Ilustrim

Telashet që Shkaktuan Zvarritjen e Prokurimit Elektronik

Prokurimi elektronik ende nuk është plotësisht funksional. Shumë nga institucionet vazhdojnë të mos e aplikojnë prokurimin elektronik, ndërsa deri në fund të vitit 2017 prokurimi elektronik do të aplikohet paralelisht me prokurimin klasik. Rrjedhimisht, gjatë gjithë vitit 2017, nuk do të mund të vërehen ndikimet pozitive të prokurimit elektronik, siç është ulja e shpenzimeve totale të qeverisë deri në 10 për qind.

Vitin e kaluar qeveritarët dhe Komisioni Rregullativ i Prokurimit Elektronik kishin premtuar se prokurimi elektronik do të niste në gjysmën e vitit 2016. Një gjë e tillë nuk kishte ndodhur dhe procesi i prokurimit elektronik ishte prolonguar.

Qeveria e Republikës së Kosovës në mars të vitit 2016 mori vendim, që për të gjitha autoritetet kontraktuese të centralizuara të bëhej i obligueshëm prokurimi elektronik nga 1 prilli 2016. Sipas vendimit, nga 1 shtatori obligohen edhe organizatat buxhetore në nivelin qendror dhe nga fillimi i janarit të këtij viti të bëhet i obligueshëm për të gjitha organizatat buxhetore në Kosovë.

Ndërkohë, KRPP-ja kishte lëshuar një vendim me të cilin obligohej aplikimi i prokurimit elektronik.

“Përdorimi i prokurimit elektronik bëhet i obligueshëm për të gjitha organizatat buxhetore të nivelit lokal dhe ndërmarrjet publike nga data 01.01.2017”, thuhet në këtë vendim të KRPP, të datës 1 dhjetor 2016.

Por, në fund të këtij vendimi, KRPP-ja i jep edhe 12 muaj kohë deri në funksionalizimin e plotë të prokurimit elektronik.

“Operatorët ekonomikë janë të obliguar që të regjistrohen në platformë dhe të dorëzojnë tenderin në mënyrë elektronike ose kopje fizike, por jo ne të dy versionet njëherësh. Ky opsion i dorëzimit vlen deri me datë 31.12.2017”, thuhet në këtë vendim.

Isuf Zejna nga “Demokracia Plus” thotë se prokurimi elektronik në fakt nuk do të jetë plotësisht funksional deri në fund të vitit 2017.

“Kjo është vetëm fazë testuese përderisa nuk është obligues 100 për qind për të gjitha procedurat dhe për të gjitha kontratat. Aktualisht prokurimi elektronik aplikohet vetëm për kontratat e mëdha dhe të mesme dhe atë vetëm deri në shkarkimin e dosjes së tenderit”, tha Zejna.

Pengesat në zbatim të e-prokurimit

Për hulumtuesin e “Demokracia Plus”, lënia e mundësisë së ofertimit në të dy format-oferta elektronike dhe atë me kopje fizike, do të thotë se duhet të presim vitin tjetër për të parë përfitimet reale nga prokurimi elektronik.

Por, ai e arsyeton KRPP-ja për dhënien e mundësisë operatorëve që të ofertojnë edhe me kopje fizike.

“Ky vendim i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik e ka arsyeshmërinë e vet, për shkak se institucionet dhe bizneset ende nuk janë plotësisht të gatshme të kalojnë 100 për qind në prokurim elektronik. Nuk janë ofruar trajnimet e nevojshme, as për sektorin publik as për atë privat, andaj kjo kohë prej një vit diskrecion për të zgjedhur formën e ofertimit, është e arsyeshme”, tha Zejna.

Bazuar në vendimin e KRPP-së gjatë vitit 2017, bizneset do ta kenë mundësinë që ofertat e tyre t’i dorëzojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë pa pasur nevojë që ato t’i dërgojnë përmes platformës elektronike. Gjithashtu, biznese duhet të regjistrohen në platformë dhe ta shkarkojnë dosjen e tenderit aty dhe pastaj të dorëzojnë ofertat e tyre në autoritetin kontraktues.

Prokurimi elektronik ishte lansuar për herë të parë në janar të vitit 2016. Në atë kohë kishte nisur vetëm periudha testuese, në të cilën ishin përzgjedhur gjashtë institucione për të aplikuar e-prokurimin.

Këto institucione që kanë qenë pjesë e pilot-projektit flasin për disa telashe që i ka pasur sistemi në aplikim.

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), kanë qenë pjesë e prokurimit elektronik që në fazën e pilotimit.

