Foto: BIRN

Tregtia ilegale e thëngjillit dhe vdekja e 3700 kosovarëve nga ajri i ndotur

Në verën e nxehtë, kur të gjithë mund të mendojnë si të freskohen, Valbona Maliqi nga Prishtina, bën plane se si të ngrohet.

Përgatitjet për dimër ajo i fillon qysh në fund të stinës së verës. Në depon e saj, vendos disa metra kub dru e më shumë metra kub thëngjill që zakonisht i blen në tregun e hapur në kryeqytet.

“Është më lirë thëngjilli, prandaj e blej”, thotë Valbona për BIRN. Ajo është e vetëdijshme se djegia e thëngjillit shkakton ndotje të ajrit.

“Nuk di si t’ia bëj ndryshe”, thotë ajo, pranë së cilës qëndrojnë tre fëmijët e saj. Këta thëngjill ajo nuk e blen shumë larg nga shtëpia-tek vendi që njihet si “Xhamia e Llapit”.

“Zakonisht nuk i pyes se nga është thëngjilli”, thotë ajo. “Por një herë njëri tregtar më tha se është nga Zhilivoda dhe është shumë i mirë”. E ky fshat është vetëm rreth 35 minuta larg kryeqytetit.

Pazari i zorit

Në vendin ku e përmend Valbona, ka shumë shitës thëngjilli. Ata që tregtojnë, thonë se këtë e bëjnë në përpjekje për të nxjerrë ndonjë fitim.

“Prej zori po e shes”, thotë Fitimi, pa dashur t’i përmendet mbiemri,  një prej shitësve të shumtë të thëngjillit, që tregton këtë lëndë  ngrohjeje afër vendit të quajtur ‘Xhamia e Llapit”.

Ai tregon se thëngjillin, si edhe shumë tregtarë të tjerë, e merr në fshatin Zhilivodë të komunës se Vushtrrisë.  Fshati ndodhet afër mihjes sipërfaqësore të Sibovcit.  Në tokat private, shumë banorë të zonës, nxjerrin thëngjill-krejt ilegalisht.

Një metër kub thëngjill, në vendin ku nxirret, blihet rreth 15 euro, kurse shitet nga 20 deri ne 25 euro, varësisht nga blerësi dhe sezoni.

Foto: BIRN

“Thëngjillin e marrim në Zhilivodë. Atje është  shumë rrezik sepse gropat janë të thella”,  thotë Fitimi për BIRN. Gropat në formë pusesh në këtë fshat, ku ishte edhe BIRN-i, duken  të rrezikshme dhe gati të shmebne në cdo cast. Nga mënyra e parregullt se si janë hapur, është  dëshmi e nxjerrjes ilegalisht të thëngjillit nga banorët e zonës.

Ata që i takoi BIRN-i në këtë fshat, nuk deshën të identifikohen, por megjithatë lejuan të shkrepen disa fotografi. Thellësia e gropave  afërsisht fillon nga 4 metra më pak e thellë e deri  në 50 metra më e thella.

Me një prej banorëve që nxirrte thëngjill, bisedoi BIRN-i. Pa dashur t’i përmendet identiteti, ai tregon arsyen përse merret me këtë punë të rrezikshme dhe ilegale.

“Duhet të jetojmë. Nuk kemi punë tjetër”, thotë ai, rreth të 20-ve. Tregon se vetë, ka filluar së voni, por këtë punë e kanë bërë të gjithë para tij, vëllezërit e babai, të cilët ende vazhdojnë.

Brenda ditës thotë se fiton deri 20 euro nga copëzat e thëngjillit që arrin t’i nxjerrë e t’i shesë me thes.  “

“Këta në thes e shesim zakonisht tek qebaptoret”, thotë djali nga Zhilivoda. “Këtë punë e bëjnë kur është moti i mirë”, thotë ai. “Lagështia e tokës e shton rrezikun e shembjes”

Kushtet jo të mira ekonomike të këtyre personave, bëjnë që zinxhiri i tregtisë ilegale të thëngjillit të jetë më i gjatë. Në Zhilivodë, në njërin nga vendet e shumta në Kosovë që nxirret thëngjill, e komuna të ndryshme shitet.

