Foto: Let's Do It Kosova

Ujërat e turbullt: Ndotja që po mbyt liqenet dhe lumenjtë e Kosovës

Ndotja e përhapur po mbyt lumenjtë e Kosovës dhe po ndot ujin e pijshëm. Qeveritë e njëpasnjëshme kanë bërë shumë pak për ta ndalur këtë gjë.

 

Nerimane Ferizi ishte vetëm 20 vjeçe kur vendosi të bëhej gardiane e ujërave në qytetin e saj të lindjes, Mitrovicë, në të njëjtin vit kur Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia.

Dymbëdhjetë vjet pas, Ferizi vazhdon të luftojë të njëjtën betejë, si monitoruese e gjendjes së ambientit e sidomos ujërave në Mitrovicë, për organizatën mjedisore “Let’s Do it Kosova!”, pjesë e rrjetit “Let’s Do it World!” që punon për të promovuar një botë pa ndotje.

Mitrovica në veri të Kosovës është një qytet i ndarë, midis serbëve etnikë që ndodhen në pjesën veriore të lumit Ibër dhe shqiptarëve etnikë kryesisht në jug të tij.

Megjithatë, një nga gjërat e përbashkëta që ndajnë politikanët në të dy anët e lumit është mungesa e interesit për problemet mjedisore të qytetit.

Më shumë se dy dekada që nga lufta e viteve 1998-1999 në Kosovë, ndarja etnike e Mitrovicës ka bërë që pjesa veriore e Kosovës të jetë edhe pjesa më e pa administruar dhe rrjedhimisht edhe për nga ndotja, pjesa me numrin më të madh të deponive ilegale të mbeturinave.

“Lumenjtë dhe liqenet pastrohen, por pas një jave ata janë përsëri plot me mbeturina”, thotë Nerimane Ferizi për BIRN. “Mund të duket e pabesueshme, por kështu është”.

Liqeni jetik i mbushur me mbeturina

Në vitin 2018, një aksion pastrim i deponive ilegale të mbeturinave në veri të Mitrovicës, nga organizata “Let’s Do it Kosova” dhe ministria e mjedisit e Kosovës, rezuloti me mbushjen e më shumë se 600 thasëve me mbeturina.

Vend i njohur për hedhjen e mbeturinave është edhe Liqeni i Ujmanit, që shtrihet në kufirin midis Serbisë dhe Kosovës dhe gjendet në komunën veriore të Mitrovicës, respektivisht në Zubin Potok, komunë kjo me shumicë serbe.

Liqeni artificial furnizon me ujë të pijshëm më shumë së një të tretën e popullsisë prej 1.8 milionë banorësh të Kosovës, si dhe uji i tij përdoret si ftohës për dy termocentralet e qymyrit që garantojnë prodhimin e pothuajse të gjithë energjisë elektrike në vend.

E megjithatë, liqeni është i mbushur me mbeturina, ashtu si shumë burime të ujit në Kosovë.

“Kompanitë e ndërtimit, në mungesë të një deponie ku të mund të depozitojnë mbeturinat nga ndërtimi në Mitrovicë, shkojnë nga jugu në veri dhe i derdhin mbeturinat e tyre pranë bregut të lumit ose brenda në të”, tregon Luan Hasanaj, drejtori ekzekutiv i “Let’s Do it Kosova”.

Hasanaj tha se shumica e mbeturinave nga kompleksi dikur më i madh i plumbit, zinkut dhe argjendit, pra i Trepçës në Mitrovicë përfundojnë gjithashtu në liqen.

Foto: Let’s Do it Kosova

Kryetari i komunës së Zubin Potokut, Srdjan Vuloviç, një ish-drejtor për menaxhimin e mirëmbajtjes së Liqenit të Ujmanit, nuk iu përgjigj kërkesës sonë në lidhje me një deklaratë në lidhje me këtë.

Përveç Ujmanit, edhe katër lumenjtë kryesorë në rajonin e Mitrovicës janë të ndotur, kryesisht për shkak të derdhjes së ujërave të zeza direkt në ujërat e tyre, tregon Irfan Peci, zyrtar i mjedisit në komunën e Mitrovicës jugore.

