Skandal i ri: Asistenti i Fakultetit të Mjekësisë largohet nga puna, dyshohet se ngacmoi studenten

Këshilli i Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, gjatë mbledhjes së djeshme (08.02.2019- e premte) kanë vendosur që t’ia ndërpres kontratën një asistenti të angazhuar në katedrën e Otorinolaringologjisë (ORL) pasi ai është denoncuar nga një studente për ngacmim.

Bëhet fjalë për asistentin dhe doktorin Kujtim Kastrati, i cili punon në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) si otorinolaringolog, pra specialist për hundë, vesh dhe fyt.

Dekanja e këtij fakulteti Suzana Manxhuka- Kërliu, ka treguar për KALLXO.com që përmes denoncimit me shkrim studentja ka dorëzuar edhe dëshmitë e mesazheve të cilat asistenti i kishte dërguar në celularin e saj.

Vet doktori nuk e ka mohuar dërgimin e mesazheve telefonike, por ka thënë se e tëra ishte një keqkuptim dhe ai vetëm kishte për qëllim ta uronte për festat e fundvitit.

Në një bisedë për KALLXO.com, dekanja Suzana Manxhuka Kërliu ka sqaruar rrethanat të cilat quan në nxjerrjen e vendimit të djeshëm.

“Një studente e Fakultetit të Mjekësisë më është paraqitur para vitit të ri, para meje dhe sekretarit të Fakultetit të Mjekësisë  denoncoi njëherë gojarisht, një asistent i cili në orët e vona të mbrëmjes i kishte shkruar letër kështu mesazhe në telefon ngacmuese”, thotë Dekanja.

Ajo ka sqaruar se e kishin udhëzuar studenten që pretendimet t`i paraqesë me shkrim.

Në dosjen e lëndës shkruhet se rasti ishte paraqitur në fund të vitit 2018-të, ndërsa sipas dekanes rasti nuk është trajtuar deri tani për shkak të grevave.

“Ne dje mbajtëm mbledhjen, e prezantova rastin edhe të gjithë njëzëri u dakorduan që këtij personi me ja ndërpre menjëherë angazhimin në Fakultet. Ne tani jemi të obliguar që ta informojmë Senatin edhe rektorin, si dhe të kërkojmë prej tyre që t’ia ndërpresin kontratën”, ka theksuar Kërliu.

Dekanja ka rrëfyer për momentet kur studentja e kishte paraqitur rastin tek ajo.

“Ishte shumë e shqetësuar atë ditë kur erdhi tek unë, qante edhe ne e qetësuam disi duke i premtuar se do marrim masa”, tregoi Manxhuka- Kërliu, raporton KALLXO.com

Ajo ka sqaruar edhe rrethanat dhe dëshmitë të cilat i posedojnë.

“Ai ishte ngacmim, së pari në orën 10 (22) të mbrëmjes çfarë lyp asistenti me i shkruar studentes – numër një. E dyta, fillon i shkruan jo shikimi yt vrasës e ç ‘vrasës e ku ta di unë, këto janë ngacmime”, tregoi tutje ajo.

E pyetur nga KALLXO.com se a kanë biseduar me doktorin në fjalë për të kërkuar sqarim rreth këtij rasti, dekanja e Mjekësisë theksoi se para se ta ftonin, asistenti veçse kishte dërguar një shkresë në të cilën kishte sqaruar këtë rast.

“Ai e ka dërgu një shkresë në të cilën me në fjalë vetëm e pranon që i ka shkruar edhe thotë që është keqkuptim edhe kërkon që të tërhiqet. Në mbledhje të Këshillit, shefi i katedrës profesori Qazim Hysenaj që e ka pas asistent këtë person tha se në momentin kur mora vesh e më tregoi çka ka ba, i ka thanë që mo s’du me të pa me sy këtu në fakultet. Doktori emrin e pat Kujtim Kastrati kështu që kur edhe shefi i katedrës i ka thënë që s’du me të pa mandej ai e pruni shkresën me shkrim në fakultet”, sqaron ajo.

