Ilustrim nga BIRN

Vetëm 44 nga 474 asambleistë i kanë pronat bashkë me gratë

Hulumtimi i fundit i BIRN-it tregon për numrin jashtëzakonisht të vogël të asambleistëve të komunave të cilët posedojnë pronë të regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshortet e tyre.

Por më shqetësues është fakti se ekziston një numër edhe më i vogël i asambleistëve të cilët posedojnë ndonjë pronë të paluajtshme të regjistruar në emër të tyre.

Vetëm 44 nga 474 asambleistë që i janë përgjigjur pyetjes tonë, kanë deklaruar se posedojnë pronë në emër të përbashkët me bashkëshortet e tyre.

BIRN ka provuar të kontaktoj me asambleistët e të gjitha komunave të Kosovës nga të cilët kemi kërkuar që të dimë nëse posedojnë ndonjë pronë të regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshorte.

Fillimisht ne kemi provuar që të njëjtit t’i kontaktojmë përmes email-ave zyrtarë të zyrtareve për media në këto komuna, por pasi që kemi pranuar një numër jashtëzakonisht të vogël të përgjigjeve ne kemi provuar që gjithsecilin prej tyre të cilët i kanë pasur publike kontaktet e tyre nëpër web faqe, ti kontaktojmë personalisht përmes telefonit.

Nga 785 asambleistë të të gjitha komunave të Kosovës të cilët kemi provuar që një e nga një ti kontaktojmë përmes telefonit, prej 474 prej tyre kemi marrë përgjigje.

44 prej asambleistëve kanë deklaruar se pasurinë e krijuar gjatë jetës së përbashkët martesore e kanë të regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshortin/en ndërsa 66 prej tyre kanë deklaruar se janë të pa martuar.

Nga përgjigjet që kemi pranuar është vënë në pah një e dhënë tjetër mjaftë shqetësuese, kjo për faktin se mbi 300 asambleistë kanë deklaruar se e gjithë pasuria ende është e regjistruar në emër të familjarëve duke nënkuptuar këtu te gjyshërve ose edhe më gjerë.

Ndërsa edhe faktet e tjera tregojnë se Kosova ka një krizë të madhe në sigurimin e regjistrave të pronave. Strategjia kombëtare për pronat tregon se 50% e regjistrave kadastralë janë në emër të personave të vdekur ndërsa 30% e njerëzve që aplikojnë për ta regjistruar shtëpinë e ndërtuar nuk mund ta bëjnë këtë pasi toka dhe pasuria është e regjistruar në emër të personave të vdekur dhe trashëgimia duhet përfunduar paraprakisht.

Kosovë: 50% e pronës është e regjistruar në emër të të vdekurve

Përpos asambleistëve të komunave, BIRN ka kontaktuar edhe me kandidatët për deputet në Kuvendin e Kosovës.

Prej 38 deputeteve të cilët i kemi intervistuar deri më tani, kemi arritur të kuptojmë që 17 prej tyre kanë pasuri të paluajtshme të regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshorte, ndërsa 11 nga ta kanë thënë se pronat janë të regjistruara në emër të përbashkët me familjarët e tjerë, 5 prej tyre kanë thënë që nuk posedojnë fare pasuri të paluajtshme ndërsa 5 nga ta janë të pa martuar.

Tri vite më parë, Agjencia për Barazi Gjinore në bashkëpunim me Agjencinë Kadastrale, i kishin propozuar Qeverisë së Republikës së Kosovës miratimin e një udhëzimi administrativ për regjistrimin e pronës së paluajtshme të përbashkët në emër të dy bashkëshortëve.

Qeveria e ka miratuar këtë iniciativë duke e parë si faktor të rëndësishëm inkurajimin e çifteve të reja që nga fillimi i krijimit të pronës ta gëzojnë të drejtën e regjistrimit të asaj prone në emër të dy bashkëshortëve, e drejtë që është e garantuar me Kushtetutën e Kosovës dhe me ligjet në fuqi.

Ky Udhëzim Administrativ për masat e veçanta për regjistrimin e pronës së paluajtshme të përbashkët në emër të dy bashkëshortëve i liron nga pagesa çiftet bashkëshortore që i regjistrojnë pronat për herë të parë.

Në bazë të këtij Udhëzimi Administrativ, autoritetet publike janë të obliguara që të zbatojnë masa të veçanta të përkohshme me qëllim të rritjes së numrit të grave të regjistruara si pronare të përbashkëta si dhe me qëllim të përshpejtimit të realizimit të barazisë faktike midis burrave dhe grave në të drejtën pronësore.

Pronë e përbashkët e bashkëshortëve – nënkupton pasurinë e krijuar gjatë jetës në martesë e cila regjistrohet si pronë e përbashkët, administrohet bashkërisht dhe nuk mund të tjetërsohet pa pëlqimin e bashkëshortëve.

Bashkëshortët martesorë gjatë jetës së tyre të përbashkët mund të kenë pasuri të veçantë (individuale), të fituar para lidhjes së martesës, dhe pasurinë e përbashkët që krijohet me punën e tyre të përbashkët gjatë jetës bashkëshortore.

Pasuria e përbashkët e bashkëshortëve martesorë është pasuria e fituar me punën e tyre të përbashkët ose të ndarë, gjatë vazhdimit të martesës, si dhe të hyrat që rrjedhin nga pasuria e tillë nëse me kontratë paramartesore bashkëshortët martesorë nuk kanë përcaktuar regjimin pasuror të pasurisë së fituar gjatë martesës.

Pasuria e veçantë (individuale) e bashkëshortëve, përveç asaj që ka qenë e fituar para lidhjes së martesës mund të krijohet edhe gjatë kohëzgjatjes së martesës, me trashëgim, dhurim apo formë tjetër të përcaktuar me ligj.

BIRN në vazhdimësi ka bërë përpjekje për inicimin e fushatave vetëdijësuese si për zyrtarë publikë ashtu edhe për opinionin e gjerë me qëllim të vetëdijësimit lidhur me rëndësinë e regjistrimit të pronës së përbashkët në emër të dy bashkëshortëve.

Pjesë tjetër shumë e rëndësishme e angazhimit të BIRN është edhe publikimi i hulumtimeve në  lidhje me përfshirjen e grave dhe vajzave në vendimmarrje, duke filluar nga niveli lokal dhe përfaqësimi në drejtoritë komunale e deri te niveli qendror.

Hulumtimi i BRIN-it tregon se më pak se 20 për qind e drejtorive komunale në Kosovë udhëhiqen nga gratë

Hulumtimi i BIRN-it tregon gjendjen e përfaqësimit gjinor në komuna

 

Po ashtu, BIRN përmes përpilimit të rekomandimeve në lidhje me pakon e ligjeve që prekin të drejtat e grave në trashëgimi, Projektligjit për plotësimin e ndryshimin e Ligjit për Trashëgiminë, Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Procedurën Jokontestimore dhe Projektligjit për Noterinë, BIRN ka kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në përmirësimin e pozitës së gruas në procedurat trashëgimore.