Në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë thonë se ndryshimet ligjore që janë bërë gjatë vitit 2016 nuk janë futur në sistemin e ri, e-prokurimin. Thonë se dosja e tenderit në prokurimin elektronik përpilohet duke u bazuar në ligjin e vjetër. Pengesë tjetër që është evidentuar nga kjo ministri është edhe përzierja e gjuhëve në përpilimin e dosjeve prokuruese.

“Krijimi i dosjes se tenderit me legjislacion të vjetër si dhe përzierja e gjuhëve në krijimin e materialeve të prokurimit”, janë evidentuar si pengesa në përgjigjen e MTI-së për Gazetën Jeta në Kosovë.

Në ministrinë e udhëhequr nga Hykmete Bajrami kërkojnë që platforma të thjeshtësohet.

Edhe zëdhënësi i KEK-ut, Skender Bucolli thotë se gjatë aplikimit të e-prokurimit janë hasur mospërputhje në mes të platformës me legjislacionin në fuqi.

“Gjatë punës jemi të angazhuar të mbajmë shënime për çdo mangësi, që pastaj t’i drejtomë në departamentin përkatës të KRPP-së”, tha Bucolli.

Ai tha se në fillim të aplikimit vitin e kaluar kishte më shumë probleme, ndërsa tash janë eliminuar disa nga ato.

“Duke krahasuar këtë sistem nga pilot-projekti me formën e tanishme, mund të themi se është një ndryshim i theksuar për të mirë. Mendojmë që gjatë fazës së përdorimit nga çdo autoritet kontraktues do të identifikohen pengesat/mangësitë dhe në bashkëpunim të autoriteteve kontraktuese me KRPP do të arrihet drejt përsosmërisë të këtij sistemi”, tha zëdhënësi i KEK-ut, Bucolli.

Për Ministrinë e Mjedisit, platforma ka telashe me regjistrimin e operatorëve ekonomik si dhe mungesë të hapësirave për përdorim të teknologjisë.

“Mangësitë i kemi evidentuar sidomos tek operatorët ekonomikë të cilët kanë qenë të obliguar që të regjistrohen në sistemin elektronik të prokurimit publik janë mosregjistrimi i tyre dhe pastaj kërkesat për dosje. Mungesa e hapësirave dhe përdorimi i teknologjisë informative në zhvillimin e prokurimeve publike (vendosja e pajisjeve të IT-së, për prezantimin e hapjes publike etj.)”, ka thënë Ali Hoxha, udhëheqës i Zyrës së Prokurimit.

Hoxha ka thënë se është e nevojshme që me këtë sistem të prokurimit të punojnë personat e trajnuar dhe profesionalë në mënyrë që të mos ketë gabime.

Përfituesi i projektit KRPP, thotë se pengesat mund t’i identifikojnë autoritetet kontraktuese.

Sipas KRPP-së platforma elektronike ka nismë të mirë.

“Ne përgjithësi kalimi nga forma e mëparshme e zhvillimit të prokurimit ne formën e prokurimit elektronik i ka vështirësitë e veta si në çdo vend tjetër edhe te ne. Por në përgjithësi ka filluar mirë dhe tani me aplikimin e e-prokurimit nga të gjitha autoritetet kontraktuese, do të mund të identifikojmë se ku do të shfaqen pengesat dhe të ju dalim në ndihmë autoriteteve kontraktuese për të vazhduar me aplikim të e-prokurimit”, thuhet në përgjigjen e KRPP-së për Gazetën JnK.

Vonesat për trajnimin e stafit për platformën elektronike

Komisioni Rregullativ i Prokurimit në javën e parë të muajit shkurt i ka lëshuar certifikatat e grupit të fundit për trajnimin në prokurim publik. Me datën 6 shkurt ka qenë ceremonia e shpërndarjes së certifikatave. Ndërkohë, ka ende zyrtarë të prokurimit që janë trajnuar por nuk kanë arritur të kalojnë pragun prej 51 për qind në testin që mbahet pas përfundimit të trajnimit.

Në Komisioni Rregullativ për Prokurim Publike (KRPP) thonë se KRPP-ja ka arritur të mbajë trajnime për e-prokurim në kuadër të programit themelor profesional gjate vitit 2016.

“Për nivelin qendror një modul prej dy ditëve për secilin pjesëmarrës (170 pjesëmarrës), për nivelin lokal një modul prej dy ditëve për secilin pjesëmarrës (94 pjesëmarrës), për nivelin e ndërmarrjeve publike një modul prej dy ditëve për secilin pjesëmarrës (130 pjesëmarrës)”, thuhet në përgjigjen e KRPP-së për numrin e trajnimeve që janë mbajtur për prokurim elektronik.

KRPP-ja tregon se trajnimet do të vazhdojnë edhe këtë vit.

