Qentë endacakë (Ilustrim)

Trajtimi i fshehtë i qenve

“Menaxhimi dhe kontrolli i qenve endacakë” që po udhëhiqet nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë po bëhet larg syve të organizatave të shoqërisë civile.

Ky projekt ka filluar më 26 qershor, ndërsa AUV-ja ka kontraktuar konsorciume veterinare në të 7 rajonet e Kosovës të cilat po e zbatojnë projektin për kontrollin e qenve në teren. Por, puna që po bëhet në terren nuk është duke u monitoruar fare nga organizatat e shoqërisë civile. Projekti është paraparë të realizohet në disa faza. Parasheh së kapjen, vaksinimin, sterilizimin dhe lëshimin e qenve në vendin ku kanë jetuar. Por, në raste të caktuara është paraparë edhe vrasja e qenve përmes eutanazisë (vrasjes së qenve pa dhimbje duke përdorur injeksioneve në rastet të caktuara).

Eutanazia që kryhet sipas Udhëzimit Administrativ për Strehimoret e Përkohshme bëhet nga veterinari te kafshët “që shfaqin shenja të sëmundjeve të pashërueshme” dhe te “kafshët të cilat paraqesin rrezik për shkak të agresivitetit nëse lirohen përsëri në komunitet”.

Elza Ramadani, udhëheqëse e Fondacionit për të Drejtat e Kafshëve, ka thënë se organizatat jo-qeveritare për të drejtat e kafshëve kanë paraqitur kërkesa për t’ia siguruar “të drejtën në monitorim të të gjitha proceseve të projektit”.

Kërkesa e parë, sipas saj, është bërë, për herë të parë më 7 qershor 2018, më pas i është përsëritur AUV-së në takimin me OJQ-të më 20 qershor dhe së fundit dhe më 29 qershor, Agjencisë i është dërguar edhe një draft-memorandum mirëkuptimi. Deri më tani organizatat nuk kanë marrë përgjigje.

“Jemi ende në pritje që zyrtari i caktuar nga agjencia për këtë projekt, Z. Nol Kabashi, të na autorizojë si Organizata Joqeveritare me të drejtë në monitorim të të gjitha proceseve të projektit”, tha Ramadani për Gazetën JnK.

Ajo thotë se në ekipin e tyre kanë edhe veterinarë.

“I kemi dorëzuar listat me emra të aktivistëve dhe vullnetarëve (dhe një veterinarë në ekip), si monitorues zyrtarë nga organizatat tona, me detyrë që të jenë të përfshirë në të gjitha proceset. Listat i kemi dorëzuar zyrtarisht, në mënyrë që gjithçka të jetë e strukturuar profesionalisht dhe transparente edhe nga ana jonë”, shpjegoi udhëheqësja e fondacionit.

Veç tjerash, Ramadani shpjegon se OJQ-të për kafshët kanë bërë edhe kërkesë për qasje në “listat e të gjitha klinikave veterinare me veterinerët e tyre të përfshirë si fitues në tender – jo vetëm lista e publikuar në faqen e AUV-ës me detajet e liderëve të grupit për secilin regjion”.

Zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, Lamir Thaçi thotë se do t’i ofrojnë qasje publikut, duke iu referuar kërkesave që mund të vijnë nga gazetarët dhe organizatave të shoqërisë civile.

I pyetur rreth qasjes së organizatave që duan ta vëzhgojnë procesin, Thaçi u përgjigj se ai, personalisht, përpiqet t’i japë qasje sa më parë.

“Nuk kemi ndonjë rregull të shkruar, ndonjë rregull që na obligon që (leja për monitorim) të jetë 24 orë apo 48 orë. Mundohem që ta bëj (lejen) brenda ditës”, u tha ai.

Megjithatë ai tha se një pjesë e përgjegjësisë është te veterinarëve.

“E nëse praktika veterinare është e gatshme t’i japë informacion për çdo ditë organizatës së caktuar atëherë jemi mirë”, ka thënë ai.

Por, Gazeta ka gjetur se organizatat nuk ka marrë përgjigje pozitive nga AUV-ja përkundër faktit që kanë kaluar 1 muaj që nga paraqitja e kërkesës për monitorim.

Thaçi ka thënë se në të kaluarën ka pasur gazetar që kanë bërë reportazhe për këtë çështje dhe se shprehet i gatshëm që e njëjta praktik të vazhdojë.

