Foto: Kallxo.com

Skandali i konkursit në Ndërmarrjen e Prishtinës, dyshohet se testi rrodhi para se të mbahet

Një fotografi është bërë sebep që të anulohet konkursi për punësimin e një fotografit në Ndërmarrjen Publike Banesore.

Konkursi është anuluar pas dyshimeve se testi kishte rënë në duart e një prej kandidatëve para se të mbahej testi për punësim në ndërmarrjen publike të Komunës së Prishtinës.

Konkursi për pozitën fotograf ishte hapur më 8 nëntor të këtij viti. Për këtë pozitë aplikuan 10 kandidatë që do të testoheshin më 13 dhjetor. Para se ky test të mbahet, qarkulluan fotografi të një personi që lexon testin në fjalë në një kafene.

Konkursi për këtë pozitë më pas ishte anuluar më 11 dhjetor me një vendim publik por pa arsyetim të qartë.

Ndërmarrja Publike Banesore, e cila udhëhiqet nga Hajdar Hoxhaj, kishte tentuar të fsheh arsyen e vërtetë të anulimit të konkursit kur ishte pyetur nga KALLXO.com rreth konkursit për punësim të një fotografi.

“Komisioni përzgjedhës ka vërejtur se procedura e përzgjedhjes nuk ka qenë në përputhje me udhëzimin administrativ për lidhjen e marrëdhënies se punës, me ç’rast ka rekomanduar anulimin e konkursit”, thotë zyra për informim e NPB-së.

Megjithatë pas pyetjes lidhur me rrjedhjen e testit, kjo ndërmarrje ka pranuar se ka dyshime të tilla dhe se kjo është në fakt arsyeja e anulimit të konkursit.

“Ne e kemi pranuar një ankesë nga njëri nga aplikantët i cili ka pretenduar se testi i përgatitur për këtë pozitë ka dalë jashtë institucionit para se të mbahej. Ne kemi kërkuar informacion shtesë nga i njëjti në lidhje me këtë rast dhe kemi vendosur për anulimin e këtij konkursi deri në vërtetësinë e pretendimeve, me ç’rast kemi iniciuar themelimin e një komisioni që do të shqyrtojë dhe hulumtojë informatat e ofruara nga ana e kandidatit”, thanë ata.

Vetë Kryeshefi i kësaj ndërmarrjeje më vonë tregoi për KALLXO.com se atij i ishin prezantuar fotografi lidhur me dyshimet se testi ka dalur jashtë dhe se ai vetë e formoi komisionin hetimor për këtë çështje.

“Ne kemi marrë masa si na ka ardhë informata dhe jemi duke e trajtu shumë seriozisht. Na i falënderojmë njerëzit që na kanë dhënë informata mirëpo a janë apo nuk janë të vërteta, jemi duke e trajtu. Mirë është me na dhanë pak kohë, ta vlerësojmë se çka po del…Unë si ekzekutiv i kam marrë qeto masa, mirë është me i dhanë kohë komisionit. Nuk po du me ju bo presion. Jam mundu me i gjetë njerëzit ma profesionalë. Si do që të jenë rekomandimet do të procedojmë tutje”, tha Hoxha.

Hoxha tha se deri para pak kohe në pozitën e fotografit kishin të punësuar dikë me kontratë mbi vepër mirëpo kohët e fundit iu është dashur të improvizojnë në nevojat e tyre për fotografi.

“Ka pasë ni pozitë u kanë ni kontratë mbi vepër mirëpo i ka skaduar kontrata. Kohët e fundit i ka bë asistentja ime personale”, tha Hoxha.

NPB nuk ka dhënë informacione shtesë nëse për këto dyshime është njoftuar prokuroria apo ndonjë organ tjetër. Po ashtu nuk është bërë e ditur se kur do të hapet sërish ky konkurs.

Ndërmarrja Publike banesore aktualisht është pa Kryeshef Ekzekutiv, pasi një konkurs i iniciuar në fillim të vitit ishte anuluar nga bordi i kësaj ndërmarrjeje pa dhënë arsye të qarta. Ushtrues Detyre i Kryeshefit është Hajdar Hoxhaj.