ARKIV - Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Imri Ahmeti i Lipjanit nuk përballet me asamblistët dhe premtimet që i dha në Zgjedhjet e vitit 2021

Në debatin për performancën në tri vjet mandat në krye të Lipjanit, kryetari Imri Ahmeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës nuk pranoi të ballafaqohet me kritikat e asamblistëve në sallën e Kuvendit Komunal.

“Këtu e kemi ftuar Kryetarin. Kryetari nuk ka pranu me ardhë me u përballë me Asamblenë. Madje, Imriu nuk e ka delegu as Nënkryetarin e Drejtorët e tij për me u sqaru për pyetjet.” – ka thënë Jeta Xharra, në emisionin “Jeta në Komunë”.

Në debat ishin asamblistët e të dy partive opozitare në Komunën e Lipjanit, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje (LVV). Si dhe, anëtarë të Grupit të Auditimit Social në këtë qytet.

Arsim Jashari nga PDK e quajti injorim ndaj qytetarëve mosprezencën e Kryetarit, Imri Ahmeti në “Jeta në Komunë”.

“Ky është injorim ndaj qytetarëve, por është lodhë. E ka privatizu Komunën, mendon që mundet të bëjë çka të dojë.” – tha asamblisti Jashari.

Alban Salihu nga LVV tha se mungesa e Kryetarit për t’u përballur me Asamblenë flet shumë.

“Mungesa e Kryetarit flet shumë. Gjatë gjithë mandatit, Kryetari i ka mungu Lipjanit sepse më shumë e ka luajtur rolin e asistentit të Lumir Abdixhikut, sesa si Kryetar i Lipjanit.” – tha Salihu.

 

“Vula e Krypometrit” – Sa premtime u mbajtën nga Kryetari Ahmeti?

Kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti në vitin 2021 kur garonte për Kryetar të Lipjanit kishte dhënë një mori premtimesh për këtë Komunë, të cilat do t’i realizonte disa brenda mandatit e disa në kohë edhe më të shkurtër. Krypometri ka matur premtimet e Ahmetit, tash në vitin e tretë të mandatit.

Njëri nga premtimet e Ahmetit ishte ndërtimi i një Shtëpie të re të Kulturës në Lipjan. “Por, për Shtëpinë e Kulturës, ne mendojmë që në vijim të mandatit  të ardhshëm do të ndërtojmë një Shtëpi të re të Kulturës për nevojat aktuale të rinisë.” – kishte thënë Ahmeti në atë kohë.

Lipjani ende vazhdon të jetë me objektin e vjetër të Shtëpisë së Kulturës. “Pas përfundimit të procesit të tenderimit, kemi ankesë në OSHP dhe presim deri të kthehet përgjigjja nga OSHP.” – thuhet në përgjigjen e Komunës.

Një premtim tjetër i Kryetarit Ahmeti ishte Ndërtimi i stadiumit të futbollit në Dobrajë të Madhe, për të cilin në vitin 2021 Kryetari thoshte “është para përfundimit të kontraktuar”.

Krypometri ka gjetur se punimet në Stadiumin e Dobrajës janë ende duke vazhduar. “Janë duke vazhduar punimet, me një intensitet të shtuar, për t’u përmbyllur si Projekt deri në fund të vitit 2024.” – thuhet në përgjigjen e Komunës.

Kryetari Ahmeti në “Jeta në Komunë” kishte premtuar ndërtimin e çerdhes në fshatin Gadime, të cilën e ka realizuar.

Premtim të madh Ahmeti pati dhënë për ndërtimin e një Parkingu nëntokësor.

“Njëri Park do të jetë Parking nëntokësor mbrapa Komunës. Pra, Park mbi të dhe Parku tjetër do të jetë aktualisht Tregu i gjelbër, që do të shndërrohet në Park mbi dhe. Një pjesë përmbi 50% të aktualitetit, siç e kemi atje, do ta kemi treg ditor për pemë e perime.” – kishte thënë Ahmeti në “Jeta në Komunë”.

Ky Projekt është duke vazhduar punimet, ndërsa sipas përgjigjes së Komunës së Lipjanit pritet të përfundojë në pjesën e parë të 2025.

“Në Komunën e Lipjanit po vazhdojnë punimet e Projektit madhor, i cili përfshin katër Projekte, të integruara në një Projekt, si: ndërtimi i Nënkalimit, ndërtimi i Sheshit, Parkut qendror dhe Parkingut nëntokësor. Punimet në Projektin e Nënkalimit dhe Parkingut nëntokësor janë në fazën finale të punimeve dhe pritet brenda një kohe të shkurtër të bëhet edhe përurimi i tyre. Ndërsa, punimet në ndërtimin e Sheshit dhe Parkut qendror mbi Parkingun do të përfundojnë në pjesën e parë 2025.” – ka thënë Komuna.

Kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti në kohën kur garonte për këtë pozitë në vitin 2021, kishte premtuar ndërtimin e një Qendre rinore në fshatin Janjevë. Tri vjet më pas, një Qendër e tillë nuk është ndërtuar, ndërsa Komuna arsyetohet.

