Hilmi Jupolli i dëmtuar në rastin e vjedhjes së stolive të arit, Foto: KALLXO.com

Ia vodhën arin në vlerë të 165 mijë eurove, tani e nëntë vite qytetari kërkon drejtësi

Hilmi Jupolli po përballet me sistemin e drejtësisë në cilësinë e të dëmtuarit për një rast që ka ndodhur nëntë vite më parë.

Mbi pesë kilogram stoli ari i janë vjedhur të njëjtit, më 5 janar të vitit 2012 nga një lokal i cili ishte me derë të blinduar e që gjendet në qendër të Podujevës.

“Kur e kam marrë arin e kam dërgu në një vend – objekt i imi, aty ka qenë edhe roja edhe dera e blinduar, unë kam mendu që aty është më i sigurtë se në lokal”, thotë Jupolli për KALLXO.com, deri sa vazhdon të rrëfej ngjarjen dhe rrjedhën tutje.

Jupolli tregon se vendi për të cilin mendonte se ishte i sigurtë, gjendej disa kate më lart se lokali i argjendarisë të cilin e kishte në katin përdhesë.

“Aty ku e kam çu mallin nuk ka mujt me hy askush sepse ka qenë në katin më të lartë. Ndonjëherë e kam dërgu aty mallin sepse e kam parë vend të sigurtë, kanë qenë edhe rojet aty. Vlera ka qenë diku 5 kilogram e 600 gram, në atë kohë rreth 168 mijë euro çmimi”, tregon tutje ai, ndërsa shton edhe se vlera e arit ndryshon gjatë periudhave të ndryshme.

Dera e hapësirës në të cilën Hilmi Jupolli kishte vendosur stolitë e arit, Foto: KALLXO.com

Në të gjithë procesin për nëntë vite kanë qenë të akuzuar pesë persona, S. R., F. B., L. H., B. B., dhe M. P.

“Një person i akuzuar është i paarritshëm për shtetin kështu më kanë thënë që nuk është këtu (në Kosovë)”, thotë tutje Jupolli.

Në lidhje me këtë çështje KALLXO.com ka kërkuar sqarim edhe nga ana e Gjykatës së Prishtinës.

Të njëjtit në disa përgjigje për KALLXO.com kanë thënë se ndaj të pandehurit S. R., është lëshuar fletarrest ndërkombëtar.

Tutje Jupolli tregon edhe për provat deri sa thotë edhe se rasti është neglizhuar që nga fillimi.

“Në gjykatë janë prezantuar të gjitha provat, kanë thënë se nuk po shihet asgjë në pamje. Njëherë kur është hapur kanë thënë nuk po dallohet, i kanë nxjerrë edhe njëherë pamjet më të qarta por gjykatësi ka thënë se nuk po shihen të dyshuarit”, thotë Jupolli.

Hilmi Jupolli i dëmtuar në rastin e vjedhjes së stolive të arit, Foto: KALLXO.com

Ai shton se në ditën kur ka lajmëruar policinë se i është thyer dera e blinduar dhe i është vjedhur ari e kanë dërguar në stacion policor për të dhënë dëshmi.

“Kur m`u ka thy dera e blinduar mua më kanë çu në polici për deklaratë, unë ish dashtë me qenë prezent aty e jo me më largu nga vendi i ngjarjes. Vëllai ka qenë aty i kanë thënë se kanë prova e në fund gjurmët që janë gjet në vendin e ngjarjes kanë humb, kështu është thënë”, vazhdon rrëfimin Jupolli.

Argjendaria “Filigran” nuk është duke punuar ndërsa dera e blinduar e thyer ende është në atë gjendje.

“Të rri një lëndë e ta mbulojë pluhuri 9 vite nuk po di. Për materialisht nuk po bisedoj sa më kanë dëmtuar, por në aspektin shëndetësor më kanë dëmtu shumë. Tash jam t`u nejt, lokali për momentin është mbyllur”, tregon Jupolli.

Jupolli edhe sot pas nëntë vitesh ka pak shpresa se mund të përfundoj një rast i tillë, në të cilin është i cilësuar si palë e dëmtuar.

“Ajo çka pres unë tash, është ajo çka më kanë thënë avokatët e mi. Unë edhe pse i kam pagu me më mbrojtë ata më kanë thënë që nuk ka asgjë nga kjo punë. Kur humbin provat, mbet lënda në sirtar, nuk merret vendim unë nuk di tjetër ku me çu. Nuk jam i obliguar të shkoj e të ia ruaj gjykatësit lëndën në zyrë, ai është për atë punë, por po shihet serioziteti i tij i punës”, përfundon Jupolli.

