Humbja multimilionëshe e Kosovës nga vjedhjet e taksave dhe tatimeve

Nëse shteti i Kosovës do arrinte të mblidhte pjesën më të madhe të tatimeve dhe taksave Kosova do të kishte mjaft para për të ndërtuar një sistem modern arsimor e shëndetësor.

Analiza financiare vendore e ndërkombëtare tregojnë se vendi humbë deri në gjysmë miliard euro nga shmangiet e tatimeve dhe taksave.

Ekonomia e vendit llogaritet të jetë në 6.5 miliardë euro ndërsa të dhënat tregojnë se 30% e saj është joformale. Si e tillë ekonomia joformale ka një vlerë prej 2 miliardë euro që përkthyer në të hyra për buxhetin e shtetit shkon deri në 400 milionë euro.

Një raport i Bankës Botërore i publikuar gjatë vitit 2015 kishte dhënë edhe detaje për sasinë e shmangies në tatime të caktuara. Shmangia më e madhe bëhet nga mbledhjen e TVSH-së së brendshme që duhet të mblidhet nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), e pasuar nga Tatimi në të Ardhurat Personale dhe Tatimi në të ardhurat e korporatave.

“Parajsë të fshehur” fiskale thuhet se mund të ketë në komunat veriore të Kosovës. Nga të dhënat ATK-së, në komunat veriore janë të regjistruara gjithsej 1,657 biznese, ku prej tyre 896 aktive, 752 pasive dhe 9 të mbyllura. Sa i përket fiskalizimit, vetëm 20 biznese janë të fiskalizuara  me gjithsej 28 pajisje fiskale. Në komunën e Zubin Potok asnjë biznes nuk është i pajisur me arkë fiskale që do të thotë se mundësitë për ekonomi jo formale janë të mëdha. Vjedhjet tatimore që ndodhin në këtë pjesë të Kosovës janë raportuar edhe në emisioni “Drejtësia në Kosovë”.

Disa nga shmangiet më eklatante të taksave zhvillohen në biznesin e tregtisë së patundëshmërive ku pjesa më e madhe e transaksioneve kryhen pa dokumentacione dhe pa u paguar taksat.

 

 

Bizneset e tjera si ato të telefonave mobilë apo shitjeve të teknologjisë në të zezë sjellin poashtu fitime milionëshe për bizneset.

Shitja pa taksa e një telefoni me vlerë 600 euro i shmang buxhetit të shtetit 178.80 euro.

 

 

Një llogaritje e thjeshtë tregon se tatimi në 10 makiato sjell 9 kifle për nxënësit në Prishtinë

 

Kosova, në mungesë të të hyrave, tash e disa vjet është duke hyrë në kredi për të mbuluar deficitin buxhetor. Milionat që humbin për shkak të informalitetit do të mund të mbulonin këtë deficit buxhetor dhe të financoheshin projekte zhvillimore që kanë ndikim në rritje ekonomike dhe krijim të vendeve të reja të punës.

Projekti për ndërtimin e Autostradës “Ibrahim Rugova” ka kushtuar rreth 1 miliard euro së bashku me koston e shpronësimeve. Kurse, ndërtimi i Autostradës “Arbën Xhaferi” ka kushtuar rreth 650 milionë euro (së bashku me gjobën prej 53 milionë euro). Pra, me mjetet e humbura nga informaliteti, Kosova do të ndërtonte Autostradën për në Shkup për vetëm 1 vjet e gjysmë.

Me këto mjete do të mund të financohej ndërtimi i një termocentral prej 450 megavatëve për vetëm 2 vjet e gjysmë nëse e marrim të mirëqenë deklarimin e qeverisë së ndërtimi i saj kushton rreth 1 miliard euro.

Humbjet nga informaliteti janë 13 herë më shumë se buxheti që shpenzohet për arsim, e 11 herë më shumë se buxheti që shpenzohet në shëndetësi.

Evazion fiskal nën tingujt e muzikës

Përgjatë periudhë gjashtëmujore të këtij viti, pas raportimeve te qytetarëve ne KALLXO.com dhe inspektimeve nga ATK, në një numër të konsideruar të bizneseve, janë evidentuar parregullsi ku janë lëshuar mbi 40 gjoba në vlerë mijëra euro.

Gjithashtu vlen të përmendet se në sezonin e verës, ku njihet edhe si sezon e dasmave, një aksion i gjerë i ATK-së pati në shënjestër sallat e dasmave dhe ahengjeve. Në llupën e ATK-së ishin pronarët e restoranteve, këngëtarët dhe muzikantët e angazhuar për argëtim, kameramanët apo bizneset e xhirimit dhe fotografisë. Platforma elektronike KALLXO.com ka qenë adresa ku qytetarët e Kosovës kanë raportuar për mos lëshimin e kuponëve fiskalë nga bizneset.

