Skandali i "Plazmave", kjo është ministria e Qeverisë Haradinaj që kërkoi të blejë produkte serbe
Ministria për Komunitete dhe Kthim, e cila udhëhiqet nga Dalibor Jevtic, kishte bërë kërkesë për furnizim me artikuj ushqimor në tenderin e hapur nga Agjencia Qendrore e Prokurimit.
Kjo ministri nuk i ka përjashtuar produktet serbe siç janë Palzma dhe Eurokrem.
Në dokumentet e siguruar nga KALLXO.com, figuron se MKK ka porositur “Eurokrem” ose ekuivalent 500 kg, keks “Plazma” ose ekuivalent nga 150 gram 2 mijë e 250 copa.
Ndër produktet tjera që kjo ministri i ka porositur janë edhe pashtete pule “Argeta” ose ekuivalent 4 mijë e 500 copa nga 95 gram, peshk i konservuar “Sardina” ose ekuivalent 125 gram 4 mijë e 500 copa, fide “Divella” pse ekuivalent 250 kg, makarona “Divella” ose ekuivalent 2 mijë kg, shpagetë “Divella” ose ekuivalente 2 mijë kg, “Vegetë” ose ekuivalent 750 kg.
KALLXO.com ka drejtuar pyetje në këtë ministri për të ditur se për çfarë nevoja janë porositur këto produkte por deri në publikimin e artikullit ministria nuk ka kthyer përgjigje.
Në tenderin, që është i ndarë në 9 llote dhe që pritet të kushtojë rreth 23.5 milionë euro, tek specifikat teknike ishin artikujt: “EuroKrem”, “Plazma”, “Vegetë”, “Pop-Kek”, apo pashtetën e pulës “Argeta” por që pas tyre shkruhet edhe ekuivalentë.
KALLXO.com, ka siguruar qasje në kërkesat e Autoriteteve Kontraktuese për furnizim në këtë tender.
Për institucionet e tjera të cilat kanë bërë kërkesë për furnizim mund të informoheni në këtë LINK.