Shteti Rrezikon Trepçën

Mosfunksionalizimi i bordit të AKP-së dhe procedurat e prokurimit publik rrezikojnë që në fillim të nëntorit ta dërgojnë në likuidim gjigantin e metaleve “Trepça”. AKP-ja ka dështuar ta bëjë me kohë studimin e fizibilitetit për “Trepçën”. Qeveria e Kuvendi i kanë edhe më pak se dy muaj për ta ndryshuar statusin e “Trepçës”, përmes një ligji të veçantë.

Nëse deri më 1 nëntor nuk bëhen ndryshimet e nevojshme ligjore, “Trepça” me 2 nëntor shkon në likuidim sipas vendimit të Dhomës së Veçantë të Gjykatës Supreme.

Gazeta Jeta në Kosovës ka zbuluar një varg problemesh të cilat me 2 nëntor mund ta bien “Trepçën” para likuidimit.

Hulumtimi zbulon se 52 ditë para datës së likuidimit, Qeveria e Kosovës, Kuvendi e Agjencia Kosovare e Privatizimit nuk i kanë kryer ende detyrat e tyre për ta shpëtuar “Trepçën”. Janë dy rrugë që mund ta parandalojnë likuidimin e “Trepçës”: bërja e planit të riorganizimit nga AKP-ja bazuar në ligjin në fuqi, apo hartimi i Ligjit për “Trepçën” që në thelb do të ketë ndryshimin e statusit të saj në ndërmarrje publike. Edhe pse të dy opsionet janë të ndara, ato kanë një emërues të përbashkët që është studimi i fizibilitetit, i nevojshëm për përcaktimin e së ardhmes së “Trepçës”.

Studimi i fizibilitetit duhet të bëhej nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, pasi ajo me ligjin në fuqi është administratore e “Trepçës” dhe ka gjithë kompetencat për të përcaktuar të ardhmen e saj. Edhe pse qeveria e Kosovës synon t’ia marrë këtë kompetencë me ligjin e ri, prapë AKP-së i është lënë detyra e bërjes së një studimi të fizibilitetit, i cili do të shërbente edhe si bazë e ligjit të ri për këtë ndërmarrje.

Gjatë gjithë vitit 2015 nuk ka pasur asnjë aktivitet publik të Qeverisë së Kosovës për “Trepçën”, pas ndryshimeve ligjore që ishin bërë gjatë muajit shkurt të cilat patën parandaluar likuidimin e “Trepçës”. Përveç që nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim, Qeveria e Kosovës e kishte lënë Agjencinë Kosovare të Privatizimit jofunksionale gjatë gjithë vitit 2015.

Bordi i ri i AKP-së ka arritur që vetëm në muajin maj, pesë muaj pas fillimit të punës, të shpall tenderin për angazhimin e një kompanie profesionale për përgatitjen e një studimi të fizibilitetit për “Trepçën”. Tenderi ishte përgatitur në atë mënyrë që të prodhonte një studim të fizibilitetit para muajit nëntor, kur është data e fundit kur duhet të përcaktohet fati i “Trepçës”. Agjencia Kosovare e Privatizimit e kishte rekomanduar për kontratë konzorciumin “HPC dhe Ernst & Young” nga Gjermania, i cili kishte ofertuar një çmim prej 598 mijë e 920 eurove. Kontrata katërmujore ishte planifikuar të nënshkruhej në fund të muajit korrik.

Mirëpo, gjithçka ka shkuar ters kur kompania e tretë për nga çmimi më i lirë, është ankuar në OSHP. Tashmë, procesi i prokurimit është pezulluar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit pasi një nga kompanitë e huaja pretendon se AKP-ja ka bërë shkelje ligjore.

“Ende nuk është nënshkruar kontrata e re me kompaninë fituese për shkak te pezullimit te nënshkrimit te kontratës me vendim te OSHP-së, pas dorëzimit të ankesës nga kompania e tretë e listuar si e përgjegjshme në mesin e kompanive pjesëmarrëse ne ketë tender-Konzociumi ‘Brandon Hill Capital’”, thuhet në përgjigjet e AKP-së.

Në AKP thonë se për ankesën në fjalë është lëshuar raporti i ekspertit shqyrtues, ndërsa kontrata katërmujore do të mund të nënshkruhet vetëm pasi të ketë një vendim nga Organi Shqyrtues i Prokurimit.

Agjencia Kosovare e Privatizimit ka pranuar shtatë oferta për bërjen e studimit të fizibilitetit për “Trepçën”. Vetëm njëra nga ofertat është eliminuar në fillim të procesit për shkak se dosja dhe oferta e dorëzuar nuk kanë qenë të nënshkruara, siç kërkohet me Ligjin e Prokurimit Publik.

Kompania “HPC Ag” ka ofertuar me çmimin më të lirë. Vetëm 598 mijë e 920 euro i ka kërkuar kompania gjermane për të bërë studimin e fizibilitetit për “Trepçën”. Kompania “Novus” nga Prishtina ka ofertuar me një çmim prej 797 mijë eurove, kurse kompania “Brandon Hill Capital” nga Londra ka ofertuar me një çmim prej 870 mijë eurove.