Në muajin mars të sivjetmë, pas raportimit të qytetarit se një restorant në Komunën e Mitrovicës nuk po lëshon kupon fiskal, KALLXO.com i është drejtuar me kërkesë ATK-së për inspektim. Nga inspektimi i këtij biznesi janë evidentuar parregullsi të shumta.

Parregullsi janë evidentuar edhe rreth 15 biznese që merren me shitblerjen e telefonave mobilë për të cilët është raportuar në KALLXO.com dhe inspektuar nga ATK.

Edhe në muajin prill, më shumë se tetë dyqane që merren me shitblerjen e telefonave mobilë i janë nënshtruar inspektimit të ATK-së pas raportimit në KALLXO.com.

Si rezultat i raportimeve, ATK ka inspektuar 7 biznese të cilat organizonin dasma. Restorantet e kontrolluara ishin nga Rajoni i Prishtinës dhe Ferizajt. Gjatë inspektimit, ATK gjeti parregullsi të shumta, mungesa të kontratave të punës dhe deklarimeve të tatimeve.

Në tremujorin e parë, janar-mars 2019, raportimet në KALLXO.com dhe trajtimet e rasteve nga ATK kanë rezultuar me rreth 28 mijë euro gjoba. Me kërkesën e KALLXO.com janë inspektuar 17 biznese duke përfshirë lojëra të fatit, restorante, kompani të autobusëve dhe kurse të gjuhëve dhe pas kontrollit janë shqiptuar 20 gjoba.

Pas raportimeve të KALLXO.com, kontrolle të ATK-së në 22 biznese kishte edhe në tremujorin tjetër prill-qershor. Gjatë kësaj periudhe, ATK ka shqiptuar 22 gjoba në shumë prej 6,397 euro.

Përveç kësaj janë raportuar, inspektuar dhe gjobitur edhe bizneset të cilat kanë ushtruar aktivitete e lojërave të fatit të cilat janë të ndaluara me ligj. Për më shumë kliko këtu

Korrupsioni vazhdon ta “kërcënojë” paranë publike

Përveç humbjeve nga shmangia tatimore, Kosova humb edhe miliona të tjerë si pasojë e korrupsionit. Raportet ndërkombëtare flasin për një përkeqësim të gjendjes në perceptimin e korrupsionit në Kosovë. Në vitin 2018, Kosova pësoi rënie në ranglistën e perceptimit të korrupsionit. Regres Kosova ka shënuar edhe në raportin e të bërit biznes. Me rënie në vitin 2018 ishin edhe investimet e huaja për të cilat Departamenti i Shtetit Amerikan tha se rritja ekonomike dhe tërheqja e investimeve preken nga korrupsioni. Vazhdohet me emërime politike në poste publike dhe të ekonomisë.

Sipas indeksit të “Tranparency International”, Kosova është vlerësuar me 37 pikë nga gjithsej 100 pikë në vitin 2018, me një rënie prej 2 pikë më pak në raport me vitin 2017. Në ranglistën e këtij indeksi, Kosova ka shënuar regres pasi radhitet pas Bosnjës e Hercegovinës, në vendin e 93-të së bashku me Maqedoninë përderisa më keq është Shqipëria.

Në raportin e të bërit biznes për vitin 2019, nga vendi 40 në mesin e rreth 190 vendeve të botës ku ka qenë në raportin paraprak, Kosova ka rënë për katër vende me poshtë dhe është pozicionua në vendin 44 në mes të Belgjikës dhe Turqisë, përderisa më mirë se Kosova është Maqedonia e Veriut e cila është renditur e 10-ta.

Indikator tjetër janë investimet e huaja direkte. Investimet e huaja direkte në Kosovë kanë pësuar rënie në vitin 2018 nga 287 milionë euro ato ranë në 213 milionë euro. Përderisa Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASh) thotë se rritja ekonomike dhe tërheqja e investimeve sfidohen nga shkalla e lartë e korrupsionit.

Emërimet politike në pozita ka pasur edhe në institucione si ATK dhe Doganë e kjo më pas çoi në rekrutimin e inspektorëve të afërm me politikën, që në njëfarë forme jo vetëm se rehatohen në pozita të punës por nxit dyshime se mund përdoren më pas për shërbime të caktuara për biznese të cilat janë të lidhura me politikën.

Njeriu i lidhur me PDK-në vendosi për punësimet e PDK-së në ATK