Avokati i Jupollit, Emin Zariqi thotë se drejtësia ka dështuar të kryej punën e saj.

“Përkundër parimit për një gjykim të drejtë dhe të arsyeshëm në kohë, drejtësia ka dështuar ta kryej punën e saj për shkak se rasti është stërzgjatur”, thotë avokati Zariqi.

Tutje ai thotë se ka dyshime për lidhje mes zyrtarëve që kanë hetuar rastin.

“Ekziston dyshimi se personat e akuzuar kanë lidhje gjaku me zyrtarë të lartë policor që kanë mbikëqyrur procesin e hetimeve. Si rezultat i kësaj me qëllim apo nga pakujdesia sikur ka pas ndërhyrje që provat të bëhen të papërdorshme”, thotë Zariqi.

Në lidhje me këto pretendime KALLXO.com ka kërkuar sqarime edhe nga ana e prokurorisë por edhe gjykatës.

Gjykata e Prishtinës në disa përgjigje për KALLXO.com ka kërkuar që kjo çështje t’i drejtohet Prokurorisë në Prishtinë.

Laureta Ulaj, zëdhënëse e Prokurorisë në Prishtinë në disa përgjigje drejtuar KALLXO.com ishte përgjigjur shkurt.

“Përgjigjet mund t’i gjeni në aktakuzat dhe shkresat e lëndës të proceduara në gjykatën kompetente. Prokuroria rastin në fjalë e ka proceduar në gjykatë, për trajtim të mëtejmë”, thuhet në përgjigjet e Ulajt.

Zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi në disa përgjigje ka dhënë sqarime në lidhje me rastin që nga viti 2012 e deri më tash.

Sipas Gashit, çështja penale në gjykatë ka filluar më 6 korrik të vitit 2012 ndaj dy të pandehurve S. R., (ndaj të cilit ka fletarrest ndërkombëtar) dhe F. B. Një vit më vonë është ngritur aktakuzë edhe ndaj të pandehurit L. H., për vjedhje të rëndë.

“Fillimisht kjo çështje penale është trajtuar në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, ndërsa me hyrjen në fuqi të Ligjit mbi Gjykatat e Kosovës nr.03/L-199, ka kaluar në kompetencë lëndore të Departamentit të Përgjithshëm-Divizioni Penal dhe pasi që vepra penale është kryer në Podujevë, për të vendosur lidhur me këtë çështje penale, në bazë të kompetencës territoriale, në janar të vitit 2014, të dy lëndët janë përcjellë në Gjykatën Themelore Prishtinë-Dega Podujevë”, thuhet në përgjigjet e Gashit për KALLXO.com.

Ndaj F. B., sipas Gashit gjykata pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor ka marrë aktgjykim lirues në vitin 2016, katër vite pas ngjarjes.

Dy vite më parë, Prokuroria kishte dërguar në gjykatë aktakuzën e zgjeruar të një të pandehuri tjetër me inicialet B. B.

Gashi thotë se kjo aktakuzë është hedhur si e parregullt dhe si jo e ligjshme me vendim të Gjykatës së Apelit në shkurt të vitit të kaluar.

Në anën tjetër ajo jep detaje edhe për vendimet dhe veprimet ndaj të gjithë të pandehurve në këtë ngjarje.

“Ky proces penal në shkallë të parë ka përfunduar me aktgjykim lirues për të pandehurit F. B. dhe L. H, për të pandehurin B. B.,  është hudhur aktakuza, për të pandehurin S. R., është lëshuar fletarrest ndërkombëtarë. Për të pandehurin L. H., lënda është në procedurë sipas ankesës, në Gjykatën e Apelit të Kosovës”, thuhet në përgjigjet e zëdhënëses së Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi.

Ajo shton se ndaj një të pandehuri tjetër M. P., ishte caktuar edhe shqyrtimi fillestar.

Në anën tjetër KALLXO.com, ka mësuar se procesi gjyqësor ndaj M. P., është mbajtur më 5 tetor, ndërsa i akuzuari mungoi. Avokati i tij Gani Hoxha kishte thënë në shqyrtimin fillestar se klienti i tij nuk kishte pranuar ftesën dhe se i njëjti nuk kishte ndryshuar adresën e banimit deri sa kishte shtuar se M. P., do t’i përgjigjet ftesave sikurse herave të tjera.

