Ministri rekordmen me 10 këshilltarë Ilustrim: KALLXO.com

Superministri i Ramush Haradinajt punësoi hiç më pak se 10 këshilltarë

Qeveria e Kosovës (në detyrë), e drejtuar nga Ramush Haradinaj, që nga dita e parë e mandatit është karakterizuar si qeveri me numër shumë të madh të të emëruarve politik.

Gazeta Jeta në Kosovë ka siguruar një dokument ku tregohet numri i saktë i këshilltarëve të kryeministrit e ministrave.

Ministri që mbanë rekordin për këshilltarë politik ka qenë Rasim Demiri, ministri i Zhvillimit Rajonal.

Demiri nuk është në krye të kësaj ministrie që nga 26 dhjetori, pasi që është betuar si deputet i Kuvendit të Kosovës.

Asnjë ministër tjetër nuk ka pasur e as nuk ka këshilltarë politik, aq sa ka pasur ministri Rasim Demiri.

Demiri, ia kishte shtuar vetës edhe 3 këshilltarë politik, në shkurt të vitit të kaluar.

Ai kishte propozuar para kabinetit qeveritarë kërkesën për rritjen e këshilltarëve, me arsyetimin se kanë shumë projekte.

Në mbledhjen e Qeverisë më 12 shkurt të vitit të kaluar, Kryeministri Haradinaj kishte paraqitur kërkesën para kabinetit qeveritarë për këto ndryshime.

“Shqyrtimi i propozim-vendimit për rritjen e numrit të këshilltarëve në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal. Për shkak të rritjes së projekteve që kjo ministri i zbaton, me kërkesë të ministrit…..materialin e keni para vetës, kush është për?”, kishte thënë Haradinaj me nguti në propozimin e miratimit të këtij vendimi.

Kishin qenë 5 ministra që kishin abstenuar në këtë vendim, mes tyre Mahir Yagcilar, Abelard Tahiri, Bedri Hamza e Besim Beqaj.

Për Haradinajn, abstenimi i 5 ministrave për këtë rend të ditës kishte qenë një mesazh.

Ai kishte kërkuar nga të tjerët mos të vijnë me propozime të tilla.

“Me këtë nënkupton, mos hajdi ju tjerët me propozime ma, se mundet me dal vota kundërt krejt atëherë, po shkoj kësaj here”, kishte thënë Haradinaj.

Rasim Demiri ka numëruar 9 këshilltarë politikë dhe një këshilltar të lartë politik.

Paga bazë e një këshilltari në Qeverinë e Kosovës është 800 euro, ndërsa paga e këshilltarit të lartë është 1 mijë e 50 euro.

Në një bisedë përmes telefonit, Demiri ka rrëfyer se numrin e këshilltarëve e ka rritur pas një marrëveshjeje që ka pasur me kryeministrin Ramush Haradinaj.

“I kemi pasë 6 këshilltarë, pastaj na grupi 6+, kemi kërkuar prej Kryeministrit që ta kemi më shumë këshilltarë. Pastaj, sipas marrëveshjes që e kemi pasë me kryeministrin, plus edhe 3 këshilltarë i kam pasë. Pra, i kam pasë 10 në total”, tha për Gazetën JnK, ish ministri Demiri.

Në ueb-faqen e ministrisë për Zhvillim Rajonal nuk figurojnë anëtarët e kabinetit të ministrit, ndonëse e kanë paraparë që t’i publikojnë.

Në një bisedë përmes telefonit, ish-ministrit Demiri i është dashtë shumë kohë për t’i kujtuar emrat e 9 këshilltarëve të tij, ndërsa i 10 nuk iu kujtua fare.

“Për shkak se ka qenë ministria e re edhe kemi pasë nevojë, jo për diçka tjetër”, tha Demiri për Gazetën JnK.

Njëri nga zëvendësministrat e Rasim Demirit, Musa Cena është dënuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës për shkak të marrjes së ryshfetit.

Zëvendësministri Cena ishte shkarkuar nga kryeministri Ramush Haradinaj.

Gazeta Jeta në Kosovë të martën raportoi për shpenzimet e kabinetit të Ramush Haradinajt që nga dorëheqja e tij.

https://kallxo.com/lajm/mbi-gjysme-milion-euro-per-pagat-e-zyres-se-haradinajt-qe-nga-doreheqja/