Ideja e KQZ-së për Rinumërim të Votave Ngjall Reagime

Ideja e ngritur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për rinumërimin e fletëvotimeve në Qendrën e Numërimit dhe rezultateve, ka ngritur shqetësime nga ambasadorë të akredituar në Kosovë.

Anëtarë të KQZ-së kanë kërkuar nga Sekretariati i këtij komisioni që ta hartojnë një plan për të shikuar nëse Qendra e Numërimit dhe rezultateve ka mundësi ta bëjë rinumërimin e fletëvotimeve të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 8 qershorit.

Por Ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, reagoi të enjten ndaj kësaj nisme, duke thënë se kjo shkakton konfuzion.

“Ideja e rinumërimit të të gjitha fletëvotimeve qoftë edhe pa arsye shkon në kundërshtim me praktikat e zgjedhjeve të përgjithshme dhe vetëm sa do të shkaktojë konfuzion. Mos e bëni këtë”, ka shkruar në Tëitter Ambasadori Robert Bosch.

Ideja që duket se ka ardhur nga katër përfaqësues të KQZ-së, sipas një anëtari të këtij komisioni, ka për qëllim shmangien e mundësisë së manipulimeve të përmasave të zgjedhjeve të kaluara parlamentare.

“KQZ ka kërkuar një plan nga QNR sipas të cilit ne do ta kemi të qartë se si QNR mendon ta bëjë rinumërimin nëse paraqitet nevoja, në rast se kemi manipulime të përmasave sikur në vitin 2010”, tha anëtari i KQZ-së, Florian Dushi për gazetën Jeta në Kosovë.

Katër vite më parë më shumë se gjysma e kutive të votimit u desh të rinumëroheshin për shkak të ankesave dhe dyshimeve për manipulime gjatë numërimit të fletëvotimeve nëpër qendra të votimit nga ana e komisionerëve të subjekteve politike.

Prandaj Florian Dushi thotë se duhet marrë masa që kjo të mos përsëritet.

“E dijmë që është në kundërshtim me praktikat, por në kundërshtim me praktikat është edhe manipulimi që ka ndodhur në vitin 2010 kur patën ndodhur manipulime që kanë determinuar rinumërimin e mbi 60 përqind të kutive të votimit”, u shpreh Dushi.

Nga ana tjetër, vëzhguesit e Bashkimit Evropian të ardhur në Kosovë për vëzhgimin e procesit zgjedhor kërkojnë proces “sa më transparent” të numërimit, por shprehin rezerva 

“Ne jemi në dijeni për një diskutim të tillë në KQZ dhe analisti ynë ligjor është duke e ndjekur nga afër këtë çështje duke iu referuar dispozitave relevante në kornizën ligjore të Kosovës. Si vëzhgues, roli ynë nuk është që t’i japim këshilla KQZ-së, por vetëm për ta vëzhguar se si ky institucion i kryen funksionet e veta”, tha për gazetën Jeta në Kosovë, Zëvendës Shefi i Misionit Vëzhgues të Bashkimit Evropian (EU EOM), Marian Gabriel.

“Është e rëndësishme për transparencën e procesit që çdo vendim për një aspekt kaq krucial siç është numërimi i votave të merret sa më shumë që të jetë e mundur para ditës së zgjedhjeve”, u shpreh Gabriel.

Kjo ide është kundërshtuar edhe nga shoqëria civile në Kosovë.

Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) thotë se kjo nismë do të shkaktonte pasoja në procesin zgjedhor.

“Rinumërimi i votave në QNR siç dëshiron KQZ-ja është joligjor, kundër praktikave europiane dhe me pasoja për procesin zgjedhor”, tha D4D në një reagim.