VIDEO: Vetura zyrtare në kompaninë e familjes së zv/ministrit Rexhep Kadriu

Vetura zyrtare e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, është filmuar duke hyrë në kompaninë “Pro Eng”, e cila është në pronësi të djalit të zëvendësministrit Rexhep Kadriu.

E njëjta veturë zyrtare është në shfrytëzim nga zëvendësministri Kadriu.

KALLXO.com ka kontaktuar vetë zëvendësministrin Kadriu, por ai ka thënë se nuk ka përgjigje për këtë çështje.

“Nuk kam përgjigje për këtë. Veç një sekondë. Për asnjë temë nuk ju përgjigjem. Çka kemi pas jemi përgjigj kur është kanë koha. Mirupafshim”, ka thënë Kadriu.

Ndërkaq, Ministria e Administratës Publike, ka konfirmuar për KALLXO.com se vetura zyrtare me targa 3Z-002-08, i përket Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit.

“Vetura me targa: 3Z-002-08 e tipit ‘Kia Sportage’ është në shfrytëzim të zëvendësministrit të Ministrisë së Infrastrukturës”, thuhet në përgjigjen e udhëheqësit të Departamentit të Komunikimit Publik në MAP, Zeqir Bekolli.

Në emisionin “Drejtësia në Kosovë”, në muajin shkurt të këtij viti, u transmetuan gjetjet e një hulumtimi katër mujor i cili zbardhi faktin se si kompania e familjes së zëvendësministrit të Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, është përfshirë në ndërtimin e autostradës Prishtinë – Gjilan.

Furnizimin me beton për autostradës Prishtinë-Gjilan, nga kompania e djalit të zëvendësministrit Rexhep Kadriu, nuk e mohoi as ky i fundit.

“Kompania ‘Pro- Eng’ ka qenë pronë e imja, tash është pronë e djalit. Nga pronësia jam larguar para katër ose pesë muajve”, kishte thënë Kadriu për emisionin “Drejtësia në Kosovë”.

Hulumtimi tregoi se si kompania “Pro-Eng”, pronë e familjes së zëvendësministrit Rexhep Kadriu bën  furnizimin me beton për autostradën Prishtinë-Gjilan e bën përmes disa kompanive të nënkontraktuara.

 

 

https://kallxo.com/rrjeti-i-kompanive-te-familjareve-te-aak-se-betonojne-autostraden-prishtine-gjilan/

https://kallxo.com/reagimi-i-ramush-haradinajt-kur-kupton-se-famijla-e-zv-ministrit-te-aak-se-eshte-e-perfshire-ne-ndertimin-e-autostrades/

https://kallxo.com/betonimi-i-autostrades-nga-njerezit-e-aak-keshilltari-i-pal-lekajt-tenton-te-pengoje-ekipin-e-drejtesia-ne-kosove/

https://kallxo.com/video-si-e-komenton-pal-lekaj-betonimin-e-autostrades-nga-familja-e-zevendesministrit-te-tij/

.