Hysen Rexhahmetaj duke e mbajtur portretin e gruas së tij Nurije Rexhahmetaj. Foto: Shqipe Gjocaj

Vdekjet maternale ‘që humbin në sistem’

Rastet e grave që kanë humbur jetën në Kosovë gjatë lindjes në dekadën e fundit nuk janë trajtuar seriozisht nga institucionet shëndetësore të vendit, me mungesë të dhënash dhe dhënie imuniteti atyre që potencialisht kanë përgjegjësi për vdekjen e tyre dhe familjarët në padrejtësi.

 

Në mesditën e 9 shkurtit të vitit 2019, 42 vjeçarja Nurije Batusha Rexhahmetaj shkoi në Spitalin e Pejës për të lindur fëmijën e saj të tretë. Gjendja e saj u komplikua menjëherë pas lindjes dhe pas intervenimeve në Pejë, rasti u transferua në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, QKUK. Aty Nurija vdiq bashkë me foshnjën e saj, i emëruar Drin qysh gjatë shtatzënisë. E ndjera ka lënë dy vajza pas, njërën shtatë vjeçare dhe tjetra pesë.

Për këtë vdekje të dyfishtë, familja Rexhahmetaj nga fshati Isniq i komunës së Deçanit e bëjnë përgjegjës gjinekologun që udhëhoqi procesin e lindjes. “Ai që e ka udhëheq lindjen profesionalisht e ka bo një gabim fatal, dhe Nurija dhe Drini, edhe pse shëndosh e mirë me parametra normal, na janë kthyer të vdekur,” tha Hajdar Rexhahmetaj, kunati i së ndjerës, që është po ashtu jurist në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, QKMF në Deçan.

Tragjedia e familjes Rexhahmetaj nuk është një rast i izoluar në Kosovë. Në Kosovë, në dy vitet e fundit, mediet kanë raportuar edhe për disa raste të tjera të vdekjeve të nënave gjatë apo menjëherë pas lindjes.

32 vjeçarja Drilona Lleshi Morina vdiq pas lindjes në QKUK me 29 mars 2019. Nën dyshimin për lindje të parakohshme, Lleshi-Morina ishte bartur nga Spitali i Gjakovës për në QKUK ku i ishte nënshtruar tri operimeve brenda pesë ditëve. Prokuroria e Prishtinës nuk ka kthyer përgjigje nëse rasti ende po hetohet.

Në dhjetor të vitit 2018, Zyrafete Ademi nga fshati Begaj i Vushtrrisë, vdiq dy ditë pas lindjes në QKUK dhe burri i saj akuzon mjekët pasi që kanë bërë procesin e anestezionit dy herë në trupin e gruas së tij.

Rastet si këto në fjalë, lënë dyshime se vdekja e një nëne është shkaktuar nga moskujdesi i duhur mjekësor, dhe vdekjet e tilla ndryshe dhe njihen si ‘vdekje maternale’.

Organizata Botërore e Shëndetësisë, OBSH, e përkufizon ‘vdekjen maternale’ si vdekje të një gruaje gjatë apo brenda 42 orëve pas përfundimit të shtatzënisë nga shkaqe që lidhen me shtatzëni apo shkaqe që i kanë kontribuar përkeqësimit të gjendjes së gruas shtatzënë, dhe jo nga aksidentet apo shkaqe incidentale.

Terri informativ mbi vdekjeve maternale 

Shteti i Kosovës nuk posedon pasqyrë të saktë të të dhënave rreth vdekjeve maternale. Derisa sipas ASK-së, gjatë vitit 2018, ka pasur mbi 23,000 lindje nëpër spitalet e Kosovës dhe mbi 6,000 lindje jashtë vendit, shteti nuk ofron të dhëna për vdekjet maternale. Nga të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ASK, mes viteve 2021 e 2018 asnjë vdekje e vetme maternale nuk është raportuar.

BIRN ka kërkuar të dhëna statistikore për 10 vitet e fundit nga Klinika Gjinekologjike dhe Obstetrike e Kosovës në QKUK, e cila ka udhëzuar që këto të dhëna duhet kërkuar nga Mjekimi Intensiv Qendror në të njëjtin institucion.

“Statistika për 10 vjet nuk i posedon Klinika (e Anestezionit dhe Mjekimit Intensiv Qendror), pra i ka vetëm për 2 vjet,  por ju rekomandojmë t’i kërkoni nga Shoqata e Gjinekologëve të Kosovës, i cili ka botuar  raportet vjetore ndër vite dhe mund t’i posedoj ato të përmbledhura”, është përgjigja e pranuar përmes email-it nga zyra për media e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës.

