Objektet në Kosovë, Foto: KALLXO.com

Humbja e identitetit arkitektonik të objekteve ikonike të Prishtinës

Objektet e trashëgimisë kulturore e arkitektonike të Kosovës në vazhdimësi përballen me neglizhencë të mirëmbajtjes e ndërhyrjeve që ua ndërrojnë identitetin.

Rrënimi apo fasadimi i tyre pa kritere ka bërë që shumë objekte të humbasin atributet e trashëgimisë historike të vendit.

Përpos shkatërrimit që u bë në periudhën e luftës, dëmtim i madh në shumë objekte të vjetra erdhi pas luftës pasi disa u rrënuan në emër të diçkaje të re, kurse në ato që pati investime, një pjesë u bënë pa kritere dhe ua humbën origjinalitetin.

Madje, ka edhe prej tyre që kanë stagnuar me vite të tëra në procese të restaurimit.

Kompleksi ‘Qafa’

Ndërhyrja në fasadën e jashtme të një ndërtese në kompleksin ‘Qafa’, tek zyrat e Lidhjes Demokratike të Kosovës nxiti shumë reagime tek qytetarët, pasi këto të fundit bashkë me 5 soliterët në lagjen ‘Ulpiana’ si objekte banimi, karakterizohen për veçantinë e tyre arkitektonike si ndërtim i kohës së  ish Jugosllavisë.

Kompleksi ‘Qafa’ nuk gjendet në listën e objekteve në mbrojtje të përkohshme, por një ndërhyrje e tillë nuk mund të kryhet pa pëlqim nga ana e Institutit të Trashëgimisë dhe Mbrojtjes së Objekteve, pasi ndodhen në zonën historike të qytetit.

Kështu ka bërë të ditur për KALLXO.com, Edona Durguti, Drejtoreshë e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore.

“Ndërtesa në të cilën së fundmi janë zhvilluar punime, e cila gjendet në kompleksin Qafa, nuk është e listuar si e veçantë në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme 2021-2022, por e njëjta ndodhet brenda zonës mbrojtëse të Qendrës Historike të Prishtinës, aset i trashëgimisë kulturore në kategorinë ‘fushë e konservimit arkitekturor’, ka  thënë Durguti.

Ajo shtoi se nuk kanë panuar ndonjë kërkesë për punime në atë ndërtesë.

“Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore e Prishtinës nga Drejtoria e Urbanizmit e Komunës së Prishtinës nuk ka pranuar kërkesë për pëlqim për realizimin e punimeve në këtë ndërtesë”, shtoi ajo.

Derisa, nga komuna dhe LDK nuk janë deklaruar lidhur me ndërhyrjen në këtë kompleks.

Vjollca Aliu nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit tha se ndërhyrjet në objekte të kësaj natyre rregullohen me ligjet në fuqi dhe standardet ndërkombëtare.

“Ndërhyrjet në asetet e mbrojtura të trashëgimisë kulturore, si dhe në ato ndërtesa apo ansamble që gjenden në zona mbrojtëse, rregullohen me legjislacionin në fuqi për trashëgiminë kulturore, ligjin si dhe aktet nënligjore të tij, po ashtu edhe me standardet profesionale ndërkombëtare të definuara edhe në kartat e konventat ndërkombëtare”, ka thënë Aliu.

Sipas saj, për çdo lloj ndërhyrje në këto objekte duhet të merret pëlqim nga institucionet kompetente të trashëgimisë.

“Për të gjitha ndërhyrjet që gjenden në Listën e Trashëgimisë Kulturore, qoftë të përhershme apo të përkohshme, po edhe për ndërtesat / ansamblet që gjenden në zonat mbrojtëse të tyre, duhet të merret pëlqim nga ana e institucioneve kompetente për trashëgiminë kulturore vartëse të MKRS-së”, ka shtuar tutje Aliu.

 ‘Hotel Grand’

Përpos kompleksit ‘Qafa’, dëmtim i madh në arkitekturën e jashtme i është bërë edhe Hotel Grand-it i cili gjendet si monument në listën e trashëgimisë arkitektonike të qytetit.

Hoteli Grand për herë të parë hapi dyert në prill të vitit 1978. Atë kohë konsiderohej si një nga ndërtesat ikonë të kryeqytetit, derisa sot thuajse e gjithë fasada e jashtme e tij është e mbuluar nga reklama të bizneseve e produkteve të ndryshme.

Gjithë këto ndërhyrje pa kritere i kanë humbur vlerën arkitektonike dhe historike që mban më vete ky objekt.

“Grand Hotel” ishte privatizuar fillimisht në kohën e ish-Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit. Për të janë paguar mbi 8 milionë euro, ndërsa investitori ishte zotuar se do të investonte 20 milionë euro dhe të punësonte 570 punëtorë.

Hoteli ishte privatizuar nga kompania “Union Commerce”, me pronar Zelqif Berishën, mirëpo më vonë Behgjet Pacolli e Remzi Ejupi kishin pretenduar se kanë aksione në këtë hotel.

Palët ishin përfshirë në një kontest gjyqësor për pronësinë. Por, pas dështimit për të realizuar investimet e zotuara, Agjencia Kosovare e Privatizimit kishte vendosur që t’i tërheqë aksionet dhe e kishte marrë hotelin sërish në pronësi.

Grandi për momentin mbijeton nga qiratë e bizneseve që operojnë brenda tij.