Të ngjashme ka edhe në Polac të Skenderajt e në Hade të Obiliqit, kurse tregtia bëhet thuajse në të njëjtën mënyrë.

Në Prishtinë, Fitimi, që thëngjillin për ngrohje e shet me kamionetë. “S’kemi nga t’ia mbajmë”, thotë ai  duke e pohuar se e di që puna që bën është ilegale.

Ai tregon se kishte raste kur inspektorët e KPMM-së dhe policia ia kishin konfiskuar thëngjillin, duke e detyruar ta dërgojë e zbrazë tek ‘ Kosova Thëngjilli sh.a’.

“Kosova Thëngjilli” është shoqëri aksionare, pjesë e  KEK-ut, e cila bën tharjen e thëngjillit, tek e cila autoritetet e dërgojnë thëngjillin e konfiskuar.

Në tetor 2018, Ministria e Mjedisit e mbështetur nga policia dhe institucionet tjera përkatëse, kishin  ndërmarrë aksion për konfiskim të thëngjillit në përpjekje për parandalim të ndotjes së ajrit.

Sasia e konfiskuar ishte relativisht e madhe, pro askush nuk jep shifra të sakta.  Megjithatë, fushata për parandalimin e shitjes dhe djegies së thëngjillit, për shkak të ndotjes së ajrit, nuk është se të gjithëve ua ka mbushur mendjen.

“Gjithë jetën jemi ngrohë me thëngjill e kurrë asgjë nuk na ka ndodhë asgjë”, thotë Fitimi për BIRN.

Sidoqoftë, tjetër mendim në lidhje me ndotjen e ajrit  ka Valbona, blerësja e rregullt e thëngjillit. Ajo e di se ajri ndotet nga djegia e tij.

“Sikur të ishte peleti më lirë, nuk do ta përdorja thëngjillin”, thotë ajo.  Por mes ngrohjes me thëngjill  dhe ajrit të ndotur, shumë aplikojnë zgjedhjen e parë.

“E di që ajri i ndotur nga thëngjilli mund të jetë kanceroz, por s’kam zgjidhje tjetër”, thotë Valbona për BIRN.  Ky ishte  viti i pestë që familja e saj pesë anëtarësh zgjedh thëngjillin për ngrohje.

Me të hyrat mujore në përgjithësi prej 700 eurosh, paga e saj  300 euro, e bashkëshortit si punëtor i rregullimit te makinave prej 400 eurosh, për këtë familje më lirë është ngrohja me thëngjill.

Një metër kub dru kushton deri në 35 euro, një ton pelet deri në 200 euro, kurse një metër kub thëngjill është 25 euro apo siç thonë tregtaret 200 euro kamioni.

Në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka kohë që kanë alarmuar për rrezikun nga ajri i ndotur, si pasojë e djegies së thëngjillit. Këtë e përsërisin edhe në përgjigjen kthyer BIRN-it.

Deri me tash janë shqiptuar 109 gjoba mandatorë, por jo edhe për djegie të thëngjillit. Ministria deklaron se thëngjilli po merret nga eksploatimet ilegale që bëhen në zonat si Zhilivoda.

“Ministria e Mjedisit do të punojë në informimin e qytetarëve për pasojat e djegies së thëngjillit dhe rëndësinë e mbrojtjes se ajrit nga ndotja”, thonë në përgjigjet me shkrim, kthyer BIRN-it nga kjo ministri.

“Inspektorët tanë, bashkë me ata të Komisionit të Pavarur për Miniera e Minerale dhe asistim të Policisë, po bëjnë konfiskime të thëngjillit në çdo vend ku haset shitja ilegale”.