Ilustrimi: Jetë Dobranja për Kallxo.com

BIRN ka kontaktuar disa herë përgjatë katër muajve me Shoqatën e Obstetërve dhe Gjinekologëve të Kosovës rreth këtij problemi në shëndetësinë kosovare dhe përgjegjësisë institucionale. Kërkesës për intervistë nuk i janë përgjigjur dhe nuk kemi pranuar të dhënat e kërkuara.

Shaqir Uka, Ushtrues Detyre/Shef i Mjekimit Intensiv Qendror, ka thënë për BIRN që në vitin 2018 në mjekimin intensiv nuk ka pasur asnjë paciente e cila ka ndërruar jetë për arsye të komplikimeve të paslindjes.

Sidoqoftë, nga muaji janar i vitit 2019 e deri më tani, katër paciente kanë ndërruar jetë si pasojë e komplikimeve të tilla. “Në muajin shkurt një paciente ka ardhë nga spitali regjional i Pejës. Në muajin mars, 2 paciente, njëra nga spitali regjional i Prizrenit dhe tjetra nga ai i Gjakovës. Ndërkaq në muajin maj një paciente ka ardhë nga spitali regjional i Vushtrisë,” thuhet në përgjigjen e Shaqir Ukës.

Por këta numra nuk janë pasqyra e vdekjeve maternale, edhe sipas vetë institucioneve të vendit. “Vdekjet maternale humbin nëpër sistem”, tha Merita Vuthaj, udhëheqëse e Divizionit për Shëndetin e Nënës dhe Fëmijës në Ministrinë e Shëndetësisë. Sipas saj, Ministria e Shëndetësisë i merr të dhënat rreth vdekjeve maternale nga Klinika Obstetrike Gjinekologjike dhe Mjekimi Intensiv Qendror.

Sipas Vuthajt, viti 2009 ka shënuar numrin më të madh të vdekjeve maternale në Kosovë. Nga dymbëdhjetë prej tyre, tri kanë qenë atribut i virusit të gripit të derrit. Ajo shtoi tutje se për vitet 2013-2015 vdekshmëria maternale ka qenë zero, këto dy vitet e fundit instituti e ka bo raportin e gjendjes prenatale dhe nuk e kanë vlerësuar vdekshmërinë maternale në raport me atë prenatale.

Por mungesës së të dhënave për vdekjet maternale në nivel kombëtar i kontribuon mënyra se si ato raportohen brenda institucioneve shëndetësore.

Visare Mujko-Nimani, shefe e Zyrës së Fondit për Popullsi të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNFPA, tha se kur familjarët shkojnë t’i tërheqin trupat e grave, në fletëlëshimin e vdekjes nuk specifikohet që është vdekje maternale. “Në qoftë se është fjala për vdekje maternale, në fletëlëshimin e vdekjes prej institucionit shëndetësor duhet me u vënë kodi i OBSH-së që e identifikon rastin si vdekje maternale. Por më pas mund të shtohen edhe informacione të tjera, problemet me zemër, hipertension, apo diçka tjetër”, tha Mujko-Nimani.

Ilustrimi: Jetë Dobranja për Kallxo.com

“Fletëlëshimet nuk kanë qenë të diagnostikuara si vdekje maternale. Kur ne si UNFPA kemi pyetur se cili është numri i vdekjeve maternale, Ministria e Shëndetësisë ka thënë’ asnjë’. E ne i dimë me emër e mbiemër rastet që kanë ndodhur”, shtoi Mujko-Nimani.

Vuthaj nga Ministria po ashtu e theksoi mungesën e një sistemi të mirëfilltë të informimit rreth vdekjeve maternale si problem serioz. “Nëse e marrim një shembull më ekstrem, nëse gjatë komplikimeve një grua mbetet në gjendje kome, përfundon ndoshta në neorologji, mbet aty për dy-tre muaj dhe pasi që të vdes, vdekja e saj nuk cilësohet si maternale por raportohet si rast i vdekjes nga gjakderdhja”, tha ajo.

Në bashkëpunim më UNFPA-në, qysh në vitin 2013, Ministria ka filluar strategjinë globale të OBSH “Përtej numrave” dhe kanë formuar Komitetin për Auditin e Vdekjeve Maternale. Por sipas saj, problemi kryesor ka qenë identifikimi i rasteve sepse numri i vdekjeve maternale ka figuruar zero. “E ne në fakt e kemi ditur që nuk është zero,” theksoi ajo. “

‘Fletëlëshimi me epikrizë’ që familja Rexhahmetaj e ka pranuar nga Spitali i Pejës, përveç që nuk e posedon këtë kod të OBSH-së, të dhënat në atë fletëlëshim dhe ato që mjekët e përfshirë në rastin e Nurijes u kanë thënë atyre si familjarë në ditën fatale, nuk përputhen.