“KRPP-ja është duke mbajtur edhe një trajnim shtesë si trajnim praktik (me lap-topa) prej dy ditëve për secilin pjesëmarrës duke filluar nga niveli komunal i cili është përfunduar dhe me nivelin e ndërmarrjeve publike veç është në përfundim e sipër deri me 20.01.2017”, sqaron KRPP-ja

KRPP-ja bën të ditur se 224 zyrtarë janë trajnuar për prokurim elektronik nga niveli lokal dhe ndërmarrjet publike për katër ditë.

Por, Raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) kishte konstatuar se sistemi elektronik i prokurimit po zvarritej, shkas për këtë ishte mungesa e kapaciteteve menaxheriale, njerëzore dhe teknike tek agjencitë përgjegjëse qeveritare.

E një nga lëshimet ishte edhe mostrajnimi i stafit, i cili duhet të punojë dhe të mirëmbajë këtë platformë.

Stafi, sipas ZKA-së, është i papërgatitur dhe pa trajnime adekuate, pasi nuk janë bërë trajnimet nga operatori ekonomik siç ishte paraparë në kontratë.

“Nuk ka pasur trajnim për përdoruesit e e-prokurimit, nuk janë ofruar trajnime për ekipin teknik, trajnime menaxheriale e as nuk janë përgatitur manuale për përdoruesit e sistemit të e-prokurimit, trajnime këto të parapara me kontratë”, thuhet në raportin e auditorit.

Madje, auditori konstaton se e-prokurimi do të zvarritet edhe për shkak të vonesave në përfundimin e trajnimeve.

“Nuk është mbajtur as trajnimi i pritur i 800 përdoruesve . Është mbajtur një trajnim shumë i kufizuar për Trajnim të Trajnerëve (ToT). KRPP-ja është duke planifikuar të trajnojë 300 përdorues këtë vit – normë e trajnimit e cila do të kërkonte tre vjet (3) për të trajnuar të gjithë përdoruesit dhe kështu do të vononte zbatimin e plotë të e-prokurimit brenda të njëjtave afateve kohore”, thuhet në raportin e auditorit, të publikuar në korrik të vitit 2016.

E-prokurimi nuk e rrit transparencën

Prokurimi elektronik nuk pritet të rritë trasparencën.

“Ky sistem ka një varg mungesash që lidhen me çështjet e transparencës, për shkak se nuk e rritë numrin e dokumenteve të qasshme online as edhe për 1 për qind. Kjo është e paarsyeshme, për shkak se në kuadër të platformës online do të ruhen një numër i madh i dokumenteve, mirëpo të njëjtat nuk do të jenë në dispozicion të publikut. Ne mendojmë se një numër më i madh i dokumenteve duhet të jenë në dispozicion të publikut”, tha Zejna.

Edhe hulumtuesja nga Instituti Demokratik i Kosovës Diana Metushi thotë se është bërë pak sa i përket transparencës. Thotë se sistemi u mundëson qasje në informata vetëm palëve që janë të regjistruara në këtë platformë. Sipas saj, publiku mund të ketë qasje vetëm në njoftimet për kontrata e dhënie të kontratave, por jo edhe në dokumentet publike që tregojnë dhe pasqyrojnë mënyrën e shfrytëzimit të parasë publike.

“Dokumentet bazë si specifikat e prokurimit, ofertat financiare, kushtet dhe termat e kontratave, planet e realizimit, raportet e menaxhimit të kontratave, faturat si dhe raportet e auditimit, vazhdojnë të jenë të mbyllura për publikun”, tha hulumtuesja Metushi.

Hulumtuesja Metushi thotë se në aspektin teknik i mangësi është edhe mungesa e ndërvepritmit me sistemet tjera si dhe pamundësia që të bashkëngjiten më shumë se 20 dokumente në sistem.

“Edhe pse sistemi jep mundësinë e bashkëngjitjes së deri në 20 dokumenteve të tëgjitha formateve, apo edhe formatet e kompresuara .zip dhe .rar në rast se kemi më shumë se 20 dokumente për të bashkangjitur, prapë krijon mundësinë e mosbashkëngjitjes së ndonjë dokumenti të kërkuar, e që do të rezultonte në diskualifikimin e ofertës. Gjithashtu, kjo mënyrë e bashkëngjitjes së dokumentacionit e bën të pamundur klasifikimin e dokumentacionit që do të mund të bëhej publik në mënyrë automatike, për qëllim të rritjes së transparencës”, sqaron hulumtuesja Metushi.

Shpresa te prokurimi elektronik

Në dhjetor të vitit 2014 në Kosovë ka filluar të zhvillohej platforma elektronike për prokurim publik. Zhvillimi i kësaj platforme parashikohej të zgjaste deri nga fundi i muajit prill të vitit 2016.

