Foto-ilustrim | Foto: Flickr

Inskenojnë Tentim-Vrasjen me Kallashnikov

Musa D. (1972), shtetas i Kosovës, tashmë i dyshuar, fillimisht në cilësinë e viktimës kishte denoncuar në stacionin policor Gjakovë një rastin “tentim-vrasjeje”, që sipas tij kishte ndodhur në fshatin Devë, të martën, rreth orës 21.

Njësitet policore menjëherë i janë përgjigjur rastit. Në vendngjarje është takuar “viktima”, i cili ka deklaruar se derisa ishte duke lëvizur me veturën e tipit “Opel Vectra” nga Gjakova në drejtim të fshatit Devë, tre persona të maskuar, njëri nga ta i armatosur me AK-47, i kishin vënë pritë. Sipas tij, ata kishin vendosur një dru duke e bllokuar rrugën. Pas kësaj, “viktima” kishte ndalur automjetin dhe kishte ikur për t’iu shpëtuar disa të shtënave, të cilat thuhet se e kishin goditur veturën e tij. Më pas, të dyshuarit kishin ikur në drejtim të panjohur.

Në vendngjarje është parë vetura e goditur nga pesë predha të armës AK-47 dhe janë gjetur pesë gëzhoja të kalibrit 7.62 mm, ka bërë të ditur Xhevat Ibra, zëdhënës i policisë rajonale në Pejë.

“Rreth orës 22:30, në vendngjarje, përveç njësive policore nga Gjakova kanë dalë edhe Njësiti i Hetimeve dhe Krimeteknika Rajonale, së bashku me Njësitin special operativ, si dhe kryeprokurorja e shtetit nga Prokuroria Themelore e Gjakovës. Gjatë këqyrjes së vendit ngjarjes, analizimit dhe mbledhjes së provave është konstatuar mospërputhje e dëshmive të gjetura me deklarimet e viktimës dhe është kuptuar se rasti është vepër e sajuar nga ‘viktima’”.

Musa D. e ka pranuar sajimin e rastit dhe ka pranuar se për të kryer ketë vepër ishte ndihmuar nga kushëriri i tij, Bekim D. (1981). Ky e kishte marrë armën AK-47 dhe kishte shtënë në drejtim të veturës 5-6 herë, në kohën kur në veturë nuk ndodhej askush. E gjithë kjo ishte bërë me iniciativën e të dyshuarit të parë për të inskenuar veprën e tentimvrasjes.

Arma është gjetur dhe konfiskuar te i dyshuari dytë. Pronësinë e armës e ka pranuar i dyshuari Musa D. Këta dy të dyshuar janë arrestuar, ndaj tyre janë iniciuar rastet për “lajmërim apo kallëzim i rremë” dhe “përdorim i armës, apo mjetit të rrezikshëm”. Me vendim të Prokurorit të çështjes, ata janë ndalur në mbajtje për t’i zhvilluar procedurat e mëtejme adekuate ligjore.