Ilustrim

Spitali i Gjakovës dhe Mitrovicës nuk porositin produkte serbe

Në tenderin 23.5 milionësh të Agjencisë Qendrore të Prokurimit, edhe Spitali i Përgjithshëm i Gjakovës dhe i Mitrovicës kanë bërë kërkesa për tu furnizuar  me artikuj ushqimor.

Ndër produktet e selektuara nga KALLXO.com, shihet se në këto dy institucione nuk kanë porositur produkte serbe, por kanë porositur produkte që e kanë të specifikuar markën.

Spitali i Përgjithshëm në Gjakovë ka bërë disa kërkesa për furnizim siç peshk i ngrirë “Trofta” ose ekuivalent, “Fant” për gjella 1 mijë copa, fide “Divella” ose ekuivalente 800 kg, keks “Petit Beure” ose ekuivalent 1 mijë e 100 kg, makarona “Divella” ose ekuivalente 1 mijë e 700 kg, Mjaltë paketimi  20-25 gr 7 mijë copa, shpagetë “Divella” ose ekuivalente 450 kg, “Vegetë” ose ekuivalent 300 kg, vezë klasa “S” 65 mijë copa.

Kurse, Spitali i Përgjithshëm në Mitrovicë ka bërë disa kërkesa sic janë peshk i ngrire “Trofta” ose ekuivalent 500 kg, pashtete pule “Argeta” ose ekuivalent 9 mijë copa nga 95 gram, djathë copëza “ekuivalent” me Zdenka të paketuara në kuti 140 gramësh, nga 8/1 copë dhe me përbërje të caktuar yndyre 5000 kuti, makarona “Divella” ose ekuivalente 300 kg, “Vegetë” ose ekuivalent 100 kg.

Spitali i Përgjithshëm “Isa Grezda” në Gjakovë,  në përgjigjet e dhëna për KALLXo.comkanë sqaruar se si Autoritet Kontraktues janë  të obliguar që të përfshihen në Aktivitet e Prokurimit të cilat i zhvillon Agjencia  Qendrore  e  Prokurimit Publik (AQP).

“Për aktivitetin e prokurimit ‘Furnizim me Artikuj të ndryshëm Ushqimorë’ AQP, na ka dërguar një formular standard  në të cilin kanë qenë të shënuar  përshkrimi i Artikujve të gjërave ushqimore, kurse ne si Institucion kemi qenë te obliguar që të shënojmë vetëm sasinë e produkteve të nevojshme  për tri vitet e ardhshme, te cilat përdoren për përgatitjen  e ushqimit për pacientët e Spitalit”, thuhet në përgjigjen e këtij spitali.

Spitali i përgjithshëm i Gjakovës kishte thënë se te Specifikimi Teknik, është e precizuar qartë se nëse  çfarëdo produkti  qoftë që i vihet emërtimi i markës ose ndonjë shenjë dalluese  duke i shoqëruar me  fjalën  “ ose Ekuivalent” nuk përbën shkelje te dispozitave  të LPP-së.

Kurse Spitali i Përgjithshëm i Mitrovicës nuk ka kthyer përgjigje deri në publikimin e artikullit.
AQP-ja e cila bënë prokurime për të gjitha institucionet, në emërtimin e produkteve që synon t’i blejë ka vendosur marka të prodhuesve të caktuar.

Në tenderin, që është i ndarë në 9 llote dhe që pritet të kushtojë rreth 23.5 milionë euro, tek specifikat teknike janë edhe artikujt: “EuroKrem”, “Plazma”, “Vegetë”, “Pop-Kek”, apo pashtetën e pulës “Argeta” por që pas tyre shkruhet edhe ekuivalentë.

AQP-ja, në arsyetimin e saj, ka thënë se kanë përdorur një shabllon të vitit 2015.

“Për informimin tuaj, ky gabim ka ngel nga Dosjet e vjetra, sepse ketë vit, AQP gjatë  grumbullimit te kërkesave nga AK-se ka përdorur shabllonin e vitit 2015, dhe Zyrtari përgjegjës i prokurimit se bashku me Autoritetet Kontraktuese kane bere lëshim teknik pasi qe nuk kane modifikuar shabllonin ne përputhje me rrethanat”, është thënë në komunikatën e AQP-së.

KALLXO.com, ka shkruar se kjo Agjenci pas reagimit publik është angazhuar për t’i larguar nga lista vetëm prodhimet serbe, siç janë: “Smoki”, “Plazma” dhe “Eurokrem”.

Për institucionet e tjera të cilat kanë bërë kërkesë për furnizim mund të informoheni në këtë LINK.