Ky projekt i financuar nga Banka Botërore, prej të cilit përfitues kryesor ishte Komisioni Rregullativ për Prokurim Publik (KRPP), kushtoi 578 mijë e 990 euro, ndërsa do ta zbatonin konzorciumi “Infodom” nga Kroacia dhe “Komtel” nga Kosova.

Para se të fillohej me zbatimin e sistemit elektronik të prokurimit, KRPP-ja fillimisht kishte bërë një studim të fizibilitetit (me ekspertë të huaj) të kompanive dhe të autoriteteve kontraktuese se a janë të gatshëm t’i qasen një sistemi elektronik të prokurimit. Rezultati e këtij studimi doli të jetë se Kosova ishte e gatshme t’i qasej këtij sistemi, duke u bazuar në infrastrukturën e IT-së që e kanë bizneset po ashtu edhe autoritetet kontraktuese.

Në janar të vitit të kaluar u bë edhe prezantimi i projektit e-prokurimi ku u fol për dobitë e kësaj platforme. Ishte thënë se e-prokurimi do të mundësojë që të kursejë të paktën 10 për qind të buxhetit të shpenzuar përmes prokurimit. Ky kursim ishte menduar të bëhej për shkak të rritjes së konkurrencës dhe eliminimit të shkeljeve nëpër tenderë publikë.

Matoshi nga KDI-ja thotë se sistemi i prokurimit elektronik si një platformë e re ka mundësinë e zhvillimit të vazhdueshëm për të eliminuar problemet teknike që identifikohen gjatë përdorimit.

Edhe Isuf Zejna nga “Demokracia Plus” pret që kur prokurimi elektronik të bëhet plotësisht i zbatueshëm të japë rezultate në kufizimin e shkeljeve gjatë shpenzimit të parasë publike.

“Prokurimi elektronik në Kosovë është një sistem premtues, i cili do lehtësojë disa nga problemet në vlerësimin e tenderëve. Kjo do të ndihmojë po ashtu një numër më të madh të bizneseve të ofertojnë në tenderë anekënd Kosovës, duke e shtuar konkurrueshmërinë dhe ulur koston e projekteve”, tha Zejna.

Platforma Elektronike E-prokurimi me funksionalitetin e plotë të saj, pritet të rritë efikasitetin në punë, zvogëlojë gabimet dhe shtojë transparencën.

Në anën tjetër, autoriteti kontraktues KEK thotë se me sistemin elektronik, rritet transparenca dhe zvogëlohen gabimet në aktivitete të prokurimit. Sipas KEK-ut, ishte e nevojshme një platformë e tillë.

“Platforma elektronike ka qenë e nevojshme për çdo autoritet kontraktues, pasi që do të ndikojë në azhuritet të procesimit të aktiviteteve të prokurimit, zvogëlon apo eliminon gabimet gjatë procesit të tenderimit, në rritjen e transparencës, besimit të shtuar të operatorëve ekonomikë në raport me autoritetet kontraktuese, etj”, tregon KEK-u.

Se prokurimi elektronik e rrit transparencën e thotë edhe Ministria e Mjedisit. Kjo ministri madje përmend edhe dobitë tjera të cilat burojnë nga platforma elektronike.

“Qëllimi themelor i Platformës Elektronike E-prokurimi është që përmes prokurimit elektronik të shtohet transparenca dhe konkurrenca në procesin e prokurimit, të ndikohet në uljen e çmimeve dhe në kursimin e parasë publike, si dhe në cilësinë më të mirë të projekteve të cilat financohen me paranë publike”, thuhet në përgjigjen e MMPH-së.

Më tej MMPH-ja thotë se aplikimi i platformës elektronike do të ketë një ndikim substancial në sistemin e prokurimit publik në Kosovë dhe se përdorimi i saj do të rrisë transparencën dhe konkurrencën efektive në prokurim, si dhe do të mundësojë publikim e të gjitha kontratave në një platformë me qasje me të gjerë.

“Sistemi elektronik i prokurimit e-prokurimi përkundër disa vështirësive teknike i plotëson nevojat, por gjithherë duhet rritur kapacitetin profesional në mënyrë të vazhdueshme”, tha Ali Hoxha, udhëheqës i Zyrës së Prokurimit në MMPH.

Ministria e Tregtisë për Gazetën Jeta në Kosovë thotë se funksionalizimi i plotë i sistemit do të rrisë efektivitetin.

“Deri tani jo, për shkak që ofertimi bëhet ne mënyrën fizike (me zarfe). Por në momentin që platforma të jetë plotësisht operacionale, mendojmë se do të shërbejë pozitivisht në aktivitetin prokurues duke rritur efektivitetin dhe transparencën”, thuhet në përgjigjen e MTI-së.