Seanca e radhës është caktuar për 29 tetor në orën 13:00, ndërsa gjykata ka lëshuar edhe urdhërarrest për sjellje me forcë nga ana e policisë për tashmë të akuzuarin M. P.

Gashi tutje tregon se rasti nuk është neglizhuar.

“Sa i përket pamjeve të kamerave në cilësi të provës materiale e cila është administruar gjatë shqyrtimit gjyqësor, janë siguruar nga prokurori i shtetit dhe është bërë shikimi i tyre dhe lidhur me shikimin e video incizimeve Gjykata ka dhënë sqarime të mjaftueshme në Aktgjykimin P.nr.757/2016, të dt. 23.04.2021. Lidhur me zyrtarin policor R. B. nga përfaqësuesi i palës së dëmtuar është propozuar që gjatë shqyrtimit gjyqësor të dëgjohet në cilësi të dëshmitarit dhe nga akti akuzues nuk rezulton apo nuk është trajtuar fare si i dyshuar apo i pandehur, andaj roli i tij në procedurë penale është përcaktuar si dëshmitar”, thotë Gashi.

Çka thonë aktgjykimet liruese për ish të akuzuarit për vjedhjen e arit

Nga pesë persona të cilët dyshoheshin se ishin pjesë e vjedhjes së arit në argjendarinë “Filigran” në Podujevë, për dy nga ta ka aktgjykime liruese nga Gjykata Themelore pra shkalla e parë, për njërin është hudhur aktakuza, për një tjetër është lëshuar fletarrest ndërkombëtarë ndërsa për M. P., do të vazhdoj shqyrtimi gjyqësor më 29 tetor të këtij muaji.

KALLXO.com ka kërkuar nga ana e Gjykatës Themelore në Prishtinë vendimet për lirimin e ish të akuzuarve.

F. B., njëri nga ish të akuzuarit ishte liruar me aktgjykim të Gjykatës Themelore në Prishtinë- Dega në Podujevë më 23 maj të vitit 2016.

Aktakuza në atë kohë thoshte se në periudhën kohore nga data 5.01.2012 deri më 10.01.2012, F. B., së bashku me L. H., S. R., M. P., dhe A. B., në Podujevë kishin kryer vjedhje duke marrë pasuri të lëvizshme të një personi tjetër me qëllim të përvetësimit të pasurisë së paluajtshme në vlerë prej 165 mijë eurove, kanë shfrytëzuar momentin e duhur të mungesës së të dëmtuarit, kalimtarëve të rastit dhe kishin arritur deri në katin e katërt dhe i janë ofruar derës së banesës së të dëmtuarit Hilmi Jupolli dhe pastaj me mjete të përshtatshme kanë thyer derën e hyrjes kanë hyrë në hapësirë kanë marrë stolitë e arit dhe pastaj janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Sipas aktgjykimit që ka siguruar KALLXO.com, arsyetimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Dega në Podujevë F. B., ishte liruar fillimisht nga masa e paraburgimit të cilën e kishte mbajtur për gjashtë muaj pasi që nuk ishte bërë identifikimi i të njëjtit si i dyshuar potencial për vjedhjen e stolive të arit nga hapësirat e të dëmtuarit Hilmi Jupolli.

Avokati i F. B., në atë kohë Mexhit Syla në fjalën e tij kishte kërkuar fakte nga ana e Prokurorisë Themelore në Prishtinë të cilat vërtetonin përfshirjen e klientit të tij në veprën penale vjedhje e rëndë.

“Prokuroria nuk e ka përmbushur këtë detyrim ligjor për faktin se me asnjërën nga provat e administruara nuk është vërtetur se i mbrojturi im e ka kryer veprën penale për të cilën është akuzuar pa të drejtë për një vepër penale që nuk ka qenë në natyrën e tij si person e aq më pak e familjes së tij”, kishte thënë avokati Syla në shqyrtimin gjyqësor të datës 20 maj të vitit 2016.

Sipas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë – Dega në Podujevë nuk ishin gjetur provat e mjaftueshme për të vërtetuar implikimin e F. B., në vjedhjen e stolive të arit nga lokali i Hilmi Jupollit.

