Spitali i Vushtrrisë

Vushtrri: Pronari i biznesit privat pritet të përfitojë 300 euro nga shtesat e qeverisë për stafin mjekësor

Përhapja e pandemisë në Kosovë ka detyruar Qeverinë që të krijojë një pako emergjente fiskale për të ndihmuar disa kategori të punëtorëve shëndetësorë.

Të parët që janë listuar për këtë pagë, janë personeli shëndetësorë, të cilët kanë qenë drejtpërdrejtë të rrezikuar nga ky virus.

Mirëpo, në spitalin “Sheikh Zayed”, të Vushtrrisë, në listën ku janë listuar mirëmbajtësit e Spitalit është i përfshirë edhe Dijar Krasniqi pronar i një kompanie me të cilën spitali ka kontratë për pastrim.

Në një përgjigje nga zyra për informim në këtë Spital, thonë se Krasniqi është menaxher i kompanisë për mirëmbajtjen e Spitalit.

“Sa i përket z.Krasniqi, ai në këtë rast është menaxher i punonjësve si punonjës i Kompanisë. Verifikimi final i këtyre listave siç jeni duke e parë është duke u kryer në vazhdimësi dhe nga Ministria e Financave”, thuhet në përgjigje.

Sipas zyrës për informim, Spitali i Vushtrrisë ka vepruar në pajtim me rekomandimet e ardhura përmes emailit.

“Sa i përket listës së punonjësve të pastrimit të hapësirave të Spitalit nga operatori përkatës ekonomik, Spitali ka vepruar në pajtim me rekomandimin e ardhur përmes emailit zyrtar të datës 22.04.2020, nga organet e më larta menaxheriale e cila kërkon dërgimin e listës së punonjësve të O. E., për përfitim nga pako financiare e qeverisë”, thuhet tutje.

Përgjegjësi e Spitalit ka qenë të vërtetojnë listat e punonjësve të cilët janë të angazhuar në kompani.

“Duke qenë se punonjësit e Kompanisë mënyrën e organizimit dhe punës e organizojnë në pajtim me Kontratën e lidhur midis A. K. dhe O. E., ekspozimi i rrezikut, punës dhe angazhimit vlerësohet nga kompania. Përgjegjësi e jona ka qenë vetëm vërtetimi i listës së punonjësve të O. E., që janë të angazhuar në kompani e të cilët në të njejtën kohë kanë qenë të angazhuar edhe gjatë kësaj kohe.Punonjësit e Kompanisë, e pastrojnë hapësirat ku kanë qenë pacientët potencial me COVID-19”, thuhet në përgjigje.

Kompania pastruese “Aroma Plus”, mirëmbanë Spitalin e Vushtrrisë.

Kontabilisti i kompanis,Skender Krasniqi, tha se Dijar Krasniqi i cili është djali i tij është pronar dhe në të njejtën kohë edhe i mbikqyrë punëtorët, sipas tij ai ka të drejtë të marrë këtë pagë.

Madje, autoriteti kontraktues ka kërkuar që përveç punëtorëve të listohet edhe mbikqyrësi i punëtorëve, shprehet ai.

“Dijar Krasniqi është pronar, por paraprakisht është edhe përgjegjës për punëtorët 12 apo 13 sa janë në listë aty nuk e di, edhe shumë mirë shkrun aty se përgjegjës është, Dijar Krasniqi ka kontaktë me punëtorë, e bënë furnizimin me material, ka kontaktë çdo ditë me punëtorët, për dezinfektimin e objektit ai tërë kohën ka marrë pjesë me punëtorë, mua autoriteti kontaktues ma ka lypë listën e rrogave unë ja kam dërgu listën e rrogave, a i qesin (pare)këtij (Dijarit) apo jo është problem i tyre. Unë ia kam dërgu listën e rrogave qysh ka qenë, unë nuk i kam bo”, tha Krasniqi.

Ai tutje tha se autoriteti kontaktues i ka kërku 13 punëtorë dhe një përgjegjës.

“Po unë kam drejt,  i qetë vetit rrogë ai(Dijari). Ligji ia lejon pronarit me qenë në punë, a duhet qeky Dijari me marrë pension a duhet me marrë trust. Në dosje të tenderit kur e ka lyp autoriteti kontaktues i ka lyp 13 punëtorë plus e ka kërku edhe një përgjegjës. Autoriteti kontraktues mu ma ka kërku listën e pagave për spitalin e Vushtrrisë edhe unë e kam marrë edhe ja kom dërzu autoritetit kontraktues”, u shpreh Krasniqi.

Nuk është bërë asnjë mashtrim, në listë është e theksuar që Dijar Krasniqi është përgjegjës e jo mirëmbajtës, dhe asgjë nuk ka të keqe tha ai.

“Nëse e kish pas emrin (Dijari) pastrues (në listë)qysh po mendoni naj mashtrim, atëherë ke pas të drejtë me thënë qysh është e mundur pronarime qenë pastrues, por pronari është përgjegjës dhe aty duhet me dërgu çdo javë material. Nuk e di çka ka këtu të keqe a po kem ne rrezikshmëri, po ne kemi rrezikshmëri, se ka shku të punëtorët aty ka nejt ka bisedu me ta, ua ka shpërnda materialin , aty ua ka dhënë detyrat e punës, çka ka të keqe ktu”

Në pakon e Ministrisë së Financave, thuhet se të drejtë për marrje të pagës stimuluese kanë vetëm personat të cilat janë të ekspozuar direkt rrezikut nga Coronavirusi.