Vazhdojnë punësimet: Anëtari i kryesisë së NISMA-s bëhet zyrtar i lartë në MAShT

Anëtari i kryesisë së Nismës Socialdemokrate në Lipjan, Pajtim Kleçka ka gjetur një vend pune në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë që udhëhiqet nga bashkëpartiaku i tij, Shyqiri Bytyqi.

Kleçka është emëruar në pozitën zyrtar i lartë për arsim të lartë privat më 1 mars të këtij viti.

I kontaktuar nga KALLXO.com nëse partia e tij ka ndikuar që të marrë këtë pozitë, ai nuk ka pranuar që të jap sqarime.

“Shkruaj çka t’dush se nuk kam kohë me u marrë me këtë punë bile. Krejt informatat i ki në dispozitë shkruaj çka t’dush”, tha ai.

KALLXO.com ka siguruar raportin e vlerësimit të kësaj pozite, ku në bazë të tyre shihet se Kleçka kishte marrë më shumë pikë se sa kandidatët e tjerë.

Ai në total kishte 280 pikë, që u vlerësua në mënyra të ndryshme nga anëtarët e komisionit vlerësues.

Nga njëri anëtar i komisionit ai ishte vlerësuar me 85 pikë, nga tjetri anëtar 95 pikë dhe anëtari i fundit e kishte vlerësuar me 100 pikë.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në MAShT, për të kuptuar se kush ka qenë pjesë e komisionit vlerësues të kësaj pozite, por deri në publikimin e artikullit nuk ka marrë përgjigje.

Punësimin e Kleçkës në MAShT ia kishte përmendur edhe deputetja e VV-së Albulena Haxhiu, ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi në seancën e 27 qershorit, ku ministri kishte thënë se është dezinformatë.

KALLXO.com po ashtu ka raportuar gjatë javës së kaluar se Salih Bytyqi, vëllai i Ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi, ka gjetur vend pune në shkollën e fshatit të tij të lindjes.

Po ashtu edhe ditë më parë KALLXO.com ka raportuar se Demir Limaj, vëllai i Kryetarit të Partisë Socialdemokrate, Fatmir Limaj pritet të marrë kontratë të rregullt me Universitetin e Prizrenit.

Në muajin qershor KALLXO.com raportoi se nipi i Jakup Krasniqit nga pozita e këshilltarit në MTI zgjedhet në pozitën e shërbyesit civil.

Në fund të muajit shkurt të këtij viti, KALLXO.com raportoi edhe për punësimin e kunatës së Fatmir Limajt, aktualisht zëvendës kryeministër në Qeverinë e Haradinajt dhe kryetar i Nismës Socialdemokrate.

Në shtator të vitit të kaluar, KALLXO.com raportoi për punësimin e Veron Selmanit, burri i vajzës së Fatmir Limajt. Ai është punësuar në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, e cila udhëhiqet nga NISMA.

Partia Nisma Socialdemokrate rehatoi në ministrinë që udhëheq aktualisht Endrit Shala edhe nipin e Jakup Krasniqit, Taulantin.

‘Ndarja e kulaçit’, problemet në proceset e rekrutimit

.