Skandali i ri i Enver Hoxhajt, pagoi drekë, darkë e cigare me para të shtetit edhe kur nuk ishte ministër

Enver Hoxhaj i ka paguar nga buxheti i Zyrës së Kryeministrit 2 fatura të drekave dhe darkave në vlerë 108 euro edhe pse nuk kishte pozitë në qeveri dhe rrjedhimisht nuk mund të paguante me para të qeverisë.

KALLXO.com ka gjetur se në mesin e faturave të cilat janë paguar nga buxheti i Zyrës së Kryeministrit në emër të Enver Hoxhaj ishin edhe dy fatura që mbanin datën 4 shtator 2017. Në këtë kohë, Hoxhaj ka qenë vetëm deputet i Kuvendit të Kosovës.

Si deputet i Kuvendit, Hoxhaj nuk kishte të drejtë në reprezentacion.

Mandatin e kaluar (2014-2017), kur kryeministër kishte qenë Isa Mustafa, Enver Hoxhaj mbante postin e ministrit të Punëve të Jashtme.

Hoxhaj kishte dhënë dorëheqje nga posti i ministrit të Punëve të Jashtme më 2 gusht të 2017, për shkak se ishte zgjedhur deputet i Kuvendit të Kosovës dhe postin e deputetit e kishte mbajtur deri më datën 9 shtator 2017 kur ishte emëruar zëvendëskryeministër.

Në vendimin e Qeverisë që e posedon KALLXO.com, i nënshkruar nga Kryeministri Isa Mustafa, tregohet se Hoxhaj ishte liruar nga detyra e ministrit për shkak se ishte zgjedhur deputet.

“Lirimi nga posti sipas pikës 1 këtij vendimi bëhet për arsye se z.Hoxhaj është zgjedhur Deputet i Legjislaturës së VI-të të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në vendimin e Qeverisë. Pas dorëheqjes së Hoxhajt nga pozita e ministrit, këtë detyrë e kishte ushtruar Emanuel Demaj, që kishte mbajtur postin e zëvendësministrin në MPJ.

Pra, me datën 4 shtator, Hoxhaj ka qenë vetëm deputet i Kuvendit të Kosovës. Enver Hoxhaj kishte bërë regjistrimin si deputet i Kuvendit të Kosovës më 3 gusht 2017. Ndërsa kishte dhënë dorëheqja nga posti i deputetit me 13 shtator 2017. Gjatë kësaj periudhe, nga data 2 gusht e deri me 13 shtator Hoxhaj nuk kishte pasur asnjë pozitë në Qeverinë e Kosovës. Ai kishte qenë vetëm deputet.

Më 9 shtator të 2017, Kuvendi i Kosovës kishte votuar kabinetin e ri qeveritar, me Ramush Haradinajn kryeministër, e Enver Hoxhajn, zëvendëskryeministër.

Saktësia e datave të regjistrimit të Hoxhajt si deputet dhe dorëheqjes nga posti i deputetit janë konfirmuar nga sekretaria e Kuvendit të Kosovës.

KALLXO.com ka gjetur se më datën 4 shtator të vitit 2017, kur Enver Hoxhaj ishte deputet i koalicionit (PAN), kishte drekuar dhe darkuar në Hotel Emerald dhe faturën e kishte dërguar pastaj në Qeveri, kur ishte ndërruar kabineti qeveritar.

Kërkesën për pagesën e kësaj faturë, kabineti i Enver Hoxhajt e kishte dorëzuar me 3 nëntor të 2017. Kjo faturë ishte pranuar dhe vërtetuar nga këshilltari i Enver Hoxhajt, Valon Berisha.

Hoxhaj me datën 4 shtator ka qenë vetëm deputet. KALLXO.com ka kërkuar një përgjigje nga Kuvendi i Kosovës nëse Hoxhaj kishte të drejt në reprezentacion (pagesën e drekave me para të shtetit) si deputet.

Ismet Krasniqi ka thënë se deputetet e Kuvendit të Kosovës, në bazë të një vendimit të kryesisë së Kuvendit, nuk kanë reprezentacion, pra mjete për pagesën e drekave dhe darkave zyrtare.

 

Në një bisedë të shkurtë për KALLXO.com, Enver Hoxhaj nuk e pranonte se në atë kohë ai nuk ka qenë ministër.

Hoxhaj, përmes telefonit deklaronte për KALLXO.com se ka qenë ministër në detyrë i Punëve të Jashtme, ani pse datat nuk përputheshin.

“Mua s’po më kujtohet kjo faturë, por unë kam qenë ministër i Punëve të Jashtme. Nuk e di çfarë delegacioni kam pritë, por unë kam qenë ministër i Jashtëm”, tha Hoxhaj.

“Unë s’po e di çfarë darke është ajo, ti po fol me mua për një darkë, për të cilën unë nuk e di se çfarë darke. Tash po e shoh me këta të ministrisë. Unë edhe tash që jam në Qeverinë në largim, unë pres njerëz. Në të njëjtën pozitë kam qenë edhe atë kohë. Mesa e di unë, unë kam qenë ministër, por nëse mundesh me ma dërgu faturën ta shoh”, tha Hoxhaj fillimisht për KALLXO.com.

Disa orë më vonë, Hoxhaj në një bisedë tjetër për KALLXO.com thotë se nuk i kujtohet kjo darkë dhe se askush nga stafi i tij nuk e ka nëshkruar.

“Ndoshta është pritja e një delegacioni të jashtëm, e që ka mbetur fatura pa u paguar ose ka qenë faturë kur jam bërë zëvendëskryeministër . Unë si deputet s’kam të drejtë të nënshkruar fatura të tilla, a po më kupton”, tha Hoxhaj për KALLXO.com

“Për 108 euro, unë me shti faturën në emër të ministrit, absolutisht jo”, thotë tuje Hoxhaj.

“S’po di çka me të thanë unë. Unë nuk kam ide për atë datë, s’kam ide”, tha Hoxhaj.

“Kurrkush prej stafit tim se ka nënshkrua atë dokument”, tha Hoxhaj për KALLXO.com

Mirëpo kur KALLXO.com ia ka prezantuar edhe dokumentin ku shihet se është i nënshkruar nga këshilltari i tij, Valon Berisha, Hoxhaj kërkon që t’i jepet kohë deri të nesërmen, për ta vërtetuar këtë.

Ndonëse e kemi pritur edhe sot gjatë ditës, Hoxhaj nuk është lajmëruar në thirrjet dhe mesazhet në telefon.

Në faturën të cilën e ka siguruar KALLXO.com, e cila ka vlerën totale 108 euro e 60 cent, janë dy shujta të shtruara brenda së njëjtës ditë.

Një gjatë orës 3 pasdite dhe një tjetër në ora 23 e 57 minuta.

Në drekën e parë, janë shpenzuar  45 e 40 cent, ku janë blerë edhe cigare.

Një Marbloro Light, që kishte kushtuar 2 euro e 80 është blerë me para të buxhetit. Janë ngrënë edhe dy biftek të gjedhit.

Ndërsa në darkën e orës 23, janë ngrënë dy file salmoni, që kanë kushtuar 24 euro.

KALLXO.com ka filluar publikimin e faturave të dreka dhe darkave zyrtare të Zyrës së Kryeministrin dhe zëvendëskryeministrave.