Spitali i Gjakovës | Foto: KALLXO.com

Spitali i Gjakovës Pastrohet me Tender të Dyshimtë

Spitali i Gjakovës ka shkelur ligjin duke kontraktuar një shërbim për pastrimin e ambienteve të tij në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik.

Spitali ka përzgjedhur procedurën e negociuar për kontratën “Mirëmbajtja e higjienës në objektet e spitalit” për një periudhë 6-mujore, duke anashkaluar procedurën e hapur në favor të një operatori ekonomik.

Procedura e negociuar pa publikim, pa u bërë thirrje kompanive tjera për aplikim në tender, bëhet për arsye teknike ose artistike, kur në treg ekziston vetëm një operator i mundshëm ekonomik, kur ekziston e drejta ekskluzive industriale apo autoriale, ose në rast të urgjencës ekstreme.

Pastrimi i një objekti nuk është urgjencë ekstreme dhe nuk kërkon të drejtë industriale apo autoriale sepse në treg ka shumë kompani që kryejnë këtë shërbim.

Në përgjigjen me email për Gazetën JNK, Spitali i Gjakovës është justifikuar për zbatimin e kësaj procedure duke fajësuar Shërbimin Spitalor Klinik Universitar (SHSKUK), nga i cili është dashtë të zhvillohet ky aktivitet i prokurimit dhe këta të fundit nuk e kanë bërë një gjë të tillë.

“Neve si Autoritet Kontraktues na është pamundësuar inicimi i kësaj procedure me kohë, SHSKUK-ja me 17 nëntor 2015 na ka dërguar shkresë se në emër të njësive organizative ata do të tenderojnë shërbimet e mirëmbajtjes dhe pastrimit, më 24 nëntor 2015 ne i kemi dërguar specifikimet teknike për inicimin e kësaj procedure”, thuhet në email.

SHSKUK, e formuar me ligj të veçantë nga Ministria e Shëndetësisë në vitin 2014, është përgjegjëse për zhvillimin e procedurave të prokurimit qendror për 19 institucione në varësi duke përfshirë spitalet regjionale dhe shërbime të tjera shëndetësore.

Zyra e prokurimit të Gjakovës pretendon po ashtu se kontrata paraprake ka skaduar më 8 janar 2016, dhe ata kanë kërkuar informacione më 4 dhjetor nga SHSKUK se deri ku kanë arritur me procedurat e tenderit, por nuk i kanë marrë përgjigje.

Spitali vs. SHSKUK

Sipas Spitalit të Gjakovës, neglizhenca e SHSKUK ka obliguar lidhjen e kontratës me negocim për arsye se mirëmbajtja dhe pastrimi i Spitalit është shërbim jetik për këtë institucion, dhe se para fillimi të kësaj procedure pa publikim janë konsultuar dhe janë rekomanduar me Komisionin Rregullativ për prokurim Publik (KRPP) për tender emergjent.

Kontrata në ueb-faqen e KRPP-së është publikuar me 22 janar 2016 e kontraktuar me kompaninë “SFK” nga Prizreni në vlerë prej 120,599 euro për 6 muaj.

Por përgjigja e KRPP-së nuk përkon me shpjegimin që e ka dhënë zyra e prokurimit të spitalit.

KRPP përmes emailit shpjegon se Autoritetet Kontraktuese – në këtë rast spitali – nuk marrin aprovim nga KRPP-ja për inicim të procedruave se cila procedurë duhet të përdoret, dhe se një gjë e tillë mbetet në përgjegjësi të vetë atyre.

Menaxheri i Prokurimit të SHSKUK, Sadri Kastrati, justifikon se vonesat në prokurimin e shërbimit të pastrimit për Spitalin e Gjakovës, nuk lanë hapësirë për ndjekjen e procedurave të prokurimit në mënyrën më të rregullt të mundshme.

Kastrati theksoi se ka kontaktuar vazhdimisht me zyrën e prokurimit të këtij spitali, madje i ka sygjeruar ata që deri sa të hapen procedurat e prokurimit për pastrim të objektit të shkojnë me procedurën e negocuar pa publikim.