“Ky fletëlëshim as çerekun e realitetit nuk e tregon”, tha Hajdari duke shtuar se të dhënat në fletëlëshim janë vetëm mënyrë për të kamufluar dhe me qëllim për të mbrojtur kolegun dhe institucionin.

Sipas tij, gjinekologu përgjegjës e ka sforcuar procesin e lindjes tek Nuria. Ndërkaq kunata e së ndjerës, 50 vjeçarja Fidajet Rexhahmetaj, që tani ka marrë përsipër rritjen e dy vajzave të Nurijes, thotë se Nurija i ka pasur dhimbet e rralla, çdo 20-30 minuta. Por sipas saj, mjeku për të përshpejtuar procesin e lindjes, i ka dhënë stimulues.

Për drejtorin e Klinikës Obstetrike dhe Gjinekologjike, Jakup Ismajli, faktorët më të shpeshtë që shkaktojnë vdekjen maternale janë gjakderdhja pas lindjes, shtypja e lartë e gjakut në shtatzëni, infeksionet pas dhe gjatë lindjes, ndërprerja ilegale i shtatzënisë (pra aborti ilegal), dhe embolia pulmonare. Faktorë tjerë përfshijnë rastet specifike kur shtatzënia zhvillohet jashtë mitres, ruptura e mitrës apo placenta previa.

Një prej këtyre rasteve specifike, pra ruptura apo çarja e mitrës është faktori që ka shkaktuar vdekjen e Nurijes sipas asaj çka thuhet në fletëlëshim.

Familjarët Rexhahmetaj, tanimë të informuar se pse ndodh çarja e mitrës dhe çka duhet ndërmarrë e shohin gjinekologun, i cili atë natë ka qenë edhe zëvendës në Repartin e Gjinekologjisë në Spitalin e Pejës, si përgjegjësin kryesor për vdekjen e Nurijes.

Ilustrimi: Jetë Dobranja për Kallxo.com

“Gjinekologu që e din çka është lindja dhe çka është ruptura e mitrës, duhet me dit që e ka sallën e lindjes dhe sallën e operacionit. Nurija është dashur të dërgohet menjëherë në sallen e operacioni; s’paku njani do duhej me shpëtu”, tha Hajdari.

BIRN ka biseduar me drejtorin ekzekutiv të Spitalit të Përgjithshëm të Pejës, dr. Skënder Dreshaj, dhe me drejtorin e Repartit të Gjinekologjisë, dr. Saimon Loxha. Dreshaj iu referua raportit të pranuar të obduksionit nga Instituti i Mjekësisë Ligjore që konfirmon rupturën e mitrës dhe rrjedhimisht gjakderdhjen profuze si shkaktare e vdekjes së Nurijes.

Të pyetur rreth akuzave të familjes Rexhahmetaj, Dreshaj u përgjigj se janë të gatshëm të ballafaqohen zyrtarisht me këdo që ngrit akuzë ndaj tyre si institucion. “Nëse na thërrasin në gjykatë, ne përgjigjemi në gjykatë. Sigurisht i mbrojmë qëndrimet tona”, tha ai.

Mosndëshkueshmëria

Sipas drejtorit të  Repartit të Gjinekologjisë në Spitalin e Pejës, vdekjet e shënuara maternale në këtë institucion jo vetëm që nuk janë alarmante, por janë po ashtu të pashmangshme në të ardhmen.

“Nëse e këqyr një kronologji me 50 mijë lindje qysh prej vitit 2000 në Spitalin tonë, kjo gjendje nuk është për me u lavdëru por do të thotë se këto [vdekjet maternale] ndodhin. Dhe për fat të keq edhe do të ndodhin, për faktorë qoftë gjatë shtatzënisë e sidomos për faktorë të koagulimit të gjakut.”  tha ai.

Këtë qasje shfajsuese e përdor edhe Vuthaj nga Ministria e Shëndetësisë. “Gabimet ndodhin”, tha ajo, duke shtuar se nëse gabimet janë të ‘paqëllimshme’ në rast se nuk është përcjellë protokolli gjinekologjik apo nëse një infermiere nuk i ka ditur specifikat e atij protokolli, atëherë në këto raste edhe ligji parasheh lehtësira.

Por, sipas Kodit Penal të Kosovës një profesionist shëndetësor mund të bëhet përgjegjës për vdekjen e pacientit. “Nëse si rezultat i veprës penale nga paragrafi 1 i këtij neni, vdesin një ose më shumë persona, kryesi dënohet me burgim prej tre (3) deri në dymbëdhjetë (12) vjet,” saktëson neni 254 i Kodit Penal të Kosovës.

