PTK - Foto: KALLXO.com

Telekomi vazhdon kontratën me TRING për IPTV pa shpallje të tenderit

Shërbimet e televizionit IPTV do të ofrohen për Telekomin e Kosovës nga platforma TRING për të dytën herë, përderisa telekomi ka zgjedhur të  ‘i ikë’ shpalljes së tenderit për këtë çështje.

IPTV në definicion është shpërndarja e përmbajtjes televizive mbi rrjetet e Internet Protocol (IP).

Më 17 maj të këtij viti, Telekomi i Kosovës nënshkroi kontratë për shërbimin IPTV me platformën ‘Tring’ pas një ‘Procedure të Negociuar pa publikim te njoftimit për kontratë’.

Sipas Ligjit për Prokurimin Publik, kjo procedurë lejohet vetëm me arsyetim të hollësishëm dhe ‘nëse, për arsye objektive dhe të detyrueshme teknike ose artistike, kontrata duhet ti ipet një operatori të caktuar ekonomik’.

Zëdhënësi i Telekomit të Kosovës, Arsim Bilalli për KALLXO.com tregoi arsyet e përdorimit të kësaj procedure për nënshkrimin e kontratës.

“I vetmi operatori ekonomik që ofron shërbime (kontent të IPTV-së në mënyre të ligjshme) është Tring, kuptohet kontent ofron edhe Digitalb që është me të drejtë ekskluzive në IPKO, e që për këtë ne si Telekom jemi ankuar për ndryshimin e këtë monopoli dhe ky rast është në Gjykatë”, tha Bilalli.

Marrëveshja në mes të IPKO-s dhe DigitALB është dërguar tek Autoriteti Kosovar i Konkurrencës për vlerësim.

“Autoriteti Kosovar i Konkurrencës është në procedurë të vlerësimit të marrëveshjes mes IPKO dhe DigjitALB. Autoriteti vendimin e tij do ta publikoj në uebfaqen e AKK-së”, tha për Kryeshefi i kësaj agjencie, Valon Prestreshi.

Në pakon e blerë nga Telekomi i Kosovës nuk përfshihen kanalet e sportit.

Sipas Bilallit edhe për to ekziston një ekskluzivitet nga një platformë konkurrente e telekomit si dhe është kosto e papërballueshme nga kjo ndërmarrje që nuk gjendet mirë financiarisht. Telekomi është konkurrenti i vetëm që nuk ofron pako të sporteve krahasuar me konkurrentët: Kujtesa dhe Ipko.

“Si proces nuk do të thotë se ka përfunduar, mirëpo është dashur që të bëhet një zgjidhje emergjente në programacionin për të cilin klienti është adaptuar për një kohë të gjatë. Gjithashtu edhe në programet e sportit ka ekskluzivitet njëri nga konkurrentët tanë, kur kësaj i shtohet edhe kostoja shumë e lartë për të siguruar këtë kontent, atëherë është vlerësuar se për momentin në këtë rrethanë të biznesit për Telekomin, këto kosto janë të papërballueshme”, tha Bilalli.

Telekomi i Kosovës kishte nënshkruar edhe më parë kontratë të njëjtë me platformën ‘Tring’. KALLXO.com ka dërguar pyetje shtesë në Telekom për të kuptuar për procedurat që janë ndjekur për nënshkrimin e kontratës paraprake, mirëpo ata nuk janë përgjigjur.

“Kontrata që ishte aktive nuk e sanksionon vazhdimin e ofrimit të shërbimeve deri në një marrëveshje të re të mundshme (me qëllim që të mos dëmtohen fundorë)”, tha Bilalli.