Draft-Rregullorja për ngacmimet seksuale në UP “Hasan Prishtina”

Sipas Draft-Rregullores për trajtimin dhe parandalimin e ngacmimeve seksuale në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, e cila veçse u është dërguar dekanëve të Fakulteteve për ripërpunim apo komente, në Nenin 6 te ‘Format e shfaqjes së ngacmimit seksual’, në kuadër të ‘ngacmimit verbal’ cilësohen edhe mesazhet, sepse në pikën 1.2. thuhet se ngacmim seksual konsiderohen edhe ‘letrat, telefonatat ose materialet e natyrës seksuale’.

Mirëpo kjo Draft-Rregullore ende nuk është në fazën finale edhe pse tashmë ka kaluar afati i cili u është dhënë njësive akademike për të dorëzuar komentet e personelit.

Kjo rregullore është bazuar në praktika të universiteteve evropiane, siç është Universiteti Cambridge në Mbretërinë e Bashkuar.

I kontaktuar nga KALLXO.com doktori Kujtim Kastrati, i cili deri dje ishte asistent në lëndën dhe katedrën e Otorinolaringologjisë(ORL), tha se denoncimi për ngacmim nga studentja ishte pasojë e një keqkuptimi.

“Ka qenë thjeshtë keqkuptim mes meje edhe saj edhe asgjë më tepër. Keqkuptim absolutisht. Unë kam tregu që s’ka asgjë në këtë mes. Vetëm duke tregu që kjo nuk është aspak e vërtetë edhe për të tregu të vërtetën. Në qoftë se ajo është ndjerë e atillë që unë t’ia jap mundësinë që ajo të mos ndihet e tillë për shkak të integritetit tim moral. Jo nuk është e vërtetë”, sqaroi Kastrati për KALLXO.com

Tutje asistenti theksoi se i kishte shkruar kësaj studenteje vetëm për ta uruar për festat e fundvitit dhe se më pas ishte keqkuptuar nga ajo.

“Unë thjeshtë kam dashur që ta uroj për festa asgjë më shumë. Unë kam dhënë deklaratën time edhe kam tregu që nuk ka pasur asgjë më shumë se sa kaq. Thjeshtë për ta uruar për festë. Nuk kam çfarë të shtoj më shumë se kaq”, përfundoi Kujtim Kastrati.

Ai nuk ka dhënë përgjigje nëse do paraqes ankesë ndaj vendimit të djeshëm të Fakultetit, por ka premtuar se do deklarohet rreth rastit gjatë javës.

Në anën tjetër dekanja e Fakultetit të mjekësisë ka inkurajuar studentët dhe studentet e tjerë që mund të jenë viktima potenciale të ngacmimeve t`i raportojnë ato për shkak se sipas saj Fakulteti do marrë masa të menjëhershme.

 

Ditëve të fundit opinioni publik është tronditur nga një skandal i abuzimit seksual i një të miture nga Drenasi.

Pas daljes në publik të këtij rasti ka patur reagime të shumta në opinon, Në Prishtinë dhe Drenas u mbajtën protesta kundër abuzimit seksual të nxënëses.

Reagime pati edhe nga organet e rendit dhe ligjit. Një polic i dyshuar pë abuzimin e të miturës është arrestuar dhe Gjykata ia ka caktuar 30 ditë paraburgim.

 

https://kallxo.com/paraburgim-ndaj-policit-te-dyshuar-per-dhunim-dhe-ngacmim-seksual/

 

Po ashtu edhe një mësues është arrestuar dhe i është caktuar masa prej 30 ditësh paraburgim.

 

https://kallxo.com/gjykata-vendosi-per-mesuesin-e-dyshuar-per-abuzim-seksual-ndaj-te-mitures-nga-drenasi/

 

Kurse ndaj një gjinekologu Gjykata caktoi arrest shtëpiak lidhur me rastin e vajzës nga Drenasi.

 

https://kallxo.com/skandali-i-drenasit-gjinekologu-lirohet-nga-burgu/

.