Damir Fazliq dhe Vojin Lazareviq
Thellohen Problemet Financiare të Damir Fazliq
Ndërmarrësi serb i energjisë, Vojin Lazareviq, dhe partneri i tij në biznes, boshnjaku Damir Fazliq, kanë planifikuar të transformojnë një moçalishte të pavlerë afër portit shqiptar të Durrësit, 30 kilometra në perëndim të Tiranës, në një terminal ndërkombëtar të naftës dhe gazit.
Por plani ka marrë një kthesë të madhe prapa pasi që 15 hektarë tokë të blerë nga dyshja në Porto Romano afër Durrësit – të blera përmes një rrjeti kompanish jashtë vendit – janë kthyer në pronësi të bankave shqiptare, sipas dokumenteve të parashtruara në gjykatë në Tiranë.
Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese, BIRN, ka mësuar nga procese tjera në gjykatë në Beograd, që njëra nga kompanitë kryesore në këtë rast–Alpha Shpk me seli në Tiranë – mund po ashtu të merret si kolateral nga Intesa Bank, si pjesë e e procedurave të bankrotimit të filluara kundër firmës së Lazareviqit me seli në Beograd, Rudnap Group AD.
Kompania, e cila ka qenë një ndër më kryesorët në tregun e energjetikës në Ballkan me një qarkullim vjetor prej 600 milionësh, ka shënuar humbje në vitin 2013 dhe 2014 dhe ka dështuar ta paguajë një kredi prej 24 milionë euro nga Intesa.
Auditorët e Grupit Rudnap kanë raportuar “rënie të konsiderueshme të volumit në tregtinë me energji” në tremujorin e fundit të vitit 2014 përderisa nuk ka pasur fare tregti gjatë dhjetorit të vitit 2014 të po atij viti.
Kjo është shumë larg nga koha ndërmjet viteve 2007 dhe 2011 kur Rudnap ishte vazhdimisht në mesin e tre importuesve dhe eksportuesve të energjisë në Serbi, duke nënshkruar marrëveshje të energjisë në vlerë prej 40 milionë euro gjatë asaj periudhe kohore.
BIRN po ashtu ka zbuluar që Fazliq, që ka një rrjet të fortë të aleatëve përfshirë edhe ish kryeministrin shqiptar, Sali Berisha, dhe përfaqësues të lartë nga Partia Republikane në SHBA, ka vështirësi në pagesën e kredisë për apartamentin e tij 7 milionë dollarësh në Uashington DC.
Huadhënësi, JP Morgan Chase Bank, bëri një “ankesë për marrje të pronës” në tetor në Gjykatën e Lartë në kryeqytetin amerikan. Këto procedura ishin stopuar në janar, edhe pse prona akoma është e listuar si në shitje.
Huadhënësit në kërkim të borxheve
Në Shqipëri, dy kompanitë e Fazliqit dhe Lazareviqit, Crown Acquisitions dhe Alpha Shpk, nuk kanë paguar dy kredi bankare dhe kanë dështuar të paguajnë kompaninë ndërtuese Vega Shpk për punën e saj terminalin e tyre të gazit he naftës, sipas shënimeve të gjykatës të marra nga BIRN.
Ndërmjet viteve 2006 dhe 2010, Fazliq kishte blerë 20 hektarë të moçalishtes buzë një parku ekzistues të energjisë afër portit të Durrësit.
Vlera e tokës u rrit pasi që Berisha, një mik i ngushtë i Fazliqit, mori një vendim kryeministror për të zgjeruar kufijtë e parkut të afërt të energjisë për të përfshirë edhe pronat e reja të mikut të tij, duke hapur kështu rrugën për rizhvillim.
Më vonë, pronësia e tokës u kalua tek një firmë jashtë vendit përderisa Crown Acquisitions and Alpha Shpk ishin shitur te një firmë e regjistruar në Qipro, Altaria Research Limited, kompania amë e Lazareviqit për Rudnap Grup.
Fazliq, që ka mbetur drejtor i të dy kompanive shqiptare, i ka thënë BIRN-it në një intervistë në vitin e kaluar që ai i mban 50% të aksioneve në të dy kompanitë shqiptare – Crown Acquisitions dhe Alpha Shpk.
Në të njëjtën intervistë, Fazliq ka thënë që ai dhe Lazareviq tashmë kanë investuar 30 milionë euro në projektin për terminal të naftës dhe gazit por u duhen edhe 40 milionë për ta përfunduar atë.
Sidoqoftë, siç tregojnë dokumentet nga gjykata, këto plane mund të fundosen pasi që doli që dy banka shqiptare i kanë rimarrë në pronësi 15 nga 20 hektarët për shkak të kredive të papaguara duke pasuar proceset gjyqësore vitin e kaluar.
