Vajza e zëvendësministrit të PDK-së punësohet në Ministri

Vajza e zëvendësministrit të Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Isni Kilaj është punësuar në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH).

Valentinë Kilaj – Fazliu është përzgjedhur si kandidate e suksesshme në pozitën e zyrtares për Vlerësimin e Gjendjes së Ujërave Sipërfaqësore dhe Nëntokësore në ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Kjo ministri udhëhiqet nga Fatmir Matoshoi nga AKR-ja, ndërsa zëvendësministër Kurtan Kajtazi që është nga radhët e partisë së Isni Kilajt.

Isni Kilaj, zëvendësministri që vjen nga radhët e PDK-së, ka pohuar për KALLXO.com se për përzgjedhjen e saj në këtë ministri nuk ka pasur ndikim politik.

Ai deklaron se vajza e tij ka kualifikimin e duhur për këtë pozitë.

“Ende nuk ia ka fillu punës, nga të gjitha gjasat është përzgjedh se është profesioniste dhe përveç kësaj ajo që 7-8 vite është e diplomuar në drejtimin e Hidros, dhe pa punë ka qenë deri më tash. Që është vajza jem nuk d.m.th. që duhet me kalu jetën pa punë. Nuk kam pasur ndikim”, u shpreh Kilaj.

Zyrtarja e re për Vlerësimin e Gjendjes së Ujërave Sipërfaqësore në MMPH është vlerësuar më 73.65 për qind.

Më 6 maj, Kilaj është rizgjedhur edhe kryetar i PDK-së në komunën e Malishevës,

Ai ka qenë dhe zëvendësministër i Bujqësisë dhe po ashtu zëvendësministër i Ministrisë së Financave.

https://kallxo.com/pasuria-e-kryetarit-te-pdk-se-ne-malisheve-isni-kilaj/