www.pixabay.com

www.pixabay.com

Inflacioni ‘shkurton listën e harxhit’ të konsumatorëve, çmimet 13% më shtrenjtë

Me inflacion kuptohet rritja e vazhdueshme e çmimeve të përgjithshme, kur blihen më pak mallra dhe shërbime me të njëjtën sasi të mjeteve sesa para zhvlerësimit. Lidhur me rritjen e çmimeve të konsumit tashmë Kuvendi i Kosovës ka miratuar një nismë ligjore.

Inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte 0.9 për qind në muajin tetor 2022 në raport me një muaj më parë.

Sipas ASK-së, indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 0.9% në muajin tetor 2022, krahasuar me muajin shtator 2022.

“Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: perime (8.3%); lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (3.5%); këpucë (3.0%); karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal (2.9%); qumësht, djathë dhe vezë (2.8%); sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira (2.5%); pije alkoolike (2.3%); kujdes personal (1.7%); veshje (1.1%); mish (1.0%); bukë dhe drithëra (0.7%); ujë mineral, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet (0.5%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 1.1 për qind në IHÇK”- thuhet në komunikatë.

Ndërsa, rënie e çmimeve vërehet te nëngrupet e COICOP-it, shërbime për transport -7.9 për qind “rënie e çmimeve të biletave të transportit ajror”, me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej -0.2 për qind në IHÇK.

Rreth 13% inflacioni vjetor në krahasim me muajin tetor 2021

Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 12.7 për qind në muajin tetor 2022, krahasuar me muajin tetor 2021.

Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te nëngrupet e COICOP-it: lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj.  56.6 për qind, vajra dhe yndyra ushqimore 42.7 për qind, bukë dhe drithëra 29.5 për qind, qumësht, djathë dhe vezë 27.1 për qind, mish 22.9 për qind, sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira 21.5 për qind, karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal 20.8 për qind, prodhime të ndryshme ushqimore salca, erëza, kripë, ushqim për fëmijë etj. 17.1 për qind, mallra dhe shërbime për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake 16.4 për qind,  gaz 16.1 për qind, kafe, çaj dhe kakao 15.1 për qind.

Tutje ASK tregon se çmimet në mirëmbajtje dhe rregullim i vendbanimit ishin 14.9 për qind, shërbime hoteliere  13.9 për qind,  vegla dhe pajisje për shtëpi dhe kopsht 11.0 për qind, kujdes personal 9.8 për qind, peshq  9.6 për qind, perime 8.6 për qind, shërbime për transport 7.7 për qind, pajisje shtëpiake 7.5 për qind, pije alkoolike 7.4 për qind, gjëra dhe pajisje të tjera rekreative, kopshte dhe manare 7.2 për qind, pjesë këmbimi dhe pajisje shtesë për pajisjet e transportit personal 7.1 për qind, ujë mineral, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet  6.8 për qind, mobile dhe orendi, qilima dhe mbulesa të tjera dyshemeje 6.4 për qind, duhan 5.4 për qind, qelqurina, takëme dhe mjete të kuzhinës 4.5 për qind, produkte farmaceutike 4.0 për qind, veshje 3.0 për qind, blerje e automjeteve 2.4 për qind, pemë 2.3 për qind, me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 12.7 për qind në IHÇK.

Sa u shtrenjtuan disa prej artikujve bazë?

Në muajin tetor të vitit 2021, sipas çmimit mesatar të nxjerrë nga ASK, del se një kilogram miell gruri kushtoi 0.55 euro, ndërsa në muajin tetor të këtij viti çmimi ka shkuar në 0.82 euro duke shënuar rritje për 27 centë.

Një kilogram mish viçi qytetarët e Kosovës kanë mundur ta blejnë me çmim 7.66 euro në muajin tetor të vitit të kaluar, mirëpo në muajin e njëjtë të këtij viti çmimi u rrit për 2.03 euro.

Për një litër vaj luledielli, çmimi mesatar në muajin tetor të vitit 2021 ishte 1.58 euro ndërsa në muajin e njëjtë këtë vit, një shishe vaj është blerë për 2.41 euro.

Rritje e çmimit evidentohet edhe te kafeja, ku një kilogram është shtrenjtuar për më shumë se 1.87 euro.

Rritje të çmimeve pati edhe tek perimet, si speca dhe domate.

Sipas këtyre të dhënave, për blerjen nga një artikulli nga lista, qytetarit konsumator, do t’i kushtonte mesatarisht 47.03 euro apo  9.87 euro më tepër për artikujt e njëjtë për të cilët në vitin e kaluar do të paguante mesatarisht 37.16 euro.

Këto të dhëna u bënë të ditura nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK)me publikimin e indeksit“ Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK) për muajin tetor 2022, viti bazë 2015=100.

Kuvendi miratoi Projektligjin për produktet themelore

Më datën 27 tetor 2022, Kuvendi i Kosovës miratoi Projektligjin për çmimet tavan, apo masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg.

63 deputetë të Kuvendit të Kosovës kanë votuar pro miratimit të këtij projektligji në parim.

Lidhur më këtë projektligj, nuk pati vota kundër, as abstenime.

KALLXO.com raportoi se kryetarja e GP të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila përmes një mocioni procedural ka kërkuar përshpejtimin e afateve që Projektligji të sillet në Kuvend për votim të dytë.

Qëllimi i kësaj nisme legjislative është që të rregullojë masat mbrojtëse të furnizimit me produkte themelore për konsumatorët, në kohë të paraqitjes së rasteve të veçanta të destabilizimit në treg në pajtim me këtë ligji dhe mënyrën e zbatimit të tyre.

Javën e kaluar, gjatë shqyrtimit të tij, partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK janë deklaruar kundër këtij projektligji.

Projektligji është iniciuar në Kuvend nga Lëvizja Vetëvendosje.

Kryetarja e GP të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila ka thënë ky projektligj ndihmon në sistuatat kur ka mungesë të pa pritur apo të vazhdueshme të produkteve themelore.

Sipas saj, Projektligji parash veprime konkrete sidomos në produkte bazike duke përfshirë: drithërat, miellin, grurin, orizin, pastat, vajin ushqimor të lulediellit, qumështin, kripen e kuzhinës, vezët e pulës, mishin  e pulës, sheqerin, produktet e higjienës personale, etj.

Projektligji për çmimet tavan, apo masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg, që po diskutohet sot në lexim të parë, në Kuvend, po kërkon mbështetjen e deputetëve për miratim.

Miratohet Projektligji për vendosjen e çmimeve tavan në produktet themelore