Deri më tash kanë konfiskuar 15 kamionë, që janë dërguar në TC Kosova A. Por në Ministrinë e Mjedisit  nuk japin shpjegim se sa është shuma e gjobave të shqiptuara.

Në Korporatën Energjetikë të Kosovës (KEK) e cila prodhimin e rrymës e bën nga djegia e thëngjillit, prioritet kanë furnizimin e qytetarëve me energji elektrike.

“Jashtë kësaj, KEK ka një kontratë kornizë për shitjen e një sasie të limituar të qymyrit për Kosova-Thëngjillin Sh. A”, thotë Skender Bucolli, drejtor i zyrës për Informim në KEK.

“Kontrata është nënshkruar në përputhje me ligjin dhe pas zhvillimit të aktivitetit të prokurimit”, thotë Bucolli për BIRN.

“Kosova-Thëngjilli Sh. A’  ka obligim kontraktual që gjatë shitjes së mëtejme të përkujdeset që thëngjilli të destinohet vetëm për përdoruesit që bëjnë djegieje përmes kaldajave e që bëjnë reduktimin e emetimeve të dëmshme”.

Megjithatë, thëngjill në Kosovë shitet edhe në forma të tjera më të lehta. Njëra ëhstë përmes internetit, ku shitësit publikojnë njoftimet. Merrjep.com është një prej tyre.

Duke u prezantuar si blerës nga Vushtrria, BIRN-i kontaktoi njërin prej këtyre personave që njofton se shet thëngjill. Ai si edhe të tjerët kanë publikuar numrat e telefonit.

Ky shitës thotë se thëngjillin e nxjerr nga toka e vet, duke garantuar edhe për cilësinë e tij. Por thotë se nuk e kryen transportin.

“Nëse vjen me e marrë te shtëpia, thesin e kam 1.5 euro. E nëse do që ta sjell, është  2 euro”, thotë shitësi, detajet e të cilit, përfshirë edhe bisedën, i posedon të incizuara BIRN-i.

“Nuk dal në treg, por në shtëpi të gjithin e kam në thasë”, përgjigjet ai, në pyetjen e BIRN-it nëse thëngjillin e shet në treg.

Kështu, bashkë me shitjen e thëngjillit e djegien e tij, vazhdon edhe ndotja e ajrit. Niveli i ndotjes gjatë dimrit, në kryeqytetin kosovar,  vazhdimisht qëndron në nivele të larta.

Një ajërmatës për monitorimin e ndotjes së ajrit të vendosur nga Ambasada e SHBA-së, në qendër të Prishtinës, kryeqytetin kosovar e pozicionon ndër vendet e para.

Institucionet formuan Taskë Forcë, përmes së cilës synojnë përmirësimin e  gjendjes. Task Forca e Ministrisë së Mjedisit, ka ndaluar përdorimin e  thëngjillit në institucionet publike, përfshirë shkollat e çerdhet. Por djegia e tij nga ekonomitë familjare vazhdon.

Që situata të përmirësohet, vazhdon investimi në  zgjerimin e rrjetit të koogjerimit në Prishtinë. Koogjenermi është shfrytëzimi i avullit që lëshon KEK-u, gjatë prodhimit të rrymës, për të cilin digjet thëngjilli.

Por, aktualisht, vetëm disa ndërtesa kolektive në disa  lagje të Prishtinës, mund të ngrohen në këtë mënyrë.  Të tjerat nuk janë të lidhura me rrjetin e Termokosit, përgjegjës për këtë sistem.

E në  këtë ndërmarrje publike,  thonë se zgjerimi i rrjetit do të zgjidhë përfundimisht problemin e furnizimit me ngrohje dhe do të eliminonte ndotësit potencialë.

“Që nga sezoni i ardhshëm ngrohës, me donacionet e siguruara nga Komisioni Evropian dhe KfW,  do të fillohet kyçja e dhjetëra objekteve banesore në ngrohje”, thotë Afërdita Uka, zëdhënëse e Termokosit.

