ShSKUK blen oksigjen nga Serbia me çmim dyfish më shumë se sa planifikoi

Që nga dita e premte, më 13 mars, Kosova ka hyrë në listën e shteteve, qytetarët e të cilave janë infektuar me COVID-19. Nga ajo ditë e deri më sot janë shënuar 19 raste të të prekurve.

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) ndonëse ka vetëm 95 respiratorë, 58 prej tyre​ në përdorim në klinika,  15 tjerë janë rezerve dhe 22 të tjerë gjenden në shtatë spitalet e përgjithshme regjionale, ka blerë mbi 160 mijë litra oksigjen me origjinë nga Serbia, me çmim gati dyfish më shumë nga sa kishte planifikuar.

Vlera e parashikuar për këtë tender ishte 184.257,68 euro. Ndërsa ShSKUK ka lidhur kontratë me kompaninë “Medica” Sh.P.K. në vlerë prej 320,957.68 euro apo 136,700 euro më shumë se vlera e parashikuar.

Kontrata e cila është nënshkruar më 12 mars të këtij viti është zhvilluar me procedurë të negociuar, pa publikim të kontratës.

Sipas ShSKUK-së, ky çmim është për shkak të tarifës që shteti i Kosovës ka me atë të Serbisë.

“ShSKUK, ka lidhur kontratë kornizë 3-mujore me kompaninë “Medica”, kontrata ka vlerën 320,957.40 euro. Çmimi nga kontrata paraprake ka dallim për shkak të taksës prej 100%”, thuhet në përgjigjen e tyre të dhënë për KALLXO.com.

Në kontratë, thuhet që ShSKUK do të furnizohet me 104,378 litra Oksigjen (Inhalim) dhe me 60,672 litra Oksigjen (Inhalim për përdorim të menaxhimin e hipoksisë).

Sipas kontratës, ky furnizim do të jetë për nevoja të shërbimit spitalor dhe për spitalet regjionale.

“ShSKUK, për asnjë moment nuk është e rrezikuar me mungesë të Oksigjenit, ka operator ekonomik të kontraktuar për furnizim, me të cilin ka lidhur kontratë, i cili njësitë përbërëse të ShSKUK-së, i furnizon në baza javore, sipas kërkesave mbi nevojat e shpenzueshmërisë”, thuhet në përgjigjen e tyre.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me kompaninë “Medica” Sh.p.k përmes telefonit dhe emalit, por e njëjta nuk ka qenë e qasshme deri në publikimin e këtij artikulli.

 

 

“Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian”.