Spitali i Pejës shmang blerjen e produkteve serbe në tenderin e AQP-së

Në tenderin 23.5 milionësh të Agjencisë Qendrore të Prokurimit, edhe Spitali i Përgjithshëm i Pejës kishte kërkuar që të furnizohet me artikuj ushqimor.

Ndër produktet e selektuara nga KALLXO.com, shihet se ky institucion nuk ka porositur produkte serbe, por ka porositur produkte që e kanë të specifikuar markën.

Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka porositur pashtetë pule “Argeta” ose ekuivalent 5 mijë copa, peshk i konservuar “Sardina” ose ekuivalent 5 mijë copa, djathë “ekuivalent” me feta i konservuar, paketimi 4 kg plastik ose në kanaqe, paketimi 4 kg plastik ose ne kanaqe 2 mijë e 200 kg,  djathë copëza “ekuivalent” me Zdenka të paketuara në kuti 140 gramësh, nga 8/1 copë dhe me përbërje të caktuar yndyre 10 mijë kuti, qumësht  tetra pak, 3.2 yndyrë, 0.25 litër 70 mijë copa, fide “Divella” ose ekuivalente 300 kg,  keks “Petit Beure” ose ekuivalent 3 mijë e 500 kg, makarona “Divella” ose ekuivalente 1 mijë e 300 kg, shpagetë “Divella” ose ekuivalente 1 mijë e 300 kg, “Vegetë” ose ekuivalent 400 kg.

 

 

Skender Dreshaj Drejtor i Spitalit të Përgjithshëm në Pejë, ka thënë për KALLXO.com se porositë i ka bërë në kuadër të detyrimeve të spitalit për të siguruar ushqim për pacientët.

“Kapacitetet e Spitalit janë 413 shtretër, me shfrytëzueshmëri rreth 60%, por që është variabile. Nga kjo rezultojnë rreth 270 pacientë që duhet siguruar ushqimin. Kur llogarisim se kemi 3 racione në ditë dhe atë 365 ditë në vit, rezultojnë rreth 300.000 racione në vit. Kërkesat tona për ushqim reflektojnë këto nevoja dhe këtë logjikë të planifikimit”, tha Dreshaj.

Sipas drejtorit Dreshaj, procedurat e prokurimit udhëhiqen nga ana e Zyrës se Prokurimit. Kur është në pyetje tenderi në fjalë, Dreshaj tha se kërkesat dhe sasitë e nevojave janë përgatitur nga ana e spitalit, sipas procedurës standarde, ndërsa procedura e tenderit është zhvilluar nga an e AQP-së.

AQP-ja e cila bënë prokurime për të gjitha institucionet, në emërtimin e produkteve që synon t’i blejë ka vendosur marka të prodhuesve të caktuar.

Në tenderin, që është i ndarë në 9 llote dhe që pritet të kushtojë rreth 23.5 milionë euro, tek specifikat teknike janë edhe artikujt: “EuroKrem”, “Plazma”, “Vegetë”, “Pop-Kek”, apo pashtetën e pulës “Argeta” por që pas tyre shkruhet edhe ekuivalentë.

AQP-ja, në arsyetimin e saj, ka thënë se kanë përdorur një shabllon të vitit 2015.

“Për informimin tuaj, ky gabim ka ngel nga Dosjet e vjetra, sepse ketë vit, AQP gjatë  grumbullimit te kërkesave nga AK-se ka përdorur shabllonin e vitit 2015, dhe Zyrtari përgjegjës i prokurimit se bashku me Autoritetet Kontraktuese kane bere lëshim teknik pasi qe nuk kane modifikuar shabllonin ne përputhje me rrethanat”, është thënë në komunikatën e AQP-së.

KALLXO.com, ka shkruar se kjo Agjenci pas reagimit publik është angazhuar për t’i larguar nga lista vetëm prodhimet serbe, siç janë: “Smoki”, “Plazma” dhe “Eurokrem”.

 

Në këtë link mund të lexoni shkrime nga KALLXO.com për kërkesat e institucioneve tjera.