“Sa i përket vizitave dhe transparencës, çdo gjë që kërkohet, ne do ta ofrojmë—sepse edhe ne jemi të interesuar që projekti të ketë rezultate sa më të mira… Kurdo që gazetarët kanë nevojë të shkojnë do të shkojnë (për t’i parë praktikat veterinare) përmes meje…Unë vetëm i njoftoj veterinarët dhe mund të shkoni edhe ju apo mund të vi edhe unë me ju”, shtoi Thaçi.

Rreziku i keqtrajtimit të qenve

Udhëheqja e Fondacionit, Elza Ramadani, thotë se monitorimi është i rëndësishëm sepse siç shprehet ajo, “në të kaluarën kanë qenë shumë evidente rastet e keqtrajtimeve të qenve të rrugës, në gjithë territorin e Kosovës”.

Gazeta Jeta në Kosovë ka publikuar një shkrim ku tregohet për pamjet e qenve të ngordhur në strehimoren e Pejës në vitin 2014.

Ndërsa në vitin 2016, Gazeta JnK ka shkruar për përdorimin të jashtëligjshëm (asokohe) të eutanazisë (vrasjes me qetësues dhe pa dhimbje për rastet e sëmundjeve të pashërueshme) nga ana e veterinarëve dhe për deklaratat e kryetarëve të komunave për problemin e qenve endacakë.

Udhëheqësja e Fondacionit thotë se ka pasur takime me liderët e grupeve veterinare në tri rajone: Prishtinë), Pejë dhe Gjakovë. Mirëpo, nuk ka arritur t’i takojë ende liderët e konzorciumeve të rajoneve tjera.

“Ende nuk kemi shkëmbyer informata me veterinerët në fjalë, në lidhje me trajtimin e qenve endacakë dhe punën e tyre, por jam optimiste që do të jenë bashkëpunues, ashtu siç kanë premtuar”, u shpreh Ramadani.

Ky fondacion është në pritje të përgjigjes nga ana e AUV-së për monitorim të zbatimit të këtij projekti.

Gazeta Jeta në Kosovë ka folur përmes telefonit me 9 veterinarë që e menaxhojnë projektin për qentë endacakë në komunat e tyre për të marrë informacione nëse ka nisur zbatimi i projektit, specifikisht për të kuptuar numrin e qenve që janë trajtuar deri më tani, duke përfshirë edhe numrin e qenve që janë eutanazuar (vrarë).

Nazmi Lahu nga Podujeva ka thënë numri i qenve që janë vrarë përmes eutanzuar është dy, ndërsa Hyzri Imeri nga Kaçaniku ka thënë se numri i qenve të eutanazuar (vrarë) ka shkuar në 4.

Ndërkaq, rreth procedurës së Kap-Vaksino-Sterilizo-Lësho, sipas veterinarëve, numri i qenve që janë trajtuar janë: rreth 100 (Elbasan Ibriqi nga Drenasi), 32 (Mehmet Maliqi nga Gjilani), rreth 50 (Avni Robaj nga Malisheva), 50 deri në 60 (Nazmi Lahu), rreth 60 (Taulant Kastrati nga Peja), mbi 30 (Elbasan Ibriqi nga Drenasi).

Marrëveshja e pa-shkruar

Por, tre të tjerët (Agron Pajaziti nga Ferizaji, Avni Kadriu, Faton Krasniqi) kanë thënë se për informacionet rreth projektit duhet drejtuar te AUV-ja.

Veterinari Faton Krasniqi nga komuna e Kamenicës ka thënë fillimisht se është marrë pak me projektin dhe se ka pasur ekipet e tjera të angazhuara.

Pasi u pyet se a është ndonjë veterinar tjetër në komunën e tij që mund t’i japë gazetës të dhëna rreth ecurisë së projektit, Krasniqi u përgjigj se ai është shefi i konsorciumit duke thënë prapë “për çdo pyetje apo informatë mund t’i drejtoheni Agjencisë”.

Njëjtë edhe Avni Kadriu nga rajoni i Mitrovicës ka thënë se informacionet mund t’i marrim vetëm përmes AUV-së, duke iu referuar kufizimeve që kanë në kontratën e lidhur me AUV-në.

“Nuk kam leje t’i jap askujt raport pa leje të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë. Me keqardhje e them por ata ma kanë tërhequr vërejtjen, edhe në kontratë më shkruan se pa lejen e Agjencisë”, ka thënë Avni Kadriu. Edhe në lidhje me vizitat, ai tha se ato duhet të bëhen sipas së njëjtës procedurë.

