Skema e 'kurdisjes' së tenderit 9 milionësh

Fati i tenderit 9 milionësh për furnizim me Lap-Top dhe pajisje tjera të teknologjisë informative është në dorën e tre anëtarëve të Panelit Shqyrtues të OShP-së.

Si Autoritet Kontraktues, Agjencia Qendrore e Prokurimit e ka anuluar këtë tender për shkak se ka vlerësuar që specifikat teknike i janë përshtatur vetëm një prodhuesi, në këtë rast Lenovos.

Në seancën e OShP-së, përfaqësuesi i AQP-së, Ekrem Rexha tha se ky tender është anuluar për shkak se është konstatuar se specifikat teknike janë detajizuar tej mase dhe çojnë në favorizim të Lenovos. Sipas Rexhës kjo bie ndesh me nenin 7 të Ligjit për Prokurim Publik që ka të bëj me favorizimin, diskriminimin dhe trajtimin jo të barabartë të kompanive.

“Përveç këtyre 8 detajeve që i japin përparësi një brendi ajo përparësi zbërthehet në 4 elemente. Në fakt ofertuesit e tjerë kanë përfshirë edhe brende të tjera por përshkrimi i detajuar i atyre katër elementeve i qet të tjerët prej lojës, edhe në fakt ne fitojmë katër kontrata me një brend, që bon konkurrencë me kënd, me askënd, s’ka konkurrencë. Dëmtohet konkurrenca dhe përfundimisht buxheti i Kosovës dhe është detyrë e jona që këtë mos me leju”, ka deklaruar Rexha në seancë.

Rexha ka theksuar se AQP ka vendosur që të anulojë tenderin, t’i heqin specifikat që i krijojnë disa operatorëve përparësi dhe për dikë janë diskriminuese dhe ta përsërisin tenderin.

“Sepse nëse hyni në këto elemente të cilat janë konstatuar një me një, keni me gjet vetëm me hy në faqe të Lenovos përshkrimin autentik, pikë e presje, që janë lyp detaje që janë totalisht të parëndësishme por që në procesin e vlerësimit duhet me i thonë jo, nuk e ka, nuk e luan asnjë rol zë dhënësi a do të jetë 1.5 wat, të tjerët e kanë ose ma shumë ose nuk e kanë theksuar sa e kanë por i përjashton, është lyp diku butoni me aktivizu kamerën, te modelet e reja tash kamera aktivizohet me taste jo me buton, aq më keq, pas një viti Lenovo e përparon teknikën edhe ajo e bon aktivizimin jo me butonin klasik po përmes tasteve, a me prishë ne atëherë këtë tender sepse tash po e heqim Botekun që e ka një hap përpara teknikën, nuk po punon me buton po me dy taste apo një tast”, ka vazhduar Rexha.

Skema 

Kompanitë “Infosoft Systems”, “Novus”, “PBC” dhe “ICT Storm” të cilat janë shpallur të përgjegjshme nga AQP për tenderin 9 milionësh për furnizim me Lap-Top dhe pajisje tjera të teknologjisë informative, kanë konkurruar me të njëjtin autorizim për prodhimet e Lenovos.

Autorizimin për produktet e Lenovos për këto katër kompani e ka lëshuar “ITD Sh.P.K” dega në Prishtinë. “ITD Sh.P.K” dega në Prishtinë ka të njëjtin aksionar me kompaninë konkurruese në këtë tender, “Infosoft Systems”. “Investment joti – infosoft group” posedon 45.5% të aksioneve në kompaninë “Infosoft Systems” dhe 90 % të aksioneve në “ITD Sh.P.K” dega në Kosovë.

Në një letër konfirmimi që e ka pranuar AQP ka pranuar nga Lenovo në Zagreb, konfirmohet se ITD Sh.P.K dega në Prishtinë e ka të drejtën për të lëshuar autorizime tek kompanitë e tjera për prodhimet e saj.

“ITD Sh.P.K” dega në Prishtinë ka të drejtë të lëshojë autorizim tek kompanitë ose partnerët për shitjen, instalimin, mirëmbajtjen, shërbimin e këtyre pajisjeve të ofruara në këtë projekt për territorin e Kosovës”, thuhet në këtë letër konfirmimi.

Përfaqësuesi i AQP-së, Ekrem Rexha në shkresën e dërguar OSHP-së ku ka kundërshtuar mendimin e ekspertit përveç tjerash ka thënë se vazhdimi i këtij tenderi rrezikon të krijojë monopol.

Ai këtë konstatim e ka bazuar në një përgjigje që ka marrë nga kompania “ITD Sh.P.K” dega në Kosovë, në të cilin konfirmohet lidhja e biznesit “Investment Joti – infosoft group” nga Shqipëria me biznesin “ITD Sh.P.K” dega në Prishtinë.

“Sqarojmë se kompania ITD Sh.P.K dega në Tiranë dhe kompania ITD dega në Prishtinë, janë kompani të cilat kanë aksionar të njëjtë kompaninë “Investment joti – infosoft group” dhe ndajnë të drejtat e njëjta të distribuimit”, thuhet në përgjigjen e “ITD Sh.P.K” dega në Kosovë.