“Ndërtesat janë afër ‘Rrugës B’, një pjesë të lagjes ‘Kalabria’, dhe disa objekte tjera në lagjet ‘Qendër’ e ‘Ulpiana’”, thotë Uka për BIRN.

Aktualisht, vetëm  rreth 100 shtëpi private në Prishtinë janë të lidhura me këtë sistem ngrohjeje.

Përfshirja e më shumë ndërtesave në sistemin e ngrohjes me avull, megjithatë merr kohë. Deri atëherë, prishtinasit do të vazhdojnë të shfrytëzojnë thëngjillin.

Foto: BIRN

Të vetëdijshëm për situatën janë edhe në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik. Ministri Valdrin Lluka e konfirmon se djegia e thëngjillit është ndotësi kryesor i ajrit.

“KEK kontribuon në ndotje të Prishtinës me rreth 8 deri 10 për qind të të gjithë ndotjes”, tha  Lluka, në njërin nga postimet e tij në Facebook, me 30 janar 2018, kohë kur  debat i madh shpërtheu në opinion rreth ndotjes së ajrit.

Lluka thotë se Termocentrali “Kosova B” është ndotësi më i madh se Termocentrali “Kosova A”, pavarësisht se ky i fundit është më i vjetër. Ai jep edhe arsyetimin.

“Filtrat e ‘Kosovës A’ janë ndërruar në vitin 2011 kurse të ‘Kosovës B’ asnjëherë që nga viti 1985”, shkroi Lluka.

Por me këtë deklarim nuk pajtohen në KEK. Për çështjen e ambientit, korporata deklaron se është në koordinim të plotë me aksionarin (Qeverinë e Kosovës) respektivisht, me masat  e ndërmarra nga MMPH-ja.

“KEK-u ka prioritet furnizimin e dy Termocentraleve me thëngjill”, deklarojnë zyrtarët e  KEK-u në përgjigjet për BIRN-in. Megjithatë, ata nuk komentojë drejtpërdrejtë deklaratën e ministrit Lluka në lidhje me vjetërsinë e filtrave të dy termocentraleve.

Në tërë këtë situatë, sytë kthehen nga moti. Madje këtë e bëjnë edhe ministrat, si  Valdrin Lluka. Ai thotë se fati i qytetarëve të Prishtinës është se në të shumtën e kohës, rrymat e ajrit nuk e drejtojnë tymin e KEK-ut në drejtim të kryeqytetit.

Në gjithë këtë situatë, nuk mungojnë edhe paditë. Në vitin 2016, sipas të dhënave të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit,  janë ngritur mbi 500 padi ndaj operatorëve ekonomikë. Të gjitha vetëm për ndotje të ambientit.  Sidoqoftë, vetëm ndaj 20 prej, gjykata kanë  ndërmarrë masa.

Ajri që sjell vdekjen

Vendimet për përmirësimin e cilësisë së ajrit,  marrin shumë kohë. Por kohë nuk humbë vdekja. Numri i vdekjeve me pasojë ajrin e ndotur, vazhdon të rritet.  Të dhënat pasqyrohen edhe në të dhënat e Agjencisë Evropiane e Mjedisit.

“Cilësia e ajrit në Evropë-2018”, është raporti i fundit i kësaj agjencie. Aty pasqyrohen të dhënat e vdekjeve në vlerë absolute, të përpunuara në raport me popullsinë e vendeve përkatëse.

Raporti i vitit 2018, në fakt ka të përpunuara të dhëna të vitit 2015. Në vendin me 1.8 milionë banorë, Kosova kishte 3,700 vdekje të shkaktuar si pasojë e ajrit të ndotur.

Në raport me numrin e popullsisë, kjo e radhitë Kosovën në shtetin e parë në Evropë, ku ajri i ndotur përbën 0.2% të numrit të vdekjeve në vend.