Por historia na tregon se një gjë e tillë nuk është lehtë për tu provuar dhe rasti i Arbenita Selimi-Spahiut nga Gjilani, e cila vdiq në mars të vitit 2016 në Spitalin Rajonal të Gjilanit na dëshmon më së miri.

Mexhide Shaqiri, shefe e repartit të sallës së lindjes, Hamide Zeqiri, mjeke e repartit në sallën e lindjes, dhe Vjollca Kosumi, mjeke kujdestare, u akuzuan nga Prokuroria Themelore e Gjilanit, Departamenti për Krime të Rënda më 18 maj 2016, për mosdhënie të ndihmës mjekësore nga e cila e ndjera pësoi shok hemoragjik. Por një vit më vonë, me 31 maj 2017, Gjykata Themelore e Gjilanit i liroi që të trija me arsyetimin se akuzat “nuk janë vërtetuar”. Vdekja maternale e Arbenitës nxiti protesta qytetare në Gjilan në përvjetorin e parë të vdekjes së Arbenitës.

Parandalimi i rasteve të vdekjeve maternale

Sipas fakteve kyçe të listuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë kuptohet se vdekjet maternale janë të parandalueshme, se 94% e të gjitha vdekjeve maternale ndodhin në vende me të ardhura të ulëta, dhe se kujdesi i duhur institucional para, gjatë dhe pas lindjes mund tu shpëtoj jetën grave.

Vdekshmëria më e ulët maternale vlerësohet të jetë në shtetet e Bashkimit Evropian ku shkalla mesatare është 8 vdekje për 100, 000 lindje. E në vende sikurse Finlanda apo Suedia, kjo shkallë është edhe më e ulët, 3 apo 4 vdekje për 100, 000 lindje.

Miran Vatovec, zyrtar politikash që monitoron politikat për mbrojtjen e shëndetit nga perspektiva politike në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, tha për BIRN që çështja e vdekjeve maternale në Kosovë është më shumë çështje e politikave dhe aftësisë për të siguruar shërbime cilësore shëndetësore.

Ai tha se roli i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Komisionit Evropian është të bashkëpunojë me autoritetet shëndetësore në Kosovë përmes zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit (MSA).

“Ne po i inkurajojmë fuqishëm qeveritë në Kosovë që të krijojnë sigurim shëndetësor publik, të investojnë në sistemin elektronik shëndetësor, dhe të funksionalizojnë fondin publik shëndetësor. Përfundimet nga nën-komiteti i MSA-së çdo vit e bëjnë të qartë që këto kërkesa ende janë të hapura”, tha Vatovec.

Në  anën tjetër sipas Nimani-Mujko, shëndeti i grave do të mbetet në  rrezik derisa nuk do të  prioritarizohet. “Në pozita vendimmarrëse ka persona që nuk po e shohin aq të vlefshme jetën e një gruaje apo nëne”, tha Nimani-Mujko duke e theksuar tutje domosdoshmërinë që bashkë gra e burra të diskutojmë për shëndetin e grave si prioritet.

E drejta për të pasur qasje në shëndetësi dhe mbrojtje ligjore është e garantuar me Konventën  e Kombeve të Bashkuara mbi Eliminimit të të gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave. Si Konventa ndërkombëtare më gjithëpërfshirëse për të mbrojtur të drejtat riprodhuese të grave, konventa adreson strategjinë për parandalimin e vdekjeve maternale dhe mban përgjegjës qeveritë për mungesë në qasje në shëndetësi, dhe për politika që shpeshherë zhvillohen duke i shpërfillur të drejtat e grave.

Kjo konventë është në mënyrë automatike e aplikueshme në vendin tonë , duke qenë se  është pjesë edhe e kushtetutës së Kosovës.

Autoritetet kosovare janë të obliguara të marrin parasysh këtë kur draftojnë politika në lidhje me të drejtat riprodhuese. Por, Fakti se Kosova nuk është pjesë e Kombeve të Bashkuara dhe agjencive të saja nënkupton se qytetarët e Kosovës nuk kanë qasje direkte në mekanizmat ku mund të ankohen atëherë kur të drejtat e tyre shkelen.

Si rrjedhojë, për familjen e Nurijes në Isniq të Deqanit, gjykatat lokale mbesin mundësia e vetme për të kërkuar drejtësi.

Në shtëpinë e tyre ata duan ta bëjnë të qartë se me mjekun të cilin po e mbajnë përgjegjës për vdekjen e familjarëve të tyre nuk e kanë asgjë personale por duan përgjegjësi profesionale e drejtësi nga institucionet e vendit. “Duam që ky rast të mos përsëritet më. Dhe duam të japim kontribut për këtë çështje,” përfundoi Hajdari.

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e Shqipe Gjocajt dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian ose BIRN-it dhe AGK- së.