Këtë e ka vërejtur Komisioni vlerësues në AQP, i cili ka vendosur që të anulojë tenderin për shkak për shkak se sipas tyre ky tender i është përshtatur vetëm një prodhuesi.

“AK-AQP vendos të ju besoj ekspertëve të IT që specifikat teknike kanë minimzuar konkurrencën e drejtë dhe si pasojë e kësaj të gjithë OE që i plotësojnë specifikat teknike ofrojnë në shumë raste produkt të njëjtë nga i njëjti prodhues dhe për më tepër vetëm një model edhe te atij prodhuesi”, thuhet në vendimin e AQP-së pas shqyrtimit të “kërkesave për rishqyrim” të bëra nga OE-të.

Në argumentimin e vendimit, AQP-ja thotë se specifikat teknike garantojnë konkurrencë të drejtë vetëm në njërin prej produkteve të kërkuara që nuk kishte shumë rëndësi, sic është monitori.

“AQP qëndron pas asaj që në këtë aktivitet të prokurimit ka ndodhur gabim në përpilimin e specifikave teknike duke ngushtuar tregun dhe duke diskriminuar brendet me shtrirje globale që njëkohësisht kanë shtrirje të madhe edhe në tregun e Kosovës”, thuhet në vendimin e AQP-së.

Pretendimet kundër vendimit për anulimin e tenderit

Operatorët ekonomik “Infosoft Systems”, “Novus”, “PBC” janë ankuar kundër vendimit të AQP-së për anulim të tenderit. Këto tri biznese të cilat janë ankuar kanë konkurruar në këtë tender edhe me prodhime të Lenovos. Ndërsa “Botek” është ankuar për arsyet e eliminimit të saj nga gara dhe ka argumentuar edhe pretendimin e saj për përshtatje të specifikave teknike për vetëm një prodhues.

Tre operatorët e parë në ankesat e tyre kanë pretenduar që AQP ka marr vendim për anulimin e aktivitetit të prokurimit në kundërshtim me nenin 62 të LPP-së për arsye se dosja e tenderit dhe specifikimet teknike të përmbajtura në të kanë qenë në përputhje me nenin 28 të LPP-së dhe kanë mundur të arrihen nga shumica e prodhuesve respektivisht ofertuesve në treg.

“Infosoft” pretendon që dosja e tenderit ka qenë në përputhje me nenin 28 të LPP-së dhe se më së miri dëshmohet me faktin se kanë qenë së paku 5 operatorë ekonomik të cilët kanë paraqitur ofertat e përgjegjshme për Lot 1 dhe/ose Lot 2 të aktivitetit të prokurimit.

Ilustrim

“Prandaj në rastin konkret nuk ka pasur bazë ligjore për konstatimin se specifikimet teknike janë në kundërshtim me nenin 28 të LPP-së, kur 5 operatorë ekonomik kanë qenë në gjendje të paraqesin oferta të përgjegjshme. Një vendim i tillë rrezikon t’i diskriminojë këta 5 operatorë ekonomik të cilët kanë paraqitur oferta të përgjegjshme në raport me operatorët tjerë të papërgjegjshëm”, thuhet në ankesën e operatorit ekonomik ankues “Infosoft Systems”.

Por përfaqësuesi i “Infosoft Systems”, Ajri Shej erdhi me 10 minuta vonesë në seancën e OShP-së dhe refuzoi të marr fjalën në lidhje me ankesën e tyre dhe pretendimet e AQP-së.

Operatori tjetër ekonomik ankues “Novus” ka thënë se brenda afatit ligjor ka pasur kërkesa për rishqyrtim dhe modifikime të kërkesave të dosjes së tenderit, të cilat kanë bërë që të rritet konkurrenca.

“Si rrjedhojë, pas inkorporimit të ndryshimeve nuk ka pasur asnjë ankesë shtesë për specifikat teknike”, thuhet në ankesën e “Novus”.

Sipas “Novus”, nuk mund të ketë dosje diskriminuese kur në kuadër të dy loteve ka pasur disa oferta të përgjegjshme të operatorëve të ndryshëm ekonomik.

Në seancën e OShP-së, përfaqësuesja e “Novus”, Leonora Mehmetaj-Hajdini kërkoi që lënda të kthehet në rivlerësim.

Operatori i tretë ankues “PBC” konsideron se AQP e ka shkelur paragrafin 3,4, dhe 5 të nenit 10 të Ligjit për Prokurim Publik.

“AK nuk ka marrë të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar imponimin e rrethanave që kanë shkaktuar diskriminim organizativ për ne si OE, duke tentuar të gjenden mekanizma ligjor që të anulohet procedura, ku edhe pse sipas vendimit tuaj zyrtar e-prokurim të datës 5 qershor 2019 janë gjithsej 4 konsorciume për Lot 1 që janë cilësuar të përgjegjshëm, AK ka anuluar aktivitetin e prokurimit gjë që përbën shkelje të nenin 7 të LPP-së”, thuhet në pretendimin e operatorit ekonomik “PBC”.