“Nuk kemi gjetur burime financiare e as mbështetje financiare nga Ministria e Kulturës.” – thuhet në përgjigjen e Komunës.

Një premtim i Kryetarit Ahmeti ishte edhe rritja e numrit të grave në udhëheqjen e drejtorive në qeverisjen e tij.

“E dini që as në debatet e kaluara nuk kanë dhënë numra, por jam i interesuar sa më shumë me dhanë mundësi. Këtë mandat 4 Drejtoresha i kemi pasë, nga 12 Drejtori. Po, besoj do ta rrisim tutje.” – kishte thënë Ahmeti.

Aktualisht, në Komunën e Lipjanit janë 13 Drejtori, 3 prej të cilave udhëhiqen nga gratë.

 

“Shiriti” sfidon Projektet të cilat i promovoi Kryetari Ahmeti

Fotografi të shoqëruara me shkrime të gjata, me qëllim promovimi të Projekteve të ndryshme po publikohen në rrjete sociale, nga Kryetarët e Komunave të Kosovës.

Ekipi i KALLXO.com në Lipjan zgjodhi disa nga postimet, të cilat ishin publikuar nga kryetari i kësaj komune, Imri Ahmeti e të cilat thirreshin si Projekte të përfunduara. Për sa kohë që në terren u vërtetua fakti se ndonëse u përuruan, Projektet nuk janë si në fotografitë e publikuara.

“Shiriti” i Imri Ahmetit u transmetua në debatin e radhës të “Jeta në Komunë”. Ndonëse, Kryetari i Lipjanit nuk pranoi të marrë pjesë në debat bashkë me Kuvendin Komunal.

Në nëntor të 2022-tës, Imri Ahmeti publikoi fotografi në të cilat promovonte investimet e Komunës, në fshatin Gadime e Ulët. 207 njerëz pëlqyen mesazhin, i cili shoqërohej me pesë fotografi të bukura nga fusha e ndërtuar.

Dy vjet më vonë, investimi i Komunës është dëmtuar dhe fusha ka pamje tjetër. Bari artificial, i cili ishte vendosur, është dëmtuar. Ndërsa, edhe ulëset për shikues janë thyer dhe shumica prej tyre janë të pashfrytëzueshme. Në këtë fushë, gjithashtu, infrastruktura e nevojshme për të zhvilluar lojëra mungon.

Në një publikim tjetër të datës 19.12.2023, kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti ishte krenuar me investimet në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Gadime të Ulët.

Postimi me mbi 460 pëlqime thoshte se infrastruktura e objektit shëndetësor ishte me standarde të larta. Por, një vit më vonë pamjet nga brenda Ambulancës nuk janë të mira.

Muret janë dëmtuar në disa vende, ndërsa stafi i Qendrës ka konfirmuar për KALLXO.com, se në Ambulancë nuk ka as mjek, por vetëm infermier.

Në gusht të vitit 2024, Drejtorët Komunalë kishin vizituar punimet në pastrimin e lumit në Janjevë të Lipjanit. Dy muaj më pas, gjendja në terren nuk është si në fotografi. Në terren, kur është vizituar nga KALLXO.com, kishte pasur ende mbeturina.

 

‘Bërlloku’, sfidë në Lipjan 

Komuna e Lipjanit sfidohet seriozisht nga deponitë ilegale të mbeturinave. Në fshatin Topliqan, KALLXO.com ka filmuar një grumbull të madh të mbeturinave. Ngjashëm me pamjet në fshatin Topliqan, bërlloku ka mbuluar edhe fshatin Qylagë.

Aty janë filmuar deponi me materiale inerte e goma të vjetruara. Edhe brenda qytetit të Lipjanit, mbeturinat janë problem. KALLXO.com ka filmuar grumbuj të mbeturinave edhe afër çerdhes së Lipjanit.

Sipas përgjigjeve të Komunës së Lipjanit, Drejtoria e Inspektoriatit në tri vjetët e fundit ka shqiptuar gjithsej 40 gjoba për ndotje të mjedisit, 11 gjoba në vitin 2022, 19 gjoba në vitin 2023 dhe 10 gjoba në vitin 2024.

 

Kush po punësohet e kush po ndërton në Lipjan?

Në diskutimet e asamblistëve, theks të veçantë iu dha punësimeve në Komunën e Lipjanit.

Arsim Jashari, asamblist i PDK-së tha se në Lipjan “Askush nuk mund të punësohet pa miratimin e Kryetarit Ahmeti.” Ndërsa, ai ka pretenduar edhe për punësime politike.

“Premtimi bazë ka qenë barazia në punësim. Çdo punësim në Lipjan bëhet me direktivën e tij. Askush nuk mund të punësohet pa pëlqimin dhe miratimin e Kryetarit.” – thotë Jashari.

