Humbësi i vërtetë i zgjedhjeve në Kosovë ishte vetë Vuçiq

Sido që të jetë forma përfundimtare e qeverisë së re në Kosovë, është e qartë se serbët do të kenë shumë më pak ndikim sesa kishin në qeverinë e fundit.

 

Sa i përket vetë votave, humbësi më i madh në zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë ishte Ramush Haradinaj, ish-kryeministri deri në ditën e zgjedhjeve. Pasi që koalicioni i tij fitoi vetëm rreth 11.6 përqind të votave dhe u rendit në vendin e katërt, nuk ka shumë shanse të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme.

Ndërsa për sa i përket rezultateve afatgjata, humbësi më i madh nuk ishte Haradinaj por një njeri i cili madje nuk jeton as në Kosovë – dhe kandidatët e të cilit shënuan një rezultat më të mirë në zgjedhjet e fundit krahasuar me zgjedhjet e mëparshme të vitit 2017.

Ky ishte Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, figura politike që qëndron pas Listës Serbe, parti serbe në Kosovë e cila fitoi 50.417 vota, d.m.th të gjitha 10 vendet në parlament – një më shumë sesa në zgjedhjet e kaluara – të rezervuara për komunitetin serb në Kosovë.

Si ka mundësi që një rezultat më i mirë ta bëjë dikë humbës? Duke konkluduar se deputetët e Vuçiqit në Kosovë nuk do të kenë asnjë fjalë që ka të bëjë me çështjet kryesore në Prishtinë. Kjo për shkak se fituesi i zgjedhjeve, Albin Kurti, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje pritet të formojë qeverinë me Lidhjen Demokratike të Kosovës, LDK – dhe për shkak se një qeveri e tillë nuk do të varet nga votat e deputetëve serbë të Kosovës.

Kushtetuta e Kosovës i garanton komunitetit serb një ministër në qeveri. Kurti pretendon se serbët do të përfaqësohen në qeverinë e ardhshme – por jo nga Lista Serbe. Ai beson se Lista Serbe, në fakt nuk është parti por është vetë shteti, do të thotë vetë Serbia.

Kjo nënkupton se Albin Kurti do të refuzojë të bëjë ndonjë marrëveshje me Vuçiqin, i cili ishte partner i koalicionit në ish qeverinë e Haradinaj përmes Listës Serbe, e cila mbante tri ministri dhe një post të zv/kryeministrit. Kjo do të thotë se Vuçiq nuk e pëlqen aspak këtë qëndrim.

Është e mundur që miqtë e Kurtit në BE dhe SH.B.A. do ti bëjnë atij presion që t’i japë Listës Serbe një post ministror. Por edhe nëse një skenar i tillë bëhet realitet, nuk do të jetë me aq shumë rëndësi për Vuçiqin, pasi që ndikimi i Listës Serbe do të jetë akoma margjinal.

Gjërat ishin më ndryshe më parë. Njerëzit e Vuçiqit kishin komunikime sekrete me Haradinajn. Ish kryeministri në disa raste përmendi arritjen e marrëveshjeve për shumë çështje me Milan Radojiçiqin, një përfaqësues joformal i serbëve në Kosovë. Për një kohë të gjatë, Radojiçiq nuk kishte asnjë funksion zyrtar por ishte ai që merrte vendime për gjithçka në veriun e Kosovës të udhëhequr nga serbët.

Ai tani po fshihet, pas një fletëarresti të lëshuar nga një gjykatë në Prishtinë për shkak të dyshimeve se ai ishte i përfshirë në vrasjen e politikanit të moderuar serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq. Ivanoviq kishte shumë respekt nga publiku, mirëpo nuk ishte nën kontrollin e Vuçiqit.

Një goditje tjetër për Vuçiqin është konkluzioni preliminar i Misionit të Bashkimi Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve i cili arriti në konkluzion se “ambienti i fushatës në [zgjedhjet në] zonat serbe të Kosovës u penguan nga frikësimi, i cili kishte si synim kandidatët dhe përkrahësit që nuk ishin pjesë e Listës Serbe”.

Megjithëse Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i organizoi zgjedhjet, jeta politike në veriun e Kosovës mbetet plotësisht e kontrolluar nga Beogradi, respektivisht nga regjimi i Vuçiçit.

Vuçiq nuk e pëlqen opozitën dhe rivalët politikë, as në Serbi, as në komunat serbe në Kosovë. Rada Trajkoviq, e cila e udhëhoqi një koalicion tjetër serb, “Sloboda” [“Liria”], ka folur publikisht për kërcënimet me vdekje që mori. Këto kërcënime nuk vijnë nga shqiptarët.