“Më i ndoturi është lumi i Sitnicës”, tha Peci. “Fillon nga mbeturinat industriale që vijnë nga KEK (ndërmarrja shtetërore e energjisë elektrike Korporata Energjetike e Kosovës) dhe vazhdon përmes lumit në Vushtrri dhe në pastaj Mitrovicë”.

Komuna e Mitrovicës mori një grant prej 45 milionë eurosh nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, BERZH, për të ndërtuar një impiant për trajtimin e ujërave të zeza, por puna u shty për shkak të pandemisë së COVID-19.

Shtimi i deponive ilegale të mbeturinave

Ndotja e ujërave nuk është e kufizuar vetëm në veri. Të tetë lumenjtë dhe pesë liqenet kryesore të Kosovës janë shkatërruar nga deponitë e paligjshme. “Let’s Do it Kosova” ka identifikuar 100 të tilla vetëm afër ujërave.

“Nuk ka vend ku nuk kemi gjetur deponi  pranë brigjeve ose në ujë”, tha Hasanaj për BIRN.

Këtë janar, kompania “Pestova”, e cila prodhon patatinat e famshme “Vipa Chips”, u gjobit me 500 euro pasi një banor i Vushtrrisë, në rrugën për në kryeqytet, Prishtinë, filmoi një kamion teksa derdhte mbeturina patatesh në lumin Sitnicë, një nga burimet kryesore të ujit natyror në rajon.

Ata që jetojnë në Vushtrri janë ankuar vazhdimisht për ndotje nga disa fabrika. Në shtator 2018 u bë një peticion për heqjen e një thertoreje që ndodhej pranë lumit Sitnica. Por as deri më sot nuk u bë asgjë për këtë.

Kryetari i komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, tha se thertorja do të largohet që aty “shumë shpejt” dhe këmbënguli se autoritetet lokale ishin të vetëdijshëm për kërcënimin për burimet lokale të ujërave.

“Janë filluar procedimet penale kundër disa individëve privatë të cilët kanë ndotur lumenjtë”, tha Tahiri për BIRN. “Këtë vit ne kemi planifikuar një projekt prej 1.8 milionë eurosh për shtratin e lumit Sitnica.” Megjithatë, pandemia bëri që edhe ky projekt të shtyhej.

Lumenj të zinj

Një raport i publikuar në mars 2020 nga Instituti Demokratik i Kosovës, anëtar i Transparency International, e cilësoi Sitnicën si një nga lumenjtë më të ndotur në Kosovë.

Sitnica dhe lumenjtë e tjerë kryesorë janë “aq të ndotur, saqë uji nuk mund të përdoret si burim furnizimi me ujë dhe, në disa vende, as për vaditje”, tha IDK në raportin e titulluar “Lumenjtë e Zinj të Kosovës”.

Sipas Diana Metushi-Krasniqit, autorja e raportit, Kosova përballet me probleme sistematike përsa i përket trajtimit të ujërave, së pari dhe mbi të gjitha për ujërat e zeza të pa trajtuara dhe ujërat industriale që lejohen të derdhen, pa u trajtuar dhe në mënyrë të paligjshme, nëpër lumenjtë e vendit.

“Kemi disa raste ndotje industriale që ka shkaktuar dëme të mëdha”, tha Metushi-Krasniqi për BIRN. Ajo tha se ishte ngritur një padi në një rast në lidhje me lumin Lepenc në juglindje të Kosovës, por tha se “për raste të tjera nuk ka ende përgjigje”.

Foto: Let’s Do it Kosova

Në një raport të vitit 2020, Banka Botërore kritikoi institucionet e Kosovës për dobësinë e tyre përsa i takon vënies në zbatim të rregullave ekzistuese. Si ky raport ashtu edhe ai i IDK-së identifikuan KEK-un si fajtor kryesor.

Zëdhënësi i KEK-ut, Skënder Bucolli, tha se të dy raportet nuk ishin të saktë.

“Situata mjedisore ka ndryshuar për mirë”, tha ai për BIRN.