Gazeta ka kërkuar qasje në kontratën që AUV e ka lidhur me subjektet veterinare në Mitrovicë, të cilës iu është referuar Kadriu. Agjencioni ka dhënë qasje në afat ligjor, duke i dërguar kontratën dhe Njoftimin e Dhënies së Kontratës.

Neni 5 i kontratës e përcakton komunikimin e AUV-së me veterinarët e kontraktuar në lidhje me zbatimin e projektit. Megjithatë, asnjë pjesë e kontratës nuk e kufizon mënyrën e komunikimit të veterinarëve me publikun e gjerë, me gazetarët, apo me OJQ-të, apo qasjen këtyre të fundit te veterinarët e përfshirë në projektin 1.3 milionësh.

Gazeta ka folur edhe me shefin e konsorciumit të Prizrenit, Fidan Krasniqi, i cili ka folur për një kërkesë të pashkruar të AUV-së për të rregulluar mënyrën e komunikimit të tyre me mediat dhe OJQ-të.

“Dje (20.06.2018) e kemi pasur një takim me AUV. Ne patjetër që jemi të hapur mirëpo Agjencia e ka vendosur një rregull, pra para vizitës te ne ju duhet ta informoni Agjencinë… Kështu na është nga kryeshefi i Agjencisë”, tha ai.

Krasniqi po ashtu tha për Gazetën se AUV synon të jetë prezente në vizitat e mediave apo organizatave.

Zëdhënësi i AUV-së, Lamir Thaçi, e pranon se Agjencia është pajtuar me veterinarët rrëth mënyrës së komunikimit me mediat dhe OJQ-të për projektin në fjalë.

“Ditën kur janë nënshkruar kontratat dhe kur e kemi mbajtur takimin për të filluar (me projektin), edhe OJQ-të kanë qenë prezente kur jemi dakorduar që informatat, prezantimet, vizitat të kalojnë përmes nesh, jo që duam t’i fshehim por duam t’i kemi të kanalizuara informatat”, ka thënë ai.

Sipas zyrtarit të AUV-së ka qenë kërkesë e veterinarëve që mediat e OJQ-të të jenë të ndërmjetësuara nga Agjencioni.

“Menaxhmeti i praktikave veterinare të gjithë janë dakorduar si menaxhment i praktikave veterinare në mënyrë unike që gjithmonë të jetë njoftimi apo aprovimi nga Agjencia; që të mos shkojë askush pa marrë aprovim nga Agjencia”, tha ai.

E pyetur nëse kjo ka qenë e marrëveshje ka qenë e shkruar apo verbale, AUV-ja nuk ka dhënë përgjigje.

Asnjë qendër e strehimit të përkohshëm

Në korrik të vitit 2017, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Hapësinor e ka miratuar Udhëzimin Administrativ për Kushtet Teknike për Qendrat e Trajtimit të Përkohshëm të Kafshëve Endacake.

Ky udhëzim administrativ përcakton se “menaxhmenti i qendrës duhet të vendosë orarin për vizita të qendrës për publikun… Menaxhmenti mund të kërkojë prezencën e përfaqësuesit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë gjatë orëve të vizitës. Orari i vizitës duhet caktuar së paku dy (2) herë në javë nga 2 (dy) orë”.

Gazeta e ka pyetur AUV-në rreth zbatimit të këtij udhëzimi. AUV ka thënë se udhëzimi përcakton kushtet që duhet të plotësojnë Qendrat e Trajtimit të Përkohshëm me qëllim licencimin e tyre, ndërsa shtuar se udhëzimi nuk mund të zbatohet për shkak se deri më tani nuk është licencuar asnjë qendër për trajtimin e përkohshëm të kafshëve.

“AUV deri me sot nuk ka pranuar ndonjë kërkesë nga ana e palëve për licencimin e këtyre qendrave”, tha Thaçi.

Elza Ramadani, ka treguar se një strehimore e përkohshme e tillë pritet të ndërtohet gjatë këtij viti nga OJQ-ja “StrayCoco” dhe praktika veterinare nga Nagacvi i Gjakovës “Pro Vet”.

“Në tetor të këtij viti, Qendra e parë Tranzitore (e Përkohshme) për Përkujdesjen e qenve endacakë (sipas rregullores 04/2017) do të inaugurohet në rajonin e Gjakovës”, tha Ramadani.