Kompania “SGS Time Mining” me seli në Afrikën Jugore ka  ofertuar me 838 mijë euro, mirëpo oferta e tyre nuk ka qenë e nënshkruar dhe e vulosur. Kjo ka qenë vërejtja e shënuar në procesverbalin e hapjes së ofertave. Kompania “DMT Gmbth &Co.kg” me seli në Gjermani ka ofertuar me një çmim prej 1 milion e 156 mijë euro që është çmimi më i lartë i  ofertuar në këtë proces të prokurimit. Pas saj vjen oferta e kompanisë “Delloite” me seli në Qipro që ka ofertuar një çmim prej 1 milion e 97 mijë euro. “Grant Thornton Consulting” nga Maqedonia po ashtu ka kërkuar 1 milion e 3 mijë euro për të bërë studimin e fizibilitetit të “Trepçës”.

 

procesverbali1procesverbali2

 

Kompanitë që kanë ofertuar për të bërë Studimin e Fizibilitetit për Trepçën

Ligji para studimit të fizibilitetit

Fillimisht ishte thënë se studimi i fizibilititetit do t’i paraprijë Ligjit për “Trepçën”. Kjo gjë shihet edhe në njoftimin për kontratë të publikuar nga AKP-ja. Është kërkuar studim i fizibilitetit për aktivitetet themelore të “Trepçës” dhe orientimin strategjik për zhvillimin e “Trepçës”.

Në këtë studim duhet të bëhet një analizë e tregut, aspekteve teknologjike dhe burimeve njerëzore. Studimi i fizibilitetit, sipas AKP-së, duhet të ketë përgjigje për lëndën e parë dhe furnizimet, inxhinieringun e teknologjinë dhe planin e burimeve njerëzore për riorganizimin e “Trepçës”.

Por, është kërkuar përgjigje edhe për çështjen e pronësisë.

“Ristrukturimin dhe menaxhimin – duke përfshirë: shqyrtimin e legjislacionit aktual lidhur me aktivitetet e ‘Trepçës’, alternativat për strukturën e pronësisë, organizimin dhe shpenzimet e përgjithshme”, thuhet në njoftimin për kontratë të publikuar në ueb-faqen e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.

Faza e dytë parasheh orientimin strategjik për zhvillimin e “Trepçës”. Për këtë fazë është kërkuar analiza që identifikojnë prodhimet dhe shërbimet e mundshme me vlerë të shtuar më të lartë të “Trepçës”, si dhe tregjet potenciale për këto produkte. Studimi duhet të përmbajë edhe analiza për shumën e kërkuar për investime në “Trepçë”, si dhe identifikimin e nevojave teknologjike dhe për burime njerëzore në funksionalizimin e “Trepçës”.

Studimi i fizibilitetit duhet të përmbajë edhe rekomandime për shumë fusha të caktuara. “Rekomandime për zgjedhjet optimale teknologjike; për struktura optimale të pronësisë; për nevojat për investime, mënyrat, duke u bazuar në qasjet e mundshme për investime, duke u nisur nga shfrytëzimi i plotë i kapaciteteve, si dhe rekomandime për ndryshimet ligjore të nevojshme”, thuhet tutje në njoftimin për kontratë.

Opsioni i parë-bërja e një plani të riorganizimit bazuar në ligjin aktual, tashmë është opsion i paarritshëm, sepse plani i riorganizimit nuk do të jetë gati. Madje, Qeveria e Kuvendi i Kosovës nuk do t’i kenë përgjigjet e studimit në kohën kur do të diskutojnë Ligjin për “Trepçën”, pasi në secilin kalkulim kompania e angazhuar nga AKP-ja nuk do të mund të përgatitë studimin e fizibilitetit deri në muajin nëntor.

Qeveria e Kosovës është e vetëdijshme se Ligji për “Trepçën” duhet të jetë në fuqi para muajit nëntor. Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa në një vizitë që i kishte bërë AKP-së e kishte shprehur urgjencën që ka rasti i “Trepçës”.

Kishte thënë se para muajit nëntor duhet të bëhet një ligj i ri për “Trepçën”. Kjo nënkupton se para datës 2 nëntor ligji i ri për “Trepçën” duhet të jetë në fuqi, pra të kalojë edhe leximin e dytë, të jetë i nënshkruar nga Presidenti, e të publikohet në gazetën zyrtare.

Edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik Blerand Stavileci thotë se Projektligji për “Trepçën” duhet të jetë në fuqi para muajit nëntor. Qeveria e Kosovës, sipas tij, do të kryejë detyrën e vet sa i përket “Trepçës”, përkatësisht hartimin e Ligjit për “Trepçën”. Ndërsa, Kuvendi i Kosovës është përcaktuar të bëjë një studim që tregon zgjidhjet që u janë bërë rasteve të ngjashme nëpër botë.

E AKP-së i është lënë detyra e bërjes së studimit të fizibilitetit.

Stavileci thotë se studimi i fizibilitetit është dashur t’i paraprijë strategjisë dhe Ligjit për “Trepçën”. Mirëpo, thotë se Kosova është në presionin e kohës për të bërë ligjin, i cili përcakton statusin e saj.