Serbët në Kosovë dhe ata në Serbi e dinë se çfarë lloj presioni u bëhet qytetarëve që janë shantazhuar për të votuar për kandidatët e Vuçiqit. Tani, kjo situatë është pranuar për herë të parë në veriun serb të Kosovës nga një organizatë ndërkombëtare, Misioni i Vëzhguesve të BE-së.

Ky është një shembull tjetër i sjelljes represive të demonstruar në të gjitha zgjedhjet në Serbi dhe në veri të Kosovës nga njerëzit e mbledhur rreth Partisë Progresive Serbe të Vuçiqit, SNS. Ky raport me siguri do të ketë reflektim në situatën në Serbi, ku disa parti opozitare kanë njoftuar se do të bojkotojnë zgjedhjet që planifikohen të mbahen në pranverën e vitit 2020.

Bashkëpunëtorët e Vuçiqit në Beograd iu dashtë të pranonin negociatat me opozitën, ku morën pjesë përfaqësues të Parlamentit Evropian. Këto negociata janë një njohje indirekte se kushtet për zgjedhje të ndershme nuk ekzistojnë në Serbi.

Vuçiq mund të marrë një goditje tjetër të madhe nëse Kurti vendos të fillojë një luftë të vërtetë kundër krimit dhe korrupsionit, të shpërfaqura në përmasa epike në Kosovë. Epiqendra e kësaj të keqe është veriu i Kosovës, ku kriminelë serbë dhe shqiptarë kanë një bashkëpunim të shkëlqyeshëm. Kjo është arsyeja pse në muajin prill ambasada britanike në Kosovë i udhëzoi qytetarët e Mbretërisë së Bashkuar ti shmangnin udhëtimet në veri.

Se si duket jeta në veri është përshkruar më së miri përmes një interviste me Slavisa Ristiq, një politikan nga Kosova, i cili deklaroi se “veriu i Kosovës drejtohet nga grupe njerëzish që disa i quajnë aktivistë të SNS por në fakt janë kriminelë”. Ristiq tha më tej se ata njerëz janë dirigjuar ti “frikësojnë të gjithë ata për të cilët besohet se mund të jenë problem për Vuçiqin apo partinë e tij”.

Por kjo situatë nuk mund të zgjasë përgjithmonë. Ish-ministri i Jashtëm gjerman Sigmar Gabriel deklaroi në fillim të vitit 2018 në qytetin verior të Mitrovicës së Kosovës se, në këtë pjesë të Kosovës, “pushteti absolut mbahet nga njerëz që janë pjesë e krimit të organizuar, të cilët nuk i i kanë frikë vrasjet, diçka kjo që bashkësia ndërkombëtare nuk duhet ta tolerojë “.

Për komunitetin ndërkombëtar si dhe votuesit e Kurtit, është e pritshme që t’i kërkojnë qeverisë së re të fillojë luftën kundër krimit dhe të vendosë sundimin e ligjit. Apriori, kjo do të duhet të përfshijë përballjen me grupet kriminale në veri. Nëse kjo ndodh, shumë nga njerëzit e Vuçiqit do të jenë nën presion. Në këtë rast, Vuçiq do të duhet ti lëvizë disa nga “punëtorët e tij në terren” në Serbi, gjë që do të dobësonte ndikimin e tij në veriun e Kosovës.

Vazhdimi i negociatave për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës do të jetë ndërkohë më i vështirë se kurrë më parë për Vuçiqin sepse delegacioni i ri i Kosovës do të ketë qëndrime disi të ndryshme krahasur me qëndrimet e mëparshme. Kurti tashmë ka njoftuar se ai synon të rivlerësojë marrëveshjet e arritura me Serbinë, ndërsa ai ishte gjithmonë kundër krijimit të Asociacionit [të dakorduar] të Komunave me Shumicë Serbe.

Në krejt këtë, ne nuk do të duhej të shpërfillnim një element personal, respektivisht faktin se Kurti u arrestua dhe u dënua nga autoritetet serbe gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999 dhe i kaloi më shumë se dy vjet burg. Një nga njerëzit në pushtet në Serbi në  vitin 1999 ishte – Aleksandar Vuçiq.

 

Milenko Vasoviq është një gazetar dhe redaktor i mirënjohur serb.

Mendimet e shprehura në pjesën e komenteve janë vetëm të autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e BIRN.