Incizimi i zhdukur i Këshillit të Sigurisë, procedura disiplinore para dështimit

 Dosja disiplinore për dështimin e incizimit të mbledhjes së Këshillit të Sigurisë të datës 17 mars është në prag të dështimit.

Kallxo.com ka siguruar vendimin e komisionit disiplinor ku ndër të tjera thuhet se zyrtarët përgjegjës nuk mund të thirren para përgjegjësisë për shkak e procedura disiplinore është nisur me vonesë.

Sipas vendimit procedura është nisur me datë 30 mars apo 13 ditë pas dështimit, ndërsa sipas ligjit ajo duhet të niset tri ditë pune pasi udhëheqësi ta ketë pranuar informacionin për shkelje disiplinore.

Hetimi i komisionit ka zbardhur se sekretari Bekim Podrimqaku ka qenë i njoftuar me datë 18 për dështimin e inqizimit por vetëm me datë 30 e kishte njoftuar zyrën e personelit ndërsa  komisionin disiplinorë ishte njoftuar me datë 31 mars.

Dy zyrtarë të cilët kanë qenë përgjegjës për regjistrimin e kësaj mbledhje, Shaqir Shaqiri, drejtor i Qendrës së Situatave dhe Kastriot Dermaku, udhëheqës i sektorit të Teknologjisë Informative, kanë fajësuar njëri-tjetrin për dështimin e incizimit të mbledhjes së KSK-së.

12 ditë pas dështimit të incizimit të mbledhjes së jashtëzakonshme, ushtruesi i detyrës së Sekretarit të Këshillit të Sigurisë, Bekim Podrimqaku, ka kërkuar që të fillojnë masat disiplinore ndaj dy zyrtarëve, Shaqir Shaqiri dhe Kastriot Dermaku, por vendimi i Komisionit Disiplinor i përbërë nga tre anëtarë ka hedhur poshtë kërkesën nën arsyetimin se ishte parashtruar pas afatit ligjor.

Shaqir Shaqiri në dhjetor të vitit të kaluar kishte marr pozitë të re në Këshillin e Sigurisë. KALLXO.com raportoi se ai nuk e mohonte se ka “simpati” për Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).

Ndërkohë që mbledhja dështoi të incizohej dhe të regjistrohej, zyrtari i IT-së në KSK ka dhënë dorëheqje. Vendimin për lirim nga puna e ka nënshkruar vetë u.d. Sekretari, Podrimqaku.

KALLXO.com ka kontaktuar me u.d. Sekretarin e Këshillit të Sigurisë, Bekim Podrimqaku, për ta pyet se, pse ka lejuar që të kaloj afati kohor që të inicioi masat disiplinore ndaj dy zyrtarëve, por i njëjti nuk ka dashur të jap përgjigje përmes telefonit. Ai ka thënë se mund të përgjigjet vetëm përmes e-mailit, por një gjë të tillë ende nuk e ka bërë.

Sipas Ligjit për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë, neni 20 i tij, thotë që pas çdo humbje të informacionit të klasifikuar, duhet të lajmërohen institucionet përkatëse menjëherë.

“Për çfarëdo humbje, humbje të dyshuar, thyerje apo thyerje të dyshuar të sigurisë së informacioneve të klasifikuara, si dhe për çfarëdo qasje aktuale apo të dyshuar të paautorizuar në informacione të klasifikuara, të gjithë bartësit e autorizuar të informacioneve të klasifikuara menjëherë i raportojnë për këtë institucionit të tyre përkatës publik si dhe Agjencisë”, thuhet në ligj.

“Autoriteti përkatës publik menjëherë i merr të gjitha masat e nevojshme për të: 1.1. hetuar rastin, 1.2. identifikuar shkakun e humbjes, 1.3. gjurmuar ndonjë hapje nga persona të paautorizuar për tu qasur në informacioneve të tilla, 1.4. larguar ndonjë efekt të dëmshëm dhe për të parandaluar humbje të mëtejme të informacioneve të klasifikuara, 1.5. iniciuar procedura disiplinore, penale dhe procedura tjera ligjore në dispozicion ndaj personave të cilët kanë shkaktuar humbjen e informacioneve të klasifikuara dhe të cilët kanë pranuar informacione të tilla pa autorizim”, thuhet tutje në Ligjin për Klasifikim të Informacioneve.

Mbledhjet e Këshillit të Sigurisë së Kosovës janë konfidenciale, si të tilla ato duhet të incizohen dhe të ruhen. Por, më 17 mars, nuk ndodhi një gjë e tillë.

Për mos-regjistrim të mbledhjes së KSK-së kishte reaguar edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë seancës në Kuvendin e Kosovës ku votohej rrëzimi i Qeverisë të cilën drejtonte.