“Normalisht më mir të shkohet me negocim se sa të bëhet ndonjë shkelje më e madhe është procedurë shumë e mirë për një periudhë të shkurtër nëse kalon kontrata kornizë”, tha Kastrati, duke shpjeguar se vonesat kishin ndodhur për shkak të procesit të unifikimit të shërbimeve.

Kontrata kornizë është një marrëveshje ligjore që nënkupton kohëzgjatje të një shërbimi për një periudhë trevjeçare.

Kontrata e kaluar e mirëmbajtjes dhe pastrimit të objektit të Spitalit të Gjakovës nuk rezulton kontratë kornizë, por kontratë e thjeshtë 1-vjeçare, e lidhur në janar 2015 me po të njëjtën kompani SFK nga Prizreni në vlerën 237,109 euro.

Besim Shkurti nga kompania SFK tha për Gazetën JNK se për shkak që procedurat e tenderimit do t’i zhvillojë SHKSUK, ka nënshkruar kontratë me negocim për një periudhë të shkurtër.

“Ne kemi lidhur kontratë me negocim me Spitalin e Gjakovës që është krejt normale për një periudhë të shkurtër, pasi procedurat tash i udhëheq SHKSUK, ne tash kemi konkurruar por ende nuk është shpall fituesi, sepse tenderi është në fazë të vlerësimit”, tha Shkurti

Shumëllojshmëri ofertash

Në vitin 2014, Spitalin e Gjakovës e ka mirëmbajtur dhe e ka pastruar kompania “Linda Reinigung” nga Gjakova në vlerë prej 197,457 euro për 12 muaj, për 39 mijë euro më e lirë se ajo e vitit 2015.

Gazeta JNK kontaktoi kompaninë “Linda Reinigung” për ta pyetur a ka konkurruar edhe në vitin 2015 për ta marrë tenderin.

Pronari i kësaj kompanie, Halil Gjocaj, pretendon se ka konkurruar me ofertën më të lirë edhe në vitin 2015 për mirëmbajtje dhe pastrim të spitalit.

“Kemi konkuruar për ta marrë tenderin edhe për vitin 2015, edhe pse kemi qenë më të lirë jemi eleminuar me arsyen se kemi qenë më të shtrenjtë… nuk kemi bërë ankesë në OSHP nuk e kemi parë të arsyeshme”, tha Gjocaj.

Gjocaj, po ashtu, potencoi se nuk është në dijeni për tenderin e hapur nga SHSKUK-ja për Spitalin e Gjakovës, me ç’rast as nuk ka aplikuar, por e di se Spitali i Gjakovës e ka vazhduar një aneks-kontratë me kompaninë SFK.

Në vitin 2013, këtë spital e ka mirëmbajtur dhe e ka pastruar kompania MSS nga Prishtina në vlerë prej 203,676 euro për 12 muaj, me 33 mijë euro më pak se në vitin 2015.

Gazeta JNK ka kontaktuar edhe kompaninë MSS për ta pyetur se a ka aplikuar prapë në vitet pasuese për tenderin e pastrimit të Spitalit të Gjakovës.

Behxhet Haxholli pronar i kompanisë MSS potencoi se pas skadimit të kontratës në fund të vitit 2013 nuk ka aplikuar më as për vitin 2014 as për 2015, për arsye të implikimeve të ndryshme nga vet Spitali i Gjakovës

“Për vitin 2014 dhe 2015 nuk kam aplikuar sepse nuk kam qenë i kënaqur me Spitalin e Gjakovës, ka pasur disa implikime që mua nuk më kanë pëlqyer… aty ku ka probleme unë nuk ofertoj… tash sërish kam aplikuar te Shërbimi Klinik Universitar sepse procedurat e prokurimit do të jenë më serioze”, tha Haxholli.

Në tregun e Kosovës ka disa kompani që kryejnë shërbime të pastrimit dhe vetë Spitali i Gjakovës ka pasur kontrata me dy kompani të tilla, por për kontratën e fundit ka shkuar me negocim duke vazhduar me kompaninë e njëjtë, pavarësisht se ka ofruar shërbime më të shtrenjta se sa dy kompanitë të tjera nga vitet paraprake.