doktorit të shkencës)”, thuhet në vendim.

Megjithatë në vendim thuhet se mosha nuk do të ishte problematike nëse doktorata e kandidates do të ishte e nostrifikuar.

“Komisioni ka vlerësuar se kandidatja e posedon gradën e doktorit të shkencave mirëpo nuk e ka vlerësuar kriterin e konkursit që thotë në pikën 2 dokumentet e nevojshme për aplikim, paragrafi F se kandidatët që kanë mbaruar studimet jashtë vendit duhet të sjellin edhe vendimin për nostrifikimin (barasvlerën) e diplomës përkatëse( Bachelor, Master, Doktoraturë).Inspektori ka konstatuar se në rastin konkret komisioni vlerësues ka shkelur dispozitën e nenit 178 të statutit të Universitetit me veprimet e tij, duke cënuar kriteret e konkursit publik, nr 1/173, sepse ka vlerësuar diplomën e doktoratës (jashtë vendit) të kandidates Nita Shala pa qenë e nostrifikuar, e cila ka qenë kriter bazë në konkurs” thuhet në vendim.

Sadikaj që nuk arriti të pranohet në asnjërën nga dy pozitat e hapura për Asistentë të Katedrës Penale është djali i Profesorit Beqir Sadikaj ndërsa Dekani i Fakultetit Juridik është burri i motrës së kandidatit.

KALLXO.com ka siguruar vendimin e inspektoratit të datës 22 janar që thotë se “i bëhet vërejtje universitetit ‘Hasan Prishtina’, të anulojë vendimin e përzgjedhjes së kandidates Nita Shalës, për pozitën Asistent në lëndën e Katedrës Penale dhe të kthehet lënda për rivlerësim dhe vendosje.

Të dy kandidatët kanë treguar pretendimet e tyre lidhur me atë se pse janë më të denjë për tu përzgjedhur në këtë pozitë.

Përderisa Sadikaj në ankesën e tij thotë se kandidatja ka shkelur disa rregulla të përzgjedhjes, kandidatja Shala thotë se lidhjet familjare të këtij kandidati po i ndihmojnë për ta dëmtuar atë.

Tashmë ka kaluar afati tetë ditor kur Universiteti i Prishtinës është dashur  ta njoftoj me shkrim inspektoratin e punës për zhvillimin e procedurave.

Zyrtarë të UP-së nuk kanë dhënë përgjigje nëse e kanë ankimuar këtë vendim.

Rrjedha e konkursit

Më datën 27 prill 2018, në Fakultetin Juridik ishte hapur edhe konkursi për dy Asistentë në Katedrën Penale.

Komisioni Vlerësues në këtë rast kishte përzgjedhur kandidatet Furtuna Sheremeti dhe Nita Shala.

Sadikajt i ishte refuzuar ankesa lidhur me raportin e Komisionit Vlerësues.

Këshilli i Fakultetit Juridik sipas dekanit Haxhi Gashi, e kishte dërguar këtë rast për shqyrtim në senat ndërsa përfundimisht në tetor, senati e kishte votuar për asistente kandidaten Shala.

Lidhur me këtë, kandidati Sadikaj kishte bërë ankesë edhe në inspektoratin e punës duke iu pretenduar se kandidatja Shala ishte përzgjedhur në mënyrë të padrejtë.

Sipas ankesës së Sadikajt, kandidatja nuk i kishte plotësuar kriteret e konkursit në disa rrafshe.

E para ishte kriteri i moshës që sipas statutit të UP-së parashihet se për zgjedhjen asistent kandidati duhet të jetë nën 30 vjeç, ndërsa kandidatja në fjalë është 31 vjeçe.

Megjithatë edhe në vetë vendimin e inspektoratit ceket se statuti e lejon përzgjedhjen në pozitën asistent edhe nën moshën 40 vjeçare nëse kandidati ka doktoraturë të fushës.