‘Pallati i Rinisë’

Pallati i Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë është një nga projektet ikonike të qytetit që u ndërtua në kohën e ish-Jugosllavisë.

Si monument po ashtu figuron në listën e trashëgimisë arkitekturore të qytetit.

Përpos që nuk u finalizua kurrë në bazë të projektit origjinal edhe pjesët e ndërtuara janë dëmtuar dhe nuk i janë futur procesit të renovimit.

Dëmi më i madh për pallatin erdhi kur në vitin 2000 palestra më e madhe e këtij objeki u përfshi nga zjarri duke dëmtuar tërë pjesën brenda dhe kulmin.

Atë kohë me donacionet e dedikuara nga UFORK-u në shumë prej 1,450,000 euro dhe të Kuvendit Komunal të Prishtinës në shumë prej 113,000 euro, është kryer rekonstruktimi i kulmit, fasadës, xhamave dhe kupolave, por palestra nuk u prek.

Nuk dihen ende shkaqet e zjarrit që kishte përfshirë këtë sallë, por thuhet se mund të ketë qenë problem i energjisë elektrike.

Në vitin 2018 me anë të ligjit për Prishtinën Ndërmarrja ‘Pallati i Rinisë dhe Sporteve’ kaloi në menaxhim të Komunës së Prishtinës.

Lidhur me revitalizimin e sallës së djegur nga komuna është deklaruar se nevojiten deri në 15 milionë euro.

Sipas tyre, një investim i tillë mund të bëhet vetëm përmes ndonjë donacioni apo kredie, kurse sot kjo palestër shfrytëzohet si parking për makina.

‘Xhamia e Qarshisë’

Në zonën e vjetër të qytetit komuna nuk ka pasur përvoja të mira sa i përket restaurimit të objekteve të trashëgimisë kulturore e arkitektonike.

‘Xhamia e Qarshisë’ e cila konsiderohet ndër më të vjetrat në qytet, ka më shumë se një dekadë që i është nënshtruar një procesi të restaurimit dhe deri tani nuk ka ndonjë progres, madje nga zvarritja e punimeve objekti ka pësuar shumë dëme brenda dhe jashtë.

Xhamia Prishtine

‘Hamami i qytetit’

Përvojë negative e ka përcjellë edhe restaurimin e ‘Hamamit të qytetit’. Sipas zyrtarëve nga komuna e Prishtinës, kompania që kreu punët kishte bërë shumë dëme gjatë restaurimit pasi i kishte humbur identitetin objektit ku intervenimet nuk i ishin përmbajtur projektit të cilin e kishin punuar disa ekspertë nga Turqia.

Nga komuna kanë konsideruar se për një ndërhyrje të tillë, në Kosovë ka mungesë të personave që e kuptojnë arkitekturën e karakterit turk.

‘Kompleksi i Emin Gjikut’

Restaurimi i shtëpisë kryesore të Kompleksit Etnologjik, “Emin Gjiku” në zonën e vjetër, ku edhe funksionon Muzeu Etnologjik i Kosovës në Prishtinë ishte përcjellë me zvarritje procedurash e shkëputje kontrate.

Restaurimi i objektit kryesor të Muzeut Etnologjik ka filluar në vitin 2017 nën mbikëqyrjen e Muzeut të Kosovës ku ishin kryer pak punë dhe rrezikohej identiteti historik i kompleksit.

Në vitin 2020 MKRS arriti të hap tender të ri për restaurimin e objektit kryesor të kompleksit, të cilën në vitin 2021 e shkëputi për shkak se operatori që kreu punime nuk arriti të përmbushë kushtet e kontratës.

‘Sahat Kulla’

Në mars të vitit 2021, disa studente të fakultetit të Arkitekturës kishin bërë një projekt për restaurimin e ‘Sahat Kullës’ dhe vënien e saj në funksion.

Ky projekt ishte aprovuar nga komuna dhe do financohej nga UNDP, derisa punimet pritej të zgjasnin 90 ditë, por deri tani nuk ka lëvizje në këtë drejtim.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Objekti i ‘Sahat Kullës’ gjendet në listën e mbrojtjes së trashëgimisë arkitektonike.

Ky objekt i ndërtuar në gjysmën e dytë të shek. 19, gjendet në bërthamën e vjetër të Prishtinës dhe është dëshmi e zhvillimit gjatë sundimit osman.

Problemi kryesor i degradimit të ‘Sahat Kullës’ janë qytetarët, sepse me grafite, posterë apo shndërrimin e saj si ‘banjo publike’ kanë bërë që të prishet edhe fasada e jashtme.

Deri më tani nuk ka pasur funksion tjetër, përveç tregimit të orës, mekanizmi i së cilës nuk ka funksionuar prej viteve të ’70-ta deri në vitin 2001.

Në vitin 2002 ora mekanike dhe këmbana janë zëvendësuar me orë digjitale nga KFOR-i, por për shkak të ndërprerjes së energjise elektrike nuk ka funksionuar si duhet.

Këto janë disa prej objekteve të trashëgimisë arkitektonike në kryeqytet që janë dëmtuar nga neglizhanca, ndërhyrja pa kritere ose zvarritja e punimeve.

Rajoni i Prishtinës ka edhe shumë objekte tjera në listën e trashëgimisë kulturore e arkitektonike, pjesa më e madhe prej të cilave janë të karakterit religjioz dhe shtëpi banimi që shërbyen për veprimtari të ndryshme gjatë viteve ’90-ta.