Sa për krahasim, në Serbi, ky tregues është 0.18% (rreth 13 mijë vdekje), kurse  vendi  ka popullsi katër herë më të lartë sesa Kosova.

Ndërkohë, në Maqedoni është 0.14% e popullsisë (3,000 vdekje), që ka numër të popullsisë gati  një herë më shumë se vendi ynë.

Kështu, dy shtete fqinje me Kosovën radhitën në vend të dytë dhe të tretë në Evropë.

Raportet në lidhje me këtë cështje, zakonisht publikohen vite më vonë për shkak të komplekisitetit të tyre. Në një të tillë të publikuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetesisë Publike të Kosovës.

Numri i të vdekurve nga sëmundjet e frymëmarrjes për vitin 2015 ishte  227 persona  ose rreth 13 të vdekur në 100.000 banorë. Kjo bazuar në rastet e vdekjeve të regjistruara.

“Këto sëmundje zënë vendin e katërt në shkaqet e vdekjeve në total“, shkruan në dokument.

“Nga ky grup diagnozat më të shpeshta si shkak i vdekjes kanë qenë sëmundjet kronike të rrugëve të poshtme të sistemit të frymëmarrjes, me 77 raste“.

Në dokument, instituti ka evidentuar se shëndeti është i lidhur ngushtë me kualitetin e ajrit dhe prania e ndotësve të ndryshëm paraqet kërcënim potencial për shëndetin e njeriut dhe mjedisin.

“Ajri i ndotur në mënyrë të drejtëpërdrejtë ndikon në sistemin e frymëmarrjes (sistemin respirator), pra vështirëson frymëmarrjen, zvogëlon kapacitetin e mushkërive, ulë imunitetin,favorizon infeksionet e traktit respirator, ndikon në shfaqjen e alergjive,shkakton lodhje etj“.

Ajri i ndotur gjithashtu përkeqëson gjendjen shëndetësore të atyre që vuajnë nga bronkiti kronik, asthma bronkiale, emfizema , pneumonia, kanceri, etj.

Ndër rekomentimet që ky institut jep për zvogëlimin e ndotjes së ajrit, janë ulja e përdorimit të automjeteve private, shfrytëzimi më shumë i trafikut urban, ndalimi i djegies së mbeturinave dhe përfshirja e sa më shumë objekteve në sistemin e ngrohjes qëndrore.

Alarm për ndotje të ajrit ka dhënë edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë(OBSH), duke deklaruar se Kosova është vend i rrezikuar.

OBSH-ja disa herë ka deklaruar se ndotësit më të mëdhenj të ajrit në Kosovë janë dy Termocentralet ‘Kosova A” dhe “Kosova B”.

Përveç kësaj, këto dy korporata, kanë të punësuar rreth 5 mijë persona. Për vite me radhë, pjesa dërmuese e tyre, kanë marrë thëngjill për ngrohje në formë dhurate nga vetë korporata.

Për herë të parë në tërë këto vite, kjo është ndaluar këtë vit me vendim të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik. Në përpjekje për uljen e ndotjes së ajrit, gjithashtu, synohet që Ministria e Infrastrukturës,  të vazhdojë angazhimin në zbatimin e udhëzimit për kontrollimin e gazrave të veturave, gjatë kontrollimit teknik të automjeteve.

Foto: BIRN

Nga fillimi i vitit 2019 është vendosur për vënien e pullave ambientale, ndërsa Policia, sipas MMPH-së, do të asistojë Inspektoret e Komisionit për Miniera dhe Minerale për ndalimin e eksploatimit dhe shitjes së thëngjillit, siç parashihet edhe me ligjin për miniera.

“Presim gjithashtu rezultatet e studimit të JICA-s për ndotësit kryesor të ajrit ne Prishtinë, rezultate që do të shpallen ne muajin prill 2019”, thonë për BIRN, nga Ministria e Mjedisit.

“Këto të dhëna do të na shërbejnë për të ndërmarrë masa veprimi në këtë sezon vjeshtë-dimër”.