Kandidatja ka të përfunduar doktoratën në të Drejtën Ndërkombëtare në Institutin për studime ndërkombëtare dhe Zhvillime në Gjenevë.

Një tjetër çështje ishte edhe mungesa e diplomës së nostrifikuar së doktoratës në kohën e konkursit.

Lidhur me këtë, kandidatja e kishte marrë një opinion të Avokatit të Popullit që thotë se kërkesa për nostrifim të diplomës gjatë kohës së konkursit është e padrejtë meqë nostrifikimi kërkon kohë dhe kështu dëmtohen kandidatët me diploma në universitete të huaja.

Në anën tjetër opinion thotë se nostrifikimi do duhej të kërkohej në momentin e nënshkrimit të kontratës.

Me gjithë insistimin e Gazetës, Triumf Sadikaj nuk ka kthyer përgjigje me më shumë se dy fjali lidhur me këtë çështje.

Një diskutim i ashpër lidhur me ankesën e kandidatit Sadikaj ishte bërë edhe në mbledhjen e senatit ku u diskutua për kandidaten Nita Shala.

Në mbledhjen e senatit të mbajtur më 5 tetor të vitit 2018, Rektori Marjan Dema tha se ka qenë problematike mungesa e transkriptës së notave për këtë kandidate.

Vetë dekani Haxhi Gashi insistoi në senat që kandidatja nuk i ploëtson kushtet formale për përzgjedhje në këtë pozitë megjithëse tha se e respekton shkollimin dhe arritjet e saj.

“Brenda kushteve formale secila e drejtë duhet të realizohet, nuk ka kushte formale që të zgjidhet. Në të ardhmen mund të shikohet. Këshilli i Fakultetit nuk e ka votuar, e ka kthyer lëndën në senat me të gjitha këto shënime.  Nuk ka dashur ta votojë këtë çështje”, kishte thënë Gashi.

Senatorë të tjerë thanë se janë në dijeni për lidhjet familjare të kandidatit ankues në Fakultetin Juridik.

Avni Puka, senator që ishte edhe anëtar i Komisionit Vlerësues në këtë rast tha se ankesat në këtë rast janë të pabazuara.

Sipas tij, në njërin prej studimeve master që ka mbaruar kandidatja jashtë vendit nuk ofrohet transkriptë e notave, ndërsa ajo megjithatë ka transkriptën e notave në studimet e dyta master që i ka përfunduar në universitetin e Oxfordit.

Kandidatja Shala në përgjigjen e saj ndaj vendimit të inspektoratit tha se ankuesi ka dhënë informacione gjysmake nëpër të gjitha instancat e ankesave të tij.

“Z. Triumf Sadikaj nuk ka lënë shkallë vendimmarrje në të gjitha instancat brenda UP-së që kanë trajtuar kandidaturat tona pa u ankuar, me informacione jo të plota dhe rrjedhimit të rreme, dhe në cdo shkallë ka marrë të njejtën përgjigje, pas konsultimit me faktet e plota: REFUZIM I ANKESES dhe vendim për zgjedhjen time. Si rrjedhojë, e konsideroj të arsyeshme dhe të domosdoshme t’ju kontaktoj drejtpërdrejt me qëllim informimi të drejtë dhe të plotë në lidhje me faktet dhe provat mbi të cilat është mbështetur zgjedhja ime në pozitën e lartpërmendur”, tha Shala.

Në anën tjetër, Triumf Sadikaj për Gazetën Jeta në Kosovë tha se me vendimin e inspektoratit janë konfirmuar shkeljet që kishte gjetur.

“Po kam marrë përgjigje pozitive dhe janë konfirmuar shkeljet për të cilat unë jam ankuar”, tha Sadikaj.

Rektorati i Prishtinës nuk i është përgjigjur pyetjeve të GJNK nëse kanë ankimuar këtë vendim.

Universiteti i Prishtinës pritet të dalë nga greva këtë të hënë.

Familjarët e profesorëve ia mësyjnë konkurseve për asistentë në Fakultetin Juridik