Drenasi

Skandali seksual me të miturën në Drenas, mësuesit e akuzuar ende nuk janë suspenduar nga puna

Dy mësimdhënës dhe një zyrtar i Qendrës së Punëve Sociale në Komunën e Drenasit, vazhdojnë të mbajnë këto pozita pavarësisht aktakuzës së ngritur ndaj tyre.

Mësuesit F.C. dhe I.R.  si dhe zyrtari i QPS-së, H.H., të akuzuar në rastin e abuzimit seksual me të miturën nga Drenasi, janë duke  vazhduar punën pa ndërprerë. KALLXO.com zbulon se një mësues tjetër i akuzuar në këtë rast është suspenduar tashmë me vendim të komunës.

KALLXO.com ka raportuar me 13 shkurt 2020 se Gjykata e Prishtinës e ka konfirmuar aktakuzën për gjashtë të akuzuarit lidhur me keqpërdorimin seksual të të miturës në Drenas.

KALLXO.com zbulon se komuna e Drenasit ka pasur vullnet t’i suspendojë nga puna mësuesit dhe zyrtarët e akuzuar mirëpo për shkak se Prokuroria nuk ka pranuar të japë emrat, suspendimi nuk ka mundur të kryhet.

Komuna e Drenasit në një përgjigje për KALLXO.com ka deklaruar se kanë kërkuar disa herë nga Prokuroria nëse ndaj të dyshuarve është ngritur aktakuzë, por thonë se deri më tash nuk kanë marrë asnjë informacion.

“Komuna e Drenasit, me datë  04.11.2019 dhe më 18.11.2019 i ka kërkuar Prokurorisë së Shtetit informacion zyrtar lidhur me personat e përmendur nga ana juaj (mësimdhënësit dhe punëtorit të Qendrës për Punë Sociale) për të marr informacione se deri ku ka shkuar procedura gjyqësore, nëse ndaj tyre është ngritur aktakuzë, dhe nëse po, i kemi kërkuar që këtë informacion të kemi zyrtarisht për të marr veprime konform ligjeve në fuqi”, thuhet në përgjigjen tyre.

Sipas tyre, pasi që nuk kanë marrë përgjigje nga këto dy kërkesa, zyrtari i autorizuar në Drejtorinë Komunale të Arsimit, është paraqitur edhe fizikisht në Prokurori për të marr informacione.

“Pasi që nuk kemi marr përgjigje ne këto dy kërkesa, zyrtari i autorizuar në Drejtorinë Komunale të Arsimit, është paraqitur edhe fizikisht në Prokurori për të marr informacione, mirëpo nuk i është ofruar asnjë informacion, me arsyetimin nga ana e tyre që kemi të bëjmë me një procedurë penale, ku është e përfshirë e mitura dhe të dhënat mbeten konfidenciale andaj ne si Gjykatë asnjëherë nuk qesim nga Departamenti për të Mitur shkresa të lëndës ku janë të përfshirë të miturit. Po ashtu nuk japim asnjë informatë sa i përket lëndës e cila do qoftë ku janë të përfshirë të miturit. Informata dhe shkresat e lëndës kanë të drejtë t’i marrin vetëm palët në procedurë”, thuhet më tej.

Ndërkaq, deklarojnë se informacionin për ngritjen e aktakuzës e kanë kuptuar vetëm përmes mediave, ndërsa në mënyrë zyrtare, nuk u është ofruar asnjë informacion.

“Në momentin kur të kemi informacion zyrtar se ndaj të lartcekurve se është ngritur aktakuzë, Komuna e Drenasit do të marr masat e parapara ligjore duke përfshirë edhe suspendimin e personave të lartcekur”, përfundon përgjigja e Komunës së Drenasit për KALLXO.com

Ngjarja e cila e tronditi opinion publik në Kosovë dyshohet se fillimisht ndodhi pasi që e mitura kishte shkuar për ta raportuar ngacmimin seksual nga mësimdhënësi.

Ditë më parë mediat raportuan se viktima e mitur kishte shkuar në polici për të raportuar ngacmimin e mësimdhënësit por që më pas kishte rënë pre e dhunimit dhe keqpërdorimit seksual edhe nga polici.

Në dosjen e prokurorisë shpjegohet se si polici e ka keqpërdorur pozitën kur viktima e kishte lajmëruar një rast të abuzimit seksual nga një mësues i saj.

Dosja sqaron se i pandehuri më pas kishte shkuar te shkolla, ku nga viktima kishte marrë numrin e saj të telefonit.

Pas këtij veprimi, sipas asaj që shkruhet në dosjen e Prokurorisë, polici ka filluar të komunikojë me të duke e kushtëzuar që nëse nuk del të takohet me të, ky nuk kthehet i gjallë në shtëpi.

Nga aty, sipas dosjes, i dyshuari kishte shkuar te shtëpia e viktimës, ku pas presioneve me drita të makinës e kishte detyruar të dalë jashtë.

“Me veturën e tij kanë shkuar në motel dhe aty pa dëshirën e të dëmtuarës sipas Prokurorisë i dyshuari e ka detyruar që të ketë marrëdhënie seksuale me të”, thuhet në dosje.

Prokuroria përmend disa raste, ku sipas saj, ishin kryer marrëdhënie seksuale pa dëshirë, përfshirë udhëtimet në Shqipëri si Patok, Tiranë, kalanë e Rozafës, Elbasan etj.

Rasti kishte nisur në vitin 2016, kur viktima ishte 16 vjeçare, ndërsa lidhja thuhet se kishte vazhduar tutje gjatë dy viteve të ardhshme.

Në janar 2019, kur vajza ishte 18 vjeçe ajo kishte kuptuar se ishte shtatzënë në javën e 10-të.

Lajmi për shtatzëninë kishte ngritur në këmbë një aparat të tërë ndërsa termini për abortin dyshohet se ishte caktuar me 15 janar në klinikën e doktorit F.A.

Aty aborti dyshohet se ishte kryer për një shumë prej 230 eurosh

Më 30 tetor 2019, Prokuroria e Prishtinës kishte ngritur aktakuzë kundër gjashtë personave në lidhje me rastin e keqpërdorimit seksual të së miturës nga Drenasi.

Gjatë seancës dëgjimore më 26 dhjetor janë deklaruar të pafajshëm për veprat penale qe u vihen në barrë.

Skandali i abuzimit seksual në Drenas, mesazhet që e ndërlidhin avokatin me dyshimet

KALLXO.com ka raportuar me 13 shkurt 2020 se Gjykata e Prishtinës e ka konfirmuar aktakuzën për gjashtë të akuzuarit lidhur me keqpërdorimin seksual të të miturës në Drenas.

Gjykata Themelore e Prishtinës i kishte caktuar masën e paraburgimit prej një muaji policit dhe mësimdhënësit.

 

 

 

Dosja e Prokurorisë – E kaluara kriminale e të dyshuarve në rastin e vajzës së mitur nga Drenasi

Mësuesi e mjeku i dyshuar në rastin e abuzimit të vajzës së mitur nga Drenasi sot dalin para Gjykatës

Skandali i abuzimit seksual në Drenas, mesazhet që e ndërlidhin avokatin me dyshimet