Ndotësit e mëdhenj çohen në gjykatë

Përveç KEK-ut, uzina e nikelit “Newco Ferronikeli” dhe prodhuesi i çimentos “Sharrcem” u identifikuan gjithashtu si ndotës të mëdhenj. Asnjëra nga këto dy kompanitë e fundit nuk iu përgjigj kërkesave të BIRN për koment në lidhje me këtë.

Ministria e mjedisit e Kosovës ka ngritur akuza kundër KEK-ut dhe “Ferronikeli”-t për “ndotje të mjedisit”. Çështja kundër KEK-ut është ende në vazhdim e sipër, ndërsa “Ferronikeli” u gjobit me 40,000 euro.

Në tre vitet e fundit, më shumë se njëqind kompani të tjera janë dërguar në gjykatë për ndotje të mjedisit. Njëzetë e katër u gjobitën.

Raporti i IDK-së theksoi gjithashtu problemin e ndotjes nga minierat e plumbit dhe zinkut Artana dhe Kishnica, që derdhen në lumin e Graçanicës, një burim uji i pijshëm për qytetin e Graçanicës në jug të kryeqytetit dhe të fshatrave përreth. Uji është gjetur se përmban nivele të larta të jonit sulfat që mund të shkaktojë dehidratim dhe diarre.

Zëdhënësi i komunës së Graçanicës, Leutrim Ajeti, tha se Qeveria e Kosovës kishte ofruar shumë pak ndihmë.

“Deri më tani, nuk është bërë asgjë në lidhje me ndotjen, përveçse që ministria ka financuar betonimin e bregut të lumit të Graçanicës”, tha ai.

Sipas raportit të IDK-së, përveç jonit sulfat, lumi Graçanicë ka përqendrimin më të madh të manganit ndër lumenjtë në Kosovë, i cili mund të shkaktojë dëmtim të sistemit nervor.

Ndërkohë që nuk komentoi konkretisht për lumin Graçanicë, ministria e mjedisit i tha BIRN se ishin kryer studime fizibiliteti për ndërtimin e impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura në Prishtinë, Mitrovicë, Gjilan, Ferizaj, Prizren, Gjakovë, Pejë dhe disa qytete dhe fshatra të vegjël.

Ajo tha se ndërtimi ishte në punë e sipër në Prizren, Gjakovë dhe Pejë.

Një sy qorr

Në vitet e fundit, raportime për peshq të ngordhur që dalin në sipërfaqe në lumenjtë e Kosovës kanë shtuar thirrjet për veprim.

Raporti i IDK-së, megjithatë, paralajmëroi se përveç kërcënimit për jetën e egër, ndotja e ujit rrezikon edhe shëndetin e njerëzve të Kosovës. Shumë shtëpi në zonat rurale vazhdojnë të përdorin ende puset, tha ai, të cilët mbushen nga burime me ujë të ndotur. Cilësia e këtij uji nuk i nënshtrohet inspektimit.

Duke përmendur statistikat nga Instituti Kombëtar të Shëndetit Publik nga viti 2017, raporti vuri në dukje një rritje shqetësuese të rasteve të të prekurve me diarre dhe salmonelë.

Luan Hasanaj nga “Let’s Do It Kosova” tha që dështimi i qeverive të njëpasnjëshme për të zgjidhur problemin e ndotjes kishte ushqyer një lloj neglizhence të përgjithshme brenda shoqërisë kosovare përsa i takon ujit si një e mirë publike që ka nevojë për mbrojtje.

“Për shembull, nëse shikoni shtëpitë dhe oborret tona, ato janë të pastra. Njerëzit janë të vetëdijshëm për rëndësinë e një mjedisi personal të pastër, por jo për rëndësinë e një mjedisi të përbashkët të pastër”, tha Hasanaj.

Në Mitrovicë, Nerimane Ferizi akuzon banorët dhe inspektorët komunal se bëjnë një sy qorr para ndotjes.

“Si shoqëri, ne ende nuk i kuptojmë shkaqet e sëmundjeve tona”, tha ajo për BIRN. “Ato vijnë nga ajri dhe nga uji i papastër dhe ne jemi përgjegjës për këtë. Ne jemi një shoqëri kolektive, por kemi dështuar të ndërtojmë një përgjegjësi kolektive.”

 

Ky artikull u prodhua me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e BIRN dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.