KALLXO.com raportoi gjatë muajit shkurt se, njëri nga zyrtarët në Këshillin e Sigurisë, kishte ndërruar formatet e raportimit për kryeministrin, Albin Kurti.

Historia e dështimit për incizim të mbledhjes së jashtëzakonshme

Më 17 mars të këtij viti, vetëm katër ditë pasi u identifikuan rastet e para me sëmundjen COVID-19, Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, kërkoi mbajtjen e një mbledhjeje të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurisë së Kosovës.

Në këtë mbledhje, Thaçi kërkoj shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë pas rrezikut që mund t’i vinte vendit nga pandemia e coronavirus. Atë ditë, në Kosovë numëronin vetëm 19 raste të konfirmuar me COVID-19 ndërkohë nuk kishte viktima dhe as të shëruar.

Rëndom, mbledhjet e Këshillit të Sigurisë së Kosovës incizohen nga personat përgjegjës. Për, më 17 mars nuk kishte ndodh një gjë e tillë.

Dy zyrtarët të cilët kishin qenë përgjegjës për regjistrimin e mbledhjes së jashtëzakonshme, njëri Drejtor i Qendrës së Situatave dhe tjetri Udhëheqës i Njësisë së Teknologjisë Informative, nuk kanë arrit që të regjistrojnë atë që është fol gjatë mbledhjes.

Ndaj Kastriot Dermakut dhe Shaqir Shaqiri u iniciua fillim i procedurave disiplinore 13 ditë pas mbajtjes së mbledhjes së jashtëzakonshme. Ky inicim i procedurave u kërkua nga ushtruesi i detyrës së Sekretarit të Këshillit të Sigurimit të Kosovës, Bekim Podrimqaku.

“Me datën 17.03.2020 ora 20:00 është mbajtur mbledhja e KSK-së dhe në atë rast ka dështuar incizimi i mbledhjes dhe si pasojë nuk është arritur nxjerrja e procesverbaleve dhe transkreiptit. Prandaj, për të sqaruar shkakun e dështimit kërkoj nga ju që të filloni procedurat disiplinore për zyrtarët”, thuhet mes tjerash në shkresën e Podrimqakut.

Mesazhi për fillim të procedurave disiplinore ndaj dy përgjegjësve për regjistrimin e mbledhjeve në adresë të tre anëtarëve të Komisionit Disiplinor u shkoi më 31 mars.

Në njërën nga komunikimet ndërmjet kryesuesit të komisionit disiplinor dhe sekretarit të KSK-së, Meha kërkonte nga Podrimqaku që të kërkonte nga Policia e Kosovës fillimin e hetimeve mbi disqet që nuk kishin regjistruar mbledhjen e 17 marsit.

Pasi shqyrtuan rastin, anëtaret e komisionit morën një vendim më 15 prill të këtij viti.

“Refuzohet kërkesa për fillimin e procedurës disiplinore e dt. 30.03.2020 e parashtruar nga u.d Sekretari i Këshillit të Sigurisë së Kosovës, ndaj nëpunësit civil Kastriot Dërmaku, udhëheqës i sektorit të IT-së dhe Shaqir Shaqiri, drejtor i Qendrës së Situatave”, thuhej në vendim.

Siç është shpjeguar në vendim, inicimi i procedurave disiplinore nga Sekretari, Bekim Podrimqaku ishte bërë jashtë afateve kohore, siç parashihen me Rregulloren për Procedurat Disiplinore në Shërbimin Civil.

“Data kur është bërë shkelja e rënd- serioze e pretenduar është 17.03.2020. data e parashtresës për fillimin e procedurës disiplinore nga ud. Sekretari i Këshillit të Sigurisë së Kosovës e dorëzar te udhëheqësi i njësisë së personelit është me 30.03.2020, që i bie se kërkesa për fillimin e procedurës disiplinore është paraqitur jashtë afatit ligjor prej 2 ditë pune, të paraparë me nenin 12 paragrafi 1 të rregullore ne 04/2011 për Procedurat Disiplinore në Shërbimin Civil”, thuhet në shpjegimin e Komisionit Disiplinor.

Por, para se të merrej ky vendim, njëri nga dy zyrtarët të cilët ishin përgjegjës për incizimin e mbledhjes së jashtëzakonshme, ofroi dorëheqje nga vendi i tij i punës.

Në një vendim të datës 30.03.2020 e i cili mban nënshkrimin e u.d. Sekretarit të Këshillit të Sigurisë së Kosovës, Bekim Podrimqaku, thuhet se Kastriot Dërmaku në mënyrë vullnetare ka ofruar dorëheqje përmes një e-maili me datë 15.02.2020.

Cili është roli dhe përbërja e Këshillit të Sigurisë së Kosovës

 

www.kallxo.com