“Në asnjë provë të vetme nuk është vërtetuar fakti se i njëjti është kryerës i veprës penale ngase dëshmitarët të cilët janë dëgjuar kanë shpjeguar procedurën e punës së tyre ndërsa nuk kanë dhënë asnjë element të rëndësishëm në drejtim të zbulimit të kryerësve të veprës penale”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Tutje në të njëjtin vendim është përmendur edhe se janë shikuar edhe disa incizime në CD por nuk është parë fytyra mirë e dy personave të cilët shihen në ato incizime dhe nuk është arritur që të konstatohet se njëri nga ta ishte F. B.

Për këtë vendim avokati i Hilmi Jupolli kishte parashtruar ankesë në Gjykatë të Apelit, shkallën e dytë. Kjo e fundit e kishte hudhur poshtë ankesën më datë 6 qershor 2016 nën arsyetimin se i dëmtuari në këtë rast Hilmi Jupolli nuk lejohej që të ankohej në një vendim lirues pasi që vepra penale nuk hynte në kategorinë ku lejohej ankesa e të dëmtuarit.

KALLXO.com ka kërkuar sqarim në lidhje me këtë çështje edhe nga ana e Prokurorisë Themelore në Prishtinë se a ka ushtruar ankesë ndaj vendimit të gjykatës, prokurori i rastit, por deri në publikim të këtij shkrimi KALLXO.com nuk ka pranuar përgjigje.

Për një tjetër ish të akuzuar me inicialet L. H. sipas Gjykatës në Prishtinë, lënda është në procedurë sipas ankesës e cila është ushtruar në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

KALLXO.com ka siguruar nga gjykata edhe vendimin për hudhjen e aktakuzës ndaj një tjetër personi i cili dyshohej se ishte involvuar në vjedhjen e stolive të arit nga lokali i Hilmi Jupollit.

Më 1 shtator të vitit 2015 Gjykata në Prishtinë kishte pranuar aktakuzë të zgjedhur nga ana e Prokurorisë Themelore në Prishtinë ndaj ish të pandehurit B. B., për veprën penale vjedhje e rëndë.

“Në aktakuzë, prokuroria pretendonte se janë krijuar kushtet ligjore që të bëhej zgjerimi i aktit akuzues për B. B. pasi që i njëjti në cilësi të dëshmitarit në procedurë gjyqësore ka dhënë deklaratë të rreme, ka vënë në lajthitje organet kompetente për të fshehur veprat penale dhe kryesit e saj duke ju dhënë ndihmë gjatë kryerjes së veprës penale, ku pas vlerësimit të provave të administruara në lëndën penale rezulton se i akuzuari ka kryer veprën penale vjedhje e rëndë si dhe deklarim të rrejshëm”, thuhet në aktakuzën e cila është pjesë e vendimit të gjykatës për ish të akuzuarin B. B.

Gjykata kishte vlerësuar në atë kohë se prokuroria me rastin e ngritjes së aktakuzës së zgjeruar për fillimisht dëshmitarin B. B., i cili më pas ishte cilësuar si i pandehur, ka shkelur nenin 351 të Kodit të Procedurës Penale i cili tregon në detaje se si bëhet zgjerimi i aktakuzës në shqyrtimin gjyqësor.

“Pra dhe vet interpretimi i dispozitës rrjedh se nuk mund të këtë zgjerim të aktakuzës në aspektin subjektiv pra ndaj dëshmitarit, pasi që zgjerimi mund të bëhet vetëm ndaj të akuzuarit nëse ka prova të reja që nuk kanë ekzistuar më herët”, thuhet në vendimin e gjykatës të vitit të kaluar.

Edhe ndaj këtij vendimi ishte parashtruar ankesë nga ana e mbrojtësit të Hilmi Jupollit ndërsa Gjykata e Apelit e kishte hudhur si të palejuar ankesën nën arsyetimin se “ankesa është ushtruar në kundërshtim me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale në të cilën theksohet se në cilat raste i dëmtuari mund të ushtroj ankesë”.

Në lidhje me të akuzuarin e fundit M. P., për të cilin gjykata ka urdhëruar sjelljen me forcë për seancën e radhës, KALLXO.com ka kontaktuar me avokatin Gani Hoxha, por që ky i fundit nuk pranoi të flas në lidhje me rastin.

“Mos më qit në pozitë të keqe, nuk mundem me të dhanë informata, ku e keni marrë vendimin për sjellje me forcë të klientit tim?”, tha i njëjti i cili më pas ndërpreu telefonatën.