Foto: AAK Obiliq/Facebook

Vëllai i Xhafer Gashit dhe asamblisti i AAK-së emërohet U.D. i zëvendësdrejtorit në KEK

Enver Gashi, vëllai i kryetarit të Obiliqit, Xhafer Gashi dhe njëkohësisht asamblisti i AAK-së në Kuvendin Komunal të Obiliqit, në fillim të muajit shtator është emëruar ushtrues detyre i zv.drejtorit të  Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).

Emërimi i tij në këtë pozitë nga ana e Bordit të KEK-ut është bërë në kundërshtim me interpretimin që e ka dhënë Zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik për Ligjin për Ndërmarrjet Publike.

Gashi është emëruar disa muaj pasi bordi i përkohshëm i emëruar nga Qeveria Kurti, e kishte shkarkuar Nysret Kelmendin nga pozita e zv.drejtorit të KEK-ut. Në të njëjtën kohë ishte shkarkuar edhe Njazi Thaçin nga pozita e drejtorit të kësaj ndërmarrjeje, i cili është edhe kushëri i presidentit Hashim Thaçi

Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Zyra e Kryeministrit me rastin e kandidimit të Blerand Stavilecit për drejtor të KEK-ut kishte thënë se edhe zyrtarët e lartë të një ndërmarrjeje publike duhet të jenë të pavarur, siç kërkohet në nenin 21 dhe nenin 17.

Pozita e zv.drejtorit të një ndërmarrje publike, me Ligjin për ndërmarrjet publike konsiderohet zyrtar i lartë i ndërmarrjes. E Ligji kërkon që zyrtarët e lartë të ndërmarrjes duhet të jenë të pavarur, njëjtë sikur anëtarët e bordit të KEK-ut. 

Gashi përveç se mban pozitën e zv.drejtorit të KEK-ut si ushtrues detyre, nga viti 2017 është asamblist i AAK-së në Kuvendin Komunal të Obliqit. Po ashtu, Gashi në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 kishte qenë kandidat për deputet të Kuvendit të Kosovës nga AAK.

KALLXO.com ka provuar të marrë përgjigje nga Enver Gashi përmes telefonit por i njëjti nuk është përgjigjur në asnjë nga 12 thirrjet telefonike. KALLXO.com i ka dërguar edhe mesazh në numrin e tij të telefonit dhe në emailin e tij por përsëri nuk ka pranuar përgjigje.

Përveç kësaj, KALLXO.com ka dërguar pyetje tek Gashi përmes zyrës për informim të KEK-ut, mirëpo nuk ka pranuar përgjigje.

Se Enver Gashi, ud i zv.drejtorit të KEK-ut është vëllai i kryetarit të Obiliqit e ka konfirmuar vet i pari i Obiliqit, Xhafer Gashi, në emisionin “Jeta në Komunë” përballë Jeta Xharrës.

“Tani është zv.drejtor, ushtrues detyre”, deklaroi Xhafer Gashi.

Kryesuesi i Bordit të Përkohshëm të KEK-ut, Hysen Fazliu ka thënë për KALLXO.com se Enver Gashi është emëruar u.d i zv.drejtorit me propozim të menaxhmentit.

Në përgjigjen e KEK-ut thuhet se bazuar në Ligjin për Ndërmarrjet Publike (LNP) emërimi dhe shkarkimi i zyrtarëve të lartë ekzekutiv, ku bënë pjesë edhe pozita e zv.drejtorit, është përgjegjësi ekskluzive e Bordit të Drejtorëve.  

“Në këtë drejtim, ju bëjmë me dije se Bordi i Përkohshëm i drejtorëve në përputhje me kompetencat që dalin nga LNP-ja, ka plotësuar këtë pozitë përkohësisht me ushtrues të detyrës deri në përzgjedhjen e zyrtarit të ri me procedure të hapur, transparente dhe konkurruese bazuar në LNP neni 21, pika 4”, thuhet në përgjigjen e KEK-ut.

Por, pika 3 dhe 4 e të njëjti ligj kërkojnë që edhe zyrtarët e lartë të një ndërmarrjeje duhet të jenë të pavarur.

Neni 21 i Ligjit për Ndërmarrjet Publike i ka përcaktuar kushtet që duhet të plotësojë një zyrtarë i lartë i një ndërmarrje publike.

Neni 21, pika 3 thotë se secila ndërmarrje publike do të ketë katër zyrtarë të lartë: (i) Kryeshefin Ekzekutiv, (ii) Zyrtarin Kryesor Financiar dhe të Thesarit, (iii) Këshilltarin e Përgjithshëm/Sekretarit e Korporativ dhe (iv) një Zyrtar për Auditim të Brendshëm. Në të njëjtën pikë është dhënë mundësi ndërmarrjeve të mëdha që të kenë edhe zyrtarë shtesë që zgjidhen nga bordi.

“Nëse është e nevojshme për shkak të madhësisë dhe/ose llojllojshmërisë së veprimtarive, NP mundet – nëse vendoset nga Bordi i Drejtorëve dhe përcaktohet në Rregullore – që po ashtu të ketë një ose dy poste të Zëvendës Kryetarit”, thuhet në pjesën e dytë të pikës 3 të nenit 21.

Pra, në bazë të këtij interpretimi edhe zv.drejtorët që zgjidhen nga bordi duhet të jenë të pavarur dhe rrjedhimisht nuk duhet që në 36 muajt e fundit të kenë lidhje me politikën.

“Bordi i Drejtorëve duhet të sigurojë që të gjithë personat e emëruar si zyrtarë të jenë person me integritet të njohur të cilët (i) i plotësojë kushtet e kualifikimit sipas Nenit 17.1, (ii) i plotësojnë kriteret e pavarësisë sipas nenit 17.2, pikat (d), (f), (j), (k) dhe (l)”, thuhet në paragrafin e 4 të nenit 21 të Ligjit për Ndërmarrjet Publike.

Edhe në opinion ligjor të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik në kohën kur Blerand Stavileci kishte kandiduar për drejtor të KEK-ut, është theksuar se në nenin 21 të Ligjit për Ndërmarrjet publike thuhet që me zgjedhjen dhe emërimin e zyrtarëve të lartë të Ndërmarrjes Publike, personi që është ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36 muajsh para datës së aplikimit ka qenë zyrtar i zgjedhur publik, i emëruar politik ose bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike, nuk mund të zgjidhet Kryeshefi Ekzekutiv i Ndërmarrjes Publike.

Enver Gashi është i punësuar në KEK që nga 19 prilli i vitit 1985. Ai fillimisht ka mbajtur pozitën e inxhinierit të mirëmbajtjes. Në përgjigjen e KEK-ut thuhet se nga 7 dhjetori 2006 ai ka mbajtur pozita të larta menaxheriale në korporatë.

Edhe zv.drejtori i shkarkuar, Nysret Kelmendi, ish-kandidati i PDK-së për kryetar të Komunës së Obiliqit, ishte emëruar në këtë pozitë nga ana e Bordit të KEK-ut është bërë në kundërshtim me Ligjin për Ndërmarrjet Publike në bazë të interpretimit për këtë ligj që e ka dhënë Zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik.

Nysret Kelmendi ka qenë nënkryetar i Komunës së Obiliqit në mandatin e kaluar, pasi PDK-ja ka bashkë-qeverisur me kryetarin Xhafer Gashi. Po ashtu, në zgjedhjet e fundit lokale të zhvilluara në Kosovë në tetor të vitit 2017, Kelmendi ka qenë kandidat për kryetar të Komunës së Obiliqit nga radhët e PDK-së.