Ia Zënë Pritën me Veturë dhe e Plagosin

Sabedin L. nga fshati Shtrazë i Kaçanikut ka mbetur i plagosur nga armë zjarri, derisa ishte duke qarkulluar me veturë nga Kaçaniku, në drejtim të Ferizajt. Ngjarja ka ndodhur të enjten rreth orës 19, në afërsi të Varrezave të Dëshmorëve në Kaçanik.

Policia ka bërë të ditur se Sabedin L., së bashku me Fazli L. ishin duke lëvizur nga Kaçaniku për në drejtim të Ferizajt, kur nga prapa iu ka ardhur një tjetër veturë, e cila i ka tejkaluar dhe ua ka zënë pritën.

“Fillimisht dy të dyshuarit i kanë sulmuar viktimat me mjete të forta, dhe pas pak çastesh i dyshuari H. B. ka shtënë me armë zjarri, me ç’rast është plagosur Sabedin L.”, ka njoftuar zëdhënësi Agim Gashi.

Pas trajtimit fillimisht në Shërbimin e Urgjencës në Ferizaj, viktima është dërguar për shërim të mëtejmë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë. Në vendin e ngjarjes janë gjetur tre gëzhoja.

Të dyshuarit janë në arrati dhe policia është në kërkim të tyre.