Tenderi i dyshimtë i ATK-së për realizim të dokumentarëve

Administrata Tatimore e Kosovës ka marrë përsipër që të realizojë post-produksionin e dy dokumentarëve për realizimin e të cilëve ka paguar 7,118 euro.

Ngadhnjim Lokaj me produksionin “Six Stars Media” është kontraktuar nga ATK-ja për realizimin e dy dokumentarëve bazuar në një dosje të tenderit në të cilën janë bërë kërkesa shumë specifike për pajisje për xhirim.

Realizimi i këtyre dokumentarëve është paraparë të bëhet në 6 faza, inçizimet në terren me kamerë dhe dron, montazhi, skenari i xhirimit, post-produksioni, toni dhe regjia.

Në fazën e katërt, atë të post-produksionit, ATK në dosjen e tenderit e ka shkruar se ekipi i saj i grafikës do të realizojë grafikat 3D në bazë të narracionit.

“Pas përfundimit të montazhës dhe fazës se skenarit fillon post-produksioni. Në këtë fazë vendosen titrat, emrat e personave të intervistuar për këtë dokumentarë, rregullohen të gjitha pamjet veç e veç me program rreth ngjyrave, duke intervenuar në çdo pamje. Pas përfundimit do të krijohen grafika varësisht nga narracioni të cilat do të punohen në formatin 3D nga ekipi ynë i grafikës”, thuhet në dosje të tenderit.

Duke iu referuar dosjes së tenderit, KALLXO.com ka dërguar pyetje në adresë të ATK-së për t’i pyetur se kush i ka hartuar specifikat teknike në tenderin për realizimin e dy dokumentarëve.

ATK është përgjigjur se specifikat teknike janë hartuar nga njësia kërkuese e ATK-së, pa specifikuar se cila njësi.

“Specifikimet teknike janë dorëzuar nga njësia kërkuese pranë ATK-së”, thuhet në përgjigjen e ATK-së.

KALLXO.com përsëri ka dërguar pyetje për të kërkuar sqarime se kush është njësia kërkuese që i ka hartuar specifikat. Por ATK ka refuzuar të jap më shumë sqarime duke u thirrur në atë që nuk ka pasur ankesa në lidhje me këtë tender.

“Fillimisht të informoj se ne ju kemi kthyer përgjigje me kohë sipas kërkesës tuaj. Po ashtu, të informoj se i gjithë procesi ka shkuar sipas procedurave të rregullta të prokurimi dhe nuk kemi pasur asnjë ankesë lidhur me këtë proces. Andaj, për këtë çështje, ne nuk kemi çka t’ju përgjigjemi më tepër”, theksohet në përgjigjen e ATK-së për KALLXO.com.

KALLXO.com edhe pas kësaj përgjigje nga ATK, ka dërguar tri herë të tjera pyetje në adresë të ATK-së. ATK është pyetur nëse ata kanë kapacitete për të realizuar post-produksionin, kjo pasi në dosje të tenderit thuhet që ekipi i tyre do të bëjnë realizimin e grafikave 3D.

Përkundër që kanë kaluar gati më shumë se një muaj e gjysmë që kur KALLXO.com i ka dërguar pyetje në ATK, ende nuk ka marrë përgjigje.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime në lidhje me atë se kush do të bëj realizimin e post-produksionit dhe grafikave 3D edhe te kompania që ka fituar tenderin për realizimin e dokumentarëve për ATK-në.

Kompania nuk ka pranuar të flas për këtë çështje duke thënë që nuk janë të autorizuar të flasin për ATK-në.

“Të lutem për çdo informacion rreth kësaj teme kontaktoni ATK-në. Ne kemi qenë kompania fituese duke ju përshtatur të gjitha ligjeve dhe kërkesave të ATK-së, për realizimin e dy dokumentareve. Andaj çdo informatë shtesë në nuk jemi të autorizuar të flasim për ATK”, thuhet në përgjigjen e produksionit “Sixstars Media” për KALLXO.com.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me ligjëruesin e montazhës në kolegjin AAB, Albin Xharra, në lidhje me atë se sa merr kohë realizimi i grafikave 3D dhe çfarë njohurish duhet të ketë personi që e realizon këtë proces.

Xharra ka thënë se krijimi i grafikave 3D, si proces është relativisht i ndërlikuar.

“Pasi një animatori duhet t’i jepet një kopje e video materialit të montuar, e personi në fjalë i krijon grafikat, dhe i dorëzon tek montazheri, në formatet e paracaktuara. Personi i cili i krijon këto grafika duhet patjetër ta njeh botën e 3D, si dhe video animacionit, për t’ju përshtatur kërkesave të projektit”, ka thënë Xharra për KALLXO.com.

Në këta dokumentarë është paraparë të intervistohen rreth 7-8 intervistues, sipas kërkesave të ATK-së. Është kërkuar të intervistohen edhe personat prej institucioneve të jashtme që kanë ndihmuar e këshilluar ATK-në sipas kërkesave të tyre.

Përveç intervistave është kërkuar të realizohen edhe xhirime në terren duke filluar nga zyrat ATK-së në Prishtinë, si dhe në disa nga qendrat më të mëdha të qyteteve të Kosovës, ku ATK-ja është prezentë edhe me zyra rajonale.

“Po ashtu në bashkëpunim me ATK-në do të merren pamje dhe efekte te shkurtra brenda në zyrat e stafit të ATK-së si dhe do të organizohet së bashku një aksion me inspektorë në biznese të ndryshme në Prishtinë për të pasqyruar punën e tyre të përditshme që bëjnë inspektoret e cila e nxjerr ATK-në të suksesshme dhe kontribuuese ne mbushjen e arkës së shtetit”, theksohet në dosjen e tenderit.

Ky tender është iniciuar më 27 nëntor 2019 dhe kohëzgjatja e kësaj kontrate do të jetë 6 muaj. kohëzgjatja e kontratës 6 muaj.

ATK kishte pranuar 3 tenderë dhe ka zgjedhur kompaninë fituese përmes procedurës me koutim.

Afati i kryerjes së shërbimeve të realizimit të dokumentarëve kërkohet të jetë jo më shumë se 30 ditë kalendarike nga data e marrjes së porosisë nga Menaxheri i Projektit në ATK.

ATK-ja e ka festuar përvjetorin e 20-të të themelimit të saj më 17 janar, ndërsa kontrata për realizimin e këtyre dy dokumentarëve është nënshkruar shtatë ditë më parë, më 10 janar. Produksionin “Six Stars Media” do të bëj realizimin e dy dokumentarëve, dokumentari i shkurtë, 5 deri në 10 minuta, është kërkuar që të jetë gati për 17 janar apo vetëm 7 ditë pas nënshkrimit të kontratës.

ATK-ja ka kërkuar që në këto dokumentarë të prezantohen të gjitha të arriturat, sukseset, sfidat me të cila është përballur ky institucion që nga themelimi i saj.