“Ka punësuar asamblistë. E ka punësuar asamblistin e LDK-së, Fitim Shala, stomatolog në Magurë. Ka punësu të fejuarën e Kryetarit të Rinisë. E ka punësuar ish-asamblistin, në Sallën e sporteve, i cili pasi u përurua Salla, në të njëjtën ditë ka dalë jashtë funksionit, po atë ditë dhe ai ka marrë pagë për një vit. Kryetarin e Degës së LDK-së e ka punësu në arsim. 90% të Drejtorëve të Shkollave janë politikë. E kemi një rast që në një shkollë janë 4 familjarë të punësuar. Arsimi është degraduar në Lipjan.” – ka vazhduar asamblisti i PDK-së, Arsim Jashari.

Asamblisti i LVV-së tha se kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti e ka shfrytëzuar këtë mandat edhe për “ndërtime të larta”.

Salihu thotë se në Lipjan “në ndërtime të larta” janë të përfshirë njerëz të afërt me Komunën.

“Këtë mandat e ka shfrytëzu edhe “për ndërtime të larta”. Në ndërtime janë të përfshirë shokët e tij. Janë edhe pa plan. Kjo po ndodh për shkak që në ndërtim në Lipjan janë të përfshirë njerëz të afërt me Komunën. Ka raste edhe jashtë Hartës Zonale. Për shembull, në Shesh. Jemi tu përgatitë një rast për me dëshmu, që është jashtë Zonës. Shumë afër Komunës i ka dhënë prona shokut e avokatit të tij personal dhe e ka shfrytëzu – duke ia dhënë disa prona me shumë vlerë, afër Komunës. Ne kemi qenë kundër.” – tha Salihu.

Asamblistja tjetër e PDK-së në Lipjan, Lumturije Bytyqi-Hasani e ka quajtur gabim të madh të Komunës së Lipjanit ndërtimin e Nënkalimit në këtë Komunë, në kuadër të Projektit “Ndërtimi i Nënkalimit, Ndërtimi i Sheshit, Parkut qendror dhe Parkingut nëntokësor”.

Bytyqi-Hasani thotë se Projekti fillimisht ka qenë për ndërtimin e një Nënkalimi për këmbësorë dhe më pas është ndryshuar në Nënkalim për vetura.

“E ka ndryshu në vend të Nënkalimit për këmbësorë. E ka bërë ‘për vetura’. Unë mendoj që është gabimi më i madh i Komunës sepse është prish një rrugë me katër korsi, që ka kushtu miliona euro dhe ka qenë mjaft funksionale. Dhe, për teke të Kryetarit tash ajo rrugë është prish. Ka qenë një ndryshim i asaj që e ka premtu. Nuk mendoj që është dashtë me u prish një rrugë, që ka kushtu 2 milionë euro.” – ka thënë ajo.

 

Vlerësimi i Performancës për Komunën e Lipjanit

Raporti i Performancës së Komunave për vitin 2023 ka matur 16 fusha të performancës së Lipjanit.

Lipjani në fushën e Barazisë në punësim dhe Shërbime sociale është Komuna e 15-të. Edhe, në fushën e Mirëmbajtjes së hapësirave publike ndodhet në vendin e 15-të. Lipjani është renditur si Komuna e 13-të në fushën e Transportit publik. Ndërsa, zë vendin e 20-të në fushën e Mbrojtjes së mjedisit dhe vendin e katërt në Kujdesin primar shëndetësor.

Sipas Raportit të Performancës të MAPL-së për Komunën e Lipjanit, në fushën e Zyrtarëve publikë të punësuar nga komunitetet shumicë në institucione të Komunës ka marrë 28.17%. Ndërsa, në fushën e Të punësuarve me aftësi të kufizuara në institucione komunale ka gjithsej 60.04%. Përqindje të ulët Lipjani ka marrë në fushën e përfaqësimit gjinor tek emërtimet e rrugëve, vetëm 4.24%.

 

Parregullsitë që Auditori ia zbuloi Lipjanit të qeverisur nga Imri Ahmeti 

Në “Jeta në Komunë” u diskutuan edhe gjetjet e Raportit të Auditimit për Komunën e Lipjanit. Auditori ka gjetur se tri Projekte nuk u kryen me kohë.

Në konstatimet e Raportit theksohet se tenderi për hartimin e Projekteve për renovimin e shkollave në vlerë 12 mijë euro ishte realizuar 73 ditë me vonesë.

Një problem tjetër i konstatuar në Lipjan lidhet me pagesat e bizneseve që kanë fituar Kontrata. Sipas Auditorit, në 10 pagesa të kryera, urdhrat për blerjen e mallit dhe shërbimit u hartuan pasi u pranuan faturat.

Një çështje tjetër e identifikuar nga Raporti është vonesa në shqyrtimin e aplikacioneve për lejet ndërtimore. Auditori konstatoi se problemet e ngjashme janë edhe në procesin e legalizimit. Aty u konstatua se një Kërkesë mori rreth 3 vjet kohë për t’u shqyrtuar.