Vajza e nënkryetarit të Komunës së Drenasit punësohet si mësimdhënëse
Vajza e nënkryetarit të Komunës së Drenasit, Nazmi Hasi, është punësuar si mësimdhënëse në një shkollë të kësaj komune.
Adrianë Hasi është përzgjedhur si kandidatja më e suksesshme për pozitën e mësimdhënëses të lëndës së Gjuhës Angleze, në shkollën fillore “Fazli Grajqevci” në fshatin Vasilevë.
Në bazë të njoftimit të rezultateve të publikuara të mërkurën, më 28 tetor, Adrianë Hasi do ta ushtrojë këtë profesion “deri sa të kthehet mësimdhënësi prej funksionit zyrtar”.
Konkursi është shpallur me datën 2 tetor 2020, që përfshin edhe pesë pozita të tjera për mësimdhënës nëpër institucione të tjera arsimore.
Anëtarët e Komisionit kanë qenë; Arbesa Islami-Dobra – kryetare e komisionit, Sahadete Bytyqi, anëtare dhe Agim Gashi, anëtar.
Lidhur me përzgjedhjen e vajzës së nënkryetarit, KALLXO.com ka kontaktuar me Komunën e Drenasit, të cilët përmes një përgjigje elektronike kanë deklaruar se nuk mund të penalizohet kandidatja vetëm pse është vajza e nënkryetarit të Komunës.
“Kriteret e vlerësimit kanë qenë rezultatet që kanë dhënë kandidatët në testimin me shkrim dhe me gojë… Komisioni ka qenë i pavarur në marrjen e vendimit dhe vlerësimi është bërë sipas Udhëzimeve të Ministrisë së Arsimit. Sipas komisionit, nuk mund te penalizohet kandidatja pse është vajza e nënkryetarit te Komunës”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim.
Për ushtrim të ndikimit për të punësuar vajzën e tij e ka mohuar edhe vet nënkryetari Nazmi Hasi.
Hasi në një prononcim për KALLXO.com ka deklaruar se ai si nënkryetar nuk mund të ketë kompetenca për emërime nëpër institucione arsimore.
“Unë jam nënkryetar dhe kompetencat për përzgjedhje i ka komisioni që zgjidhet nga Drejtoria komunale e Arsimit dhe nuk kam interferencë aty aspak.. Procesi është shumë transparent, mund të vini kurdo qoftë dhe do të keni qasje në atë proces. Nuk d.m.th. që tash që jam nënkryetar mi privu anëtarët e familjës me konkurru e me u zgjedh nëse janë më të mirët”, tha Hasi.
Adrianë Hasi kishte aplikuar edhe muaj më parë në konkurs për mësimdhënëse në një shkollë tjetër, por që nuk i kishte shkuar deri në fund procedurave të testimit.
Babai i saj e ka pohuar për KALLXO.com se në atë vend të punës kishte ndikuar ai që të mos pranohet, se siç thotë ai, mund të krijonte ‘keqkuptime’.
“Në konkursin e gushtit ka qenë në po ashtu për mësimdhënëse në shkollën ‘Halil Bajraktari’ në Drenas, afër shtëpisë. Edhe aty ka tregu suksesin më të mirë në testin më shkrim, mirëpo unë personalisht kam ndiku që të mos shkoj aty që të mos keqkuptime, mirëpo çdo herë nuk mund të ia mohoj të drejtën me konkurru e me u zgjedhë kur rezulton ma e mira”, u shpreh ai.
KALLXO.com ka raportuar edhe për punësimet të tjera në komunën e udhëhequr nga Ramiz Lladrovci.
Më 24 mars 2019 u raportua se gruaja e Flamur Currit, shef i kabinetit të kreut të Drenasit, Ramiz Lladrovcit, është punësuar në pozitën e zyrtares ligjore në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në këtë komunë.
Kurse në muajin nëntor të po të njëjtit vit, u raportua se gruaja e asamblistit të Asamblesës së Drenasit nga radhët e PDK-së, Bekim Lestrani, është punësuar së fundmi si mësimdhënëse në një shkollë të kësaj komune.