“Është e kuptueshme se një studim i mirë i fizibilitetit, e madje një strategji e mirë do të bënte më të lehtë dhe do të na ndihmonte të bënim një ligj të mirë për ‘Trepçën’, por fatkeqësisht nuk e kemi atë komoditet”, ka thënë ministri Stavileci.

Duke marrë parasysh mungesën e studimit të fizibilitetit, Stavileci tha se me ligj do të përcaktohet statusi i kësaj ndërmarrjeje, por duke lënë mundësi të hapura për modelin ekonomik.

Trepça_340297
Hyrja në Minierën e Stantërgut, e cila është vetëm njëra nga minierat e Trepçës

Zmbrapsja e qeverisë

“Trepça” ishte shpëtuar nga likuidimi nga Kuvendi i Kosovës në shkurtin e vitit 2015 kur ishte ndërruar Ligji për Riorganizimin e Ndërmarrjeve të Veçanta, me të cilin rregullohet edhe çështja e “Trepçës”.

Qeveria e Kosovës gjatë vitit 2013 nuk kishte bërë asnjë hap për të parandaluar likuidimin e “Trepçës”, duke mos iu përgjigjur thirrjeve që i kishte bërë AKP-ja për urgjencën e gjetjes së një zgjidhjeje për “Trepçën”.

Një vendim i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme që ishte marrë në janar të 2015-ës i pati alarmuar të gjitha institucionet vendimmarrëse, pasi i njëjti e kishte caktuar datën 2 shkurt për futjen e “Trepçës” në proces të likuidimit. Qeveria e Kosovës fillimisht kishte dalë me deklarata bombastike, duke thënë se “Trepçën” nuk mund ta tjetërsojë askush dhe se e njëjta në një afat shumë të shkurtër do të bëhet ndërmarrje publike.

Qeveria e udhëhequr nga Isa Mustafa kishte marrë vendim për kalimin e Ligjit për Ndërmarrjet Publike, i cili i hapte rrugë bërjes së “Trepçës” ndërmarrje publike në pronësi të Qeverisë së Kosovës. I njëjti ligj kishte kaluar në procedura të përshpejtuara nëpër të gjitha nivelet e Kuvendit.

Tre ministra të Qeverisë së Kosovës nga Lista Serbe kishin shkuar në Beograd për të mbajtur një konferencë së bashku me ministra të Qeverisë së Serbisë. Prej atje, ata e patën kërcënuar Qeverinë e Kosovës me prishje të stabilitetit politik, greva, e dalje nga koalicioni qeverisës. Në të njëjtën kohë punëtorët e “Trepçës” që punojnë në pjesën veriore patën filluar një grevë, duke paralajmëruar edhe përshkallëzim të veprimeve të tyre.

Të nesërmen, me datën 19 janar 2015, kur pritej që në seancën e jashtëzakonshme të thirrur me kërkesë të qeverisë, të qitej në votim ky projektligj, Kryeministri Mustafa e kishte tërhequr atë, duke thënë se ka qenë një hap i ngutur. Të njëjtën ditë, Qeveria e Kosovës e kishte miratuar ndryshimin e Ligjit për Riorganizimin e Ndërmarrjeve të Veçanta, duke e parandaluar futjen në likuidim të “Trepçës”.

Kjo pati shkarkuar pakënaqësi të minatorëve të “Trepçës”, të cilët u ngujuan në horizontin e 8 të minierës, rreth 750 metra nën tokë. Ata e përfunduan grevën vetëm pasi morën garanci nga Qeveria e Kosovës se do të miratojnë Ligjin për Ndërmarrjet Publike, në të cilin është paraparë edhe një ligj i veçantë për “Trepçën”.

Pas ndryshimit të ligjit, ka qenë Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme e cila ka përcaktuar afate të reja për përgatitjen e planit të riorganizimit dhe afatin kur një gjë e tillë duhet të përgatitet.

Ajo i kishte dhënë 20 muaj kohë Qeverisë së Kosovës për përgatitjen e planit të riorganizimit për të parandaluar futjen e “Trepçës” në likuidim.

“Gjykata e konsideron të përshtatshëm zgjatjen e afatit për dorëzimin e Planit të Riorganizimit deri në periudhën maksimale në dispozicion. Meqë shpallja e njoftimit për afatin e fundit të kërkesave ishte shpallur me 01 nëntor 2013, tridhjetë e gjashtë muaj skadojnë me 01 nëntor 2016. Me qëllim që gjykata të mbajë kontroll mbi procedurat, Agjencia duhet të parashtrojë raportet lidhur me gjendjen e tanishme të punëve në çdo tre muaj”, thuhet në aktvendimin e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme.

Një nga gjyqtarët që ka marrë pjesë në kolegjin e specializuar, e ka kundërshtuar aktvendimin për zgjatjen e afatit në maksimumin e lejuar në ligjin e amendamentuar. Ai ka parapëlqyer që shtyrja e afatit të bëhet vetëm duke u bazuar në një plan konkret të AKP-së për hapat që planifikon t’i ndërmarrë për riorganizimin e “Trepçës”.