“PBC” pretendon se ky anulim i procedurës në fjalë bie ndesh me LPP-në dhe RrUOPP-në sepse specifikacioni teknik i paraqitur në dosjen e tenderit nuk cenon asnjërin nga nenet e cekura të LPP-së (nenin 28) e as RrUOPP-së (nenin 20).

“Rrjedhimisht, në asnjë pjesë të specifikimeve teknike nuk kemi gjetur referim të një artikulli apo burimi të veçantë ose të ndonjë prodhimi. Në anën tjetër, çështjet që ndërlidhen me diskriminim do të duhej të konsumoheshin para dorëzimit të ofertave”, vazhdon ankesa.

Edhe pse ka deponuar ankesë në OShP, përfaqësuesit e kompanisë “PBC” nuk ishin të pranishëm në seancë.

Vetëm njëri nga bizneset ankuese është pajtuar me argumentet e AQP-së se specifikacionet teknike i janë përshtatur prodhuesit Lenovo.

Përfaqësuesi i “Botekut”, Dastid Pallaska ka thënë se tre bizneset ankuese kanë konkurruar me prodhimet e Lenovos, autorizimet e të cilave në Kosovë lëshohen nga “ITD Kosova”.

“Botek” pretendon se me eliminimin e kompanive të cilat kanë ofertuar me produkte të prodhuesve të tjerë është eliminuar konkurrenca tërësisht dhe i është mundësuar një distributori (ITD) dhe një prodhuesi të vetëm (LENOVO) që në fazat e mini konkurrencës të kontrollojnë në tërësi tregun dhe “t’i mundësohen këtyre tri operatorëve ekonomik që të bëjnë marrëveshje të fshehta”.

“Ndërlidhja e këtyre subjekteve konkurruese, nëse me asgjë tjetër, vërtetohet me faktin që të gjitha konkurrojnë me një DAF të vetëm edhe pse jo valid e komprometon në tërësi konkurrencën që pretendohet se do të zhvillohet ndërmjet këtyre subjekteve nëse procedura e prokurimit vazhdon ashtu siç është planifikuar nga Autoriteti Kontraktues”, ka deklaruar Pallaska.

Eksperti: Specifikat teknike nuk i janë përshtatur vetëm një prodhuesi  

Eksperti teknik i angazhuar nga OShP në këtë rast, Zenel Hisenaj ka kundërshtuar përfaqësuesit e AQP-së dhe Botek-ut duke thënë se nuk është e vërtetë që vetëm Lenovo i plotëson specifikat teknike.

Eksperti Hisenaj ka thënë se nëse do të ishin specifikimet teknike në kundërshtim me LPP-në dhe RrUOPP-në atëherë ky fakt do të duhej të evitohej gjatë fazës së njoftimit për kontratë dhe jo vetëm pasi të jenë hapur ofertat.

“Në dokumentacionin përkatës nuk kam hasur në ndonjë dokument i cili tregon të ketë ankesa gjatë fazës tenderuese për specifikim teknik dhe për të njëjtën arsye të jetë anuluar ky aktivitet”, thuhet në mendimin e ekspertit shqyrtues të OShP-së.

Gjatë analizimit të ofertave të operatorëve ekonomik të cilët janë evidentuar si të suksesshëm për Lot 1, eksperti ka konstatuar se ofertat e tyre kanë ofrues të ndryshëm si: “Infosoft Systems” ofron produkte të Dell, Lenovo dhe Acer, “Novus” ofron produkte të Lenovo dhe Acer, “PBC” ofron produkte të HP, Lenovo, Think Center, Acer dhe “Storm ICT” ofron produkte të HP, Lenovo dhe Acer.

“Gjë që shihet qartë se kemi të paktën katër prodhues të ndryshëm të cilët plotësojnë kriteret teknike sipas raportit të komisionit, andaj mendoj se konstatimi i AK-së është në kundërshtim me LPP-në pasi sipas ofertave dhe raportit të vlerësimit ekzistojnë 4 OE dhe të paktën 4 prodhues të ndryshëm të cilët plotësojnë kriteret e dosje ose tenderit”, vazhdon mendimi i ekspertit.

Eksperti i ka numëruar edhe modelet për të cilat AQP ka konstatuar se specifikat teknike i plotëson vetëm Lenovo. Ai ka thënë në seancën e OShP-së se te shtëpiza modeli 3, për të modelet të cilat i plotësojnë specifikat teknike janë, Fujitsu espriomo P758, modeli i dytë është HP Prodesk 600 G4SFF, modeli tjetër është HP Prodesk 600 G4 TWR, HP  Z 240 Tower, modeli tjetër është Dell Optiplex 7060 Tower kurse modeli i fundit është Lenovo Thinkcentre M710T.

Ky projekt mbështetet nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur – KFOS. Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të Internews Kosova dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.