Nga kjo ministri deklarojnë se për ta përmirësuar cilësinë e ajrit, duhet të mobilizohen edhe komunat, të cilat duhet të hartojnë planet e veprimit për reduktimin e ndotjes.

Që kjo të ndodhë,tashmë kanë filluar përgatitjet e bazës ligjore për krijimin e policisë mjedisore. Zyrtarët e Ministrisë së Ambientit deklarojnë se ajo do të merret me krimet eventuale mjedisore.

Megjithatë, as vetë zyrtarët e këtij dikasteri, nuk janë aq optimist për zgjidhjen e kësaj çështjeje,  meqë deklarojnë se ndotja e ajrit është problem që nga paslufta dhe nuk priten rezultate të shpejta.

“Kjo çështje varet nga disa ministri se sa shpejtë arrijnë që të përmbushin obligimet e tyre ligjore në fushën e mbrojtjes së ajrit”.

Në Komisionin e pavarur për Miniera e Minerale thonë se  bashkë me Inspektoratin dhe zyrtaren për kontrolle të kualitetit, e  cila për ndërmarrjet e licencuara por edhe tek ato për te cilat nuk kanë licencë apo leje, e megjithatë bëjnë shkaktojnë ndotje të mjedisit,  bëjnë raporte lidhur me gjendjen në terren.

“Në rastin konkret pas djegies së thëngjillit e që pason ndotja, kjo nuk hyn në domenin tonë”.

KPMM deklaron megjithatë se përmes inspektoratit bënë kontrolle të shfrytëzimit të resurseve natyrore e në këtë rast edhe të thëngjillit.

“Janë të evidentuara dhe të shënjuara një numër i madh i vend shfrytëzimeve të jashtëligjshme të këtij resursi-qymyrit”.

KPMM-ja deklaron se përmes inspektoratit dhe në bashkëpunim me inspektoret e MMPH, inspektorët komunalë dhe po ashtu me Policinë e Kosovës, kanë pasur aksione të përbashkëta rreth evidentimit dhe ndalimit te shfrytëzimit të  thëngjillit.

Konkretisht, KPMM-ja deklaron për BIRN se shkresa të tilla iu ka dërguare dhe kryetarëve të komunave, ku një prej tyre është edhe ai i Obiliqit, ku shpjegohet se nxjerrja dhe përdorimi i thëngjillit nga qytetarët në mënyrë private është e kundërligjshme.

Përveç kësaj, KMPP-ja thotë se  konkretisht nga inspektimet e përbashkëta janë bërë konfiskime të thëngjillit në treg, edhe pse janë sfiduar me  lloje të ndryshme problemesh.

Sidoqoftë, në Zhilivodë, ata që nxjerrin thëngjill nga arat e tyre, thonë se ka vite që aty nuk është parë ndonjë zyrtar i shtetit, as policë por as inspektorë, për t’iu ndalur punën.

Andaj në këtë vend, ku për të shkuar deri atje nuk ka asnjë tabelë që tregon emrin e fshatit, puna vazhdon si zakonisht . Aty tregtia vazhdon.

“Vi këtu e marr  thëngjillin e me këta  çka e shes e mbaj familjen 8 anëtarësh”, thotë një tregtar që ishte prezent ditën kur BIRN vizitoi këtë mihje private në Zhilivodë.

Ai thotë se e blen thëngjillin aty dhe e shet më pas në treg me çmim pak më të lartë, duke e konfirmuar se deri më tash  nuk e ka gjobitur apo ndaluar askush.

Sidoqoftë, ai e di që nëse kapt nga inspektorët apo policia, mundi do t’i shkojë dëm.

“E di që nëse më ndalin, ma marrin thëngjillin, ma konfiskojnë edhe me shkon huq”,  thotë ky tregtar nga Vushtrria.

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është
përgjegjësi e Edona Musa dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit
Europian ose BIRN-it dhe AGK- së.