Banka Tirana është tani në proces të shitjes së tetë hektarëve për të mbledhur borxhin e papaguar të kredisë prej 3.5 milionë eurove nga Acquisitions and Alpha Shpk.
Banka Union ka hapur ankand publik për 7 hektarët që ishin përdorur si peng për kredinë prej 840,000 eurove për Crown Acquisition.
Në të njëjtën kohë, firma ndërtimore Vega Shpk, e cila ka kryer punën përgatitore në tokën e blerë, me sukses ka paditur Alpha Shpk për 933,000 euro dhe ka kërkuar leje për të shitur të njëjtit tetë hektarë aktualisht të vendosur në ankand nga Banka Tirana për të mbledhur humbjet e tyre.
Problemet serbe
Vështirësitë financiare për dyshen biznesore nuk përfundojnë këtu. Në mars të vitit 2015, dega serbe e Bankës Intesa bëri kërkesë në gjykatën komerciale të Beogradit për të hapur procedurat e falimentimit për Grupin Rudnap pasi që kishte dështuar për ta paguar kredinë prej 21 milionë euro, ka zbuluar BIRN.
Intesa për këtë kredi ka si peng tokë bujqësore në Serbi e cila është në pronësi të degës së Rudnap, Rudnap Agrar dhe Alpha Shpk me seli në Tiranë.
Në përgjigje të kërkesës së Intesa-s, vetë Grupi Rudnap në muajin vijues aplikoi për të filluar procedurat e falimentimit me një plan të parapërgatitur të ristrukturimit në mënyrë që të merret me të gjitha borxhet e veta.
Gjykata ka vendosur që të merret së pari me aplikacionin e Rudnap-it në mënyrë që të vlerësojë të gjitha pretendimet nga të gjithë kreditorët, edhe pse akoma nuk është vendosur ndonjë datë për asnjërën nga to.
Vitin e kaluar, BIRN kishte zbuluar se në vitin 2013 Grupi Rudnap i Lazareviqit ishte në vështirësi të pagesave të dy kredive në vlerë prej 27 milionë euro tek banka austriake Hypo, të cilat më pas ishin transferuar tek Martin Schlaff, moguli kontrovers austriak, i cili kishte qenë partner i Lazareviqit në zhvillimin e turizmit luksoz në Mal të Zi. Në shkëmbim, Lazareviqi hoqi dorë nga hisja e tij në projektin akoma të pandërtuar.
Të dhëna nga gjykata në Uashington DC tregojnë që apartamenti i Fazliq ishte në proces të riposedimit nga huadhënësit JP Morgan Chase Bank, edhe pse gjykimi ishte “ndërprerë me dhënie të pëlqimit” më 11 janar, duke sugjeruar që Fazliq dhe banka kishin arritur një marrëveshje.
Apartamenti 370 metrash katrorë mbetet i reklamuar për shitje për vetëm 6.5 milionë dollarë në disa uebsajte të patundshmërisë në Uashington DC. Agjentë të patundshmërisë e përshkruajnë si “i renovuar bukur dhe tejmase” me “një biblotekë të mahnitshme druri të kuq dhe qeli vere me klimë”.
Administrata Tatimore e Shqipërisë gjithashtu ka akuzuar Fazliq për shmangie të taksave në një faturë të papaguar prej 8,500 euro, dhe ka ngrirë llogaritë e tij në këtë vend deri sa borxhi të ripaguhet.
Fazliq nuk i është përgjigjur kërkesave të BIRN për komente në gjykime të ndryshme që kanë ata në lidhje me aksione të ripagimit të borxheve ose për fatin e projektit të naftës në Shqipëri dhe terminalit të gazit.
Por Grupi Rudnap ka dhënë këtë deklaratë: “Grupi Rudnap është në proces të ristrukturimit që përfshin negocimin me kreditorë në harmonizim dhe pajtim për një plan të pranueshëm.
“Të gjitha projektet janë të mbuluara nga ky plan dhe zhvillimi i mëtutjeshëm i tyre do të harmonizohet sipas marrëveshjes mes kompanisë dhe kreditorëve të saj.”
Fazliqët e Nivelit të Lartë
Fazliqi dhe gruaja e tij vazhdojnë të shoqërohen me elitën politike republikane në SHBA, ku Fazliq ka postuar foto të tij me kandidatin për president Marco Rubio në një tubim të republikanëve të mbajtur në dhjetor.
Fazliq dhe gruaja e tij Amra, gjithashtu të fotografuar në ngjarje, janë mbështetës të mëdhenj të republikanëve.
Amra i ka dhënë më shumë se 12,000 dollarë për partinë republikane që nga viti 2008, përderisa Damiri kishte dhënë një donacion prej 2,000 dollarësh për fushatën e dështuar të Mitt Romney në vitin 2012.
Rubio u tërhoq nga gara presidenciale të martën, pas rezultateve zhgënjyese në Florida.